BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Opinion / Editorial

Intelektualë të anatemuar vetëm se takohen me kryeministrin

Intelektualë të anatemuar vetëm se takohen me kryeministrin

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i zakonshmi në një cep të Shqipërisë deri tek njerëzit e shquar, ata që kanë bërë emër me personalitetin, punën, idetë, zgjidhjet, studimet e tyre në interes të vendit dhe kombit. Intelektualët e çdo fushe, janë pararoja e mendimit, fabrika e ideve e vizioneve inovative, të cilat i shërbejnë zhvillimit dhe strategjive të çdo shteti në ndërmarrjet e veta në emër të reformave të mëdha dhe zgjidhjeve afatgjata apo të momentit. Mendimet, propozimet dhe idetë e tyre kërkojnë vëmendjen dhe mirënjohjen e çdo shtetari për t`i dëgjuar, konsultuar dhe përfshirë në politikat e vendit për ekonominë, shkencën, artet dhe industrinë e ndërtimit. Tërmeti i 26 nëntorit i cili tronditi jetën e qytetarëve dhe vuri në provë tërë organizmat e shtetit, e bën edhe më të domosdoshme analizën e asaj që ndodhi dhe nxjerrjen e konkluzioneve, përse dhe ku qëndrojnë shkaqet që një tragjedi e tillë natyrore pati pasoja kaq të rënda. Në analizë të fundit shtrohet pyetja: Përse diku shkatërrimet ishin katastrofike dhe në të njëjtin perimetër, shumë ndërtesa nuk patën asnjë plasaritje pa bërë fjalë për shkatërrime masive? Prej këtej, shteti patjetër që duhet të nxjerrë konkluzione afatshkurtra e afatgjata. Koha nuk pret për të ngritur strukturat që do mundësojnë nxjerrjen, jo vetëm të përgjegjësive, siç veprohet gjatë këtyre ditëve, ku organet e drejtësisë janë duke marrë provat për çdo ndërtesë të rrënuar dhe mosveprimet e kontrollorëve, zyrave të urbanistikës, kualidatorëve, kryetarëve të bashkive dhe personave përgjegjës që kanë miratuar symbyllur ndërtime në vende problematike, por edhe ineficencën e instituteve të shumta, të cilat kanë detyrë numër një të ushtrojnë kontroll mbi ndërtimin, pasi një ndërtim pa kondicionet e nevojshme dhe parametrat shkencorë rezultuan me pasoja të rënda ashtu siç u provua ditë më parë në Tiranë, Thumanë, Durrës, Lezhë, Kurbin, Krujë deri në Dibër. Tërmeti nxori në sipërfaqe atë që nuk është bërë konform standardeve dhe kërkesave strikte të inxhinierisë së ndërtimit. Heqja dorë nga institute të rëndësishme, të cilat shteti shqiptar i ka pasur eficente, mungesa e studimeve të mirëfillta të materialeve të ndërtimit si dhe strukturës së tokës, ku hodhën themelet, janë një largim me dëshirë nga standardet. Në vend që standardet të rriten dhe kërkesat të jenë më të rrepta në këto tri dekada, duke shfrytëzuar normat e larta të fitimit dhe urinë e tregut për të ndërtuar dhe nevojat për banesa, lanë në hije kontrollet bazë të ndërtimit dhe fshinë me një të rënë të lapsit organizma të rëndësishme që kontrollojnë deri në detaje atë që ndërtohet dhe si ndërtojnë. Fakti që me ndërtimin gjatë këtyre viteve u morën më shumë ata që nuk ishin specialistë, bëri që pallate pesë deri në dhjetë kate të kishin themele sa për një godinë nga ato që ndërtojnë fermerët për bagëtitë. Këtë dobësi e paguam shtrenjtë, ashtu siç jemi duke paguar një kosto shumë të rëndë për supet e shtetit shqiptar që edhe pa tërmetin ka nevoja imediate për të zgjidhur, ku me mijëra familje janë ende pa një strehë. Në këto kushte për t’u përgjegjësuar më shumë për të vendosur në baza shkencore industrinë e ndërtimit për të shmangur katastrofa të tilla të rënda me pasoja njerëzore e materiale me dëmtime që kërkojnë vite të rikuperohen, veç masave emergjente e nevojave që shtetit i duhet të zgjidhi problematika të tilla që t`i japi fund katastrofave dhe dëmtimeve të përmasave që po jetojmë. Në këto kushte një rezervë e jashtëzakonshme, është shfrytëzimi i dijeve dhe përvojave të vyera të intelektualëve që i kanë dhënë fushës së ndërrimit jetën e tyre të gjatë, që kanë bërë studime të thelluara dhe kanë njohuri për ndërtimin dhe cilësinë e përdorimit të materialeve. Në këto kushte edhe pse në emergjencë, kryeministri nuk mund të lërë pa u takuar dhe dëgjuar