BREAKING NEWS

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi zyrtar nga Policia shqiptare për sasinë rekord: Dorëzuam drogën

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi  zyrtar nga Policia
x

Opinion / Editorial

Ja që dhe me "komunistët bashkëlodrojnë" në Shkodër!

Ja që dhe me "komunistët bashkëlodrojnë" në

Dje takova një mik timin që e kishim lënë të pinim një kafe dhe që në fillim më thotë se: "Po e pimë veresie Bektesh, deri sa të marr rrogën"! Mos mor burrë i them, pse nuk ju ka dalë ëëëë?! Jo më thotë - nuk thuhet "ju ka dalë", por thuhet "nuk ju ka hyrë" pra e ke parasysh - në bankë! Nejse, e pimë të shkretën kafe veresie, sepse ka kaluar data 22 janar dhe nuk kanë "hyrë ose dalë pagat" e Bashkisë së Shkodrës.

Në të vërtetë Bashkia e Shkodrës është më interesantja në Shqipëri. Ajo ka 29-të vite që drejtohet nga Partia Demokratike dhe Shkodra nuk ka alternuar asnjëherë pushtetin vendor! Zgjedhjet e fundit u "humbën" dhe pse ishte vetëm PS-ja, sepse kandidatura e Edi Ramës për Shkodrën "qëlloi" të ishte si disa (shumë) të tjera me hije nga "dekriminalizimi" i PD-së, kështu që mbeti Këshilli Bashkiak 100% socialist dhe kryetarja bashkë me administratën demokrate. Pra "full socialistë përfaqësues të popullit" dhe "full demokratë zyrtarë të Bashkisë së Shkodrës"! Por më e bukura është se në fushatën zgjedhore si kreu i bashkisë dhe ato që nuk hynë të bëjnë zgjedhje i quanin socialistët dhe sidomos kryetarin e tyre "komunistë" dhe veten e tyre "antikomunistë" që nuk mund të pajtohen, nuk mund të qëndrojnë dhe nuk mund të bashkëpunojnë dhe nuk mund të jetojnë bashkë.

Po pra me parullën "O ne o ata" dhe se "Shkodra antikomuniste nuk pranon kurrë komunistët dhe bijtë e tyre"! Se Partia Demokratike nuk do të pranojë kurrë "komunistët" dhe bijtë e tyre, ose "djemtë e bllokut" të sundojnë Shkodrën. Po pra dhe shumë e shumë batuta të tjera, të këtij zhargoni dhe marrëzie që tashmë mbas tre dekadave një pjese të madhe të qytetit dhe fshatit në Shkodrën e madhe ju bie ta dëgjojnë shpesh, por që ju është çarë kaq shumë "daullja e veshit" sa nuk e dallojnë dot nga ulërimat e tifozëve në një stadium që nuk është i tyri. Por sot "antikomunistët" e Bashkisë së Shkodrës, kreu i bashkisë, një shumicë administrate aty prej vite e vitesh, po "punojnë me pikërisht komunistët" po firmosin tendera dhe buxhete dhe po bashkëpunojnë me sa duket për të "mirën" e Shkodrës.

Me sa duket KM-ja i Shqipërisë e paska përllogaritur që të eksperimentohet në Shkodër. Ajo që tashmë dihet mirë në Shqipëri ose bashkëpunimi mes "antikomunistëve të betuar të PD-së dhe rilindasve" për të treguar se si prosperon dhe "lulëzim-on" jo vetëm Shkodra, por nën shembullin e saj dhe e gjithë Shqipëria. Sot "antikomunistët" më të thekshëm të Shqipërisë, më qëndrestarët e jashtëzakonshëm dhe të paepur kundër Edi Ramës dhe "komunistëve në pushtet" po bashkëjetojnë, tenderojnë dhe punojnë çdo ditë me njëri-tjetrin në Shkodër. Mor po dhe përqafohen nganjëherë në rrugë. Prandaj sot Shkodra ka "rregullin më të mirë" në qarkullim, "urbanitetin më të mirë" në Shqipëri, fasadat "më të mira të reja dhe të lyera në Shqipëri", rrugicat "më të shtruara me asfalt" në Shqipëri, "tregjet më të mira të rregulluara" në Shqipëri, "trotuaret më të shtruara" dhe të boshatisura nga tregtarët në Shqipëri, gangsterët me makinat më të shtrenjta "jo aty ku ndalohet të qëndrosh" në Shqipëri, "taksat më të mbledhura se askush tjetër bashki në Shqipëri", "deputetët më të shprehur dhe të angazhuar" për qytetin dhe bashkinë apo individët "më të guximshëm dhe sinqertë" në Shqipëri, vjedhjet, grabitjet dhe "vrasjet më të vogla" në Shqipëri, "ndërtimet më të bukura buzë lumenjve dhe ujërave, apo mbi kolektorë, apo pa studim më të pakta në Shqipëri", "çmimet e karburanteve më të vogla në Shqipëri", "arrogancën dhe demencën më të vogël të administratës në Shqipëri", tatimorët "më të ndershëm dhe zhdërvjellët në Shqipëri" - por dhe shumë e shumë të tjera që sigurisht unë i them për humor, por janë të kundërtat absolute, të cilat po e groposin qytetin dhe e kanë kthyer në një periferi provinciale në mënyrë tragjike.

