BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Karikaturat e përmbytjeve, politikisht të premtuara të Shkodrës!

Karikaturat e përmbytjeve, politikisht të premtuara të

Në qoftë se koha do të vazhdojë dhe disa ditë me reshje të dendura shiu, mbi pellgun e madh të qarkut të Shkodrës, por dhe në basenet e ujëmbledhësve Vau Dejës, Fierzë dhe Koman, nuk do të përmbytet vetëm nën Shkodra dhe zona e ekspansionit të ujërave të saj, por do rrezikohet dhe qyteti. Nxora nga arkivat e mia, një emision timin me disa personalitete të qytetarisë shkodrane në dhjetor të vitit 2010. Po intervistova intelektualët e njohur të qytetit Fadil Krajën, Filip Guraziun dhe Sytki Brahimin. Mu kujtuan pamjet dhe politizimi, por dhe premtimet. Ishte e katërta herë që Berishës dhe “menaxherëve të tij” të kaskadës së Drinit i mbytej Shkodra. Erdhi një moment që kaskada dhe ujëmbledhësit nuk mbanin më, sidomos Fierza dhe Vau i Dejës dhe u hapën portat duke mbytur Shkodrën. Në urën e Drinit po futeshin nga Kiri e Drini së bashku mbi 6000 metra kub në sekondë dhe liqeni nuk dilte dot jashtë nga kjo fuqi e përbindshme ujore. Po ashtu këmbët e trasha të urës së re të Bunës dhe hedhjet e mbeturinave, por edhe ngushtimi i grykëdaljes së Bunës po bënin të vetat dhe Shkodra u mbyt në lagjet Xhabije, Liria, Top Hanë, Kiras, Dudas dhe të gjithë livadhet ku pushteti vendor demokrat kishte lejuar banorët të ndërtonin. Po pothuaj më shumë se sa banorët e qytetit të Lezhës. O burra e gjithë qeveria demokratike dhe o burra e gjithë opozita socialiste për të bërë punë e politikë me shkodranët nën ujë. Mbi 60.000 banorë nën ujë, (30.000 në qytet) mijëra bagëti të mbytura, mijëra shtëpi dhe prodhime të shkuara dëm. Pothuaj 1000 biznese nën ujë. Për çfarë, sepse askush nuk donte të rregullonte Shkodrën dhe nuk administronte basenet ujëmbledhës së hidrocentraleve nën qeverinë Berisha. Çfarë nuk u premtua dhe propozua si nga qeveria dhe opozita. U premtua by pass-i digë për të mbrojtur qytetin, u premtua lirimi i ngushtimit të derdhjes së Bunës, u premtua pastrimi dhe thellimi i saj, por dhe vendosja nën kontroll i gjithë rrjedhjes së Bunës, u premtua pastrimi dhe rehabilitimi i kanaleve të dikurshme të fushës së Shkodrës dhe ndërtimi të rejave, u premtua futja në punë e hidrovorëve dhe planifikimi i të rinjve për të marrë ujërat e tepërt. U premtua strategji e madhe mbi 100 milionë euro investime që Shkodra tashmë me katër hidrocentrale në territorin e saj të mos mbytej. U premtua që fuqia më e madhe hidroenergjitike e Ballkanit të mos mbytej. U premtua që qarku i Shkodrës që i jepte energji gjithë Shqipërisë të mos vuante më. U premtua politikisht nga PD-ja e asaj kohe dhe u premtua politikisht nga PS-ja si opozitë e asaj kohe që Shkodra të mos vuante më nga përmbytjet si për faj të administrimit të nivelit regjim të liqeneve të HEC-eve dhe nga mungesa e investimeve për mbrojtjen e qytetit të madh. Çfarë kanë bërë? Nothing. Përveç disa kanalizimeve, as diga, as strategji as mbrojtje të Shkodrës nga uji dhe as milionat e eurove për morinë e investimeve për të përballuar përmbytjen rregullimin e Bunës dhe nyjes hidraulike më të fuqishme