BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Ju, politikanë, analistë, panelistë, lexojeni njëherë të vetëm verdiktin popullor! 

Ju, politikanë, analistë, panelistë, lexojeni njëherë

Populli shqiptar foli me votë. Nga Konispoli në skajin më jugor deri në Vermosh në veri. E tha fjalën e vet, vençe, pa dyzim, me kurajo, vullnet, me forcën e mendjes dhe ndërgjegjes. Si gjithnjë populli, mbetet kampion i demokracisë, urtësisë, miqësisë, peshorja që nuk gabon. Intuita e qytetarëve si gjithnjë triumfoi mbi gjykimet, anatemimet, fyerjet, sharjet, kërcënimet për burgosje të kundërshtarëve politikë. Sovrani shpartalloi zërat e paarsyeshëm e subjektiv të atyre që për natë gjëmojnë si altoparlantë zhurmëmëdhenj, duke deklaruar me fjalët më fyese kundërshtarin politik, të cilin janë gati ta fshijnë nga faqja e dheut edhe fizikisht. E gjithë logoreja televizive dhe faqet e shtypit të shkruar që deri sot kanë nxirë Shqipërinë dhe kanë mallkuar liderin e Partisë Socialiste, Kryeministrin e Shqipërisë, që kanë hedhur mbi të miliona ton balte, së paku për herë të parë në jetën e tyre t`i hedhin sytë nga vullneti i shprehur i qytetarëve dhe të ngrihen në vetëdijen e sovranit. Është koha për reflektim dhe ndryshim të kursit agresiv opozitar. Është momenti që të jenë sa më pranë realitetit dhe të mos mbeten individë irealë që nuk ndjejnë pulsin e shoqërisë. Shqiptarët folën me votë. Ata duhen dëgjuar. Çdo përpjekje për të bërë sikur nuk dinë të lexojnë, gangot politikë, burracakët ekstremë, nihilistët klasikë, të shumëshkolluarit analfabetë, analistët e televizioneve që mendojnë se kanë monopolin e të vërtetës që bëjnë të pagabueshmit, le të ndalin për një çast frymën dhe t`i kthehen realitetit. Le të zbresin me këmbë në tokë dhe mos t`u thurin lavde e t`u këndojnë këngët e shpresave të kota politikanëve që kapardisen nga selitë e partive se janë zotat e këtij vendi. Shqiptarët sot, janë në gjendje të lexojnë çdo votë. Dhe të reflektojnë për të ardhmen, për Shqipërinë që duam. Të gjykojnë për ndryshimin real dhe jo atë imagjinar. Para datës 25 prill në Shqipëri, u luajt një teatër absurd, i cili kishte për regjisor Presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe në anën tjetër sivëllain siamez, dobësinë e tij, ish-presidentin, Sali Berisha. Të gjithë mund t`ia lejojnë vetes të jenë subjektiv t`u dorëzohen emocioneve dhe të veshin kostumin e subjektivizmit dhe të mburracakërisë. Po së paku këtyre të dyve dhe disa të tjerëve që e mbajnë veten përmbi palët, si liderë që kanë me vete  gjithë popullin dhe flasin në emër të tij nuk e kanë luksin sot të veprojnë siç vepruan gjatë këtyre viteve dhe veçanërisht në fushatën elektorale, ku edhe pse Berisha në prapaskenë dhe Meta në vijë të parë të zjarrit, luajtën absurdin dhe përditë dhanë mesazhe të forcës dhe  konfliktit. Në këtë linjë veproi edhe lideri i PD, Lulzim Basha, i cili edhe pse nënshkroi dhjetëra kontrata pa sens me grupet e interesit, iu shkrinë si kripa në ujë pasi nuk kishte në to asgjë reale dhe të vërtetë. Zgjedhjet e 25 prillit, dëshmuan sa larg nga realiteti ishte Lulzim Basha dhe si veproi ai në këtë fushë betejë të cilën e mori gati si të përfunduar dhe të fituar  dhe veten si kryeministër i kurorëzuar. Shumë faktorë iu kthyen në bumerang Lulzim Bashës dhe tërë atyre që rreshtoi rreth vetes, duke krijuar një detashment me kryetarë pa anëtarë dhe për çudinë më të madhe ata