Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Inkuizicion i terrorizmit demokratik

Postuar: 20/06/2019 - 07:23

Në vijim të revolucionit antidemokratik të ndërmarrë nga opozita dhe strategjisë së kundërshtimit të zgjedhjeve për ta pamundësuar, 30 qershorin, të inkurajuar nga ç`dekretimi i dhunshëm i datës të zgjedhjeve nga Presidenti, me këtë ferman në duar, grupet e gatshme militare, po sulmojnë radhazi, KZAZ-të e Qendrat e Votimit. Kryebashkiakët e zonave blu, nën dirigjim të Bashës e Monikës, nxjerrin ultimatume të njëpasnjëshme për anulimin e zgjedhjeve, lirimin e godinave, largimin e materialeve. Kryebashkiakët që i përkasin të djathtës si bejlerë të provincave autonome, sikur të mos jenë pjesë e sistemit dhe shtetit të njehsuar të Republikës të Shqipërisë, janë kundërvënë me të gjitha energjitë dhe metodat për të shkatërruar zgjedhjet dhe për ta bërë 30 qershorin, ku pritet të shprehet vullneti i popullit. Sapo shfaqen në ekranet e TV, të amplifikuar nga media që i bën jehonë revolucionit blu, pamjet që shikon janë vërtetë të trishtueshme dhe tronditëse.

Duket se fronit antizgjedhor është duke zhvilluar betejat në emër të “jo-së” zgjedhore. Nisur nga Tropoja, ku militantët shpërthyen portat e pallatit të kulturës në një veprim vërtetë të padenjë për qytetarinë dhe ligjin, shkatërruan dokumentacionin zgjedhor. “Zot këtu jemi ne”, deklaruan dhunuesit! Nuk ka zgjedhje. Zbatojmë dekretin e Presidentit! Dhe kori i protestueseve të dhunshëm, këndon këngën e njohur: “Rroftë, Sali Berisha!” dhe “Rama ik!”. Nën sfondin e këtyre parullave dhe thirrjeve luftarake i bën të paqena materialet zgjedhore, duke goditur rëndë vullnetin e popullit të cilët presin të shprehen me votë për kryetarin e ri të bashkisë. Të nxitur nga ata që tërë jetën kanë bërë të njejtën punë, të revoltuarit, pa asnjë shkak, vetëm në emër të partisë, të punësuarit e bashkisë, rrogëtarët,policët bashkiakë, jo vetëm cënuan zgjedhjet, po i dogjën tërësisht ato. Skena të ngjashme me 1996-ën. Si të ishin tribu. Kopje të veprimeve së individëve, me ata që i vunë zjarrin Shqipërisë. “Komitetet e shpëtimit” janë zëvendësuar me “Aleancën qytetare”. Skenari është i njëjtë edhe skenaristët e regjisorët po ashtu. Fotokopje e pandryshueshme. Vetëm një ndryshim. Në atë vit të largët, revolta ishte popullore. Sot është fryt i inatit të politikës. Strategët e anarkisë, janë duke përgatitur një katrahurë të çmendur që vetëm ata e dinë deri ku do arrij flaka që kanë ndezur nëpër Shqipëri. Ajo që paralajmëruam ditë më parë se “Republika” e dytë, ajo që është rreshtuar në krah të Ilir Metës, Sali Berishës e Lulzim Bashës me “komandot” e reparteve të gatshme kanë nisur aksionin antizgjedhje. “Ushtria” ka dalë në rrugë, ashtu siç kërcënoi Presidenti. Ushtria e opozitës. Dhe beteja zhvillohet përmes ultimatumeve e urdhërave. Janë kryetarët e bashkive që duan të përjetësojnë qëndrimin e tyre në krye të bashkive, duke mos njohur rotacionin normal dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhjet e pushtetit vendor për mos zhvillimin e tyre. Në këtë duel të ashpër të gjithë kanë nxjerrë bllokun dhe mbajnë shënime. Presidenti shënon ata që duan zgjedhje. U llogaritë dënimet në vite burg. Në anën tjetër, ata të zbatimit të dekretit numër një, vijojnë fushatën normalisht për 30 qershorin. Të inkurajuar nga sjellje të tilla, nga frymëzimi për t`iu kundërvënë sistemit dhe rendit kushtetues, pothuaj në tërë zonat që zotërojnë PD-LSI (këta të fundit i kanë marrë bashkitë me votat e socialistëve) po organizojnë veprime që flasin për përpjekje të përplasjes së palëve ose luftës civile, siç luten përditë dashnorë të luftës dhe viktimave me ata që duan integrim, qetësi, përparim dhe ligj. Përplasjet janë parathënie para datës zyrtare të zgjedhjeve. Me këto veprime, fronti i bashkuar, opozita, plus Metën, kërkon të trembin, jo vetëm qeverinë, po së pari popullin. E shikoni si ua bëmë?! Prisni do ketë spektakle të tjera në ditët që vijnë! Ndaj mbylluni brenda nëse nuk doni të lini kokën për votën. Aksionet opozitare, në Bulqizë, Lezhë, Klos, Gjirokastër, Pogradec. Brohoritjet që shoqërojnë djegien e materialeve të votimit, janë atentati më i rëndë dhe veprimi më absurd që po ndërmerr Basha dhe Monika që pas rënies së sistemit komunist. Dhe më flagrantja është se këto akte shoqërohen me thirrjet: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo është Europa që duam?! Tek ne ka pasur vjedhje të votave. Rrahje kolektive të komisionerëve. Është derdhur gjak në Sheshin “Skënderbej”. Është bërë thirrje për të armatosur shqiptarët nga ai që sot është President. Po akte si këto nuk janë shënuar. Veprime të ngjashme kurrsesi. Me aktet e ndërmarra nuk kundërshtohen zgjedhjet. Me to po vritet populli. Pushkatohet e ardhmja jonë. Qëllohet me top sovrani dhe griset sovraniteti.

