BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Opinion / Editorial

Investimet publike dhe efektet negative të korrupsionit

Investimet publike dhe efektet negative të korrupsionit

Në thelb të çdo njësie publike qëndron një rol, një mision, një objektiv, një detyrim apo një angazhim, i cili nëse shkon paralel me përgjegjshmërinë e funksionarëve publikë, kjo njësi i ka përmbushur më së miri ato. Referuar një publikimi të Transparency International për vitin 2018 për Shqipërinë, vendi ynë renditet në vend të 99 nga 180 në total duke qenë në një nivel perceptimi me atë të Kolumbisë, Filipineve, Tanzanisë dhe Tajlandës.

Në një situatë si kjo e sotmja ku, pothuajse në të gjitha mjediset e administratës publike, niveli në të cilin perceptohet korrupsioni është i lartë, tregon as më pak e as më shumë, por se ky fenomen është pjesë integrale e një rrethi vicioz brenda të cilit gjenden të gjithë aktorët dhe faktorët që shoqërojnë një aktivitet publik, që nga faza e planifikimit e deri në përfundim të tij e madje deri në gjykimin e tij kur vjen puna tek sistemi gjyqësor. Kostoja e dukshme e këtij fenomeni është vetëm maja e ajsbergut pasi pasojat reale të korrupsionit në administratë janë ato të cilat ndodhin në një shtrirje më të gjerë, në hapësirë dhe në kohë dhe që kërkojnë një analizë të studiuar mirë.

Lufta kundër korrupsionit, para së gjithash, është një luftë e brendshme e individit, e shtypjes së tundimeve personale dhe e shmangies së përfitimeve nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Për audituesit e KLSH është jo vetëm kaq, por është edhe qëllim në vetvete i krijimit të bindjes te funksionari publik në fillim dhe më pas të subjekti i audituar se përfitimet nëpërmjet korrupsionit janë një kosto për një të ardhme jo shumë të largët. Auditimi dhe eksperienca e jetës ka treguar se korrupsioni veç varfëron pasi është një shpërndarje parash në duar të caktuara dhe në këtë mënyrë të pasurit pasurohen e të varfrit varfërohen. Prishja e ekuilibrave mes aktorëve të përfshirë në fushën e ndërtimit çon në deformimin e shtetit ligjor dhe në probleme në rritje.

Nëse gjyqësori dhe ekzekutivi do të funksiononin në përputhje të plotë me parimet e mirëqenies dhe mirëqeverisjes së shëndoshë, pavarësisht mangësive për shkak të gabimeve njerëzore, ndoshta dhe fokusi kryesor i KLSH nuk do të ishte auditimi i përputhshmërisë, por ai financiar dhe i performancës. Në drejtimin social disa fenomene si emigrimi jashtë vendit, cenimi i meritokracisë akademike si dhe promovimi i aftësive të tjera korruptive kanë deformuar ndjeshëm boshtin që duhet të ndjekin brezat e rinj, duke nxjerrë “talente” të reja në fushën abuzivizmit duke demotivuar kështu masën, duke ulur pritshmëritë e të rinjve për të ardhmen e duke e kaluar fokusin në rrugëzgjidhje alternative në rrugë informale, jo ligjore e deri në krime.

Korrupsioni në administratë është një fenomeni cili bie ndesh me parimet mbi të cilat punonjësit janë zgjedhur apo emëruar duke bërë që këta funksionarë të përvetësojnë të drejta jo legjitime për përfitime personale në kurriz të taksapaguesve, biznesit dhe mirëqenies së përgjithshme. Duke qenë gjithëpërfshirës, ky fenomen prek aspekte politike, sociale dhe ekonomike.

Cilat janë ndikimet dhe pasojat e korrupsionit në drejtim të investimeve publike dhe pse KLSH i konsideron me risk? Nëpërmjet korrupsionit në drejtim të investimeve, funksionarët publikë të përfshirë në këtë fenomen i sigurojnë subjekteve shërbime nëpërmjet shmangies së pagesave të detyrueshme, certifikimit të akteve të manipuluara e jo në përputhje me realitetin apo shmangien e kërkesave për kualifikime me qëllim lehtësimin e procedurave të palëve të përfshira në këto afera. Pasojat kryesore të korrupsionit në këtë fushë janë ato që lidhen me rritjen e kostos së shërbimeve projektuese, mbikëqyrëse e kolauduese si dhe zbatuese për subjektet e kontraktuara si dhe deformimin e tregjeve për të gjitha këto disiplina.

Duke synuar një marzh fitimi të paktën për t’i mbijetuar një tregu ku korrupsioni kthehet në një kosto të pashmangshme për disa dhe një e keqe e domosdoshme për disa të tjerë, operatorët e tregut të projektimit, mbikëqyrjes e kolaudimit si dhe zbatimit, kalojnë në uljen e cilësisë së shërbimit apo të punës. Në një situatë akoma më ekstreme, ulja e cilësisë së shërbimeve dhe punimeve shkon në mos kryerjen e tyre duke kaluar kështu në një fiktivitet të plotë dhe e gjithë kjo sepse kostoja reale tejkalon vlerën e parashikuar për tu likuiduar në përmbushje të shërbimit apo të punimeve.