zëra të tillë që i dinë mirë këto punë. Dhe këtu nuk mund të lihet mënjanë një intelektuale e shquar, zonja Luljeta Bozo. Profesoreshë Luljeta është e njohur për kontributet e saj. Në biografinë e vet ka me qindra studime të kryera në fushën e gjeoteknikës dhe përbërjen e materialeve në ndërtim. Janë me mijëra studentë që kanë dalë nga Fakulteti i Inxhinierisë që e kanë pasur profesore Bozon, etalon të mençurisë dhe prosperitetit, si një specialiste me vizione të gjera, shkencëtare e padiskutueshme dhe mendje që duhet vlerësuar. Vetëm për atë që ka bërë gjatë këtyre ditëve me sqarimet e saj, me udhëzimet dhe prakticitetin që ka shfaqur në biseda me qytetarë për t`iu dhënë kurajo se si ndodh me tërmetet dhe si duhet vepruar në këto raste, po më shumë si duhet ndërtuar për t’u rezistuar goditjeve të nëntokës, ajo meriton vlerësim mbarëpopullor. Jo më kot nga institute të biografive është shpallur si shkencëtarja e vitit. Ndryshe nga zërat frenetikë të pesimizmit dhe ndjelljes të frikës e fatkeqësive, profesore Luljeta me qetësi e kompetencë shkencore nga përvoja e gjatë si studiuese na ka qetësuar të gjithëve dhe për këtë meriton përgëzime. Po ajo është edhe shumë realiste. Vlerëson prakticitetin e ndërtimit dhe vlerën e studimeve dhe interesimin e shtetit në sistemin që lamë pas kur bëhej fjalë për zgjidhje të mëdha shkencore në interes të ekonomisë kombëtare. Deri këtu mirë. Zonja Luljeta mbetet një personalitet me natyrshmëri dhe vlera të padiskutueshme për të gjithë. Me thinjat e bardha, me urtësinë dhe fjalët e thjeshta, me kompetencën ajo u bë njeriu i shtëpisë për të gjithë ne. Mirëpo sapo u ftua nga kryeministri, u trajtua si të kishte bërë ndonjë herezi, menjëherë u gjet në breshërinë e sharjeve të liderëve të opozitës. Edi Paloka, ish-nënkryetari i Kuvendit dhe një nga figurat e rëndësishme të PD-së, që vjen nga fusha e medias nuk i kurseu kritikat edhe për profesore Luljetën, e cila të vetmin faj kishte bërë që takoi kreun e qeverisë Ramën. Është pak të thuhet se kjo është e turpshme dhe një mendjengushtësi, e cila merr mbi vete anatemimet më të rënda të shqiptarëve pasi ky qëndrim shpreh ligësinë e opozitës ndaj intelektualëve që vënë dijet e energjitë e tyre në funksion të zgjidhjeve në interes të popullit dhe nuk janë bishti i askujt. Kuptohet që kryeministri do takohet me cilindo që gjykon se ka mend për të dhënë dhe ide racionale, për të cilat ka nevojë çdo qeveri ka shumë nevojë në situata të tilla. Dhe kjo është një praktikë ndërkombëtare dhe nuk është ekskluzivitet vetëm i Ramës. Po në drejtim të intelektualëve, PD ka dy standarde. Intelektualët që i shkojnë në takime Bashës, janë mendje të ndritura, të super vlerësuar. Ata që guxojnë të venë te Rama shpallen armiq. Po përballë me sharjet dhe ultimatumet nuk është vënë vetëm zonja Bozo. Cilido që në këto ditë të vështira, ka dal në krah të qeverisë apo në një tavolinë me Edi Ramën, është vënë përballë me llogoren e pafund opozitare. Kujtojmë këtu gazetarin, Marin Mema dhe bamirësin Elvis Naçi. Nuk u kursyen për asnjë moment akuzat ndaj zotit Naçi, i cili tërë këto ditë me kufje në vesh është duke komunikuar me cilindo shqiptar në glob solidar me fatkeqësinë e popullit tonë për grumbullimin e fondeve. Po kjo nuk i pëlqen opozitës tonë. Ndaj u sulmua si ndihmës i Ramës, individ që i nënshtroi vlerat e tij para kryeministrit. Po nuk është i vetmi. Këtë fat e kanë pësuar deri korifenj të shquar si Kadare e Rexhep Qosja. Jo tani në kohë të vështirë, po gjatë tërë viteve intelektualët që i janë afruar kryeministrit, janë vënë në breshërinë e kritikave dhe akuzave se kanë përqafuar apo i kanë dhënë një ide të parit të qeverisë. Dhe këtu nuk është kursyer asnjë intelektual me vlera, i cili nuk është se i bën nder kryeministrit as vetes, po Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tek e fundit, intelektualët janë bij e bija të këtij kombi dhe kontributet e tyre janë nevojë jetike për zhvillimin e vendit dhe nuk janë e nuk bëhen kurrë fasadë e kryeministrit të radhës.

 Nga Bardhyl BEJKO