Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Intervista me politikanë... dhe si e pësova prej tyre

Postuar: 13/08/2019 - 07:17

(Kjo dhe mund t’i ndodhë çdokujt )

Në vazhdim të misionit tim të sikletshëm për të intervistuar politikanët, po mendohesha se cilin duhej të merrja më parë në intervistë, Ramën apo Ilir Metën. Nëse do shkoja te Iliri e kisha më thjeshtë të takoja Monikën. Por ja që nuk ndodhi asnjë nga parashikimet e mia, sepse hasa direkt Petrit Vasilin i cili me hap të gjatë, ngaqë diellin e kish mbas shpine, dukej sikur përzinte hijen e tij. Ai e kuptoi se dikush po e ndiqte, futi dorën në xhep dhe nxori andej një fshirëse letre për hundët dhe teshtiu aq fort sa, grisi dhe letrën. Mbase ishte një mënyrë e zgjuar e tij, që të më jepte mua kohë ta arrija. Dhe ashtu bëra. Për pak sekonda u ndodha para tij.

- Përshëndetje z. Vasili! Ju si përfaqësues i strukturave të larta të LSI, në të gjitha nismat e partisë, kini mbështetur përherë qëndrimet e Presidentit Meta, pra kryetarit “de facto” të partisë tuaj. Mos vallë përherë është e domosdoshme, që një parti opozitare, për çdo gjë dhe në çfarëdo lloj kohe duhet të dalë kundër?

Përshëndetje! Pikë së pari more djalë, ne nuk kemi Metën kryetar, por Monikën dhe Monika është distancuar me kohë prej tij, qëkurse ai u bë president ( me atë kokë që ka ajo, mirë që e njeh dhe për burrë). Ma ka thënë me gojën e saj, se Ilirin për punë partie, gjithë ditën e ditës “sikur qielli me tokën të bashkohen” as nuk e dëgjon fare. E dëgjon vetëm në darkë, bile dhe atëherë me raste. (Kuptohet kur kanë rënë në qetësi të përkohshme) Ka një kokë ajo mor aman, që çfarë të të them! Shpesh kam vrarë dhe mendjen, se kush do ketë qenë ai i pari i fshatit të tyre që u ka vendosur nofkën “Kryemadhi”. Por kjo nuk është gjë fare! Kanë “sherre të mëdha” me njëri-tjetrin dhe këto i bëjnë për një çështje të shenjtë, për Shqipërinë, që është shtëpia jonë... se që thua ti, për shtëpinë e tyre as që kujdesen fare!

- I jini shmangur pyetjes z. Vasili, bëhet fjalë, që përse ju si parti i dilni kundër, p.sh pozitës në Parlament, por dhe strukturave më të larta të shtetit.?

Po prandaj i dalim mor djalë, se ndryshe do ishim në monizëm e për rrjedhojë ç'u kuptua? Ja le të marrim dekretin e Presidentit. E nxori Rama shpalljen se do votohej në qershor? E nxorri! Po Presidentit a nuk i takonte që dhe ai të thoshte fjalën e tij? E tha dhe e vendoi në tetor. Pse, ç'duhej të bënte, ti bindej Ramës me një parti, apo duhet ti bindemi Ilirit si President i cili i komandon të gjitha partitë? Do thuash ti, se ai e kishte miratuar një herë në qershor. Po ashtu është.... por muri s’luan, burrat kur e kërkon interesi i unitetit kombëtar luajnë, d.m.th e tërheqin atë që kanë thënë. Edhe Iliri, ta dish e po e them vënçe e popullorçe nga që e njoh personalisht, se është më kokëderr nga Moni. Kokë Skrapari or burrë! Ore... kjo nuk është gjë fareee... po kur të mos jetë më President ai, a e kupton ti se në ç’hall do jemi ne të LSI? Po sikur t’ia thotë mendja Monikës të mos ja japë fare partinë Ilirit?

( Qesh e më shkel syrin )! Ishallah plas sherri midis tyre, sepse si rrallë në histori, ka për të qenë një sherr i dyfishtë dhe partiak dhe familjar....dhe ma gëzuan partinë, si Lili, ashtu dhe Moni! (Fërkon duart, duke më lënë që të kuptoj se do bëhet ai kryetari i ardhshëm dhe duke përzënë hijen e tij largohet, me një mërmëritje të pakuptueshme me veten e tij. Ndofta mallkonte atë që u dogji mandatet, sepse më kapi veshi gjysmë mallkimin: U ardhtë mandata u ardhtë! Ai vërtetë u largua, por mua më ngeli peng. Si nuk e përmendi një herë popullin fukara? Fundja intervistën ia mora, më erdhi inat që s'takova dot Metën se mos vërtetë ka gjë në dorë Petriti, përveç fshirëses së hundeve! Intervistën e fundit mendoja t’ia merrja Ramës. Për hir të së vërtetës ai më lodhi shumë nga të gjithë. Në hollin e pritjes disa më thanë, se ai po pikturon dhe ka lidhur një kontratë ndërkombëtare për shitjen e pikturave, disa të tjerë më thanë se po luan basketboll, bile po i bën stërvitje Erion Braçes. Por nuk qenkësh as njëra dhe as tjetra, kur ishte çuar nga tryeza, atij nga një pakujdesi e vogël, i kishin kapur “tumanet” në këndin e poshtëm të tavolinës së punës dhe i ishin grisur. Më duhej të prisja sa të gjente një palë të tjera. Thuhet (por nuk jam i sigurt) se Spiropali i kishte ofruar një palë çitjane të gjyshes apo katragjyshes, e cila i kishte prej kohësh, i kishte kujtim dhe në ruajtje, por ai, i pat refuzuar në mënyrë kategorike duke u marrë e qepur vetë, ato që kish grisur. Kur doli më hodhi dorën në qafë gjithë dashamirësi, por aty për aty mu kujtua fjala e popullit dora në qafë e gishti në.... b! Menjëherë u shtrëngova për çdo të papritur. Falë gjatësisë së tij, se gishti me erdhi te veshi.

