BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

“Infeksioni” i urrejtjes dhe i përçarjes, që nuk po i gjendet “vaksina”!

“Infeksioni” i urrejtjes dhe i përçarjes, që nuk

... Dhe jo vetëm kaq, por ky “infeksion” ka shkuar aq thellë sa që nuk ka asnjë fije shpresë se do t’i gjendet një “vaksinë”! Jetojmë në një situatë të vështirë si për gjithë botën edhe për ne shqiptarët. Jetojmë në një situatë kur virusi çdo ditë e çdo orë po merr jetë njerëzish. Mbarë bota sot po përballet me një armik sa të egër e të pabesë, aq edhe të padukshëm. Të gjithë, së bashku e në çdo vend veçmas përpiqen të gjejnë rrugët dhe format për të shpëtuar nga kjo e keqe e madhe... Askush, as specialistët më të mirë e aq më pak kryetarë shtetesh nuk mund të japin dhe nuk kanë se si të japin një recetë përfundimtare si do të shpëtojmë nga kjo e keqe e madhe që ka mbërthyer mbarë njerëzimin. Në fund të fundit, pavarësisht se sa po ia arrijnë qëllimit, përpjekjet e të gjithëve janë përqëndruar tek gjetja e një rruge shpëtimi nga kjo e keqe. Ne, në Shqipëri, bëjmë një përjashtim nga të tjerët, duke mos përqëndruar vëmendjen tek armiku i përbashkët, i të gjithëve, siç është virusi, ky armik “pushtues” tinzar e i padukshëm, po merremi më shumë për të luftuar njëri-tjetrin, siç kemi bërë gjithmonë që edhe fatkeqësinë, ta shfrytëzojmë e ta përdorim si një “armë” në duart e njërës palë kundër palës tjetër. “Humanistët” e mjekësisë, politikanë, partiakë, analistë etj., përfshi këtu edhe mjekë e specialistë, mbasi i “dhanë drejtim” dhe u mblodhën “kokë më kokë” të gjithë së bashku se si do të shpëtojnë sa të jetë e mundur jetë njerëzish i janë turrur tani “patriotizmit” për të gjetur fajtorët e gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Ta fillojmë nga mjekësia. Njëra palë që është mazhoranca, e bën mjekësinë sikur ajo është në nivelet e asaj botërore, bile sikur ne ja kemi kaluar shumë herë edhe shteteve më të përparuara. Pala kundërshtare, jo vetëm që nuk pajtohet më këtë konkluzion, por akuzon mazhorancën si përgjegjëse që ka çuar shëndetësinë në kolaps të plotë dhe se nuk janë aq vdekje nga sa raportohet, por shifrat janë shumë herë më të mëdha nga sa raportohet. Një çoroditje absolute për qytetarët, të cilët po e ndjejnë mbi kurriz dhimbjen e thellë që i ka pushtuar, kur krejt papritur ndahen nga jeta shokë e miq, të afërm, shokë e shoqe të jetës. As më shumë e as më pak, mënyrë se si po trajtohet kjo situatë shkon përtej çoroditjes politike. Në këtë çoroditje, bashkohen edhe mjekë e specialistë partiakë, të cilët flakin bluzën e bardhë të humanizmit në emisione të ndryshme dhe veshin “bluzën” e mashtrimit politik si për të marrë hak ndaj kundërshtarëve që i kanë larguar nga funksioni që mbanin. Këto, i bëjnë para kamerave në sytë e qytetarëve dhe imagjinoni se çfarë shprese mund të ngjallin tek qytetarët që më mendje e zemër në këto momente janë mbërthyer tek ata që luftojnë në vijën e parë, për jetë a vdekje. Edhe politikanë edhe analistë edhe media, janë pozicionuar në një front të vetëm, jo për të luftuar të keqen më të madhe të gjithë së bashku, por si të urrejnë, si të përçajnë, si të përfitojnë pak kapital politik për të marrë pushtetin. Sa keq kur edhe në raste të fatkeqësisë së madhe siç është kjo e këtij viti, nuk bëhen bashkë, të japin një fije shprese, një fije optimizmi si “ilaçi” i vetëm në këto kushte kur ilaçi i vërtetë nuk po gjendet dhe këtë fatkeqësi e përdorin si “armë” për t’ia hedhur kundërshtarit. “Kemi thënë me kohë, thotë një “specialist” kryetar opozite që nuk di më shumë se një “vastangarkë” që duhet të bëhen më shumë teste për të dalë gjendja reale e të infektuarve. Shqiptarët, thotë ai, kërkojnë një qeveri të shpresës, një qeveri që t’u kthejë besimin që t’u kthejë të ardhmen”. Ja ku na qenka halli i këtij “dordoleci”: “Më votoni mua Kryeministër, që të shpëtoni nga e keqja”. Po mirë more kryetar, juve e të gjithë ata që presin ndonjë “kockë” nga juve, nuk e keni ditur juve që shëndetësia këto kapacitete ka patur gjithmonë dhe ajo, nuk ka ç’të bëjë më shumë sepse edhe nga “rilindja” e sotme edhe nga ata që janë “perënduar” dhe kanë zënë radhën për të “riperënduar”, kaq kanë punuar e kanë investuar për shëndetësinë. Të gjithë jeni përgjegjës dhe do të ishte shumë më e ndershme që të gjithë bashkë të “paaftët” e sotëm dhe “të aftët” e djeshëm, mblidhuni dhe bëni më të mirën të paktën për të dhënë një fije shprese, një fije optimizëm për ata që jetojnë me ankthin e përditshëm për shpëtimin e jetëve njerëzore. Përpara se të na vinte ky “mysafir” i paftuar që çdo ditë po merr dhjetra jetë njerëzore, në raste fatkeqësish, njerëzit, i linin mënjanë grindjet dhe hasmëritë dhe bashkoheshin për të ndarë së bashku dhimbjen dhe pikëllimin. Por sot, kjo politikë që ndiqet, që edhe këtë fatkeqësi ta përdorin për qëllime pushteti, imagjinojeni vetë nëse e bëjnë për interesin e qytetarëve, apo për interesin e tyre për të marrë pushtetin apo për ta mbajtur atë ata që e kanë. Kemi një “infeksion” shumë të madh ne shqiptarët, “infeksion” që sa vjen e thellohet nga kjo politikë e këta politikanë të të gjitha ngjyrave. Ka një të keqe të madhe në këtë vend. Njerëzit, këtu nuk ndahen në ata që janë për ligjin dhe ata që janë për mos zbatimin e ligjit. Këtu, ndarja më e madhe, që nuk ka gjasa të bashkohen ndonjëherë është ndarja në dy “kampe” në njërën apo tjetrën parti. Për Atdhe, për Shqipëri, për patriotizëm as që bëhet fjalë fare. Këtu, politikanë e analistë flasin vetëm në favor të atyre që i paguajnë, që kanë flakur “mburojën” e patriotizmit dhe kanë vendosur “maskën” e mercenarit. Kështu janë ndarë edhe politikanët, kështu janë ndarë edhe analistët e gazetarët, kështu janë ndarë edhe mediat e shkruara apo vizive, kështu janë ndarë deri edhe qytetarët e thjeshtë. Shikoni qëndrimin që mbahet ndaj një ish-Kryetar Kuvendi, ish-ministër i Jashtëm, e ish-deputet. Mënyrën e reagimit të tij ndaj patrullës së policisë, për mos mbajtjen e maskës, nuk mund ta bëjë as edhe një rrugaç i rëndomtë duke u shprehur: “Ta shihni mbas 25 Prillit ku do të shkoni ju këlyshët e Edi Ramës” apo “më njihni kush jam unë apo jo” etj. etj., thjesht duke mos iu bindur patrullës së policisë për moszbatim të një mase të dhënë. Masë e mirë apo e keqe, kjo është e detyrueshme të zbatohet nga kushdo, nga “Kaçët” e shkurtër apo të gjatë, duke qenë që përpara ligjit, janë të gjithë të barabartë. Nuk ka rëndësi që në shkollë e dërgoi Enveri kur ky bërtiste “marrtë nga ditët tona”! E rëndësishme është që ky, mori kulturë për të mbjellë antikulturë. Ky farë ish-i, pretendon që është diplomuar në Universitetin e Sorbonës dhe është me gradë shkencore. Aq më keq akoma për shembullin e keq që jep. Por a e nderon këtë njeri të “kulturuar” “qëndrimi” që mban? Ta zëmë që policët, kanë zbritur nga Mali me Gropa dhe nuk kanë patur mundësi të shkollohen, por në fund të fundit ata mbajnë uniformën e shtetit, pavarësisht nëse a kanë dhënë sipas numrit të kokës apo jo, ata thjesht zbatojnë një detyrë që i është ngarkuar. Po profesori i Sorbonës që ka qënë në funksione të larta shtetërore a i lejohet të mbajë atë qëndrim prej një ordineri që jo vetëm një i Universitetit të Sorbonës, por edhe Universitetin e “Kakacit” të kishte mbaruar, nuk mund të mbante atë qëndrim. Ky njeri me “kulturë” të madhe, që ka qenë edhe në funksione të larta shtetërore, manifeston kulturën e një ordineri të rëndomtë. Por, po të ishte i vetëm ky, në fund të fundit, një Kaç, do të ishte një “hiç”. Por shikoni si reagojnë funksionarët e lartë qysh nga presidenti e gjer tek ish-presidenti, të cilët nuk mbrojnë ligjin, por mbrojnë një shërbëtor të bindur të tyre, pavarësisht që ai është për mos zbatimin e ligjit. “Ky është terrorizëm i Edi Ramës” thotë një ish-president ndërsa presidenti në detyrë i kërkon “ndjesë” për këtë “akt terrorist” nga ana e shtetit. Me sa duket këtij “garanti” të Kushtetutës, ia thotë Kushtetuta që jo të zbatohet ligji për të gjithë njësoj, por të mbrohet “armiku i armikut të tij” që është miku i tij. Unë, nuk jam dakord me një analist të nderuar si Frrok Çupi, i cili thotë që Ilir Meta, është një injorant dhe i pashkollë, apo ka mangësi të theksuara në formimin e tij politik. Po të jetë kështu, si është e mundur që një injorant, të ngjiti shkallët e karrierës së tij një e nga një deri në funksionet më të larta të shtetit, legjislativit dhe ekzekutivit? Si mundet që një injorant të hyjë njëzet e një vjeç në politikë dhe të thinjet duke bërë bëma sa andej këtej, e të mos i hyjë gjemb në këmbë? Një injorant, bën karrierë mes injorantësh, një dru e shtrembër, rritet e lulëzon mes drurëve të shtrembër, i cili jo vetëm që rritet i shtrembër, por u pengon edhe dritën drurëve të drejtë. Po të ishte i vetëm një injorant apo një i shtrembër, “bahçevani” me kohë do e kishte hedhur tutje si një ferrë që pengon të tjerët, por “bahçevanë” të tillë sot nuk ka, as në politikë, as në drejtësi as kudo gjetkë. Dalim kështu në konkluzion që ky president, jo vetëm që nuk është injorant, por shumë i zgjuar për interesat e veta që ka bërë të mundur të spekulojë mbi shoqërinë me postin që mban sepse është “garant” i Kushtetutës. “Ferrave” të tilla, politika e drejtësia, jo vetëm që u krijon kushte të rriten të “shëndetshme”, jo vetëm të “shpojnë” të tjerët, por nuk lejon askënd t’i “këputi” as edhe një fije gjethi. Ja, këta janë në krye të kolonës për të na udhëhequr për në Europë. Po të ndaheshin njerëzit me ligjin apo kundër ligjit, puna do të ishte ndryshe. Dihet që ligji, është Atdheu, është Shqipëria, është Kombi, dhe si e tillë ata që do të zgjidhnin të kundërtën do e gjenin shpejt vendin, por ndarja është bërë mbi baza partiake dhe doemos që disa do të preferojnë “balashin” dhe të tjerë “gajton” dhe hajde e merre vesh se kush ka të drejtë. Zjarri sot na ka rënë në shtëpi dhe në vend që të gjithë të rrëmbejnë “kovat me ujë”, kryeministri kërkon nga një përkthyes dhe kamerier se ku e ka çuar kasetën e masakrës së Krushës. Kjo, nuk është e parëndësishme, por gjërat kanë vendin dhe kohën e tyre. Nuk u kujtua për këtë për 22 vite, por kujtohet sot në mes të këtij halli, jo për të zgjidhur problemin, por për të dëmtuar sa më shumë politikisht edhe një që “fle në këmbë e llafos në gjumë”! Sa për patriotizëm këtu, i kanë vënë zjarrin të gjithë dhe për këtë, mos u besoni fjalëve, por shihni ku është katandisur Shqipëria dhe flisni. As më shumë e as më pak, do të vijë një ditë herët a vonë që dhe infeksionit do t’i gjendët vaksina, por halli ynë më i madh është që as sot e as në të ardhmen, nuk do të gjendët një “vaksinë” për të luftuar “infeksionin” e rëndë të urrejtjes, të përçarrjes, të nxirjes, të shpifjes dhe baltosjes së kundërshtarit politik...