Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Jemi ende larg qeverisjes me duar të pastra

Postuar: 15/05/2019 - 07:24

Ne shqiptarët mbetëm duke ëndërruar që të kemi  një qeverisje me duar të pastra. “Me duar të pastra”, edhe pse na e premtojnë 24 në 24 orë politikanët tanë, ne e shohim  se një gjë e tillë vetëm na largohet nga sofra jonë.  Aq sa sot jemi të bindur që kur të kemi zgjedhje do t’i drejtohemi kutisë së votimit me të vetmen zgjidhje: t’ia japim të shkretën votë, të keqes më të vogël. Të cilën tashmë  e kemi të vështirë  ta gjejmë. Pasi as na shkon mendja se me votën që kemi në dorë, një ditë do të mund ta ndryshojmë këtë qeverisje hajdute dhe në shërbim të familjes mafioze që po na sundon dhe po na ngop me varfëri prej 30 vitesh. Pavarësisht  se cila është familja, E PS-së, apo e PD-së, apo e LSI-së. Të gjitha të njëjta  janë.   

Tashmë e dimë mirë se, “një qeverisje me duar të pastra” duam, apo s’duam ne, është vështirë të instalohet në këtë gjysmë shtetin tonë nepotiko – familjar. Edhe pse  fushata elektorale ka nisur  këtë pranverë, nuk mund të presim të ndryshojë ndonjë gjë. Një palë politike di vetëm të bllokojë rrugët dhe ende pa  marrë qoftë edhe një votë, ngre e ul qeveri, ndërsa ëndërron për detyrat që u ngarkon qeveritarëve të rinj  që do t’I zgjedhë vetë. Natyrisht në ëndërr. Po edhe të hedhë bomba molotiv kundër institucioneve shtetërore, siç ndodhi të shtunën në mbrëmje. Ndërsa pala tjetër në këtë pranverë ende të freskët ka nisur të artikulojë malin e premtimeve për ne zgjedhësit, por edhe plot të shara për kundërshtarin që bllokon rrugët dhe ëndërron detyrat që do t’i japë qeverisë  nesër, ende pa hyrë në zgjedhje. Ndërsa deri sot di vetëm të hedhë  bomba Molotov ndaj institucioneve që pretendon që nesër të jenë të sajat.  

Një situatë tragjiko - groteske, me të cilën shqiptarët janë mësuar edhe në fushatat elektorale paraardhëse. Si gjithnjë oligarkët e politikës  po hedhin hapin e parë duke përzgjedhur që listat e kandidatëve për kryetarë të bashkisë e të këshilltarëve t’i kenë kanakarët  e tyre. Vetëm kështu mund ta mbajnë nën fre dhe në shërbimin e familjes gjithë Partinë. Këtë evidentoi edhe braktisja e parlamentit me një urdhër të kryetarit – mbret të Partisë. Ndodh kështu si askund tjetër në Shqipërinë tonë, ku  deputeti  zgjidhet nga kryetari – mbret dhe jo nga populli.

Ne shqiptarët jemi ndjerë të  gëzuar për ardhjen e demokracisë, po deri tani asgjë të hajrit nuk kemi parë. Varfëria na është shtuar në sofër, grindjet edhe më shumë, sa kemi çuditur dynjanë. Vetë klasa politike ia ka arritur të vazhdojë pa ndërprerje plaçkitjen e pasurisë kombëtare pa i hyrë gjemb në këmbë.  Me fjalë të tjera, është ajo që ka  instaluar pandëshkueshmërinë, një sëmundje që thuajse është bërë vdekjeprurëse për shqiptarët. Është bash  kjo arsyeja, që ka çuditur edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët po habiten se si ne shqiptarët nuk  mund të zgjidhim asnjë problem pa ndihmën e tyre. “Ju shqiptarët, dini a s’dini të organizoni vetëqeverisjen. Pasi na keni lënë të çuditur, me mosdijen e zgjidhjes së problemeve që u dalin në  rrugën e demokracisë. Për çdo problem na kërkoni ne t’ua tregojmë rrugën e zgjidhjes. Kjo nuk na ndodh me asnjë tjetër”, na thonë miqtë tanë të mirë. Mjafton  ky pohim i miqve tanë ndërkombëtarë për t’i kërkuar kësaj klase politike largimin e menjëhershëm nga skena. Pasi, sot me të në krah e dimë fare mirë se nuk mund të shkojmë askund.   

