BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Integrimi përmes anti-krimit

Integrimi përmes anti-krimit

Raporti i përditësimit të progresit të vendit tonë, i përgatitur nga Komisioni Europian, në gjysmën e tij të dytë i ngjante një buletini lufte. Në fund të faqes gjashtë të Raportit lexohet: “Në shkurt të vitit 2020, në kuadrin e ligjit antimafia, SPAK sekuestroi pasuritë e një shtetasi shqiptar, të dënuar në Itali për trafik droge dhe krim të organizuar”. Më tej: “Në shkurt të vitit 2020, autoritetet shqiptare morën pjesë në dy operacione të suksesshme me agjencitë e zbatimit të ligjit në Itali, në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Këto operacione u kryen gjithashtu në koordinim me agjencitë nga Shtetet e tjera Anëtare të BE-së, përfshirë Hollandën. Më shumë se 40 persona, përfshirë gjashtë shtetas shqiptarë, u arrestuan, të akuzuar se i përkisnin grupeve kriminale aktive në kontrabandën e kokainës në të gjithë Europën”. Arrestime, sekuestrime, kapje qindra kg kokaine e dhjetëra tonelata kanabis. Asnjëherë më parë raportet e Bashkimit Europian për ne nuk kanë qenë të mbushur me gjyqtarë e prokurorë të larguar pse nuk justifikojnë pasurinë, me dhjetra kriminelë e trafikantë të arrestuar, me sekuestrime pronash e parash në vlera miliona euro dhe në kapje sasi kolosale drogash të ndryshme. Kjo është Shqipëria jonë dhe na duhet një polici e fortë dhe e pakorruptuar që të arrestojë trafikantët dhe kriminelët, si dhe një sistem drejtësie më në fund i pakorruptuar, që t’i dënojë dhe mbajë prapa hekurave këta protagonistë dhe parallinj të krimit. Kjo ka filluar të ndodhë dhe raporti i përparimit tonë si buletin lufte tregon se jemi në rrugë të mbarë. Se 143 gjyqtarë dhe prokurorë të larguar nga 234 të tillë të shqyrtuar deri tani nga strukturat e vetingut (kemi 811 gjyqtarë e prokurorë gjithsej) tregojnë se sistemi gjyqësor po pastrohet. Se gjashtë nga dhjetë gjyqtarë e prokurorë të verifikuar deri tani nuk janë më të denjë të qëndrojnë në detyrë. Sa më thellë hyn bisturia në trupin e kalbur të drejtësisë sonë, aq më shumë sulmohet reforma në drejtësi si e kapur. Por janë sulme që nuk gjejnë jehonë në aleatët tanë, SHBA-të dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo, për arsye se, duke parashikuar anatemimin e fortë të reformës, si SHBA dhe Bashkimi Europian bashkë financuan një strukturë monitorimi e vrojtimi, duke paguar ekspertë të tyre me kohë të plotë të qëndrojnë këtu tek ne dhe të vëzhgojnë procesin. Prandaj dhe asnjë ankesë dhe silurim, sado i fortë dhe i bazuar të duket në mediat tona të kapura, nuk i lëviz vendit SHBA-të dhe strukturat e Bashkimit Europian në politikën e tyre të mbështetjes së reformës në drejtësi tek ne. Nëse këta gjigantë do të kishin nuhatur se ka kapje flagrante të strukturave të reja të reformës në drejtësi nga ana e shumicës qeverisëse tek ne, do të ishin divorcuar menjëherë nga reforma, duke e deklaruar si të dështuar atë. Dhe jo të vijojnë më fort donacionet dhjetra milionë dollarë dhe euro. Askush, asnjë mekanizëm kontrolli nga Uashingtoni ose nga Brukseli nuk të fal, nëse shikon se paratë e taksapaguesve amerikanë ose të qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së janë dhënë në një reformë të kapur dhe të dështuar. Dhe këta ndërkombëtarët që po na mbështesin aq fort me reformën në drejtësi (praktikisht e kanë mbajtur ata gjallë që në pelenat e saj), po të shihnin tentativën e parë serioze të qeverisë për të deformuar vendimmarrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të strukturave të reja të reformës, do të ishin të parët që do të denonconin ndërhyrjet, për të shpëtuar veten e tyre dhe mbi 73 milionë dollarë dhe euro të dhuruara deri tani që nga qershori 2016. Prandaj si qytetarë duhet të jemi të bindur se tymi po i shkon drejt reformës sonë në drejtësi, pikërisht nga mos-reagimi i ndërkombëtarëve, nga heshtja dhe injorimi i tyre ndaj sprovave për të anatemuar reformën në drejtësi si të kapur nga shumica e sotme qeverisëse. Ata që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Brukseli vigjilojnë që kjo reformë, edhe pse e vonuar, bllokuar dhe sabotuar nga të gjitha anët, të vijojë të zbatohet, e kanë të qartë mos-veprimin tonë si qytetar për mbrojtjen e saj. Madje edhe e kanë të preventivuar, parashikuar qullësinë tonë. Ne jemi gati të mbushim sheshet për partitë tona kryesore politike, por jo për një reformë që do të peshojë një ditë të bukur se sa nga politikanët tanë i kanë vilat dhe apartamentet nga rroga e tyre, apo nga para të fituara jo ligjërisht. Dhe duke i peshuar mirë dhe me drejtësi, do t’i vendosë ata prapa hekurave, ose në piedestalin e vlerësimit popullor, nëse janë të pastër.