që  nuk kishin asnjë pikë të përbashkët me ideologjinë e PD-së me pretendimet e saj. Kështu nga zonat e minoritetit  nga vjen Vangjel Dule u transferua në Tiranë. Shpëtim Idrizi nga zonat që kanë prani të madhe të bashkëkrahinorëve të tij çamë, zuri një qoshe të ngrohtë në kryeqytet. Dhe kështu me radhë të gjithë kryetarë pa mbështetje, të cilët  më shumë se interesat e qytetarëve,  u kujdesën për karriget e tyre në Parlament dhe të gatshëm për të shqyer tortën e pushtetit, bash si ajo torta e pavarësisë në Pallatin e Kulturës, ku u rrëmbyen kazanët, legenët, kusitë e tepsitë për ta shqyer. Pikërisht, ky ka qenë qëllimi i vetëm edhe i kryetarëve të partive opozitare që iu bashkuan dhe iu rreshtuan trenit të PD-së me të vetmin synim të mos u ikte torta nga duart. Askush prej tyre nuk guxoi të dalë në shesh betejë dhe të paktën të bënte atë që bëjnë nga ekranet e televizioneve. Shumë ëndërrime dhe fantazi, shumë bëma dhe egërsi u përplasën para ditës zgjedhore me të vetmin qëllim, trazimin e ndërgjegjes dhe fikjen e shpresës popullore për të dhënë verdiktin e pavarur dhe influencuar nga ata që në emër të ruajtjes së votës së lirë, krijuan një shtet paralel paramilitarë të cilët gjakosën zgjedhjet si në Elbasan, veç blerjes së votës, dokumentuar me zë dhe figurë nga  videot dhe kamerat, po më së shumti nga dëshmitë e qytetarëve të cilët kanë memorizuar tmerrin e kapuçonëve të zinj që  i vizitonin në mes natë dhe u trokisnin në emër të demokracisë me pesëmijë lekësha në duar. Dhe për çudi, autori i deklaratës se do u priste duart atyre që blinin votat, jo vetëm që nuk e  bëri një gjë të tillë, po ua mbushi duart me miliona nga jugu në veri si një përpjekje pa sens në emër të rrëmbimit të pushtetit të pamerituar. E gjithë kjo përpjekje të krijonte idenë dhe të ngjallnin frikë tek votuesit e qytetarët tanë se kishte marrë fund dhe ata duhet të bënin të vetmen lëvizje t`i bashkoheshin kolonës së zhurmshme, të Range Rover, BMË, Audive, Benzave shumë milionëshe të atyre që bëjnë sikur  mezi mbahen me bukë, po që luksi kapërcen gjithçka, duke u treguar para popullit të vërtetë, real si të pasuruarit nga ish-pushteti. Kaq shumë e trashën zullumin dhe kaq shumë  akuza dhe baltë u hodh mbi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili në këto katër vite, pa folur për vitet më parë nuk  i kanë zënë këmbët dhe nuk është parë të mungojë nëpër kantieret e Shqipërisë, duke rendur si maratonomaku i kohëve moderne me peshën e  halleve të qytetarëve mbi supe, pa poza, pa mendjemadhësi, pa përtim, hipokrizi, pa u fshehur, duke i dalë ballë për ballë dy fatkeqësive më të mëdha që i ranë atdheut tonë dhe e goditën brinjë më brinjë, siç ishte tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 dhe pandemia që pushtoi Shqipërinë si gjithë globin. Liderët realë nuk fjalosen dhe nuk bëjnë përtacin dhe dialogë apo monologë pa fund. Ata marrin mbi shpinë, si Sizifi, pesha të papërballueshme për mundësitë e tyre për t`iu ngjitur majave. Dhe bilanci në këto dy tragjedi dihet. Tërmeti u përballua nga qeveria më së miri. Brenda një kohe të shkurtër u gjetën donacionet dhe u siguruan partë për t`u ardhur në ndihmë shqiptarëve të tronditur dhe rrënuar. Përballimi pasojave të tërmetit e ka kthyer një pjesë të Shqipërisë në kantier  gjigant rindërtimi dhe puna vijon. Po kështu edhe me pandeminë. Shteti përballë goditjeve nga të gjitha drejtimet, kryeministri, morën