të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor që është dalja e liqenit të madh të Shkodrës, Kirit dhe Drinit njëkohësisht. Asgjë as Sali Berisha dhe asgjë as Edi Rama, të dy njerëzit që kanë premtuar praktikisht politikisht përmbytjen e Shkodrës, sepse kanë premtuar pikërisht mbrojtjen e saj të cilën nuk e kanë kryer. Dje erdhën njëkohësisht Edi Rama dhe Lulzim Basha për të tallur trapin me Shkodrën. Njëri se është kryeministër dhe duhet të duket se po bën punën dhe propagandën e saj tashmë të neveritshme dhe tjetri se është kryetari opozitës dhe do të duket për të bërë propagandën e luftës politike anti qeveri. I pari nuk ka mbajtur fjalët për ato strategji që ka premtuar për të mos u mbytur Shkodra dhe i dyti që ishte në përmbytjet e 2010-s dhe që ka premtuar të mos përmbytet më Shkodra nga faji mungesë së investimeve që nuk bëri deri në 2013-n. Deri sot në Shkodër janë të përmbytura mbi 30.000 ha tokë bujqësore dhe mbi 800 ekonomi fshatare e pritet të bëhen në qoftë se do të ketë shkarkim nga Vau i Dejës dhe dyfishin e këtyre shifrave. Kjo në sytë e PD dhe PS dhe po atyre njerëzve që ishin dhe në 2010-n. Pikërisht në sy të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Mund të them se ndoshta është bërë më mirë administrimi i kaskadës, duke mos mbushur plot digat dhe pastaj lëshuar ujin si në kohë të Sali Berishës, por gjithsesi kjo kohë po afron në qoftë se shirat e shumtë dhe bora e madhe që mund të shkrihet rëndon dhe ujëmbledhësit e digave të mëdha Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Me furinë e Kirit që vjen nga lumi i Bregut të Lumit dhe urës së Shtrenjtë, me hapjen përgjysmë të portave të Vaut të Dejës në urën e Drinit do të vinë mbi 4000 metra ujë në sekondë dhe nën Shkodra do të mbytet për të krijuar atë fatkeqësinë e madhe në emergjencë të përgjithshme. Po të shtohet kjo prurje fatkeqësia do të shtrihet deri në Xhabije dhe këtu merr fund dhe premtimi politik demagogjik si i PD dhe ai i tashmë PS-së në pushtet. Uroj të mos ndodhë, por jam i bindur se premtimi politik i përmbytjes është i qartë për ato që kanë akoma materie gri në trutë e tyre në Shkodër si të djathtë dhe të majtë. Shkodrën po e mbysin me premtime politike dhe e kanë paralajmëruar pikërisht disa herë këtë gjë. Unë jam i bindur se ka akoma një masë prej pothuaj një metër në liqenin e Shkodrës, por nuk i duhet prurjeve të Kirit dhe Vaut të Dejës. Përveç faktit të shirave të shumtë vetë në gjithë territorin e Shkodrës dhe sidomos liqenit të madh të saj. Dje liqeni dukej si det. I madh shumë dhe pothuaj plot. Ku do të derdhet në kohën që të kenë të “plotat Kiri dhe Drini”? Shpresoj shumë te natyra. Por ajo nuk ka asnjë faj pse politika shqiptare premton dhe nuk bën asgjë. As thellimin pastrimin dhe digat e mira në Bunë, as kanalizimet, as digën by pass në Shkodër, as hidrovor të ri, as diga të reja strategjikisht për të mbrojtur daljen e Bunës as... asgjë fare asgjë. Ja këtë kanë bërë premtuesit e PS dhe PD përgjatë dhjetë ose 11 viteve nga dhjetori 2010, kur pothuaj gjithë Shkodra ishte nën ujë. Sot vijnë dhe bëjnë sërish propagandë. Po dhe duan sërish vota në Shkodër. Po pra po dhe sigurisht sërish do të gjejnë idiotë që do t’ua japin.