BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Opinion / Editorial

Iluzionistët e sekteve fetare dhe pasojat e tyre

Iluzionistët e sekteve fetare dhe pasojat e tyre

Për etikë mirësjellje unë do t’ju kërkoj ndjesë dhe atyre njerëzve të mirë e të ndershëm që besojnë, por ky shkrim nuk ka të bëjë aspak me ata persona që besojnë në sektet e ndryshme fetare dhe nuk dua të marr aspak rolin e priftit apo të hoxhës. Në këtë shkrim lidhur dhe me tragjedinë e familjes “Josifi”, ku u vetëflijuan nënë e bijë në emër të një “ideje të pashpirt”, desha të ndalem në disa koncepte lidhur me fenë në përgjithësi, sepse raste të tilla vetëflijimi në emër të “ringjalljes” së shpirtit (ashtu sikurse ngjallet “Jezusi” një vit, pastaj kujtohet e vdes për t’u ringjallur vitin e ardhshëm), kanë ndodhur kudo në botë, sikurse në Jonestoun të USA në vitin 1978, ku në emër të të ashtuquajturit sekt “Tempulli i popullit” u vetëflijuan jo pak, por mbi 900 persona në një ditë. Po ç’është feja në realitet? A ka ekzistuar ajo më parë apo jo? Çfarë ka dhe propagandon në thelb feja në përgjithësi? Dihet historikisht, se feja lindi në një epokë të caktuar të shoqërisë njerëzore, atëherë kur ajo filloi organizmin e vet, që do të thotë se ka karakter historik. Lindi në kushtet e një zhvillimi të ulët ekonomiko-shoqëror që i përgjigjej gjithashtu dhe një nivel shumë i ulët i botëkuptimit i shpjegimit të sendeve, proceseve dhe fenomeneve, të natyrës dhe të shoqërisë. Mbi këtë bazë u formuan dhe u sistemuan duke u pasuruar vazhdimisht dhe konceptet fetare, nga ku më vonë, po mbi bazën e këtyre pikëpamjeve u ngritën dhe institucionet e ndryshme fetare të çdo lloji qofshin ato. Në kohën e iluminizmit dhe të rilindjes mbizotëronte mendimi se feja u zhvillua mbi bazën e paditurisë dhe nivelit të ulët të njerëzve, teksa disa të tjerë mendonin se shkak i lindjes së saj ishte mashtrimi i madh që bënin njerëzit e institucioneve të çallmës, veladonit apo mantelit budist. Kjo pjesërisht është e vërtetë, sepse qëkur pikëpamjet fetare morën formë institucionale të lejuar dhe nga shteti (që në fakt në shoqërinë e ndarë me klasa, shteti dhe feja bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin), në periudhë të caktuar historike, pra që prej asaj kohe e më vonë e kanë shoqëruar njerëzimin hap mbas hapi.

Po pse feja ka karakter reaksionar dhe nuk i shërben progresit, pavarësisht predikimeve të saj?

