Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Opinion / Editorial

Intervistë e supozuar me Enver Hoxhën (pas vdekjes)

Intervistë e supozuar me Enver Hoxhën (pas vdekjes)

Një ndër misionet më të sikletshme që kam patur ishte ajo kur botuesi i gazetës me gjithë k/redaktorin më ngarkuan misionin që t’i merrja një intervistë të supozuar Enver Hoxhës, i cili dergjej në “Varrezat e Sharrës”. Them i sikletshëm, sepse së pari ec t’i mbushje mendjen Enverit që të ngjallej të paktën vetëm nja dy orë, sa për një intervistë dhe së dyti, ai vet, duke qenë ateist më hapte probleme në realizimin e saj. Më hapte probleme sepse nëse nuk ngjallej pak e të dilte nga varri që të bashkëbisedoja unë me të, atëherë domosdoshmërisht më duhej të futesha unë në varr e t’ia merrja intervistën. Për problemin e parë më dhanë të drejtë. Më dhanë të drejtë, sepse do të mjaftonte që vetëm dy- tre qytetarë tiranas të më shikonin mua me Enverin dhe do të hapej menjëherë lajmi jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, teksa për problemin e dytë k/redaktori më qetësoi duke më thënë se nuk duhej të shqetësohesha, ngaqë edhe në kohën e Enverit deri më 1967-tën kishat e xhamitë ishin objekte kulti të pranishme në Shqipëri. Pyetja ishte: A do ngjallej Enveri?! Ata më rrahën krahët për të më dhënë kurajo, por dhe më bindën duke më thënë: Po ti shko or burrë se dhe ne ngjallim çdo vit Krishtin 3-4 ditë e në të pastajmen e lemë të vdesë për ta ringjallur vitin e ardhshëm. U binda dhe ashtu veprova. Për fatin tim të mirë, koha ishte e bukur plot diell, por nuk di pse më mbërthyen të dridhurat. Trokita mbi pllakën e mermertë dhe pa pyetur fare e kush isha më del përpara një burrë i gjatë i pashëm e me një trup të drejtë.

- Shoku Enver, të më falni që ju drejtohem, mbas vdekjes më quajnë “Kusur Madhi”. Jam i ngarkuar nga redaksia e gazetës, për t’ju marrë një intervistë këtu në “Vorrezat e Sharrës”, për disa nga problemet më të rëndësishme të cilat kanë ndodhur që prej vdekjes tuaj. Më dërguan me urgjencë për të marrë mendimin tuaj, sepse për disa kohë ju keni qenë i pari i këtij vendi.

Po unë i pari jam përsëri ore, sepse ajo parti dhe ai popull që më çoi në krye ata e kanë dhe të drejtën të më shkarkojnë. E ke ndjekur ti atë testimin që bëri gazeta e ”Koha e jonë” mbas vitit 1997? Po qe se e ke ndjekur po ta them se i pari në listë isha unë, i dyti Skënderbeu dhe i treti Ismaili.

- Cili Ismail shoku Enver, Kadareja?

- Jo mo, ç’ne Kadareja?! Kadarenë unë e shpëtova kur ai shkruajti “Dimrin e vetmisë”. Ju përveshën keq nga populli dhe po të mos isha unë, desh e hëngri të sëmës “Molua”.

- Pra dhe ju e mbajtët me hatër se ishte nga Gjirokastra?

- Oree “Kusar Madh”..!

-Kusur – shoku Enver- më quajnë Kusur e... jo Kusar.

- Hë mo se nuk kam bërë ndonjë gabim të madh se sot Shqipëria është mbushur tej përtej me kusarë. Këto mi kanë thënë bashkëkohësit e mi të cilët kanë ardhur këtu mbas meje. E që thua ti “Kusurmadh”, unë nuk u nisa aspak për Kadarenë, por në veprën e tij lartësohej qëndrimi heroik i popullit dhe i Partisë tonë. Ai qerrata, këto i pat shkruar shumë bukur. Do thuash ti se ai e drodhi mbas vdekjes time. Po pse sos ai mo? Po Ramizi a nuk e drodhi, po ata të Komitetit tim Qendror a nuk e drodhën shumica e tyre? Po pa më thuaj çfarë halli ke sepse në kohën time gazetarët i kishim njerëz të nderuar e të respektuar.

- Po ja sh.Enver të ne kemi shumë probleme sociale. Tokat tuaja tani nuk i mbjellin më me drithëra por me drogë. Në kohën tuaj, ju e bëtë të pavlefshëm dhe aspak funksional “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, kriminaliteti në Shqipëri ishte pothuajse i pallogaritshëm, madje dhe ato pak krime që ndodhnin, ishin të një rëndësie të dorë së dytë, pra e kam fjalën që nuk tronditnin opinionin mbarëkombëtar, teksa sot nuk ka ditë të mos na vriten të rinjtë me njëri-tjetrin, pa folur se ka patur dhe qeveritarë të cilët jo vetëm na kanë vjedhur, por edhe kanë dhënë urdhër për të na vrarë.Po kështu kemi kryetarë bashkish të cilët janë të molepsur në punë të dyshimta, në afera korruptive, në vjedhje masive dhe nuk di se ç’të të numëroj më parë. Ju çfarë mendimi keni për këto sh.Enver?

