BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Ish-drejtori i ISKK vazhdon luftën si Don Kishoti me mullinjtë e erës

Ish-drejtori i ISKK vazhdon luftën si Don Kishoti me mullinjtë e

Ish-drejtori i ISKK (Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit), z.Tufa, vazhdon të demaskojë sipas tij agjentët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe pseudonimet e tyre, ndoshta për të treguar kësaj here, edhe njëherë mllefin e tij kundër individëve të cilët kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Sigurisht e bën për të derdhur vrerin e tij të zi në media për t’i kujtuar shoqërisë shqiptare se pafillua me mbiemrin Tufa është gjallë dhe se nuk i trembet askujt, por vazhdon me këmbënguljen e një ishi për të shkarkuar tjetërkund inatin dhe turpin që e zuri kur e hoqën nga posti i lakmuar i Drejtorit të ISKK. Askush në Shqipëri nuk kërkon të mbrojë një sistem të dështuar dhe që nuk kthehet më. Askush në Shqipëri nuk kërkon që njerëz që kanë drejtuar në sistemin komunist të vazhdojnë të drejtojnë në kohën e sotme. Askush në Shqipëri nuk e vë në diskutim se në kohën e diktaturës, PPSH përdori të gjitha mjetet e saj për të bërë për vete artin-letërsinë-sportin-muzikën, nëpërmjet shpërblimeve, shantazheve, thashethemeve. Por ç`po ndodh? Z. Tufa vazhdon luftën me mullinjtë e erës, duke na treguar gjëra që dihen, por dëshira e tij patologjike qenka pikërisht të tregojë të vërteta të cilat nuk vlejnë, sepse dihet se këta shkrimtarë artistë e sportistë, madje dhe muzikantë, me pseudonime nga më të çuditshmet janë rekrutuar nën një presion të jashtëzakonshëm. Vetëm rikthimi i demokracisë çliroi viktimat dhe hapi arkivat për të treguar të vërtetën rrëqethëse se si vëllai detyrohej të spiunonte vëllanë. Dhe në këtë rast të persekutuar janë të dy palët dhe jo vetëm njëri. Kjo vlen edhe për shkrimtarin e talentuar Nasho Jorgaqi. Dhe z. Tufa thotë se nuk trembet nga askush. Dakord askush nuk po e tremb z. Tufa. Po z, Tufa çfarë kërkon të arrijë duke nxjerrë emra spiunësh dhe duke i bërë publike? Edhe Gjergj Fishta ka përkrahur Fashizmin dhe Shqipëria e ka rehabilituar pavarësisht gjëmës që i bëri regjimi komunist. Edhe Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) ka shkruar vjersha të bukura për fashizmin por ai ka bërë Himnin Kombëtar. Edhe Ismail Kadare ka qenë drejtues i Frontit Demokratik, zv. President pas znj. Nexhmije, ka shkruar vepra ku mbron dhe lavdëron Enverin, ka bërë vepra me të cilat vuri në gjumë shoqërinë e atëhershme shqiptare duke thënë se “uji nga Burimi (pra nga Enver Hoxha) del i kulluar, por ndotet poshtë (nga pashallarët e kuq)”.

Kush nuk e di mund t’i rikujtojmë se Nasho Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier, Shqipëri, është shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues shqiptar, doktor i shkencave dhe titullar, është i njohur me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ka bërë rreth 20 vepra letraro-artistike midis tyre “Mërgata e Qyqeve” dhe “Larg dhe Afër”, ka realizuar 9 botime shkencore dhe 4 skenarë filmash midis tyre filmin e parë “Tana” (https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Nasho_Jorgaqi). Dhe Agron Tufa do që të bëhet më i madh se Nasho Jorgaqi duke hapur arkivat për të treguar se na paskësh qënë spiun me emrin Dragoi. E pastaj? Kë na paska dëmtuar Nashua? Nuk ka qenë as drejtues partie e as zyrtar shteti. Edhe ai është detyruar të futet në listat e sigurimit të shtetit për të shpëtuar kokën e vet. Nuk duhej ta bënte? Tani 30 vite më vonë shqiptarët janë bërë trima, por në atë kohë nuk kishte trima, madje nuk pati Shqipëria e gjorë asnjë disident. Edhe Nasho Jorgaqi mund të ketë qenë i rekrutuar nga sigurimi i shtetit por çfarë ka bërë aktualisht ky njeri si spiun? As ka dërguar në gjyq njeri dhe as ka vrarë. Sigurimi i shtetit të atëhershëm nuk mund të mos i pranojë. Madje dhe vetë z. Tufa ndoshta mund të ketë që në spiun, por askush nuk ndot duart për të parë arkivat se kush është filani apo filania. Problemi qëndron se denoncimi i ish-spiunëve, nxjerrja e tyre në media për të bërë show mediatik, i shërben vetëm publikuesit për ti bërë publicitet, vetes së vet, por nuk i shërben, ose i shërben shumë pak shoqërisë së sotme shqiptare.

