BREAKING NEWS

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi zyrtar nga Policia shqiptare për sasinë rekord: Dorëzuam drogën

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi  zyrtar nga Policia
x

Opinion / Editorial

Kauzat e humbura opozitare, "shpresë-shuarja" e shoqërisë shqiptare!

Kauzat e humbura opozitare, "shpresë-shuarja" e

Një hipokrizi e madhe në kushtet e një vështirësie politike masive të krizës së besimit në Shqipëri ishte kur Lulzim Basha po bënte "shpresë plotin"! Po pra, kur po i thoshte "mos ik një personi që tashmë kishte humbur besimin dhe deklaronte ikjen, largimin nga vendi i tij"! Biles i thoshte të bashkohej me të dhe të bisedonte me të! Përveç se një hipokrizi e plotë ishte dhe një pa ndershmëri aspak elegante, kur pikërisht luhet tragjikomedia dhe grotesku i tillë në rrjetet sociale.

Lulzim Basha nuk kërkon të falur që ka dëshpëruar njerëzit dhe jo vetëm opozitën. Nuk kërkon jo vetëm të falur, por nuk nxjerr as konkluzionin e drejtë dhe të sinqertë se intelektualët dhe njerëzit ikin nga Shqipëria përveç arsyes së një pushtetërimi arrogant dhe të keq dhe nga arroganca e humbjes së kauzave nga Lulzim Basha dhe opozita e degraduar e tij politike. Sepse Lulzim Bashën e kanë edukuar " ish-komunistët e konvertuar në demokratë" pikërisht në PD, se kauzat e drejta dhe të qarta, janë vetëm të opozitës dhe militantëve të saj, por kryesisht të lidershipit politik që i shpik, i humb apo fiton.

Kreu i PD-së apo i opozitës shqiptare, nuk ka për të pranuar kurrë pjesën e fajit të madh që ka si opozita dhe ai vetë për largimin masiv të shqiptarëve nga ky vend i mrekullueshëm, por që nuk ju jep shpresë dhe i ka vënë me shpatulla për muri me arsyen e mos arsyes, që sjell arroganca si atyre në pushtet dhe atyre në opozitë me demokracinë në Shqipëri. Sepse kur kauzat i mban vetëm partia dhe militanti dhe nuk i përkrah, nuk i ndjek shoqëria, që nuk arrin pikërisht kauza të bëhet pjesë e kërkesës së shoqërisë - ato kthehen në "shpresëhumbje" fantastike dhe njerëzit nuk mendojnë asgjë tjetër po vetëm ikjen sa më parë nga ky vend. Këtë gjë, këtë të vërtetë madhështore nuk e kupton (nuk do) Lulzim Basha dhe të tjerët që në mënyrë të ndarë e ndjekin. Po, një palë se duan të përfitojnë dhe pala tjetër që nuk është aspak dakord me të, por nuk ka se çfarë bën më, kaq shumë i ka dalë boja. Të dy palët brenda një opozite dhe biles brenda Partisë Demokratike.

Zëri që thotë mos u merrni me opozitën, por me qeverisjen e Ramës është zëri më mbrojtës i interesave të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë dhe sundimit të tij politik, tashmë i barabartë për nga kohëzgjatja dhe po afrohet dhe për nga zullumet me Sali Berishën. Sigurisht dallimi është te egërsia e jashtëzakonshme folklorike e doktorit dhe fajet Gërdec dhe 21 Janar. Por korrupsioni, mitomania pushtetërore, raporti përmbys me demokracinë e brendshme dhe atë në qeverisje, pakënaqësia e madhe e shoqërisë për pritshmërinë për reformat dhe hapat si në vend edhe pas në arsim, shëndetësi, administratë apo dhe aferat e mëdha tenderiste dhe PPP-të sot.

Mendimi i tillë (se kauza e humbur opozitare është shpresë-humbje e shoqërisë) sulmohet dhe anatemohet nga ata që e realizojnë si kod i marrëveshjes së poshtër për të bashkëqeverisur në dëm të shoqërisë. Nuk kam ndërmend të përmend kauzat e humbura të Lulzim Bashës dhe opozitës së tij që në çdo dy ditë thoshte është dita e fundit e Ramës, por po përmend një nga mashtrimet dhe gënjeshtrat e jashtëzakonshme që kishte emrin - Republika e Re. Vetëm kjo duhet ta bënte Lulzim Bashën të dilte njëherë të vetme para pasqyrës dhe të thoshte - sa jam shëmtuar! Të thoshte se "nuk janë të gjithë idiotë që të më besojnë më. Se nuk janë të gjithë servilë dhe militantë punësimi, që të më vijnë pas! Se nuk janë të gjithë "kafshë" ( pa të keqen e kafshëve) që të mos kuptojnë se "ai" (Basha) vjen një ditë dhe bën një pakt me Ramën dhe pastaj të gjitha kauzat, përpjekjet dhe rrënimet apo zvarritjet në protesta, shkojnë në, me nder jush - hale të gomarëve! Se duhet të bindesh që nuk janë të gjithë debilë që të mos kuptojnë, se ai përdor dhe njerëzit e opozitës së vogël (aleatët), të cilët i mban për poste dhe kandidime nesër, por që ju shëmton kauzën dhe jua degradon atë menjëherë, sa bie dakord si ballas dhe nën të, me Ramën. Se është e qartë për të gjithë se dhe kur çohen kundër sistemit dhe qeverisjes, grupeve të tjera të sinqerta "ti dërgon emisarë" dhe pastaj shkon dhe vetë, për tju marrë kauzën dhe degraduar në një çështje politike tënden me Ramën, në diskutim dhe pastaj përdhunim të saj. Po pra si me studentët dhe teatrin!

Njeriu që ka humbur dhe keqpërdorur më shumë kauzat opozitare në Shqipëri është Lulzim Basha. Sigurisht nuk është fajtori më i madh në PD, sepse ai dihet kush është, por holandezi është personi që ka shembur kauzën e madhe të shoqërisë shqiptare. Sepse ai nuk lejon që kauza e opozitës të bëhet kauza e shoqërisë. Në sajë të këtij shërbimi të keq, anti demokraci që ka bërë kjo lloj mënyre e të bërit opozitë sot, kemi edhe një pushtet që nuk dëgjon nga asnjëri vesh dhe që mori të drejtën e "vetmisë" në pushtetërim për arsyen e degradimit të opozitës dhe daljes së saj nga Kuvendi. Ky ishte shërbimi i fundit që me urdhër delirant nga doktori, ju bë pushtetit të sotëm dhe këtë e pranoi dhe Lulzim Basha. Dolën në mënyrë të paturpshme nga sistemi.

E bota nuk jua pranoi as si veprim as si filozofi opozitare. Tani po tentojnë marrëveshje dhe nesër dhe ndonjë protestë të kotë dhe të turpshme, me një kauzë tjetër idiote për tu humbur. Ndërkohë kanë bërë gati një shtrembërim të ri zgjedhor dhe një demokraci të thyer të re, në bashkëpunim politik të degraduar imoral dhe amoral. E kjo është një fatkeqësi dhe këtë fatkeqësi pjesa më e madhe e shoqërisë e ka kuptuar - prandaj kërkon të largohet një ditë e më parë nga ky vend. Sepse ky vend tashmë për ato që kanë humbur shpresat, është pikërisht vendi i Lulzim Bashës dhe këtyre në pushtet për të bërë çfarë tju dojë trapi me demokracinë dhe shoqërinë.