Pikë së pari, pavarësisht se feja ka evoluar dhe shumë dogma të saj kanë dalë jashtë realitetit, përsëri luan një rol helmues në ndërgjegjen e njerëzve, sepse ajo nëpërmjet misticizmit të vet enigmatik, u jep jetë atyre forcave që nuk ekzistojnë dhe imagjinatat jashtë realitetit tokësor, i kthejnë dhe u japin forma tokësore, sikur të ekzistonin... Pra i japin shpirt një bote imagjinare që nuk ekziston, duke i dhënë asaj artificialisht shpirt. Mbi këtë bazë lind besimi dhe ky besim lind mbi trillimet e ekzistencës së zotit, perënditë, engjëjt, djajtë, Krishti, Muhamedi, Adami, Eva, xhindet, shpirtrat që vdesin e ngjallen etj. etj. A nuk ishte inkuizicioni kishtar ai që dogji për së gjalli Xhordano Brunon apo ndëshkoi rëndë Galileo Galilein sikurse dhe me dhjetëra e qindra dijetarë të tjerë? Edh sot e kësaj dite “Selia e Shenjtë” nuk ka kërkuar falje për këto krime makabre ndaj dijetarëve të mëdhenj të kohës. Duhet theksuar, se në emër të fesë, paçka se Selia e Shenjtë predikonte paqen, janë organizuar kushedi sa e sa kryqëzata në interes të klasave sunduese. Dihet botërisht se shteti më i pasur i botës është Vatikani, i cili predikon paqen, por bekon dhe luftën ashtu sikurse kanë bekuar bajonetat e fashizmit e të nazizmit kundër lirisë e pavarësisë së popujve, pavarësisht se priftërinj e hoxhallarë i luten “Perëndisë dhe Allahut për paqe”. Ajo çka mbizotëron në gjithë boshtin ideologjik të fesë është predikimi dhe përulja ndaj forcave të mbinatyrshme inekzistente, për të tulatur dhe ushqyer me frikën, por dhe përuljen e bindur popujt, se për këta (popujt, njerëzit) do të kujdeset “ai” që është “sipër”, “rregullatori i gjithë jetës shoqërore”, se dhe nëse vuan tani, zoti do mendojë për ty nesër ose mbas vdekjes tënde, se ai do të ngjallë shpirtin tënd të pavdekshëm etj. etj. Dogma të tilla të cilat zënë vend në kokën dhe mendjen e shumë njerëzve, të cilët nuk janë aspak të këqij edhe pse besojnë, por e keqe është feja, sepse spekulon, skllavëron dhe injekton te mendjet e njerëzve bindjen absolute ndaj të “plotfuqishmit” duke paralizuar mendimin progresist. A kini parë ndonjë prift apo hoxhë të dalë në demonstrata me besimtarët tij? Jo aspak, ata nuk dalin. Të jetë rastësi që nuk dalin? Edhe kjo është e logjikshme, e moralshme dhe e pranueshme nga ana e tyre, për faktin e thjeshtë sepse feja si institucion fetar i shërben klasës në fuqi. Sigurisht “na shërbejnë” dhe ne, por mbasi e kemi “tundur këmbën”, madje na kërkojnë të tundim dhe xhepat ndryshe na lanë dhe pa varr. Duke ndjekur një ndër kanalet televizive më tërhoqi vëmendjen fjala e një kryetari partie, i cili na mburrte fenë duke deklaruar se ajo nuk predikon vetëvrasjet. Mbase nëpër analet e librave të pluhurosura të peshkopëve dhe priftërinjve katolikë, sikurse dhe nëpër faqet e zbukuruara të Kuranit këto gjëra nuk shkruhen, por feja të vret në mënyrë të ëmbël “me anestezi” që të mos e ndiesh kurrë dhimbjen. Madje ka dhe raste që ndodh si në sektin e “Dëshmitarëve të Jehovait” që nëse një shoku yt ka nevojë për gjak, ata nuk japin. Le të vendosë Perëndia për të - deklarojnë ata. Aktet liturgjike të adhurimi të kultit të Zotit deri në vetëflijim, se në botën e përtejme gjendet parajsa është një vdekje e pamëshirshme, sepse këto predikime i largojnë mendimet e progresit njerëzor duke i hedhur turmat e besimtarëve në pasivitet, për të mos lejuar që masat e gjera të popujve të marrin në duart e veta fatin e tyre, për të transformuar botën. Duke qenë se feja predikon përuljen ndaj një force të mbinatyrshme, në konkurrencë me sektet e tjera, bëjnë çmos që të devijojnë qëllimin e popujve të luftës së tyre për liri e pavarësi, duke nxitur urrejtjen midis feve e sekteve të ndryshme si psh atë të botës islame kundër botës së krishterë, apo anasjelltas. Sigurisht që nëpër librat e tyre gjen dhe predikime të ëmbla si ato të të qënurit vëlla me njëri-tjetrin, propagandojnë vetitë dhe virtytet e mira, janë kundër veseve dhe paudhësive të njeriut, kultivojnë respektin dhe dashurinë, janë kundër krimit dhe i dalin në krah njerëzve të varfër e të mjerë, (Ky është opiumi ngazëllues e iluzionist që “për momentin e lumturon njeriun” dhe e bën atë të harrojë hallet e veta),veçse kurrë, për asnjë moment historik që me lindjen e saj, feja nuk e ka deklaruar se kush është shkaktari i vërtetë i këtyre fatkeqësive, por mashtron me natyrën e disa njerëzve të veçantë. Po si shpjegohet që Zoti u mbajtka anën për shekuj e shekuj njerëzve të veçantë (nënkuptojmë klasën shfrytëzuese) dhe për asnjë herë në asnjë vit e në asnjë shekull nuk ka përkrahur fukaranë? Ja pra ku qëndron thelbi reaksionar i tyre duke na bërë ne skllevër të nënshtruar të një shpirti që nuk ekziston, ose më saktë që nuk ka shpirt. Sigurisht është e drejtë e gjithkujt të besojë ose të mos besojë, por është dhe e drejta ime që nuk besoj, ta gris aureolën e vellos fetare, e cila kurrë në historinë botërore nuk i ka shërbyer popujve, përkundrazi për fatkeqësinë e tyre, popujt i kanë shërbyer fesë duke u bërë kështu robër shpirtërorë të ideve të tyre të djallëzuara.