
"Berisha ka marrë huqet e Lulit", ish deputeti: Njerëzit duan Big Brother-in, jo fantazitë e Saliut

Berisha e sfidon ‘Live’, Rama e pret në takim, ja data

'Perla' e deputetit Korreshit/ Çfarë tha deputeti që shkriu së qeshuri studion (VIDEO)

Baton Haxhiu zbardh prapaskenat e udhëtimit me Ramën dhe Duçkën dhe ngre dyshime të forta: Doriani ka pasur një trajtim të veçantë në Kiev, më bënë përshtypje çantat…

"Kryeministri duhet të përballet me të vërtetën", Dash Shehi reagon për skandalin “McGonigal”: Rama duhet të japë dorëheqjen!

Ministria e Financave del me njoftimin e rëndësishëm, ja çfarë do të ndodhi me inflacionin gjatë vitit 2023

"Edi Rama lakohet 14 herë dhe akuzohet për një gjë të tmerrshme", Berisha del me reagimin e fortë: Është i vetmi kryeministër që mbron vendimin e Serbisë për të mos i vendosur sanksione Rusisë

Korreshi nxjerr të fshehtat e grupit të PD-së, zbulon kërkesën për bashkim: Gazmend Bardhi i ka dërguar Berishës një shkresë

Ismail Qemal Vlora, emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!