Gjithçka në këtë  gjysmë  shtetin tonë të instaluar nga kjo klasë politike po shkon rrokopujë. Palopolitikanët tanë nuk dinë gjë tjetër, vetëm të ngrenë parti pas partish. Aq sa për to, për numrin e popullsisë, ne shqiptarët meritojmë të jemi në Gines. Pasi kemi një parti për 20 mijë banorë. Po janë Parti që i shërbejnë vetëm një personi, të ashtuquajturit kryetari – mbret i partisë. Ja, edhe këto ditë të shumtë janë kryetarët partiakë që pasi ikën nga parlamenti, llomotisin gjatë gjithë ditës  se çfarë duhet të bëjë qeveria dhe për të përmirësuar situatën duhet ngritur qeveria teknike. Kur vetë e dinë mirë, se janë deputetë të PD-së dhe jo të Partisë me të cilën krenohen se janë kryetarë  që nga themelimi. Edhe pse e dinë mirë, se asaj partie nuk i japin votën as familjarët e tij. Në të tillë situatë groteske kemi rënë ne shqiptarët. Të  gjithë ata, shikojnë vetëm ç’llokmë mund të përfitojnë për vete. Mbi këtë bazë vihen në shërbim të njërës a tjetrës Parti. Pa sa për zgjidhjen e ndonjë problemi, as u shkon ndonjëherë ndërmend.

Në këtë situatë, një qeverisje me duar të pastra ne shqiptarët e kemi ende shumë larg.  Aq sa tashmë jermi bërë groteskë edhe në sytë e miqve tanë. Mjafton të kujtojmë ndërtimin e gjysmë shtetit familjar. Një sëmundje që po rëndon xhepin e çdo shqiptari. Sa herë një klasë politike vjen në pushtet (tashmë e dimë mirë njëra h…le zëvendëson ha…në) tjetër një herë në 8 vjet). Dhe në çdo 8 vjet ne shqiptarët paguajmë për çdo vend pune nga 2, apo 3 persona. Askush nuk do t’ia dijë. Vetëm kur fiton partia e tij, zëvendëson punonjësit e aftë apo specialistë me pjesëtarë të familjes së tij. Të larguarit, natyrisht fitojnë gjyqin dhe kështu paguhen nga taksat tona  2 paga për një vend pune. Për këtë prej 30 vitesh askujt nuk i ka hyrë ferrë në këmbë.

Veprime të tilla qesharake, na nxjerrin ne shqiptarët të paaftë për ngritjen e një shteti të së drejtës, të një shteti ligjor. Ndërsa ne heshtim dhe nuk dimë të ndëshkojmë ndonjë batakçi  që i kemi të shumta nëpër institucionet shtetërore.  Pasi është ekstremisht idioteske  që për një vend pune të paguhen 2 persona. Por nuk mjafton me kaq. Për të treguar se nuk e kemi as gjysmën e shtetit tamam, ka edhe raste ekstreme, kur paguhen 3 paga për një vend pune. Këtë e di edhe ky gjysmë shteti ynë qesharak që ne kemi mundur të ndërtojmë prej 30 vitesh. Ka ndonjë që merr dy paga njëherësh nga ky gjysmë shteti ynë qesharak. Ja, si ndodh. Partia që sapo ka fituar e largon nga puna për ta zëvendësuar me pjesëtarin e familjes së saj.  I larguari menjëherë e çon çështjen në gjykatë, ku tashmë është e zakonshme që fiton të paktën një pagë vjetore. Nis të paguhet  sipas vendimit të gjykatës, por ndodh që arrin të gjejë punë pas një periudhe, në administratë, apo gjetkë. Vazhdon të paguhet nga shteti në bazë të vendimit të gjykatës, por merr edhe një pagë të dytë në vendin e ri të punës. Pra, shteti i jep dy paga  të njëjtit person. Ndërsa personi i tretë për këtë vend pune është pjesëtari i familjes. Një situatë groteske për të cilin heshtin të gjitha strukturat shtetërore, edhe pse  i dinë mirë idiotizmat e tilla që kryhen jo rradhë. Një  marifet i çuditshëm që tregon sa groteske e kemi gjithë administratën shtetërore.