përsipër t`i dalin zot atdheut, shqiptarëve të tronditur nga ikjet  pa reshtur të afërmve nga virusi vdekjeprurës dhe mbërritën në Shqipëri, jo si dhuratë nga qielli, po si kontribut personal i Edi Ramës mijëra vaksina. Dhe politikanët opozitarë, mjekët e politikës, shkencëtarët e pozitës edhe këtë përpjekje kërkuan ta delegjitimojnë dhe ta zerojnë, duke shpifur dhe bërë thirrje për mos t`u vaksinuar sepse Rama po iu injektonte ujë dhe jo vaksina. Dhe kështu, këta individ, u shndërruan në virus më vete me mllefin dhe frikën që  kërkuan të injektonin në popull. Po edhe këto akuza u  kthyen në boomerang kundër tyre. Dhe si gjithnjë, shpifësit mbetën si zërat e sirenave të Odisesë homerian të Iliadës. Njëzetë e pesë prilli e  dha verdiktin. Fuqimisht. Pa ekuivoke. Secili në zonë e vet, në qytet, në fshatra, në ara, në fusha, në maja malesh. Kudo që jetojnë shqiptarët, e panë me sy e  figurë se si vërshuan dhe dhanë votën qetësisht, ku edhe anatemuesi më i madh i zgjedhjeve, Ilir Meta e quajti ditë që meritonte dhjetë me yll. Po e tha se llogariti i kishte bërë si triumfator. Gjithsesi nuk mund ta mohoj dot. Nëse deri në ditën e zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve në të gjitha qendrat e votimit, ku u shprehën vullnetet popullore ende analistët e penalistët, shtypi dhe televizionet rreth opozitës si media pranë saj do vijojnë t`i bëjnë jehonë cënimit të zgjedhjeve të vërtetuar nga komisionerët të nisin të fyejnë dhe shajnë ende popullin që votoi, jo në favor të tyre, të  përbuzin inteligjencën e shqiptarëve, të thurin ende lavdi humbësve të mëdhenj, ti përkëdhelin sedrën Bashës me rritje votash e mandatesh dhe ta shpallin kampion të demokracisë së bëri fushatë ndryshe, po përsëri mbeti opozitë, atëherë askush prej tyre nuk ka nxjerrë asnjë konkluzion. Nuk e njohin fuqinë e sovranit. Së paku pas fitores së thellë pas tetë vitesh në pushtet të Edi Ramës në një mandate të tretë, fare të pastër duhet të nisin dhe të qetësohen, të zbresin me këmbë në tokë. Kështu do ndihmojnë edhe opozitën dhe liderët e tyre dhe do i orientojnë, jo drejt shkatërrimit dhe agresivitetet, po nga e mira dhe drejta, progresi dhe e ardhmja. Populli foli! Politikanët duhet të dëgjojnë. Analistët, opinionistët, panelistë gërnjarët permanentë duhet të mbajnë shënim. Nëse jo e keqja e tyre dhe humbje e atyre që do i lënë tërë jetën në opozitë. Ndryshe nga tërë ky detashment i fyerjeve dhe anatemimeve, hipokrizisë klasike dhe kërcënimeve me burg dhe zhdukje të Edi Ramës edhe pse i fituari i madh i zgjedhjeve me tregues shumë më të mirë se 2017 përballë të gjithëve, i vetëm me popullin në mbështetje të pakufishme nuk u mburr. S`bëri triumfatorin. Foli si lider. Si kryeministër i gjithë shqiptarëve, duke i shtrirë dorën opozitës për të ecur bashkë për Shqipërisë që duam. Të tjerët, ata që vetëm zhurmojnë e kanë në dorë vetë të zbresin nga qiejt e lumturisë virtuale dhe vetëkënaqësisë ireale për t`iu bashkuar ndryshimit dhe progresit. Porta është e hapur për t`u bërë bashkë si shqiptarë, pa shuar opozitarizmin, po jo për t`u sjellë si deri sot, triumfator, pa pasur asgjë në dorë. As votë as mbështetje. Dëgjojeni dhe vlerësojeni verdiktin e shqiptarëve, opinionistë, penalistë, analistë, pronarë të mediave, ju politikanë së pari. Kështu ndihmoni vetveten dhe opozitën për ta sjellë në shinat e progresit. Ndryshe? Numëroni vitet e opozitarizmit pa kufi!