Opozita ka dalë nga kornizat e normalitetit. Është shndërruar në forcë militare. Militantët janë hedhur në veprim. Organizatorët kanë lënë në shtëpi kostumin politik dhe kanë ngjeshur armët e kanë veshur uniformën laramane të komandove antizgjedhore. E kanë nisur dhjetë ditë para 30 qershorit. Është ushtria që premtoi Meta, jo ajo kombëtare, po milicia opozitare. Ku shkohet kështu dhe deri ku do arrihet? Kjo nuk është kundërvënie. Nuk është veprim I thjeshtë antidemokratik. Ka hyrë në funksion dhuna. Armët kanë dal nga armatura, janë drejtuar mbi popullin. Në shënjestër është gishti i atyre që kanë bërë në tërë këto vite të njejtin zanat. Aktet e derisotme, janë revolucioni i panjohur. Jemi para inkuizicionit demokratikas. Demokratikasit janë lëshuar mbi zgjedhjet dhe i kanë lënë në hije hijenat. Ata sipas skenarit veprojnë me përdhunë. Molotovi nuk është asgjë para flakëve që ndezin gjakrat e shqiptarëve. E gjitha kjo se kështu duan mbështetësit e ç`dekretimit ata që gëzimin më të madh kanë përplasjen dhe vrasjet, mundësisht sa më shumë gjak. Ndryshe nuk mund të shpjegohet flaka që iu vu shkollës "Shejnaze Uka” në Shkodër. Dhe me pretekstin e materialeve të zgjedhjeve u dogj shkolla. Iu vu flaka vatrës së dijes. Njëlloj si në kohën e inkuizicionit mesjetar. Në stivën e druve po vihen në vend të Xhordano Brunos, shkollat e bibliotekat, pallatet e kulturës, sportit dhe qendrat që shërbejnë si mjedise për zhvillimin normal të zgjedhjeve. Të gjitha në emër të vrasjes së zgjedhjeve. Djegia e shkollave, është akt vërtetë ekstrem. I ngjashëm me vrasjet dhe djegiet nga inkuizicioni mesjetar. Në qytetin, ku kanë lindur korifejtë e dijes, atje ku lulëzoi në shekuj drita e diturisë, shikojmë skena të llahtarshme në 2019. Askush nuk ka guxuar t`u vërë flakën shkollave, atje ku ulen fëmijët tanë. Cila është ajo mendje e sëmurë që ka marrë urën e zjarrit në dorë në emër të revolucionit demokratik, të shkatërrojë vatrat e dijes? Nga Tirana, liderët e opozitës e quajnë këtë shembulli i shkëlqyer i reagimit popullor. Dhe autorët real, akuzojnë Edi Ramën?! Inkuizicioni antikulturë ka kapërcyer çdo kufi. Tymi dhe flaka ngjitet lart nga vatrat e dijes. Bankat dhe dërrasat, auditorët dhe laboratorët, po bëhen kurban i lëvizjes inkuizicioniste të demokratikasve. Organizatorët brohorasin. Rroftë inkuizicioni! Bravo, çunat shkodran! Iu lumtë dora Klosianëve! U shtoftë jeta lezhjanëve! Inkuizitorët, me fermanin e Presidentit në duar, vrapojnë si nëpër legjenda për të bërë atë që asnjë sistem nuk guxoi ta bëjë. As fashizmi as nazizmi, askush nuk dogji, po ndërtoi shkolla. Dhe djegiet justifikohen se bëhen në emër të demokracisë. Demokraci e pështirë! Po të ishte kështu demokracia do brohorisnim: Poshtë