Me një klasë të tillë politike ne shqiptarët duhet ta kemi të qartë: as sot, as nesër  nuk mund të ngremë  një qeverisje me duar të pastra. Përderisa gjatë këtyre 30 viteve kemi parë vetëm qeverisje  “hajdute”. Aq sa sot i themi njëri tjetrit: Sa shumë hajdutë paskemi patur ne shqiptarët? Të më thotë  ndonjëri se, cila prej qeverive shqiptare të pas viteve ’90 nuk ishte hajdute? Bile secila erdhi me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe maskarallëkun. Po vetëm pak muaj secilës i kanë mjaftuar për të na treguar nivelin e lartë të hajdutllëkut. Bile secila ka pranuar të konkurojë për zënien e vendit të parë për hajdutllëk e maskarallëk. Ishin të tillë edhe plazhistët e Durrësit që i mbronin politikanët hajdutë. Dhe politikanët hajdutë po i mbrojnë plazhistët e Durrësit  edhe sot e kësaj dite. Të larguar nga sistemi për lloj-lloj idiotizmash, asgjë nuk i gjen. Bile sa nuk u jepet dekoratë për largimin nga sistemi mjaft prej plazhistëve të Durrësit. Me plazhistët  e Durrësit e politikanë të tillë as nuk duhet të pretendojmë të kemi ndonjëherë qeverisje me duar  të pastra. Ndoshta, as nuk ia kemi idenë si mund të ngrihet një qeverisje e tillë e ndershme  dhe me duar të pastra. Të paktën kjo klasë politike që ende e kemi nëpër këmbë nuk e di. Deri tani, ajo ka ditur se mund  të ngrejë vetëm një gjysmë shtet  tragjiko-komik. Fjalë më të mira mund të themi kur të arrijmë të ndërtojmë një shtet tamam, një shtet të së drejtës, që ende e kemi shumë larg syve tanë, ende e kemi vetëm ëndërr.  

Nga  Riza  HOXHA

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 07:40

Letra publike që Kryeministri Rama i drejtoi Kryetarit të PD, Lulzim Basha, ishte një hap në drejtimin e duhur, një ftesë, e cila i hapte rrugë dialogut në tavolinë dhe uljen e palëve të acaruara për të gjetur pikat e

Postuar: 26/05/2019 - 07:39

...E më keq akoma, të udhëtosh nga një cep i periferisë në cepin tjetër si fjala vjen nga Babrruj

Postuar: 26/05/2019 - 07:37

E gjithë shoqëria shqiptare sot është e shqetësuar për situatën politike tej të tensionuar në Shq

Postuar: 25/05/2019 - 07:19

Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e një çerek shekulli më parë, si dhe u

Postuar: 25/05/2019 - 07:17

 Çdo vit, në 31 maj, OBSh-ja dhe partnerët global shënojnë/celebrojnë Ditën Botërore Pa Duha

Postuar: 25/05/2019 - 07:15

 I pari Maj i Lirisë nuk harrohet!

Postuar: 25/05/2019 - 07:13

 Mitologjia greke na ka lënë qartë dhe bukur treguar modelet e "zotave" në besimin