BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Impianti i ujërave të Vlorës rrezikon funksionimin normal

Impianti i ujërave të Vlorës rrezikon funksionimin normal

(Koordinatori i IPA anuloi fondin prej 3.4 mln euro që janë të domosdoshme për funksionimin e projektit)

Një nga shkaqet që vendi ynë nuk arrin të tërheqë financime të huaja në masë të ndjeshme, është mungesa e projekteve të mirëpunuara, të zbatueshme me korrektesë dhe në afate si dhe të verifikueshme në çdo fazë të implementimit të tyre. Këtë shqetësim e shprehin hapur si diplomatë të huaj këtu, ashtu edhe zyrtarë të MEPJ që mbulojnë çështjet e mbështetjes së huaj për vendin tonë. Përvoja e dekadës së fundit, për të mos u futur më thellë në historikun e këtij problemi, dëshmon më së miri këtë defekt të administratës sonë publike, e cila në raste të shpeshta dëshmon një paaftësi të pajustifikueshme, që sjell pasoja të rënda. Një rast i tillë, ilustrues i këtij fenomeni, përshkruhet në një raport zyrtar që ka të bëjë me abuzimet në zbatimin e një projekti në Vlorë për trajtimin dhe kanalizimin e ujërave të zeza etj. Sipas raportit, projekti “Ndërtimit i sistemit të kanalizimit në Vlorë, Faza II”, ka probleme të dukshme në tërësinë e tij dhe “nuk ka realizuar objektivat e kontratës së nënshkruar”. Në projektin fillestar, (të financuar nga fondet IPA të BE-së, parashihej ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të ndenjura. Ky impiant u ndërtua, por fatkeqësisht nuk e kryen funksionin për të cilin ishte dhënë financimi nga BE. Ai funksionon vetëm për largimin e mbetjeve mekanike dhe yndyrat/vajrat nga ujërat e ndotura, por jo nga elementët kimikë dhe bakteriologjikë, që janë problemi kryesor i ndotjes së ujërave që derdhen në det. Ky handikap i rëndë ka ardhur për shkak të mungesës së komunikimit ndërmjet zbatuesit dhe përfituesit final të projektit, Ujësjellës Kanalizime sh.a Vlorë. Palët kanë nisur të ftillohen për problemet, vetëm në fazën e fundit të punimeve, pra “kur kishte përfunduar ndërtimi i impiantit”. Koordinatorët e IPA, me të mësuar problemet e krijuara, kanë ndërprerë financimet dhe fondi i nevojshëm prej 3.4 mln euro tashmë nuk mund të përfitohet. Si rezultat, pavarësisht punës së bërë, fondeve të shpenzuara, qëllimi kryesor i projektit nuk u arrit. Në zanafillë, projekti synonte uljen e ndotjes së ujit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit për popullsinë e Bashkisë Vlorë dhe zhvillimin e rajonit përmes zgjerimit të rrjetit të kanalizimit. Parashikohej që në fund të projektit, pjesa dërrmuese e popullsisë së Bashkisë Vlorë, të ishte e lidhur me rrjetin e kanalizimit në masën e projektuar, 90% të popullatës. Por ky projekt nuk është realizuar veçse në masën 80% të perimetrit në kufijtë administrativë të Bashkisë Vlorë. Vlora është një ndër qarqet me një industri turizmi mjaft të fuqishme për kushtet e vendit tonë, e cila është e lidhur fort me detin. Nëse nuk arrihet të frenohet ndotja e ujërave që derdhen në det, atëherë kjo industri dhe për pasojë, të ardhurat në kasat e shtetit dhe të operatorëve privatë, marrin një goditje mjaft të rëndë. Kjo situatë është shkaktuar së pari nga paaftësia e autorëve të projektit, të cilët kanë parashikuar një impiant vetëm për ujërat e zeza, ndërsa duhet të bëhej një projekt i llogaritur “për një rrjet të kombinuar të ujërave të bardha me atë të ujërave të zeza, siç edhe është faktikisht rrjeti i kanalizimeve të qytetit të Vlorës”. Ndërkaq moskomunikimi mes palëve, në asnjë prej fazave të para të projektit, solli këtë pasojë të pariparueshme ku financimet e huaja erdhën, por nuk e realizuan qëllimin për të cilin ishin paracaktuar. Ndërkaq, bllokimi i financimeve shtesë prej 3.4 mln euro nga fondet IPA është një grusht mjaft i rëndë për realizimin e qëllimit final të këtij projekti. KLSH ka zhvilluar gjatë vitit 2019 disa auditime të projekteve të financuara nga të huajt, ndër të cilët edhe projektin e impiantit të Vlorës (ITUN). Nga këto auditime doli fakti se nga zbatuesit e projekteve ka pasur shkelje e mangësi të theksuara, të shoqëruara edhe me moskoordinim të punëve ndërmjet strukturave të ndryshme përgjegjëse. Për rastet në fjalë, Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e fondeve në fjalë, ka barrën kryesore të fajit, pasi nuk bashkëvepron me strukturat që janë përfituesit fundorë të investimit. Sipas raportit që përmendëm “në shumë raste këto të fundit janë të përfshira më tepër në aspektin formal dhe vetëm në momentin kur duhet të marrin në dorëzim investimin përkatës”, moment në të cilin janë bërë të qarta problemet administrative apo ato teknike. Në rastin e impiantit të Vlorës, problemet shkojnë edhe më thellë, pasi kemi edhe ndërprerje të financimeve të huaja, pa të cilat kjo vepër me shumë rëndësi për zhvillimin e zonës, nuk do ta ketë të lehtë funksionimin. Datë 6.03.2020.

*Drejtor Departamenti në KLSH