BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Kandidatët “nën derë”, ose vazhdimi i tranzicionit post diktaturë shqiptar!

Kandidatët “nën derë”, ose vazhdimi i tranzicionit

Sapo hapa derën për të dalë, shikoj poshtë saj, një sasi impresionante fletësh me kandidatët e këtyre zgjedhjeve. I mora dhe i pashë me kujdes. Absolutisht asnjë fytyrë, asnjë individ aty, në atë grumbull fletushkash nuk më jepte shpresë se ky vend, Shqipëria, shoqëria jonë do të mund të ishte ndryshe mbas 25 prillit. E kam fjalën nuk do të ishte ndryshe me shpresën për t’u ndarë përfundimisht nga hapja jonë në njërën këmbë në diktaturë dhe tjetrën në demokraci. Po pra dhe qendrën e gravitetit apo kokën mes diktaturës dhe demokracisë. Pikërisht në – demokraturë. Asnjë aty nuk ishte njeriu i të ardhmes, pa faje në të shkuarën në tranzicion dhe kjo ishte e para. E dyta, ishte se asnjë aty nuk kishte dalë si meritë e kontributit të lartë si qytetar dhe politik i pacënuar nga problemi i madh i sundimit të partitokracisë shqiptare. Kur them i pacënuar e kam fjalën se ka dalë nga parti që nuk kanë aspak demokraci të brendshme dhe vendime që dalin në bazë të kësaj demokracie. Po kanë virtualitet demokratik në brendësi që është njësoj si tiranokracitë lindore. Asnjë aty nuk ishte si pjesë e demokracisë së brendshme që mund të jetë dhe opozitë brenda partisë si një marrëveshje partie për kohezion pikërisht si në partitë perëndimore. Askush në atë listë, nuk ka përmendur qoftë dhe një herë të vetme ndarjen nga ky tranzicion ekonomik dhe politik që po bëhet kohë e artë krimi dhe korrupsioni dhe po barazohet për nga marrëzia me dhjetë vitet e fundit të diktaturës. Jo nuk e përmendin, sepse e dashurojnë këtë kohë të bukur për to dhe të shëmtuar për shoqërinë gjithmonë në tranzicion. E pesta është se askush në ata emra poshtë derës, si kartëvizita, në afishe dhe postera të vegjël dhe të mëdhenj nuk ishte person që kishte bërë transparencë financiare të vetën dhe partisë për fushatë dhe kjo është një nga modelet që na tregon se sa pas jemi në demokraci dhe të pasigurtë se mund të kalojmë tranzicionin ose këmbën nga diktatura. Na pëlqen ta mbajmë aty, sepse te ajo është dhe mbështetja e madhe e absurdit të mungesës së demokracisë dhe në zgjedhje apo parti dhe të korrupsionit pa kontroll, në demokracinë që pikërisht një këmbë e ka në diktaturë. E gjashta, po i njëjti është diskursi, zhargoni elektoral, po të njëjtat mediokritete idesh dhe po i njëjti budallëk premtimesh dhe marrëzish në lëshimin e angazhimeve, që dihen se nuk i mbajnë dot. Po e kanë kthyer sipërfaqësoren në element thelbësor, duke larguar me forcë dhe dhunë të vërtetën që ka thelbësorja dhe pranuar pa asnjë dyshim sipërfaqësoren që nuk bën asgjë, por ka formë të bukur. E këta janë kritere kandidatësh nën derë. Po është një fatkeqësi e madhe dhe pastaj shkojnë ku shkojnë punët dhe beteja mbetet mes dy liderëve dhe kaq. Mbas tyre rreshtohen partitë me në fillim militantët, pastaj skuthat e partisë dhe njerëzit normalë në fund, që në përgjithësi janë më të keqtrajtuarit dhe më të privuarit nga të drejtat dhe përfitimet që shkojnë deri në shërbime ose punësim e integrim shoqëror normal. Me kandidat nën derë, do të vazhdojë – demokratura shqiptare ose plutokracia e qeverisjes të bashkimit mes të