BREAKING NEWS

Kryeministri Edi Rama publikon videon që në mëngjes dhe jep mesazhin e rëndësishëm përmes fjalëve të ambasadorit Soreca dhe ministrit Bledi Çuçi

Kryeministri Edi Rama publikon videon që në mëngjes dhe jep
x

Opinion / Editorial

Jemi trima opozitarë, për teatrin Shqipërinë e ndezim zjarr!

Jemi trima opozitarë, për teatrin Shqipërinë e ndezim zjarr!

Kur dëgjova ultimatumin se do i vëmë zjarrin Surrelit, kullës së Ramës, do rrafshojmë, do djegim e shkatërrojmë, supermarket, qendrat tregtare dhe tërë ndërtesat e luksit në njëzetë e tetë mijë kilometër katror, mendimi i parë që më shkrepi në kokë ishte se, thirrja bëhej nga ndonjë grup terrorist nga ata që e kanë për zemër ta djegin Shqipërinë në çdo stinë. U habita. Shtrëngova dhëmbët, ula kokën. Tendosa muskujt dhe mendova vendstrehimin për t’u shpëtuar flakëve që do ngjiten në qiell. Fantazia mori dhenë dhe më shpuri fluturimthi në vitin e mbrapshtë 1997 kur u bëmë shkrumb e hi nga jugu në veri. Më pas lashë fantazinë të stacionuar në bregdet afër dallgëve dhe valëve që lëpihen në rërë dhe u kujtova për organizatat terroriste anë e mbanë botës, ata që hodhën kullat binjake në erë, të tjerë diku në Nigeri që djegin e vrasin fëmijë, Kalifatin dhe më tutje në kohë te të pamëshirshmit e Cozanostrës apo mafiozë që nuk e kanë fare merak të të shuajnë jetën në çast. Sikur të mos e shikoja njoftimin bombë për herë të dytë, të shikoja fytyrat e deklaruesve, kryepolitikanë, artistë që kanë kryer shkollë aktrimi po që kanë role episodike në fushën e filmit dhe teatrit, si dhe disa aktivistë të kudondodhur që lëvizin nëpër ekrane e rrugica me fjalorin e gatshëm dhe deklarojnë se do vrasin, presin e shkatërrojnë, ende edhe sot do gjykoja se nuk janë bashkombasit e mi që flasin me kaq ashpërsi, po gabohem, ata që tërë jetën kanë bërë zanatin më të lashtë, atë të zjarrvënieve dhe vrasësve me ose pa pagesë. Ishte fat për mua përditësimi i lajmit nga ekrani i televizionit që u përmenda dhe verifikova me emër e mbiemër, Lulzim Bashën, kryedemokratin që udhëheq PD nga fitorja në fitore, artistin Budina dhe zotin Liçaj, si dhe të tjerë që i kemi parë të bëjnë zërat e dyta e të treta sa herë ua lyp partia që i angazhon në njësite guerile për të vjelë frytet e politikës dhe sinkronizuar akuzat pa asnjë sens, janë bërë bajate pasi kanë më shumë se pesë vite që riciklohen dhe nuk ndryshojnë as autor as orator. Janë të njëjtët që kanë ngritur në qiell kauzën e dalë boje sikur këtu t`i bëhej atentat, jo godinës prej pupuriti dhe tallashi, po vetë aktorëve brilantë, ata që i kanë dhënë emër dhe famë e kanë lartësuar në kulm Teatrin tonë Kombëtar që edhe pse një vend i vogël, kemi pasur aktorë brilantë të cilët pa frikë mund të renditen në krah të korifenjve botërorë të aktrimit dhe të filmit. Projekti për ndërtimin e teatrit modern në qendër të Tiranës, të dinjitetshëm, me kushtet më të mira, i përsosur me arkitekturë të vlerësuar nga arkitektë ndërkombëtarë, është sulmuar egërsisht nga politika. Fillimisht se do ndërtoheshin kulla dhe ata që do ndërtonin do përfitonin troje dhe do fitonin miliona euro, të cilat në fund sipas propagandës së PD-së, do ndaheshin me Edi Ramën. Falsitet më të madh nuk mund ta gjesh as në librin guiness. Po akuza për teatrin dhe fitimet nga një projekt i tillë, janë ricikluar gjatë tërë këtyre viteve dhe me të është bërë llogari politike. Herë duke mbetur vetëm artistët, disa, jo të gjithë. Më pas duke u rreshtuar edhe Presidenti i Republikës, skalionet e të rinjve demokratë apo LRI-së, të cilët janë përgatitur në vakancat e Jalës për të bërë ushtarin revolucionar në emër të kauzës së opozitës. Me kauzën e teatrit është bërë gjatë tërë këtyre viteve një lojë e pistë. Jo vetëm për atë që synohet, po edhe për ata që i bashkohen përditë atyre që ngrejnë zërin se do bëjnë namin për të pezulluar ndërtimin e teatrit modern. Kjo është një lojë që bie erë që tutje dhe realisht nuk