BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Jeta dhe veprimtaria profesionale e shkencore e Prof.Dr. Gjergji Cepës, do të kujtohen gjithmonë

Jeta dhe veprimtaria profesionale e shkencore e Prof.Dr. Gjergji Cepës, do

Përpara disa ditëve, datë18 Shtator 2020, opinioni i gjerë publik dhe ai mjekësor në vendin tonë u informua në rrugë të ndryshme, në lidhje me faktin, se Prof.Dr. Gjergji Cepa, tashmë, kishte ndërruar jetë. Pavarësisht vështirësive të krijuara si pasojë e proçedurave kufizuese të organizimit të ceremonive mortore, për shkak të gjendjes së rënduar epidemiologjike nga COVID-19, një numër i konsiderueshëm, relativisht jo i vogël, i personave të afërm, familjare, miq dhe kolegë tij, morën pjesë në ditën e nesërme në ritin familjar mortor të zakonshëm, për përcjelljen e tij në banesën e fundit, në Tiranë. Prof.Dr. Gjergji Cepa, ishte një person i njohur nga shumë mjekë okulistë shqiptarë dhe të huaj, që jetojnë e punojnë në vendin tonë, si edhe në trevat shqiptare të vendeve fqinje e të rajonit. Në të njëjtën kohë, ai ishte i njohur dhe kishte bërë një emër të mirë si mjek okulist, sidomos në të gjithë opinionin publik dhe shoqëror brenda kufijve tanë kombëtarë, në Shqipëri. Vështirë se mund të takosh njerëz edhe të zakonshëm, kudo në popullin tonë, që të mos e njihte sadopak mjekun tonë, të nderuar si njeri dhe të aftë si okulist. Janë me dhjetra-mijëra, për të mos thënë edhe më shumë, numri i njerëzve të vizituar e të operuar në rrethana të ndryshme të jetës tyre, nga Dr. Gjergji Cepa, i cili me formimin e tij profesional si mjek okulist, si klinicist dhe kirurg, kishte bërë të mundur kthimin ose përmirësimin e shikimit dhe aftësimin e tyre për një punë dhe jetë të tyre më cilësore.

