BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Katandisur "të verbër" që shikojmë, por që nuk duam të shohim!

Katandisur "të verbër" që shikojmë, por që

Kemi dekada që fajësojmë lidershipe, individë sipër, klasa dhe klika politike në Shqipëri. Fajësojmë Zogun, Enverin, Mehmetin, Ramizin, Nexhmijen, Saliun, Nanon, Ramën, Metën, Bashën etj. etj. Po dhe të gjithë klikat e tyre, sepse në fund të fundit, të gjithë nuk kanë ndërtuar establishmente, por klika, tarafe apo dhe organizime gati devijate politike dhe sundimtare financiare e ekonomike. E shpesh herë, ndalemi për të kuptuar nga dolën këta. Nga mbinë? Nga ku dolën? Pastaj me disa narrativa idiote (folkpolitike) këta farë burrash dhe grash, paskan dalë nga "rrethanat historike, nga të huajt ose Franca, nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, nga komshinjtë serbë dhe sllavë apo grekë, nga turqit dhe nga italianë" etj. etj. Kur në fakt ata kanë dalë nga kjo shoqëri, nga shqiptari jug e veri. Nga populli shqiptar. E kjo është më se e vërtetë dhe e qartë e të gjithë ato të tjerat më sipër janë dytësore. Janë shqiptarë dhe kanë po ato vese dhe limite në përputhje me demokracinë që kemi dhe ne poshtë, ky popull apo kjo shoqëri. Janë pothuaj po aq smirëzinj sa shoqëria, pothuaj aq mashtrues sa shoqëria, pothuaj kaq hajna dhe grabitës sa shoqëria dhe pothuaj kaq të korruptuar dhe korruptues, sa kjo shoqëri. Kur them pothuaj, e kam fjalën se duke pasur pushtet të madh - e kalojnë për keq dhe vetë shoqërinë tonë retro kulturore për fat të keq të tyrin. Në Shqipëri është formuar një shtresë e mesme akoma jo kaq e "blinduar" politikisht dhe filozofikisht, që është e qartë për fajin e madh shoqëror tonin, por as ka fuqi dhe as ka mundësi politike dhe financiare të dalë e vetme nga ky qerthull folkpolitik i kalbur vesesh dhe bëmash prej hajdutësh të vetes. Ka dekada që me krijimin e shtetit të parë shqiptar real ose 1920-ën, që jemi pikërisht kështu. Sot ne nuk duam të shikojmë sepse me dashje jemi "bërë" të verbër. Pra nuk duam të shikojmë dhe pse shikojmë sikundër thotë "çmimi Nobel" për letërsinë ose gazetari dhe letrari portugez, Joze Saramago. Nuk duam të shikojmë se të gjitha klikat politike si PS, PD, LSI dhe të tjerët nga grabisin në pushtet dhe opozitë. Shikojmë dhe nuk duam të shikojmë, kur votojmë se na grabisin dhe na kanë varfëruar deri ku nuk mban më. Nuk shikojmë dhe pse kemi parë, se si na kanë vjedhur votat dhe pasuritë dhe na kanë rritur çmimet duke bërë sikur grinden mes tyre. Nuk duam të shikojmë, se sa shumë tallen me ne në lidhje me demokracinë, duke bërë që të mos jetojmë (në demokraci) qoftë dhe një ditë të vetme që nga shpallja e pluralizmit në Shqipëri. Nuk duam të shikojmë, duke u bërë "qorra politikë" se si sillen keq me të varfrit dhe duke mos kuptuar se mbase disa vite kjo gjë i bën të pasurit më të pasur, por vjen një kohë që edhe ata do të shemben me pasuritë e tyre, sepse nuk do të ketë kush t’i pasurojë më. Sepse janë dhe idiotë të lindur, duke besuar se mund të përdorin si skllevër gjatë gjithë kohës një popull "qorr" që shikon, por akoma nuk do të shohë qartësisht. Po pra që nuk do. Një shoqëri të verbërish që vazhdon të mbajnë në këmbë klika dhe jo elita politike. Që mban në këmbë, po të njëjtit uzurpatorë pushtetesh prej tre dekadash. Po ata lloj njerëzish, ato fytyra dhe ata lloj monstrash pushteti korruptiv. E si mund të jetë vetëm faji i tyre, kur ato nga kjo shoqëri dalin dhe këtë lloj shoqërie përdorin për të mbajtur pushtetin. Edhe sot po të njëjtët janë në mos më të këqij. Tallen me anën e drejtësisë së tyre në kurrizin tonë prej vitesh, tallen me varfërinë tonë kur jemi vendi më i pasur i rajonit me resurse dhe tallen duke na konsideruar thjesht bagëti, që kemi nevojë për të na futur brenda një "grazhdi" duke na mohuar dhe lirinë. Janë pasuruar sa nuk ka më shumë dhe ne nuk duam ta shikojmë realisht dhe pse rrimë rrimë dhe e hamë nga një "M" duke e përmendur pasurinë e tyre në FB. Kjo shoqëri ka ndërtuar një shtet klikash të pashpirt. Martin Luter King thotë kështu: Mëshira është më shumë se sa ti hedhësh një monedhë lypsarit. Mëshira është të kuptosh se një "ndërtesë" që prodhon lypsarë ka nevojë për ristrukturim të plotë. E sigurisht shteti ynë prodhon lypsa dhe është lypës dhe vetë në shërbim të korrupsionit të atyre që ne i kemi ngritur kaq lart me vota. Ne lypim ndihmë nga Europa, Amerika e gjithkush për gjithçka. Lypsarë qorra, që shikojmë dhe që në fund nuk duam të shikojmë qartë realitetin. Pastaj ata ose maskarenjtë pasurohen dhe ne vazhdojmë lypjen dhe fukarallëkun tonë të përjetshëm. Por John Fitzerald Kennedi thotë: Nëqoftëse një shoqëri e lirë, nuk mund të ndihmojë të shumtët që janë të varfër, është e sigurtë që nuk i shpëton dot as të pasurit e paktë të saj. E sigurisht që ka të drejtë. Në këtë vend, nuk ndjehen mirë as të pasurit e vërtetë dhe jetojnë mirë vetëm dy shtresa: grabitësit politikë dhe ata ordinerë ose brigandët e rrugës. Jo nuk jetojnë mirë dhe ata të pasur që mbahen me anën e prodhimit dhe punës normale. Vetëm plehrat e korrupsionit dhe politika, kanë parajsën në vendin e " të verbërve që shikojnë", por që realisht nuk duan të shikojnë. Kjo e jona është çështje shoqërore dhe jo kaq shumë politike. Vetëm ndryshimi jonë shoqëror, i cili duhet të na detyrojë të shikojmë çfarë duhet parë - do të na largojë të tillë monstra mbi kryet tanë. Kjo klikë politike në përgjithësi duhet refuzuar. Ajo nuk duhet votuar. Nuk duhet fare i dali në votime i të tillë monstrave. Të tillë të korruptuar nuk mund të ndërtojnë asnjë sistem. As drejtësinë, as arsimin dhe as ekonominë. Të tillë monstra vetëm vjedhin. Ata nuk janë për pushtet, por për burg. Kur ta shikojë këtë gjë kjo shoqëri dhe reagojë atëherë mbase... Përndryshe do të shkojnë dhe shumë dekada të tjera me të tillë klika dhe njerëz të korrupsionit mbi krye.