Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A janë ende në fuqi vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit!?

Postuar: 06/09/2018 - 07:07

 Shkruhen e botohen sot plot libra, gazeta e revista, ligje e urdhëresa qeverie, jepen porosi e kthehen përgjigje zyrtare dhe të vjen keq se në shumicën prej tyre, ka gabime edhe të formulimit logjik, por sidomos me shumicë janë ato të anës drejtshkrimore. Biles në disa organe të shtypit të përditshëm si dhe në disa shkresa zyrtare gjen mjaft gabime gjuhësore drejtshkrimore, sa që bëjnë të paqartë anën kuptimore të fjalisë. Kurse në shkolla, ku ana drejtshkrimore e fjalës dhe fjalisë duhet të jetë rregulli numër një, gabimet ortografike ose nënvleftësohen ose nuk kontrollohen fare, pasi nxënësit pothuajse nuk shkruajnë fare me dorë, se çdo gjë e marrin të gatshme nga celulari e interneti. Kështu, duke nënvleftësuar drejtshkrimin në shkolla e duke mos kontrolluar shkresat zyrtare nga ana gjuhësore, po bëhet një gabim i madh, po bastardohet gjuha e bukur shqipe. Duke hasur gabime të tilla pothuajse çdo ditë në çka botohet në shtyp e në përgjigjet zyrtare që u kthehet qytetarëve, një lexues i rregullt mund të pyes: A janë më në fuqi vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit? Dihet se në 25 nëntor 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, konform të gjitha rregullave dhe ligjeve në fuqi. Kongresi ishte një forum i rëndësishëm i intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë me përkushtimin dhe përgjegjësinë për ta vënë gjuhën letrare kombëtare shqipe në norma plotësisht të njësuara. Dhe me vendimet e një kongresi askush nuk ka të drejtë të tallet, t’i shkelë e përçmojë, përderisa nuk janë shfuqizuar ligjërisht vendimet e tij, pavarësisht se ato nuk kanë të bëjnë direkt me jetën morale, politike dhe ekonomike të një shteti. Për gjuhën janë bërë sakrifica dhe është derdhur gjak, dhe kjo nuk është parullë, por duhet kuptuar e ndjerë seriozisht nga secili që merr lapsin të shkruaj. Nëse deformojmë gjuhën në të shkruar dhe në të folur, atëhere do të dëmtojmë shprehjen e mendimeve, komunikimin si bashkëkombas, përcjelljen e njësuar të trashëgimisë kulturore dhe të eksperiencave të krijuara ndër breza. Pa gjuhë nuk mund të ketë trashëgimi kulturore, nuk mund të ketë kujtime të shkruara, nuk mund të ketë rrahje mendimesh e bashkëmarrëveshje, pasi gjuha është veshja materiale e mendimit.

Për gjuhën duhet të kemi po atë vlerësim, po atë këmbëngulje për pasurimin, drejtshkrimin e drejtshqiptimin e saj siç e patën patriotët tanë. Faik Konica bashkëpunonte ngushte me revistën françeskane “Hylli i Dritës” dhe kishte miqësi të sinqertë me drejtuesit e kësaj reviste. Por ama i kushtonte rëndësi të madhe shkrimit të materialit që dërgonte për botim në atë dialekt që e shkruante autori. Një herë ai pati përplasje me drejtuesit e revistës se shkrimin e fundit që kishte dërguar nuk ia kishin botuar në dialektin toskërisht që e kishte shkruar ai, por në atë gegërisht. Edhe pse Konica ishte për njësimin e gjuhës shqipe, ai respektonte dialektin që ishte shkruar teksti. Duke e vlerësuar formën e shkrimit ai bëri protestë në redaksi duke e quajtur “shpërdorim të gjuhës” dhe që nga ajo ditë, edhe pse i kishte miq, nuk botoi më shkrime të tij në këtë revistë. Duke përvetësuar mirë rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, bëhet e mundur që një krijim i çdo fushe qoftë, të përcillet më saktë e të përvetësohet më efektivisht nga një shtresë lexuesish me shtrirje më të madhe gjeografike . Dua të theksoj se moszbatimi i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës që ngrihen shkencërisht mbi bazën e parimit fonetik, gërshetuar me parimin morfologjik e atë leksikor kuptimor, në mjaft raste e ka prishur mjaft kulturën e komunikimit midis banorëve të trevave të ndryshme dhe i ka cënuar edhe vetë vlerat një vepre apo krijimi të botuar. Veprat e Kadaresë, ndërtuar mbi mite e legjenda me prejardhje kryesisht veriore, nuk do të ishin kuptuar drejt dhe nuk do të kishin atë shtrirje masive të vlerave të tyre tek lexuesit, nëse nuk do të ishin shkruar me një disiplinë të rreptë drejtshkrimore. Nuk mohohen vlerat që kanë tri veprat e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, “Histori kurrë e shkrueme” dhe “Fraceskanët e mëdhaj”. Por kam mendimin se shkrimi në dialektin gegërisht dhe jo në gjuhën e njësuar letrare kombëtare, e ka tkurrur shtrirjen e këtyre vlerave ndër të gjitha trevat dhe krahinat e vendit pasi në disa raste mendimet e shprehura në dialekt, nuk kuptohen qartë. Botuesi duke dashur ta bëjë veprën sa më antikomuniste, ka konsideruar si të tillë edhe gjuhën letrare, meqë në të mbizotëron dialekti toskërisht, ndaj të tria veprat janë shkruar në dialektin që përdor autori. Vështirë se kuptohen nga një banor i krahinave të Jugut apo edhe i Shqipërisë së Mesme, fraza të tilla të shkruara në dialektin gegë në këto libra: “kanë mbrrijtë me i kapë çobanët e me ua shkulë thojt me dana tue i pvetë”… “pa çfar hor horit asht kenë, e tash asht ba pashë me tupa”, “lene cigrimën e hajde falu me djalin që na ka bujt në shpi”, “Kta sun dijn shka don me thanë shpi”, “Ktheu sonte tek un se kena zjarm me u nxe mbasi filloi një cegëm e fortë”. Drejtshkrimi i gjuhës letrare nuk e njeh shkencërisht vendosjen e theksit mbi zanore, përdorim i zakonshëm ky nga autori në këto vepra, pasi në gjuhën shqipe, çdo tingull i shqiptuar ka shkronjën përkatëse në të shkruar.