Në këto kushte, projektet hartohen me mangësi (në jo pak raste me çmime të rritura fiktivisht), mbikëqyrja nuk kryhet gjatë gjithë intervalit të punimeve ose është formale dhe certifikon si të kryera punime të pakryera në fakt, investimet amortizohen, degradohen, realizohen me mangësi, kthehen në objekt abuzimi dhe bëjnë që në një të ardhme shumë të afërt të rikryhen duke përdorur të njëjtën skemë abuzimi. KLSH e ka përsëritur këtë fakt, e shumë probleme të tjera që lidhen me investimet dhe vazhdon t’i përsërisë çdo ditë, nëpërmjet raporteve të publikuara në faqen zyrtare, nëpërmjet kallëzimeve penale si dhe nëpërmjet botimeve të herë pas hershme të vet stafit të saj. Në bazë të eksperiencës së auditimit, KLSH, si një Institucion i pavarur në një mjedis të shumëllojshëm, arrin të gjenerojë konstatime, konkluzione rezultate dhe rekomandime në drejtim të përmirësimit të punës që duhet të kryejë administrata publike. Duke qenë një organ suprem auditimi, për peshën që mbart si nga emërtimi i tij ashtu edhe për detyrat e tij funksionale, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka synuar vënien përpara përgjegjësisë të nismëtarëve realë të fenomeneve korruptive dhe jo vetëm të personave të përfshirë sipas gjurmëve dokumentare të auditimit duke hedhur dritë, denoncuar dhe synuar ndëshkimin e paligjshmërisë.

Ajo që ngelet problem edhe sot e kësaj dite dhe që opinioni publik e ka konstatuar, është cedimi i sistemit të drejtësisë për problematikat e ngritura nga Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, problematika të cilat institucioni i ka paraqitur në organin e akuzës. Fakt është që shumë prej këtyre çështjeve ngelen nëpër dosje ose orvaten nëpër seanca gjyqësore e duke mos penalizuar askënd. Ndërkohë që vijohet me këto procedura gjyqësore të tejzgjatura (apo të mbyllura), funksionarë publikë, sipërmarrës apo çdo lloj tjetër operatori ekonomik në tregun e investimeve publike nuk pengohet apo nuk penalizohet për shkeljet e kryera dhe kjo bëhet shkak për dhënien e shembullit që ndjekin këto subjekte, funksionarët publikë dhe vetë drejtësia duke vepruar kështu në një mjedis ku pandëshkueshmëria është absolute, ose të paktën jo gjithëpërfshirëse.

Nëse bëhet një bilanc, konstatohet se nga një auditim në tjetrin, investimet përsëriten për të njëjtat rrugë, kantieret e sapombyllura për shtrimin e rrugëve rihapen për punime të kanalizimeve, brenda garancisë së një investimi kryhet një tjetër i mbivendosur etj. Shpesh, garancitë e punimeve (vlera 5 % e mbajtur për garanci) lëshohen duke u mjaftuar me kalimin e afatit 1 apo 2-vjeçar të parashikuar në kontratë dhe pa verifikuar nëse investimi ruan apo jo të njëjtën trajtë si në momentin e përfundimit të tij, duke i humbur kështu edhe kuptimin këtij dokumenti e duke mbajtur peng një vlerë prej 5 % vetëm për efekt formal për zbatimin e kontratës dhe jo për sigurimin e cilësisë së punimeve të kryera. Përsëritja e investimeve lidhet ngushtë me mungesën e një garancie më të gjatë në afat për punimet e ndërtimit.

Nëse do të kishim një periudhë garancie të gjatë, detyrimisht, sipërmarrësit do të rrisnin cilësinë e punës për të përmbushur afatin e kërkuar. Nisur nga eksperienca audituese, garancia e punimeve të ndërtimit është një ndër elementët kyç që duhet të marrë trajtimin e duhur nga ligjvënësit duke e rritur atë përtej afateve aktuale, të cilat parashikojnë një afat prej 2 vjetësh për investimet publike. Një afat i tillë është jashtëzakonisht pak duke marrë në konsideratë vlerat që parashikohen nga institucionet shtetërore për investimet. Mangësitë në drejtim të cilësisë së punimeve jo domosdoshmërisht mund të shfaqen që në vitin e parë apo të dytë të përdorimit të tij.

Kjo, kuptohet varet edhe nga lloji i investimit, por nëse marrim rastin e rrugëve për të cilat investohet jo pak, problematikat e tyre shfaqen mesatarisht një periudhë 5-vjeçare, ku si pasojë e cilësisë së dobët shkrifërohen, cedojnë apo kërkojnë riveshje. Sa më sipër janë një përmbledhje e shumë prej problemeve që audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatojnë dita ditës gjatë auditimeve të investimeve publike. Ajo që duhet theksuar dhe që ka vlerë të ndryshojë në vazhdimësi është fakti se lufta kundër korrupsionit është një detyrë e përbashkët. Kjo është një herë detyrë morale dhe institucionale ndaj publikut, biznesit dhe operatorët ekonomikë pjesëmarrës në tregun e investimeve publike dhe shumë herë më shumë detyrë për funksionarët publikë.

Për këta të fundit, KLSH në vazhdimësi do të hedhë dritë për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë duke synuar rritjen e llogaridhënies së ekzekutivit ndaj publikut që e ka zgjedhur, rritjen e eficiencës së investimeve, shmangien e keqpërdorimit të parasë publike si dhe identifikimin e aktorëve të mundshëm të përfshirë në afera korruptive, shkaktarët e vërtetë të uljes së mirëqenies së brezave që vijnë pas.

Kryeauditues, KLSH*