BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Institucioni i dorëheqjes, ja përse duhet themeluar 

Institucioni i dorëheqjes, ja përse duhet themeluar 

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë klasa politike duhet të ndërgjegjësohet në funksion të demokratizimit të jetës së saj të brendshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të ecejakeve në forumet e partive për të bërë karrierë dhe të divorceve të sforcuara apo të ndikuara nga faktorë të tjerë.  Shpeshherë nëpër foltore shikon politikanë, të cilët deklarohen në të kundërtën e asaj që kanë thënë muaj më parë, duke na dhënë kështu shembullin më të keq të politikëbërjes. I kemi parë në rolin e kritizerit, të denoncuesit apo suflerit dhe kurrsesi në rolin e orientuesit apo programuesit të ideve se ku duhet të shkohet. Përpos zhurmës mediatike dhe aspak institucionale, ata përveçse pengojnë nuk sjellin asgjë të re në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Duke u ndalur në atë që po ndodh në politikë dhe në institucionet e pavarura të këtij vendi, me të drejtë mund të thuhet se akoma ekziston mentaliteti për të mos e lëshuar karrigen, pavarësisht se po dështon në qëndrime apo veprime. Ky fenomen konstatohet lehtë tek partitë politike po ashtu dhe tek të “pavarurit”, e shtuar së fundmi për shkak të çoroditjes dhe humbjes së sensit të masës dhe nga organet e drejtësisë shqiptare. Forumet drejtuese të tyre janë kthyer thjesht në karton-nxjerrës, pa identitet, që tunden dhe shkunden sa herë që kryetari buzëqesh dhe që mund të hidhërohen kur ky i fundit me gjeste tregon se ka humbur terren në politikë. Kjo kategori e neveritshme, me falsitetin që e karakterizon, bëhet bazë orientuese dhe për brezin e ri, që edhe ata në shembullin e tyre, të bëjnë karrierë përfituese dhe aspak dobisjellëse.  Në këtë vorbull kjo kastë, e cila për fatin tonë të keq është në shumicë, po thur me dashje “kultin e individit” si dikur në kohën e partisë-shtet, ku në çdo rast dhe në çdo rrethanë duhet të përmendej emri i udhëheqësit.  Devijimi nga problemet më madhore që ka vendi dhe përqendrimi në atë se çfarë po thuhet për njërin apo për tjetrin kamp politik, i ka shërbyer dhe po i shërben një grushti njerëzish. Në fakt, ka dy kategori, të cilat qëndrojnë përballë në pritje të së mesmes së artë. E para që ka dhënë me prova se di të respektojë institucionin e dorëheqjes, nëse mund të quhet kështu dhe e dyta, që nuk lëviz nga istikami me shpresën e vetme se një ditë do të shuhet gjithçka. Po të analizosh të gjithë problematikën në kampet e politikës, me të vërtetë bindesh se ka një ndarje të thellë mes tyre në shumë aspekte.  Pjesa që e njeh humbjen, u jep kohë të lirë të tjerëve që të mendojnë për të ardhmen e grupimit dhe të institucionit që përfaqësojnë, qoftë dhe duke zëvendësuar udhëheqësin. Kjo besoj se është një provë e madhe për të gjithë për të rikuperuar forcat dhe për të dalë nga gjendja e stanjacionit dhe  konsumimit.  Gjithashtu, mund të thuhet se është një kohë e favorshme për ish-liderin për të riparë pozicionin e tij nëse ai është në gjendje për të rimarrë mandatin, gjithnjë nëse kërkohet nga shumica. Të tjerë të vendosur deri në fund, në atë që kanë deklaruar i përkushtohet jetës sociale duke ruajtur autoritetin dhe paprekshmërinë e dikurshme për vetë statusin politik që ata kanë gëzuar vite më parë. Beteja politike dhe sociale nga ana tjetër, ka nxjerrë edhe në pah njerëz që pavarësisht humbjes as që duan t’ia dinë për të dhënë dorëheqjen. Kjo kategori përdor të gjitha mjetet dhe mënyrat që të bindë mbështetësit se ai ka të drejtë dhe se një ditë do të zbardhet e vërteta.  Të thjeshtët që besojnë verbërisht bien viktima të radhës së demagogjisë false dhe kështu, vazhdon telenovela e pritjes dhe për ata që e kanë kuptuar se çfarë loje po kurdiset në kurriz të tyre. Me fjalë të tjera, ata që kanë shpirtin e oponencës dhe të argumentit do ta kenë të vështirë të ndërgjegjësojnë euforikët që i shikojnë gjërat bardh e zi. Pra, shkon drejt shuarjes mendimi novator dhe racional, i  cili zëvendësohet me servilizmat e momentit ndaj të parit. Ndërsa grupimet apo aleancat shikohen me dyshim nga palët, sepse nuk ekziston siguria e të bërit politikë të ndershme. Dhe ndërkombëtarët janë të kujdesshëm në deklarimet e tyre për faktin e thjeshtë se kanë përballë politikanë që janë në gjendje të të manipulojnë nëpër rreshta vetëm e vetëm që të mbijetojnë politikisht.