pasurve së biznesit dhe fuqisë financiare ngado që ajo të vijë me politikën super të pasur, që kemi ne tashmë prej më shumë se dy dekada. Demokratura jonë e lëkundur në tranzicion, do të vazhdojë akoma gjatë se askush “kandidat nën derë” nuk ka dalë dhe nuk mund të jetë pjesë e lëvizjes së detyruar të establishmentit politik. Të tillë kandidatë, janë vazhdimi tranzicionit, por kurrë largimi i tij. Nuk janë - se janë prodhimi më i dobët i pikërisht këtij tranzicioni. Mbase duket si fjalë e rëndë – demokratura. Por te ne edhe - demokracia është një eufemizëm i plotë politik. Sundimtarët politik te ne, janë pjesë e një demokrature të plotë dhe për më tepër super korruptive. E kam fjalën në 360 gradë në Shqipëri. Por pikërisht kjo është dhe humbja e madhe e jona. Ne do të vazhdojmë tranzicionin, sepse Edi Rama tashmë është ngulitur thellë e më thellë në një qeverisje arrogante e korruptive dhe që shikon atë si “njëshin dhe të vetmin individ që drejton këtë vend”. Pa konkurrencë politike as brenda partisë dhe sigurisht ai thotë për vete – edhe jashtë partisë së Ramës që është PS dhe që ka sipër Rilindjen. Nuk mund të lërë pas tranzicionin Shqipëria kur Rama refuzon të sillet si njeriu, i cili jep shpresë se do të bëjë shtetin e së drejtës dhe shtetin e respektuar nga shqiptarët me anën e ligjeve dhe rregullave. Jo, Rama nuk është as njeriu i kontrollit të territorit në Shqipëri. Në çdo gjë, përfshi dhe hashashi. Por dhe opozita nuk ka as sjelljet dhe as shumicën e njerëzve në drejtim si “ndryshues” të kalimit nga tranzicioni në demokraci. Jo, ajo do thjesht “rrotacion”, por jo ndryshim në themel ku dilet nga diktatura plotësisht si me vese dhe me njerëz. Partitë e mëdha dhe për 2021-shin, do të kenë ish-komunistë që akoma përfshihen në fushatë dhe do të dalin deputetë. Askund në Ballkan dhe askund në Europën Lindore, ku nuk ka më ish-komunistë të diktaturave në kuvende demokratike. Si për arsye dhe për moshë. Këtu te ne vazhdojnë. Mirëpo kur klasa politike dhe ky establishment, nuk do të ndahet plotësisht nga diktatura sidomos me korrupsionin e fundit të saj, ku vidhej gjithçka në shtet apo fabrika dhe ne imitojmë sot kudo në zgjedhje apo tendera apo punë administrate – do të thotë se e kemi të vështirë të përmirësohemi për të bërë hapin vendimtar. Nuk duan të ndahen nga sundimi demoniak në parti dhe nga regjimi i brendshëm i tyre i afërt me diktaturën si drejtim dhe si influencë politike fajtore. Do të vazhdojmë tranzicionin vrastar të pronës dhe të lirisë së individit në demokraturë sepse të dyja janë eufemizma politikë. Do vazhdojmë tranzicionin korruptiv sepse ata kandidatë nën derë, nuk e ndalin dot korrupsionin e lartë nga që nga ky korrupsion kanë dalë. Jo, nuk e ndalin dot dhe se nuk kanë as shansin më të vogël të keni fuqi të tilla politike për të bërë një kapërcim kaq të madh dhe kaq të kërkuar sa vetë jeta. Jo ata nën derë dhe ata më lart nuk duan ta bëjnë këtë hap. Sepse, jetojnë më mirë në demokraturë. Gjithsesi vota është që bën ndryshim dhe mbase ajo realisht duhet. Por tani, nesër më 25 prill, nuk kemi për të ikur nga ajo që quhet diktaturë, por nga ajo bija e saj – demokratura. Ajo që bën sikur jeton në demokraci, por zbaton ligjësi dhe përmbajtje si në diktaturë, pikërisht duke pasur vetëm formë si demokraci.