Megjithatë "anti-komunistët e PD-së bashkëjetojnë qartazi" (përveç ndonjë këshilltari socialist të mbetur pikërisht socialist) me "rilindasit e këshillit bashkiak"! Ose ajo pjesë e "socialistëve" që asnjëherë nuk arritën të fitojnë në qytetin e madh, ku ka lindur e majta reale demokratike në Shqipëri. Ajo pjesë e "rilindasve" që jo vetëm nuk flasin, as prononcohen dhe as rebelohen sëpaku për qytetin e tyre, por dhe që tashmë kanë kuptuar se kjo skemë e re e urdhëruar nga lart, që sapo të hapin gojë i nxjerr jashtë në mënyrë brutale dhe pa asnjë mëshirë. E gjithë kjo në sy si të demokratëve qytetarë dhe atyre socialistëve, po të tillë që janë përjashtuar si nga "antikomunistët e llahtarshëm" dhe "rilindistave të interesave personale të të fortëve të zonës suburbane dhe folklorike të Shkodrës, me fuqi politike dhe interesa financiare lart në Tiranë"!

Ndërkohë nga kjo bashkëjetesë e të ashtuquajturve "antikomunistë ", të cilët kanë vite që e kanë tepruar me marrëzinë administrative në Shkodër dhe sidomos këto pesë vitet e fundit që e kanë bërë baltë fare dhe "rilindasve" që pjesa më e madhe, nuk ka lidhje me kulturën urbane dhe qytetare të Shkodrës, po prodhohet jo stanjacion, por një retro ekonomike, kulturore, sportive dhe për më tepër urbane e qytetare. Po i bëjnë keq Shkodrës përditë me këtë perversitet si zgjedhor, si administrativ e politik dhe po ashtu në interesa të ngushta përfitimi dhe bashkëpunimi marrëzisht tipikisht injorantësh dhe delirantësh në "skuthllëk" për të mos thënë delir të plotë anti-qytetar dhe anti-shkodran. Në ndihmë për këtë është dhe mos shpallja e një palë zgjedhjeve të reja si pasojë e "raportit të hatashëm" me Presidentin e Shqipërisë, që nuk i bën kaq shumë përshtypje se një qytet si Shkodra (që ai e do shumë) vuan këtë marrëzi trefishe politikisht dhe ekonomikisht.

Gjithsesi fajin për këtë e kanë shkodranët që e shohin përditë këtë rrënim. Ata ikin dhe nuk reagojnë më. Po pra fatkeqësisht nga qyteti i madh i Gurakuqit, Mjedës, Boriçit, Mosit, Fishtës, Danit, Bushatit, Draçinit, Malës, etj. etj,, por dhe familjeve të mëdha me emër apo lagjeve të mëdha, dyerve të mëdha, se sot e kanë në dorë lumpenët e "antikomunistëve" dhe ato të "rilindistave". Po po e kanë në dorë folklorikët e bashkuar majtas dhe djathtas - medemek, por të degraduarit politikë dhe njerëzor në Shkodër! Është një mjerim kulturor e politik dhe rrënim ekonomik pa fund. Kurse në disa zyra dhe "holle" në Tiranë gëzohen, lumturohen, se po arrijnë atë që pleqtë e tyre ëndërronin për Shkodrën. Sigurisht që janë pak, por po sigurisht, kanë plotësuar amanetin e dikurshëm të mbetur pa realizuar në kohën e "pleqve" të tyre. Në Shkodër me përkëdheli kur luan bashkë thonë "lodrojnë"! Edhe në Shkodër sot "antikomunistët po bashkëlodrojnë" me rilindistat (komunistët) në mënyrë të përkryer.