Dr. Gj. Cepa i takoi të jetojë e të formohet si mjek i kualifikuar, në specialitetin e vështirë të okulistikës, që prej viteve të gati gjysmë shekullit të kaluar deri tani, në vitin 2020 të këtij shekulli të ri që vazhdon. Ai pati mundësinë që fillimin e studimeve ta realizonte jashtë vendit tonë, në shtetin e Republikës D. Gjermane, të asaj kohe. Pas mbarimit të studimeve dhe specializimit pasuniversitar ka punuar disa vite me radhë si okulist, në pavionin e Okulistikës të Spitalit Rajonal në rrethin e Korçës. Bazuar në meritat dhe aftësitë e tij profesionale, në vitet ‘70, u transferua nga rrethi i Korçës dhe filloi punën në Klinikën Okulistike Universitare të Tiranës, si mjek okulist, në organikën e Klinikës Speciale, të krijuar posaçërisht për ndjekjen shëndetësore të nomeklaturës së lartë politike dhe shtetërore të vendit tonë, duke qenë i emëruar mjek okulist, konsulent direkt i Enver Hoxhës për sëmundjet e tij të syrit, të shkaktuara nga diabeti. Gjatë viteve të punës së tij, sëbashku me disa shokë, bashkëkohës dhe kolegë të tij, të Klinikës Okulistike Universitare dhe te Spitalit Ushtarak në Tiranë, patën mundësinë dhe fatin e mirë që të dilnin jashtë kufijve të vendit tonë, në disa vende të zhvilluara, kryesisht në Francë, Austri dhe në Kinë, për specializime të veçanta në fushën e okulistikës, kryesisht për kirurgjinë e perdes së syrit si edhe të diagnostikimin dhe trajtimin bashkëkohor të disa sëmundjeve të segmentit të pasmë të syrit, të shkaktuara nga mosha, diabeti etj. Prof.Dr. Gjergji Cepa, pati mundësinë dhe fatin e mirë që të jetë pjesëtar dhe bashkëkohës i një plejade të tërë të mjekëve okulistë më të dëgjuar të vendit tonë, që bënë emër të mirë që u njohën dhe u respektuan gjatë viteve nga populli ynë: si Prof.Dr. K.Kristidhi, Prof.Dr.Y.Shtylla, Dr, Docent. S.Sinoimeri, Dr. Docent B.Neziri etj, për të cilët e kemi të vështirë, për të mos thënë të pamundur për t’i përmendur. Të gjithë kanë meritën e tyre të padiskutueshme që me aftësitë e tyre profesionale dhanë kontributin e tyre të vlefshëm në themelimin dhe arritjet bashkëkohore të Shërbimit Okulistik në vendin tonë, për vite me radhë. Mjekët e çdo fushe dhe specialiteti të mjekësisë shqiptare, në çfarëdo vendi apo institucioni pune që ata kanë punuar, kanë qenë dhe janë të nderuar e të respektuar nga populli ynë dhe shoqëria jonë, në çdo periudhe kohore, në jetë të jetëve. Shumë mjekë okulistë, pavarësisht gradës apo titullit shkencor që kanë mbajtur ose jo, për shkak të mundësinë ose të pamundësisë për ta fituar atë, gjatë veprimtarisë së tyre profesionale, kanë qenë dhe janë të gjithë njerëz të njohur, që me dijet e tyre profesionale, sigurisht, kanë dhënë e japin çdo ditë një kontribut të rëndësishëm e të vlefshëm, në drejtim të kujdesit të tyre për ruajtjen e shëndetit të syve, në zonën apo qytetin e tyre ku ata zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Jeta dhe veprimtaria profesionale pedagogjike dhe shkencore e Dr. Gjergjit, në fushën e okulistikës shqiptare, është e shkruar dhe e lexueshme, e cila nxjerr realisht figurën e tij si njeri i mirë, një person i njohur si okulist, klinicist dhe kirurg i aftë, si pedagog, që ka dhënë një kontribut të padiskutueshëm në përgatitjen e brezave të okulistëve të vendit tonë gjatë viteve. Aktualisht, ka shumë mjekë okulistë të vendit tonë, të rinj, por edhe të moshuar, që kanë patur nderin të jenë studentë dhe specializantë të Prof. Dr. Gjergji Cepës, krahas pedagogëve të tjerë të klinikës okulistike. Janë të shumtë artikujt shkencore dhe disa nga librat e profesionit të okulistikës, të botuar në shqip, që kanë si autor Dr. Gjergji Cepa. Nga viti 2003-2009 krahas punës diagnostikuese dhe mjekuese si okulist, ka drejtuar me dinjitet Shoqatën e Okulistëve të Shqipërisë, të emërtuar si Shoqata Oftalmologjike Shqiptare (SHOSH), duke qenë edhe anëtar i grupit nismëtar për themelimin e saj në vitin 1992. Duke e marrë në tërësi, mendojmë se veprimtaria e tij profesionale, pedagogjike dhe shkencore e krijuar nga vetë ai për vite me radhë, do të merret si një shembull i mirë, që duhet të ndiqet gjithmonë nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm të okulistëve të vendit tonë. Ai do të mbahet mend dhe do të kujtohet gjithmonë nëpër vite si simbol i një mjeku okulist të ditur, si mjek okulist klinicist dhe kirurg i syrit me aftësi të rralla, si njeri dhe profesor i urtë, shkencëtar dinjitoz dhe i ndershëm, që me punën e tij bëri emër të mirë, duke u bërë i njohur në fushën e okulistikës shqiptare, jo vetëm të vendit tonë, por edhe në trevat shqiptare të vendeve fqinje e të rajonit, të vendeve të Ballkanit dhe pse jo të disa vendeve të Europës Juglindore. Të gjithë okulistët e Shqipërisë i shprehin familjes, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e tij nga jeta, duke u lutur që të pushojë i qetë dhe në paqe. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

*Presidenti i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare