Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Injoranca qesh dhe lulëzon

Postuar: 09/12/2017 - 07:04

Në harkun kohor prej 27 vjetësh, po të vlerësosh gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike dhe shoqërore, në kuadër të pluralizmit demokratik, standardet e deri më sotme qeverisëse, tregojnë se kemi një situatë dramatike si rrjedhojë e pazareve të pista të partive në koalicion. Pse? Sepse injoranca është kthyer në sëmundje virusale që ka pushtuar në çdo qelizë të gjitha pushtetet, që i ka zënë frymën zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Liderët me suitën e tyre që kanë qeverisur vendin në vitet e quajtura “demokraci liberale”, janë karakterizuar nga një ndërgjegje morale e dobët dhe e deformuar dhe nga një papërgjegjshmëri institucionale. Të katër pushtetet, kush më shumë e kush më pak janë të zaptuar nga injoranca, ku aktorët e tyre që janë përfshirë në drejtim, kanë ditur të vrapojnë dhe të kapin për gryke pushtetin, si shushunjat për t’i pirë gjakun. Kur të çlirohen pushtetet nga ky pushtim i kobshëm, atëherë mund të themi se shpëtoi Shqipëria nga injoranca.

Qeveria “Rama 2”, si qeveri monopartiake, po u bie fort kambanave për ta çrrënjosur këtë kancer që e ka zënë për fyti shoqërinë shqiptare, në të gjitha gjymtyrët. Ndryshimi do të ndodhë nëpërmjet shumë përplasjeve e vështirësive, që rrjedhin nga psikologjia e rrënjosur thellë në ndërgjegjen dhe personalitetin e punonjësve të zyrës. Shkurtimi i numrit të ministrive që nxjerr jashtë loje një kontingjent të konsiderueshëm të administratës, si dhe spastrimet nga të paaftët që kanë bërë fole të ngrohtë në dikastere, ka ngjallur reaksion nga tutorët e tyre politik. Të paditurit kanë rënë në lakun e të katër pushteteve dhe të ëmbëlsuar nga “mjalti” i privilegjeve, posteve, parave dhe përfitimeve pasurore, e kanë të vështirë të shkëputen nga trualli i bollëkut të pamerituar. Natyra e ndërlikuar e sistemit politik, ku rekrutimi i punonjësve në të gjitha nivelet dhe hierarkinë shtetërore, nuk është bërë sipas kritereve të meritokracisë, ka krijuar precedentin e një administrate të paaftë, parazite e të papërgjegjshme. Në vitet e demokracisë Shqipëria po përjeton një krizë të rëndë e të stërzgjatur morale, shpirtërore, familjare dhe ekonomike. Padituria është burimi dhe nëna e të gjitha të këqijave. Siç shkruan Galilej: “Padituria është nëna e ligësisë, lakmisë, dhe të gjithë veseve të tjera të ulëta e të vrazhda”. I padituri ka një forcë demoniake për të qëndruar në këmbët e pushtetit, por nuk ka aftësi të zgjidhë asnjë detyrë në dobi të shoqërisë. Në situatën që ndodhet sot Shqipëria, ku të katër pushtetet janë të mbushur me një administratë injorantësh, pa profesionalizëm, nuk mund të kalohet drejt përparimit e ndryshimit me bindje, moral dhe evolucion. Kërkohet një dorë e fortë siç premton Rama, që të kryejë revolucion, apokalips, në tërësi të administratës. Është tepër e vështirë në një vend si Shqipëria ku “demokracia” me lindjen e saj i ka hedhur themelet mbi katër këmbë të çala ku sundon militantizmi, nepotizmi, klientelizmi dhe krahinomania. Këtë “godinë gjigande” të injorancës është vështirë ta shembësh, pasi ajo mbrohet me fanatizëm nga ithtarët e saj që militojnë në formacione politike të ashtuquajtura demokratike. Liderët e shumë partive, që kanë qeverisur në koalicione kompromisesh duke trashëguar deviacione dhe pazare të pista me përfitime reciproke, janë në aleancë për të përmbysur çdo rrezatim pozitiv që prek interesat e tyre pragmatike. Në përditshmërinë e prezantimit të problematikave në skenën politike shqiptare, shohim shumë kryetarë partish impozantë, me gjuhë demokratike dhe me veprime antikombëtare, që janë të gatshëm të flirtojnë me këdo brenda dhe jashtë vendit për të marrë pushtetin me mjete antidemokratike. Eksperienca e vendit tonë ka treguar se censura me tepri dhe liria me tepri janë të dëmshme, se kërkojnë njerëz të kulturuar demokratikisht. Kur vëren liderët politikë në krye të disa partive opozitare, që duan ta hapin rrugën e pushtetit me mjete revolucionare, me dhunë, nëpërmjet aleancave fluide, mbështetur në eksperiencën e paraardhësve të tyre, si Mbreti Zog, që rrëzoi qeverinë demokratike të Nolit dhe erdhi në pushtet nëpërmjet jugosllavëve dhe rusëve të bardhë. Shembulli është frymëzues për këta pasardhës politik me mendësi e filozofi të ngjashme, por harrojnë që veprojnë në kohë, rrethana dhe sisteme të ndryshme politike e shoqërore . Këto përqasje, tregojnë se kemi një injorancë të thellë të aktorëve politikë, që vërtiten si satelitë në orbitën politike shqiptare. Jetojmë në sisteme ekonomiko-shoqërore krejtësisht të ndryshëm.