Dihet fare mirë që kasta komuniste bëri për vete një pjesë të mirë të inteligjencës shqiptare aq sa Shqipëria nuk kishte asnjë disident në atë kohë. Kjo tregon sigurisht një presion të madh të PPSH ndaj shoqërisë shqiptare dhe një nga mënyrat për të mbajtur pushtetin sa më gjatë diktatura ishte bërja për vete e artistëve, shkrimtarëve, kompozitorëve, sportistëve, sidomos ata më të talentuarit, pra të gjithë ata të cilat populli i shihte në skena, stadium, në libra. Kjo ishte politika e PPSH. Në këtë rrjetë u futën me detyrim plot njerëz përfshi dhe Ismail Kadarenë, pavarësisht inskenimeve që bëhen sot për ta nxjerrë Kadarenë si të persekutuar nga regjimi gjë që nuk është aspak e vërtetë. Asnjë dobi nuk del nga nxirrja e një sistemi që nuk kthehet më por që populli ja dha verdiktin në `90. Dhe populli nuk e kthen më kokën pas. Përse Agron Tufa nuk hap arkivat për ish Presidentin apo për të tjerë drejtues? Përse Z. Tufa volli vrer bashkë me z. P.Hoxha kundër L-N-ÇL, duke i ofenduar me fjalë aspak të hijshme disa heronj të luftës, duke shtrembëruar historinë, sepse dihet fare mirë që Lufta N-CL, ishte luftë për çlirim kundër okupatorit dhe se diktatura që u vendos më vonë nuk ka lidhje me luftën Nac-Çlirimtare, për të vetmen arsye sepse të gjithë komandantë e asaj luftë u dënuan nga regjimi. Këtu vlen për tu përmendur reagimi i Arben Dukës që shkruan: “Agron Tufa nuk shpëton dot nga zemërimi popullor dhe i bijve të heronjve të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. I është kundërvënë Shqipërisë, por historisë nuk i kundërvihesh dot. Ai i ka hapur shumë punë vetes sepse ka bërë një krim, kundër historisë dhe do ecë gjithë jetës me kokën mbrapa. Nuk kemi parë asnjë lloj dokumenti, thjesht mendime që këta janë kriminelë. Është një fondamentalist islamik që lutet shtatë herë në ditë edhe në zyrën që ia ka dhënë Edi Rama. Le ta mohojë po deshi” (https://sot.com.al/politike/agron-tufa-e-paditi-arben-duka-eshte-mbeturine-e-fashizmit-nuk-ka-gjyq-qe-e-shpeton-nga). Shpresojmë se z. Tufa të mos sillet si Don Kishot mediatik, por të reflektojë dhe të shikojë hallin e vet duke patur parasysh se shoqëria e sotme shqiptare është e tej ngopur me realitetet e së kaluar të cilën e njeh fare mirë qoftë atë të arkivuar, qoftë atë të thashethemeve. Shoqëria shqiptare ka nevojë të çlirohet nga e kaluara e hidhur dhe të mos bëjë heronj ata që nuk janë, por as të nxijë të vërtetën e asaj kohe, të një të vërtete vëlla-vrasëse midis inteligjencës së atëhershme.