Shkruar nga Nga Bujar Leskaj 24 Janar 2023

-Ismail Qemal Vlora, themelues i shtetit shqiptar, Ati i Pavarësisë-
104 vite më parë, në 24 janar 1919 kaloi në përjetësi, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë të kujtesës sonë kombëtare, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Babai i Pavarësisë, Themeluesi i shtetit shqiptar dhe figura më e dashur e karizmatike e shqiptarëve, Ismail Qemal Vlora. Ismail Qemal Vlora lindi në 24 janar 1844 në Vlorë në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin, familjen e tij patriotike, formimin dhe atdhedashurinë. Familja “Vlora” është ajo familje e madhe që në breznitë e saj i ka nxjerrë shumë personalitete, me pikën kulmore: Themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlorën, që i kushtoi jetën dhe pasurinë idealit kombëtar. Në vitet e kryengritjeve shqiptare 1910-1912 dhe të Luftërave Ballkanike, veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit u kurorëzua më 28 nëntor 1912 me shpalljen në Vlorë të Pavarësisë së Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, të cilin ai e ideoi dhe e drejtoi, e zgjodhi Ismail Qemal Vlorën, kryetar të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministër të Jashtëm. Politikan, konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare, të cilat buronin nga shkollimi i tij, njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore, njohjen e organizimit shtetëror, sistemit ekonomik, filozofisë politike dhe qytetërimit evropian; si edhe kultura e tij e jashtëzakonshme politike e historike. Biografia dhe veprimtaria e tij politike e diplomatike janë të mahnitshme. Në gati gjysmëshekulli (1860-1908) të veprimtarisë së tij politike e shtetare në Perandorinë Osmane, Ismail Qemali shkëlqeu me të gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori, në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë. Mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ushtronte pushtetin si pushtet të ndërgjegjes. Ismail Qemal Vlora ishte një politikan, e Burrë Shteti me bindje liberale. Liberalizmi i Ismail Qemalit pati më shumë se një burim. Burimi i parë ishte shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësoi “…të jetojë – siç thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke“. Aty ai u njoh dhe përvetësoi idetë liberale të Volterit, Zhan-Zhak Rusosë dhe Xhon Lok-ut. Burimi i dytë ishin njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore. Ai qëndroi shpesh, diku më shkurt apo diku më gjatë, në Angli, në Francë e në Itali, ku njohu organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e këtyre vendeve. Burimin e tretë te liberalizmit të Ismail Qemalit e përfaqëson kultura e tij e jashtëzakonshme politike dhe historike. Ai e dinte se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai theksonte se “shovinizmi shtetëror, politik, kombëtar dhe fetar është varrtar i shteteve”. Se “çdo perandori e krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet“. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmonte “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike. Gjykimi i tij i qartë, ndershmëria dhe qëndrueshmëria, sjellja e përmbajtur dhe kurajo e gjykimit e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Ismail Qemali ishte zotëruesi i situatave dhe zotëri i kohës në të cilën jetoi. Po në sajë të cilësive të mësipërme dhe të një vizioni sa patriotik aq edhe largpamës, Ismail Qemali arriti të bëhet prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë.
Pa diskutim që kryevepra e tij ngelet themelimi i shtetit shqiptar
Ismail Qemal Vlora kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike dhe bëri atë që pakkush mund ta bënte: Shpalli Pavarësinë dhe u bë Themeluesi i shtetit të parë shqiptar. Megjithëse ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa; pra, shtet pa kushte shteti; Shqipëria e porsakrijuar kishte një garanci të madhe: dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit, të mishëruar në personalitetin e Tij. Ismail Qemal Vlora është politikani që e ka dashur aq shumë Shqipërinë, është politikani i ndershëm e idealist, por i braktisur nga bashkëpunëtorët arrivistë, i pakuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i shpërfolur e i akuzuar rrejshëm nga intrigantë. Ismail Qemal Vlora është i pari politikan shqiptar, që vuri mbi egoizmin Shqipërinë, që mbi keqkuptimin vuri mirësinë, tolerancën e dashurinë; themeloi debatin publik dhe institucionin e dorëheqjes edhe pse nuk meritonte të dorëhiqej. Emri i Ismail Qemalit është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive, si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai është protagonisti kryesor që bëri përpjekje kolosale politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, liberalin që ishte i bindur se virtytet shpirtërore duhet të ishin arma kryesore e saj, bëri mrekullinë. Bëri çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë. Edhe pse kjo nuk ndodhi, edhe pse gjysma e kombit ngeli jashtë kufijve të shtetit të porsaformuar shqiptar, historia ishte shkruar tashmë. Megjithëse u largua nga Shqipëria, u rikthye në mënyrë aktive në politikë në vitet 1917- 1918, në bisedimet me kancelaritë evropiane dhe kur shqiptarët e Amerikës i besuan Ismail Qemalit detyrën që t’i përfaqësonte ata në Konferencën e Paqes në Paris si mbrojtës i interesave të vërteta të Shqipërisë për të frenuar qarqet antishqiptare serbe, të përfaqësuara nga Esad Pashë Toptani. Por veprimtaria e tij atdhetare do të ndërpritet pabesisht. Në Peruxhia, në 24 janar 1919, Plaku i Urtë ndërron jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë. Me rastin e vdekjes së tij patrioti Mihal Grameno shkruajti artikullin shumë prekës po dhe me plot optimizëm: “Mos qani!”. Midis të tjerash ai shkruante “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës ju o male dhe kodra të Shqipërisë! Ismail Qemali, Plaku i Shqipërisë, nuk ka vdekur dhe kurrë nuk mund të vdesë sa të jetë bota. Në është që ka vdekur Skënderbeu, atëhere le të thomi që vdiq edhe Plaku, po jo kurrë! Plaku rron dhe do të rrojë sa të ketë Shqipëria shqiptarë. Mos qani pra ju, o shqiptarë, se rron Plaku, posa që kemi për të gjurmuar Program të tij kombëtarë dhe ay program qëndron: Shqipëria e shqyptarëve! Mos qani pra mos qani!” (Koli Xoxe “Ismail Qemali”, Tiranë 1983, f. 400 (sipas “Albacia”, Mos qani, Mihal Grameno). Te Ismail Qemali bashkohen në një: Njeriu, Shtetari, Pavdekësia! Emri i Ismail Qemal Vlorës në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Ati i Kombit, si demokrati liberal, që filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si personaliteti qelibar që dhuntinë e tij politike i përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të kombit të tij. Për kryeveprën e tij, Shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntor 1912, populli këndon: Emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!
Më të lexuarat


Jam i çuditur!

Anija e Edit vërtet fut ujë, por ajo e opozitës është fantazëm e pa flamur!

Të informoj, o kryetar, se e bëra copash fotografinë që me Edi Ramën kisha dalë!

Sekti “Rama” keqpërdor praktikën e akteve normative

Asosacioni, një handikap për politikën kosovare

Protesta e njerëzve që vetorganizohen dhe ajo e politikanëve që “organizojnë” partizanët!

U hoqën kamerat, oooheeejjj…!?

Java e gripit të Berishës për kurim në shtëpi dhe e Ramës nën hetim nga FBI!

Shtetin e Kosovës e themeloi Amerika, - dhe jo Albin Kurti

A kemi nevojë për një “mik” si BE-ja?