- Z.Rama...! Ai, nuk më la aspak kohë ta pyesja dhe u fut direkt në bisedë,për të më hequr emocionet

Ho mo çun pse ke ordhë? Ça ka bo vaki mi jahu, a duhet me domosdo me dhonë interviste? Ho, mo fol?!( mi tha këto fjalë në prezencë të stafit të tij dhe kënaqej me hutimi tim)

- Jooo.... z.Rama, ju nuk jini i detyruar, por më detyruan mua ata të redaksisë time, që nëse do të dëshironit të sqaronit opinionin publik se cilët ishin motivet e rehabilitimit të njërës prej figurave më të përfolura në tradhtinë e tij, pra të Mit'hat Frashërit, të Ballit Kombëtar. Dhe a mund të ndodhë që një ditë komunistët dhe veteranët ta hedhin atë në erë?

Kush e tha kët gjo? Unë skam rehabilituar Ballin Kombëtar, por Mit'hatin dhe të gjitha ktona nuk janë gjo tjetër, veç gatimet tuaja të kazanit mediatik, që s'ka garuzhde me i përzje. Ju i interpretoni këto, sikur u bë kiameti i madh! Çfarë u bo ho m thuj ça u ka bo? Kush, cili, pse e bonë dhe rehabilituan Mit'hatin? E gjithë kjo zallamahi mediatike nuk kupton asgjë nga e vërteta. Mit'hati si person, ka qenë demokrat, ka dash një Shqipëri të lirë e demokratike dhe jo diktaturën komuniste. Pse, sot ne a nuk jemi në atë sistem që pat ëndërru Mit'hati? Kë vrau ai, pa më thuaj ti mua?

- Zoti K/ministër! Ai vet me dorën e tij mbase nuk ka vrarë, por “Balli Kombëtar” është shpallur organizatë tradhtare dhe bashkëpunëtore me pushtuesin, bile i ka duart me gjak sepse në operacionet ndëshkimore ka qenë përkrah nazistëve gjermanë. Bile ka dhe një qarkore të tij, pra të Mit'hat beut, ajo e tetorit të vitit 1943, i cili i urdhëron strukturat e Ballit që të mos e presin me pushkë armikun.

Cilin armik.. për ko e ke fjalën për gjermonin? Ai nuk erdhi për të na pushtuar por ai kish filluar të tërhiqej nga Greqia e po shkonte për në Gjermani. Bile dasht me e dit ti dhe për traditë shqiptari mikun e përcjell deri te dera.

- Mikun po, por ama armikun nuk e pranojmë fare të futet as në oborr z. K/Ministër e jo më t’i hapim derën. Pastaj këtë gjë, as Berisha që është ultra i djathtë nuk e bëri, si arritët ju në këtë pikë?

Pikërisht, se ato që nuk bën dot Berisha, ne i tregojmë popullit tonë se dimë t’i bëjmë ne dhe jo ata që nuk janë për asgjë, veç ja futin rrëmpallës për katër-pesë vjet kur janë në pushtet dhe kur zgjohen thonë fajet i ka Rama. Aktin e rehabilitimit të Mit'hatit mos mendo se ne nuk e kemi gjykuar. Por ne tani për hir të unitetit të popullit duhet ti unifikojmë disa gjëra. Boll kemi gati treçerek shekulli Balli-balli-balli. Bile aq shumë flitet për të, sikur armikun kryesor të kemi pasur ballistat. Partizanët vetë e thonë që “balli” ishte për pula dhe nuk hodhi asnjë armë në luftë... atëherë kur qenka kështu, direkt apo indirekt or çun, kuptohet që “balli” ka qenë më shumë paqësor, se sa luftarak.

- Z.Rama! “Ballin Kombëtar” dhe “Legalitetin”, si organizata tradhtare në atë kohë, i kanë njohur dhe URSS dhe USA bile dhe vet Anglia dhe një serë shtetesh demokratike dhe po qe se është sikurse e thoni ju atëherë, Nishani paska pat të drejtë që i rehabilitoi ballisto-zogistat dhe disa diversantë, që i shpalli martirë të demokracisë?Me këtë rast përligjet dhe hedhja në erë e tyre

Ore çun ke punë tjetër ti apo jo? Roje... o roje ma nxirr jashtë për qafe, këtë qafir komunisti!