është halli i teatrit, as të vjetrit e as të riut. Qëllimi është që opozita të merret me një ndërtesë dhe mbi të të ngrejë një opinion negativ, se shteti i Edi Ramës është shkatërrimtar, jo vetëm i shoqërisë, po edhe arkitekturës, ose e të mbiquajturës kujtesë historike apo arkeologjike. Në realitet deri sa kanë qënë në pushtet, si PD edhe LSI, godina e Teatrit Kombëtar nuk ishte në asnjë listë si monument as i arkitekturës apo arkeologjisë. Ata as e kishin në hesap dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se do vinte një ditë që kjo godinë do barazohej me kullën Eiffel, Murin e Madh Kinez, Orën e Londrës apo kështjellën e Gjirokastrës e tërë monumentet kulturore që janë krenaria jonë e kujtesës së monumenteve të kulturës së popullit. Po kjo, jo se u është dhembsur godina e cila në realitet është një ngrehinë që ke frikë të qëndrosh brenda dhe ankthi se do të zërë çatia dhe do mbetesh dëshmor, duke ndjekur një shfaqje teatrale, të cilat ka vite që kanë heshtur. Po kur dëgjon Bashën që shpall aksionin e zjarrvënies së Shqipërisë, jo pa arsye, të kujtohet, viti 1996 dhe 1997 kur vendi u ndez flakë dhe u shkrumbua e tërë pasuria jonë kombëtare që nga Vermoshi në Konispol. Po edhe tani më afër kur i njëjti udhëheqës deklaronte e paralajmëronte se do ngriheshin demokratët dhe militantët dhe do vrisnin e do prisnin. Do thyenin xhamat e dritareve, makinave.. Do digjnin makinat dhe do shponin gomat. Debatikasit e kohës së pluralizmit do bënin namin me gjithçka është krijuar në tërë këto vite nga mundi e djersa e shqiptarëve. Po nëse kjo thirrje kishte në qendër pushtetin, deklarata më e fundit ka godinën e teatrit, e cila është bërë molla e sherrit dhe buka pesë vjeçare që ka shtruar në tavolinën e debatit dhe aksionit politik PD, LSI, Berisha, Basha, Monika dhe kuptohet edhe artdashësi më i famshëm, presidenti ynë, Shkëlqesia e tij Zoti Ilir Meta. Kaq shumë individë për kaq pak dhe kundërshtues të modernizmit dhe progresit, zor se gjenden në një vend kaq të vogël sa ky yni. Këtu të gjithë politikanët opozitarë, tregohen më të lirë në miell dhe më të shtrenjtë në krunde. Shumë prej tyre gjykojnë se është një kauzë e cila ka mbështetje mbarë popullore. Po nëse kanë këtë ide, nëse e kanë me gjithë zemër, le të kërkojnë referendum me popullsinë e Tiranës dhe le të fitojnë në rrugë demokratike dhe ti kursejnë zjarrvënien atdheut tonë të telendisur nga tri pandemitë më të fundit, tërmetit, Covid-19 dhe bojkotit të opozitës të institucioneve të Kuvendit dhe reformave të rëndësishme, të cilat presin mbështetjen e atyre që i ka zënë tërë kohën populiti dhe pllakat e tallashit. Artistët edhe mund të flasin. Po le të aktrojnë më mirë. Le të na argëtojnë dhe edukojnë me premierat që duhet të vënë në skenë dhe jo të bëjnë militantin. Basha dhe të tijët janë vënë në rrugë pa krye kur deklarojnë se do rrafshojnë tërë Shqipërinë për teatrin. Si është e mundur që të bëjnë heroin negativ, si të ishin Neronët e kohëve moderne për të djegur Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Durrësin. Atyre për të vënë kaq shumë zjarre as shkrepëset nuk do u mjaftonin, le më benzina apo napalmi nëse do përdorin. Kërcënime të tilla, janë të denja për terroristët. Janë thirrje për vëllavrasje. Për vdekje. Për sulme në qendër të qyteteve, rrafshim të supermarketeve, veprat e luksit edhe pse shiten si aksione kundër qeverisë dhe kryeministrit. Po bashkësia konglomerat, politikanë, artistë, të rinj, aktivistë, ekologjistë, piktorë, arkitektë, aktorë, këngëtarë, këshilltarë, akrobatë, militantë, revolucionarë do dalin me urën e zjarrit në dorë. Le t`i vënë flakën edhe vilave të liderëve të opozitës e mazhorancës dhe t’i heqim qafe qejflinjtë e luksit që nga Lalzi, Fresku, Dajti, deri në Vlorë. Me këtë zell që ka marrë sulmet opozita jonë, i shkon për shtat mesazhi revolucionar i komunistëve: Jemi trima opozitarë, për Teatrin tonë Kombëtar Shqipërinë e ndezim zjarr!