Dëgjoj shpesh në telefonatat e mëngjesit që një pasionant i gjuhës proteston se qenka bastarduar shqipja e shkruar, pasi sipas tij “Kongresi i Drejtshkrimit ishte i njëanshëm me ndikim të madh politik”, e se “i qenka ngrënë haku” dialektit gegë. E si mund të jetë kështu, kur ky Kongres që është marrë me njësimin e gjuhës letrare kombëtare, jo vetëm ka patur si parim bazë kriterin gjeografik, entografik, dialektologjik e ndoshta edhe politik për kohën që u mbajt, por edhe pjesëmarrja e delegatëve ka qenë heterogjene, me shtrirje të gjerë nga Veriu në Jug, nga Kosova dhe Maqedonia, madje edhe studiues jashtë trevave shqiptare. Në Kongresin e Drejtshkrimit kanë marrë pjesë personalitete të shquara të shkencës gjuhësore e letrare, të historisë dhe artit, që mbeten të pazëvendësueshëm, si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Aleks Buda, Rexhep Qosja,Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Bedri Dedja, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Xhevat Lloshi, Qemal Haxhihasani e të tjera personalitet madhore, që kush mundohet t’i nëpërkëmbë nga këta profesorët e sotëm, sado vlera të kenë, përsëri para tyre mbeten liliputë. Por edhe nëse ka mendime të reja për ndryshimin e rregullave të drejtshkrimit, se gjuha pasurohet vazhdimisht, të presë mblidhen forumet shkencore të intelektualëve e profesorëve të gjuhës që e njohin me rrënjë gjuhën shqipe dhe nëse ka ardhur koha ta abandanojnë Kongresin e Drejtshkrimit dhe shqiptarët janë të detyruar ta shkruajnë sipas atyre rregullave të reja drejtshkrimore që do të vendosen . Është për të vënë duart në kokë, kur dëgjon ndonjë deputet që flet si çoban stani, apo të tjerë që marrin mundimin të shkruajnë në portale, apo të komentojnë në facebook, të cilët vetëkthehen në objekte humori ngaqë nuk marrin vesh fare nga rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Të shkruash me gjuhë letrare kombëtare të njësuar, nuk është vetëm detyrim gjuhësor e shprehje e saktë mendimesh, por në radhë të parë patriotizëm dhe kulturë bashkëkohore qytetare.

Nga Ramazan SHERJA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 72

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2018 - 07:34

Askush nuk do të donte të ishte pensionist, jo vetëm për arsye të moshës së tronditur nga trokitjet e fundit të jetës, por edhe nga mënyra se si trajtohen ata në shoqërinë tonë.

Postuar: 18/11/2018 - 07:33

Sipas një sondazhi të Gallup, 79% e të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç duan të largohen për

Postuar: 18/11/2018 - 07:32

Këtë titull të këtij shkrimi do të doja ta shpjegoja me fjalë të thjeshta – “Sindroma

Postuar: 18/11/2018 - 07:30

Ish kryeministri maqedonas, që qeverisi vendin për 10 vjet më radhë, Nikola Gruevski u dënua

Postuar: 17/11/2018 - 07:48

Më në fund teqeja e Likes u dorëzua.

Postuar: 17/11/2018 - 07:18

 Disa veprime dhe angazhime politike të kohëve të fundit të opozitës e kanë bindur plotësish

Postuar: 17/11/2018 - 07:15

 Tashmë besoj është e qartë se të gjithë ata lloj politikanësh që kanë të përbashkët "a