Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin gjatë natës Shqipërinë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin
x

Opinion / Editorial

Karizmatikë e folklorikë që pikturojnë, por tashmë duhen ata që ndërtojnë!

Karizmatikë e folklorikë që pikturojnë, por tashmë

Drejtuesi ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, Frederick Kempe, vlerësoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, teksa tha se është politikani më karizmatik në Ballkan. Mjafton të thuash se Ballkani s’ka prodhuar asnjëherë një politikan kaq karizmatik dhe tashmë një kryeministër kaq karizmatik. “Keni shans për të pikturuar të ardhmen e Shqipërisë në BE”, deklaroi shefi ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut. Absolutisht i duhet thënë zotit Kempe faleminderit për vlerësimin që i bën kryeministrit shqiptar dhe sigurisht që me këtë vlerësim, ka dashur të shtojë shpresën dhe të sigurojë të ardhmen e Shqipërisë në familjen e rëndësishme dhe të madhe "atlantiko-europiane". Të quash "karizmatik" një lider politik është e rëndësishme, por realisht karizmatikë nuk janë dhe nuk ka vetëm – demokracia. Në fakt "karizmatik" quhet një lider që ka fuqi dhe prestigjin për shkak të aftësisë drejtuese të lindur. Pastaj "karizmatik" është një person që brenda një grupi gëzon prestigj të padiskutueshëm dhe autoritet nga të gjithë për urtësinë, doktrinën dhe paraqitjen. Dakord? Po ne kemi pasur shumë të tillë! Biles të parët janë Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu. Absolutisht që po dhe pothuaj të pakrahasueshëm edhe sot për nga fuqia e madhe e "karizmës" së tyre. Absolutisht "karizmatikë" ishin Duçja, Hitleri dhe pse jo Fidel Kastro. Sot pa dyshim në Ballkan mes Vuçiçit, Gjukanoviçit, Zajevit, Thaçit - Edi Rama është jo vetëm më artisti, por më i elaburuari në fjali, ide aty për aty dhe në vizion, por dhe në formë e nganjëherë edhe përmbajtje, përsa i përket dhe sipërfaqësores që në botë dhe Europë perceptojnë pikërisht karizmatikun. Por në fakt "Ballkani" ka prodhuar gjithmonë liderë të padiskutueshëm dhe karizmatikë dhe njëri prej tyre është Tito, e sigurisht ne e filluam "karizmën" e demokracisë me Sali Berishën. Doktori ishte i tillë, sepse përndryshe nuk do t’i "fanitte" pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe në Shqipëri dhe Kosovë. Ishte pra, ishte, dhe jo se Ballkani nuk ka nxjerrë në demokraci. Edhe Karamanlisi (Kostas) që desh mori detin shqiptar me Bakojanisin - karizmatik ishte. Erdogan sigurisht është një prej atyre sot. Ballkani ka pasur dhe ka liderë karizmatikë dhe folklorikë sa të duash. Sepse Ballkan është! Të gjithë "karizmatikët" e Ballkanit nuk ka gjë që i ndalon të jenë dhe folklorikë! Edi Rama që është më artisti i tyre, më i kulturuari artistikisht e teorikisht dhe estetikisht, i pëlqen të jetë sëpaku në veshje folklorik. Nganjëherë i pëlqen dhe në fjali të jetë i tillë. Ose e pëlqen këtë trend folklorizmi ballkanik. E përdor mirë disi për jashtë dhe pse brenda e konsiderojnë gjysma jo mirë. Por sigurisht është karizmatik dhe folklorik si një ballkanas i modelit europian dhe ne kështu i kemi pasur dhe Zogun dhe Enverin. E në fund të fundit, kështu jemi dreqi e mori. Ne jemi "karizmatikë folklorikë, shqiptaro-ballkanikë". Nuk ka ndonjë të keqe të madhe kjo gjë jooooo. Përndryshe njerëzit (shumica) që janë pastaj folklorikë shqiptarë nuk të vinë pas. Mirëpo a kemi nevojë gjithmonë për këta (tipa) e sidomos në të ardhmen tonë dhe a është e mira që ata të pikturojnë të ardhmen tonë në Europë? Kjo tani duhet marrë me rezerva. Në fakt ka ardhur koha që Shqipëria mos të pikturohet. As shteti, as "lëkura" e institucioneve tona në demokraci. Mos të pikturohet e ardhmja jonë në botën e qytetëruar. Ka ardhur koha që shqiptarët të besojnë dhe të qëndrojnë të mbledhur mbas urtësisë dhe jo karizmës, mbas qetësisë së vendimeve të forta dhe jo mbas shpërthimeve karizmatike në podiume dhe salla, apo mitingje. Ka ardhur dita që të dëgjohet fjala e qartë e thënë butë e qetë. Ka ardhur dita që të mos rregullohet vetëm fasada dhe sipërfaqja, por themeli dhe kolonat e shtetit. Ka ardhur koha që shoqëria jonë të respektojë artistin arkitekt të ndershëm si ndërtues të shetit modern demokratik se sa artistin dhe piktorin që luan me formën dhe nuk ka mundësi për përmbajtjen. Po them nuk ka mundësi, sepse duhet dikush të sakrifikohet me karizmën e artistit, që t’i lërë vendin nesër arkitektit të ndërtimit të shtetit dhe shoqërisë që percepton dhe do demokracinë. Unë them se janë bërë shumë "karizmatikë" në Shqipëri, që prej themelimit të shtetit shqiptar. Janë bërë shumë, sepse akoma nuk kanë dalë nga modeli "karizmatikë - folklorikë" si kërkesë e një elektorati sigurisht jo të lexuar dhe jo të afërt me shoqërinë europiane. Si brohoritje dhe duartrokitje e partive dhe turmave milituese dhe jo medituese mbi ndërtimin e shtetit dhe demokracisë. Si rezultat i turmave politike dhe dikur ideologjike, që kënaqeshin me folklorizmin e premtimeve kurrë të mbajtura dhe "realizimeve" kurrë të plotësuara. Mbase kryeministri jonë sot është vërtet ashtu sikundër thotë Kempe, por kjo mrekulli duhet të jetë e fundit, për një shoqëri që pretendon të jetë më pak ballkanike dhe më shumë europiane. Një shoqëri që nuk mbështet dhe rregullon vetëm fasadën ose pikturon të ardhmen, por e realizon atë. E bukur është dhe piktura mbi të ardhmen tonë europiane, por tashmë ka tre dekada dhe pothuaj të gjithë e kemi të qartë një pikturë të tillë. Dikush duhet ta realizojë këtë të ardhme. Mbase vetë artisti jonë kryeministër do të donte të mos e pikturonte, por ta realizonte. Megjithatë dhe piktura është e rëndësishme. Dikush është kaq i paqartë, sa ka nevojë për një pikturë të tillë në mur. Gjithsesi kemi pasur shumë karizmatikë dhe folklorikë, por dhe që pikturojnë, por këtej e tutje, na duhen në majë të politikës dhe shtetit njerëz që ndërtojnë të ardhmen tonë europiane. Po na duhen dhe sepse akoma kjo shoqëri vazhdon të adhurojë një karizmatik që "mrekullon", por që akoma nuk ndërton.