demokracia e inkuizitorëve! Tronditje e thellë në opinionin shqiptar nga akte të tilla. Përbuzje për organizatorët e nxitësit. Mëshirë për të padijshmit. Urrejtje për regjisorët e aktorët. Turp për skenaristët! Dhe në këtë tablo mesjetare, haxhiqamiliste, ustallarët që i kanë ideuar prej kohësh, si presion për t’u dorëzuar kundërshtarët, bëjnë indiferentin, sikur ata janë të paprekshëm dhe do dalin nga kjo betejë inkuizicioniste të larë. Opinioni shoqëror nuk ka si ti përtyp këto akte vandaliste. Nuk pajtohet me inkuizicionin dhe dhunën përtej njerëzores. Me të drejtë, zonja Jozefina Topalli dënoi ashpër ngjarjet në Shkodër. Ajo nuk është se e do mazhorancën. Po do të vërtetën. U ngrit mbi interesat e veta, u kërkoi organizatorëve dhe qytetarëve të qëndrojnë larg akteve të dhunshme. Duke iu thënë se kjo nuk është demokracia. Se demokratët nuk mund të djegin dhe shkatërrojnë. Ata që dorëzojnë mandatet apo nuk futen në zgjedhje nuk janë demokratë. Dhe le të jetë ky zë nga brenda opozitës, një thirrje që duhet dëgjuar. Revolucioni i inkuizitorëve demokratikas do përbuzet nga populli shqiptarë dhe strategët sigurisht do digjen vet në flakët që ndezin nëpër vatrat e dijes. Ata nuk po djegin zgjedhjet. Ata po i vënë flakën dinjitetit dhe shpirtit të popullit, kulturës, arsimimit, shkollave, godinave të kulturës. Inkuizitorët janë të dënuar përjetësisht për aktet që kanë ndërmarrë nëpër Shqipëri. Përballë veprimeve të tyre, shteti duhet të qëndrojë fort me ligjin. Ashtu siç vepron çdo shtet serioz. Ndryshe, inkuizitorët do djegin, jo vetëm zgjedhjet, materialet zgjedhore dhe godinat, po edhe vet Shqipërinë në emër të demokracisë! Ky nuk është revolucion antizgjedhor, po revolucioni demokratikas inkuizitor anti shtetëror!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:20

Voltana Ademi i kërkoi ndihmë disa ambasadorëve të huaj për të hetuar e vendosur drejtësinë në lidhje me votimet e 30 qershorit dhe për vazhdimësinë e mëtejshme ligjore të pushtetit lokal në Shkodër.

Postuar: 23/07/2019 - 07:18

Pasi u dergj rrugëve, mbushi burgjet me huliganët, shkatërroi dhe u shkatërrua vetë, opozita na q

Postuar: 23/07/2019 - 07:16

Propozimi i Presidentit Ilir Meta për zgjedhje të trefishta në 13 tetor është njëherësh edhe para

Postuar: 23/07/2019 - 07:15

Isha i sigurt që Lulzim Basha do të shpikte një marrëzi tjetër që të bënte ballë si reputacionit

Postuar: 21/07/2019 - 07:48

Prej javësh qëndroj orëve të pasditeve në fshat.

Postuar: 21/07/2019 - 07:36

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u përcoll në kohë reale në tërë mjediset

Postuar: 21/07/2019 - 07:35

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit (ministria e Jashtme e SHBA-ve) kumtoi vlerësimin dhe mbështe