Vitet kur sundoi Mbreti Zog, Shqipëria ishte në sistemin feudal, që pas çlirimit injoranca u trashëgua, por u transformua nëpërmjet edukimit në sistemin shkollor të detyrueshëm. Sot jetojmë në një sistem krejtësisht tjetër, që s’ka ngjashmëri me dy të parët. Të mendosh sot, se do vish në pushtet me aleanca revolucionare të inspiruar dhe nga faktori i jashtëm, duke bërë analogji me të kaluarën e errët të vendit tonë, është utopi foshnjarake. Këto aspirata kanë inkurajuar dy liderët kryesor të PD-së dhe LSI-së, Bashën dhe Kryemadhin, të vëllazëruar për idealet e tyre, kanë kryqëzuar armët dhe kanë zbrazur arsenalin e tyre mediatik duke fyer, akuzuar, shpifur, mohuar çdo arritje pozitive në vendin tonë. Kjo hemorragji diabolike i bën të papërmbajtur nga gjuha e helmët që vjellin vrerin e nepërkës jo vetëm te fqinjët tanë, por edhe nëpër kancelaritë dhe diplomacitë botërore. Injoranca politike, është mamia që pjell derivatet e injorancës në të katër pushtetet, që ushtrojnë ndikim në cilësinë e jetës në një shoqëri demokratike. Gjithë sythat e injorancës kanë çelur dhe po lulëzojnë në pushtetin legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe mediatik. Injorancën e kanë për zemër dhe e kultivojnë drejtuesit në të gjitha nivelet. Është në interesin e tyre që drejtuesit vartësit ti kenë injorantë, të paditur, të përulur dhe inferior, për ti sunduar pa vështirësi. Kjo sëmundje ngjitëse që kalon sa te pushteti i djathtë te i majti, ka bërë që inteligjenca e shkolluar jashtë shtetit, të diturit, të kulturuarit, idealistët të mos kenë vend në administratën tonë dhe për rrjedhojë të marrin rrugët e Europës dhe të botës. Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha të kombit tonë, që pasojat negative do ndihen gjatë. Njerëzit e ditur dhe shumë të ditur si Dr. Moikom Zeqo, Profesor Pëllumb Xhufi, e Profesor Arben Malaj, e shumë të tjerë, kanë mbetur në hije. Sepse ende në postet drejtuese të dikastereve dhe shkencës po vazhdojnë të jenë mediokrit-militantë, miq të pushtetit. Duke cituar këta emra, ku pas tyre fshihen edhe shumë të tjerë, unë nuk shpreh keqardhje për këtë realitet konkret, se ata e kanë gjetur veten falë aftësive të tyre, por ndiej keqardhje të thellë për vendin tim që injoranca ka pushtuar majat e piramidës së pushtetit dhe do lëngoj gjatë. Në situatën aktuale ku PS, ka qeverinë dhe shumicën në parlament do të jetë katasrofale për të dhe do pësojë një konsum të jashtëzakonshëm në se nuk spastron drejtimin në të gjitha nivelet. Nga kush? Nga injorantët. Nuk ka si të eci vendi përpara kur ti vë gomarin para kalit, siç thoshte i madhi Dritëro Agolli. Maks Veber thotë se: “Kush merret me politikë lakmon pushtetin: pushtetin ose si mjet në shërbim të synimeve të tjera (idealiste apo egoiste) ose pushtet “për hir të pushtetit” për të shijuar ndjenjën e prestigjit, që ta jep ai”.