Merrjani emrin shënim dhe futeni në rreth kush është ky që futet deri këtuna në kryeministri? Ndonji ditë nuk është çudi me thonë, merreni nji kët pako e ja çoni si dhuratë Ramë agës, se është nji top basketi, veç kur me pas dalë ndonji “bumje” e me plasë ktu mrena. Kukuuuuu ço m’ka gjet mu me gjithë këta budallenj që kam për rreth mejet! Roje... o Roje!! Oreee..po ku është roja mi jahu nxirreni more jashtë këtë kalemxhi, klysh kamunisti që dashka me hudhë n’eret Mit'hat Agën!!

Duke menduar se dy intervista ishin të mjaftueshme u nisa drejt e në Parlament, për të bërë edhe disa foto nga punimet e seancës plenare dhe mbas saj, një kronikë rozë nga kryeqytetit. Po ç'të shikoje... një amulli e plotë, ku deputetët tanë ulërinin grindeshin bile nga fundi i një seance, plasi dhe grushti. Nuk di se cilin fiksova në celuloid, por më duhej të prisja dhe darkën që të bëja kronikën rozë për rruspitë e rrugëve, të cilat ishin bërë shqetësuese jo vetëm për moralin e shoqërisë, por me “ aktivitetin” e tyre klandestin të seksit, rrezikonin seriozisht ekonominë e vendit me evazionin fiskal, i cili ishte bërë shumë problematik kohët e fundit. Ju afrova “ njërës nga ato”, por ajo u largua dhe nuk pranoi intervistë... veçse fotot e nevojshme i sigurova. E pa pritura për mua, ndodhi të nesërmen kur drejtori i gazetës bashkë me k/redaktorin më njoftuan pushimin nga puna, sepse unë i kisha djallosur të gjitha, mbase nuk ishte faji im dhe mund të ishte i redaktorëve, mbase dhe as i atyre, por i vet shtypshkronjës nga ku faqoset gazeta, mbase dhe sabotim, për të diskretituar institucionet shtetërore dhe aktivitetin e putanave sepse ja çfarë kishte ndodhur: Sapo kishte dalë gazeta, kishin rënë telefonata nga të katër anët, nga vet një pjesë e atyre parlamentarëve që kishte kapur aparati, por dhe zuskat e qytetit sepse në intervistën dhe fotografitë e parlamentit ishte vendosur gabimisht (mbase dhe sabotim) diçitura e rruspive; ndërsa për materialin e putanave ishin vendosur fotografi të disa parlamentarëve tanë.

NË FOTO NR 1- PAMJE NGA PARLAMENTI dhe ja se çfarë shkruhej: Në këtë foto ju paraqitim putanat tona, të cilat i shkaktojnë dëmin më të madh dhe evazionin fiskal ekonomisë tonë. (Me të drejtë çdo parlamentar në këtë rast do të indinjohej sepse s’mund të krahasoheshin deputetët me rruspitë)

NË FOTON NR 2- RRUSPITË E QYTETIT TIM dh ja se çfarë shkruhej : Deputetët tanë në sallën e punimeve të cilët kanë menduar e mendojnë përherë për vendin tonë

Me këtë diçiturë të gjitha zuskat e qytetit ishin irrituar, sepse asnjëra nuk pranonte të krahasohej me deputetët. Për të gjithë këtë katrahurë dhe si shkaktar i uljes së dinjitetit për të dy palët më pushuan nga puna. Gjithsesi drejtori dhe k/redaktori dhe pse më pushuan, ishin njerëz të mirë, nuk ma shënuan këtë në biografinë time apo si i thonë tani kurricqiulium.....kurrë ikum.....kur iki unë... nuk e them dot! U pa puna u rreshtova dhe unë në ushtrinë e madhe të të papunëve. Mbase gjej ndonjë gazetë tjetër të vazhdoj më tej karrierën time!

Nga Ylli Meçe

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/08/2019 - 07:23

 Fundi i datës 30 qershor dhe fillimi i pushimeve ishte për Bashën, një rrëzim i plotë politik opozitar!

Postuar: 17/08/2019 - 07:22

Gjuha jonë shqipe na lartëson dhe na bën krenarë, sepse ajo konsiderohet si gjuha e parë në Ballk

Postuar: 17/08/2019 - 07:20

 Qëndrimi i kryeministrit Rama pas njohjes me dokumentet e drejtësisë italiane të servirura

Postuar: 17/08/2019 - 07:17

Ky vit është viti jubilar i 75 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, ndaj dhe jehona, kremtimi dhe pub

Postuar: 17/08/2019 - 07:15

Ne shqiptarët pretendojmë se kemi nisur të udhëtojmë në demokraci, edhe pse votën e lirë e të nde

Postuar: 16/08/2019 - 07:23

(Ne ishim ata që e mbronim dhe kurrë nuk na shkonte ndër mënd të merreshim me shitjen e detit)

Postuar: 16/08/2019 - 07:21

Ky sistem partitokracie me një sundimtar absolut dhe jashtë kontrollit të statuteve dhe vendimmar