Po pse nuk thua mor djalë që ju i paskeni vënë flakën me duart tuaja Shqipërisë?! Po pse mo kapitalizmin na paskeni sjellë ju përsëri mo? E kuptova që nga ajo kur më the për kryetarët e bashkive. Institucione të tilla kishte vetëm në kohën e Zogut. Ne u thoshim “Këshilla popullore” edhe Kuvendin e kishim popullor edhe bujqësinë çështje të të gjithë popullit, edhe ushtrinë e kishim popullore edhe policia ishte popullore edhe gjykatat i kishim popullore dhe shëndetësia dhe arsimi ishin popullor. U thuaj atyre që janë përmbi dhe se ne shkollat i hapëm qysh në male dhe komandantët e komisarët tanë ishin gjeneralë e përmbi gjeneralë sepse bënë universitetin e luftës. Kusur! Ti mor djalë më duket se qenke naiv i madh. Po mirë mua që s’më paske lexuar, po mirë mua po Migjenin nuk e ke lexuar mo?! Po lexove dhe kuptove Migjenin, ke kuptuar dhe mua. Do thuash ti si vepruam ne? I mblodha shokët dhe u thashë : Do e bëjmë Shqipërinë apo jo? Po qe se e bëjmë duhet tu shtrohemi punëve. Ta fillojmë nga ata që kanë vjedhur popullin dhe nga ata që bashkëpunuan me nazi-fashistët. Të parin çova kunatin tim para gjyqit dhe pastaj ata që donin të na kthenin mbrapa. Ai e meritonte sepse ishte ministër i Jashtëm dhe bashkëpunoi me Ribntropin. E di ti mo kush ka qeëe Jaokimi? Ja pikërisht ky Ribentropi i Hitlerit ishte ministër si im kunat Bariu, i cili u bë bari i tufës së ujqërve kolaboracionistë. Ja psh. kishim shokë lufte dhe Koci Xoxen, por ai deshi që ne të bëheshim Republike e shtatë e Jugosllavisë dhe u bë agjent i tyre dhe drejtësia e popullit e pushkatoi. A e kupton ti ore “Kusur Madh”, ne i kërkonim Titos dhe Stalinit të na jepnin Kosovën, ky birbo donte ti jepte Titos gjithë Shqipërinë. E çu kuptua, çfarë ndryshimi do kishim ne nga Zogu po qe se bëheshim Republike e Jugosllavisë? Ne ishim të varfër dhe këtë e kemi ditur, por ama nuk ndenjëm duarkryq, ju përveshëm punës. Ja na ndodhi një herë që një sekretar partie i Pukës na gënjente me shifrat e planit. Dritë shkurtrit kujtojnë se më gënjente mua (Enverin), po ai gënjente popullin dhe ne e çuam në gjyq të jepte llogari “deri në një”. Kështu na ndodhi dhe me sabotatorët e Kënetës së Maliqit, apo dhe më vonë të naftës. Dua të them se ne, atë që thonim e bënim.

- Shoku Enver edhe ne kemi sistem drejtësie madje sipas standardeve europiane e amerikane, por jemi ende në hapat e para të saj.

Po pse mo sa vjet ka Shqipëria që është kthyer mbrapa?

- Thuajse 3 dekada shoku Enver.

Enver Hoxha qesh me të madhe dhe unë nuk arrita dot ta kuptoja se ai qeshi me mua apo me faktin se për tre dekada drejtësia shqiptare ende nuk po funksionon. Duke qeshur ai përsëri më tha: O Kusar!

-Kusur – shoku Enver

- E o mirë se unë dhe ngatërrohem, po ti or djalë dhe gjithë ju të tjerët që jeni sipër varrit tim të gjallë duhet ta mblidhni mendjen sepse në kapitalizëm nuk ka drejtësi. Ja çfarë i bënë Niksonit më 1972 me skandalin e “Watergatit”. Po Berluskonin e Italisë që e dënuan nja 6-7 vjet dhe jo që nuk e dënuan, por i dhanë dhe një dashnore marokene me emrin Rudi dhe ai i fali asaj 1milion Eu? Po ti japësh gjyqtarit tuaj aq para ai jo vetëm të jep lirinë, por të fal dhe “bithën e tia”.

Unë ika duke e falenderuar dhe me vete mendoja : Qenka bërë pak harbut nga goja “Xhaxhi”, po nëse vërtet ai do të ishte gjallë a do silleshin kështu gjykatat? A do livadhiste kështu Sali Berisha me “berishzat” e klanit të tij familjar? A do kishte Kuvend të tillë Enver Hoxha, mbushur me zuzarë që qeshin, tallen, dërgojnë mesazhe dashurie njëri-tjetrit? A do kishte hundë kryetari që të thithte “niseshte të bardhë” dhe kusar bankash të floririt dhe kartëmonedhave? Nëse ai do të ishte gjallë a do lejonte gjysmën e shqiptarëve t’ia mbathnin nga dëshpërimi dhe desiluzimi i “Shqipërisë së mallkuar”? Me të vërtetë shteti i Enverit kishte autoritet?! Nuk e di, por po jua u lë lexuesve të gjykojnë. Unë porositë e mia i mbarova teksa përballë hasa një gazetar të vjetër, i cili i thurte himne e ditirambe Enverit sa ishtë gjallë, ndërsa ka vite që flet me një urrejtje e mllef të madh ndaj tij. Ika, ju shmanga kolegut tim me të njëtin emër në dy kohë.... mbas ai kishte dy faqe në të njëjtën kohë.