Shumë nga politikanët tanë që rrinë gjatë në pushtet, janë pasuruar pa punuar. Ata, janë kthyer në plaçkitës, hileqarë, lakmitarë, egoistë, ziliqarë, të uritur për pushtet, para, e pasuri pakufi. Parcelizimi i pushtetit sipas partive pjesëmarrëse në koalicion duke e kthyer partinë në pronë, ka krijuar terren për të triumfuar injoranca nëpërmjet të punësuarve mbi kritere militantizmi. U bë modë në politikën shqiptare, që partitë e vogla aleate kishin racionin e vet në sofrën e madhe të qorrave e horrave të pushtetit. Po ti referohesh një sektori të ekonomisë, vetëm sektorit të bujqësisë befasohesh kur sheh disa drejtues që s’kanë asnjë lidhje profesionale me sektorin që drejtojnë. Mjafton të sjellim disa shembuj për të ilustruar idenë se si injoranca ka pushtuar kudo administratën shtetërore. Në qeverinë që lamë pas, Ministrinë e Bujqësisë e drejtonte LSI-ja. Paradoksi shkon deri në kufijtë e të pabesueshmes. Kishte drejtorë bujqësie në qarqe me profesion mjek, oficer, si dhe në disa drejtori pyjesh po në qarqe, veteriner, agronom, etj. Ky fenomen vrastar për ekonominë ndodh në një kohë që ka me qindra specialist të fushës edhe me tituj e grada shkencore, që janë pa punë. Ky model u nis së pari në drejtësi me juristët e plepave, që kanë pushtuar sot zyrat e prokurorisë dhe avokatisë. Po kështu ndodh në parlament që ka deputet pa e me diploma të blera, apo në media gazetarë që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë rubrikat televizive. Janë krejtësisht të paaftë nga ana profesionale, E gjithë kjo kupolë injorantësh, vjen nga fryma e klientelizmit, militantizmit, nepotizmit dhe krahinarizmit, katër kritere këto që kanë pushtuar të katër pushtete dhe shembin meritokracinë dhe lejojnë sundimin autokratik të liderit.

Injoranca që ka uzurpuar të katër pushtetet, është krimi, dëmi dhe rreziku më i madh që i kanoset vendit tonë për ta lënë në errësirë dhe varfëri pafund.

Lideri që do marrë guximin të shembë këtë kështjellë të padijes, meriton nderim!

Sokrati i lashtësisë shkruante se: “Në botë ekziston vetëm një virtyt, shkenca dhe një e keqe e vetme, injoranca”.

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 13

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/01/2018 - 11:59

Ky është një vlerësim i bërë nga ata që e shohin Shqipërinë nga jashtë, po për ne shqiptarët ky vlerësim është pak nota më poshtë. Do të ishte objektive nota në mes 7 dhe 8, po ndoshta edhe ky vlerësimi im është subjektiv.

Postuar: 14/01/2018 - 11:57

Hyri janari dhe prapë po mbarset “mali” i PD. Pas asaj “Pranverë-Verë 2017” tek çadra, tani po troket sfilata “Dimër 2018”.

Postuar: 14/01/2018 - 11:55

Politika shqiptare është përfaqësuesja më ekselente e skenave tragjikomike, që nuk i ka parë kurrë shoqëria shqiptare, në tërë historinë e jetës së saj shoqërore e njerëzore.

Postuar: 14/01/2018 - 11:52

Do të mbetet një parabolë artistike e madhe për të dhe familjen e tij, por edhe për ne që e admironim adoleshentin e talentuar Ibrahim Madhi, debutimi i parë i tij në publik në

Postuar: 13/01/2018 - 09:31

Reforma në drejtësi është kryefjala e dy viteve të fundit, jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në debatet dhe diskutimet mbarëpopullore.

Postuar: 13/01/2018 - 09:27

Sikur ne shqiptarët të kishim afinitetin e bashkimit, dashurisë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit siç kemi të zgjuar ndjenjën e urrejtjes, të ndarjes dhe përçarjes, sot do të ish

Postuar: 13/01/2018 - 09:20

LSI është një parti, që qëndron si një pikë mbi “i”.