BREAKING NEWS

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që të inkriminuarit të lihen jashtë zgjedhjeve, pritet ndryshim rrënjësor në Parlament

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që
x

Opinion / Editorial

Kauzat tri dimensionale opozitare, tërmet, pandemi, shi!

Kauzat tri dimensionale opozitare, tërmet, pandemi, shi!

 Prej më shumë se një viti e gjithë opozita, pa përjashtuar edhe institucionin e Presidencës, median në krah të opozitës, analistët e opinionistët që flasin me të njëjtën gjuhë dhe nuk ndryshojnë kurrë argumentat, e kanë të drejtuar shënjestrën mbi të njëjtën tabelë, janë pozicionuar fortë në tri kauza madhore, të cilat i kanë shëndëruar në menunë e tyre politike në betejën anti mazhorancë. Në realitet, si në çdo shoqëri njerëzore në të gjitha sistemet demokratike, opozita ka të njëjtin mision. Të zhvillojë luftë demokratike me pushtetin dhe të arrijë të realizojë objektivin e vet për të marrë qeverinë dhe nga opozitë të bëhet mazhorancë. Kjo është loja e demokracisë! Po për t`ia arritur këtij objektivi, opozita normale shfrytëzon gjithçka të ligjshme, fenomenet shoqërore, korrupsionin shtetëror, skandalet e ministrave, dobësitë në ekonomi, mungesën e progresit dhe ecjes përpara. Kështu veprohet në të gjitha vendet, ku beteja pozitë-opozitë, zhvillohet në kornizat e demokracisë dhe nuk përdoren artifica e shkaqe inegzistente aq më pak metoda të dhunshme që aq shumë kemi provuar në shqiptarët në këto tri dekada, ku gati çdo vit jemi ndeshur me veprime të dhunshme të cilat krerët e opozitës, organizatorët dhe përgjegjësit i konsiderojnë si demokraci në veprim. Në realitet, veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë dhe janë jo vetëm anti demokratike, po edhe anti sistem dhe bien ndesh me rendin kushtetues dhe rregullat me të cilat funksionon demokracia që përpiqemi të instalojmë në Shqipëri. Në kuadër të betejës opozitare, janë të shumtat kauzat që mund të ndërmerren dhe të kthehen në faktorë të rëndësishëm për të zhvilluar debate e për të ndërmarrë aksione me vlera për të shtuar aksesin politik të opozitës dhe për ta afruar me pushtetin. Po këtu në vendin tonë mbetet një iluzion pasi forcat politike në opozitë nuk i referohen fenomeneve shoqërore, atyre që në realitet janë arsye të mjaftueshme për të zhvilluar luftën politike, po u drejtohen vetëm fenomeneve natyrore, atyre që nuk varen as nga qeveria e njerëzia as nga opozita, po vijnë nga perëndia. Është punë tjetër si menaxhohen dhe nëse qeveria është efikase në ndryshimin dhe zgjidhjet më racionale. Kjo është një temë tjetër, ku ka vend për të bërë politikë dhe zhvilluar aksione me vlerë të dyanshme, si për pozitën aq më shumë për opozitën në strategjinë e saj për të përmbysur me votë mazhorancën dhe marrë pushtetin. Po si vepron opozita jonë dhe sa racionale është në nismat dhe luftën që zhvillon kundër mazhorancës dhe Edi Ramës? Është vërtet paradoksale se si fenomenet natyrore, fatkeqësitë që vijnë, jo nga shoqëria dhe qeveria, po nga natyra të cilat kanë përmasa mbarëkombëtare, janë kthyer në kauzat më të rëndësishme të liderëve tanë në opozitë. Nëse dëgjon qoftë edhe për pak minuta ligjërimet e Lulzim Bashës, Gaz Bardhit, Berishës, Kryemadhit, Mediut deri tek Nard Ndoka, shikon se si shfrytëzohen fatkeqësitë natyrore, të cilat as i organizon qeveria as i ndalon dot opozita me gjithë vullnetin që mund të kenë. Pas tërmetit të nëntorit 2019 e gjithë opozita iu bashkua korit të sulmeve se qeveria shkaktoi vdekjen e më shumë se pesëdhjetë qytetarëve, se ishte neglizhenca e qeverisë që vdiqën bashkombasit tanë nën rrënojat e tërmetit shkatërrimtar. Me këtë logjikë, opozita fajësoi qeverinë dhe kryeministrin se nuk ndalën tërmetin dhe nuk ishin në gjendje të parandalonin katastrofën që shkaktoi tërmeti. Se nuk ndihmuan popullin në këtë fatkeqësi të jashtëzakonshme. Se nuk e menaxhuan situatën post tërmetit. Po realiteti flet ndryshe. Brenda një kohë shumë të shkurtër në Shqipëri u mobilizuan tërë resurset dhe masat për t`i dalë të keqes përballë. Strukturat e emergjencave civile, policia, ushtria, mjetet e shumta, vullnetarët nga e gjithë Shqipëria u vunë në resht për të ndihmuar të dëmtuarit, ata që kishin humbur të afërmit, po edhe ata që kishin ngelur në qiell të hapur. Brenda një kohe shumë të shkurtër në vendin tonë mbërritën ekipet e shpëtimit që kontribuan për shpëtimin e jetëve të bashkatdhetarëve tanë. Shteti u ngrit në këmbë dhe mobilizoi tërë resurset, duke garantuar strehim dhe ushqim. Menjëherë filloi bonusi i qerasë për secilin banor të dëmtuar. Për një kohë të shkurtër vendet e Europës dhe më gjerë, organizuan me kërkesë të shtetit shqiptar konferencën e donatorëve, të cilët dhuruan ose dhanë hua në miliardë e dyqind milionë euro, të cilat do i shërbejnë strehimit dhe infrastrukturës së shkatërruar. Shteti vuri në dispozicion të strehimit dhe rindërtimit më shumë se dyqind milionë euro dhe nisi rehabilitimi dhe ndërtimi i banesave individuale apo pallateve, ku do strehohen banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti shkatërrimtar. Përditë, familje të mbetura pa strehë hynë në shtëpitë e reja të sapondërtuara, u jepen çelësat në dorë. Të tjerët janë në pritje të zgjidhjeve. Shteti realisht është në aksion për t`ia mbërritur që asnjë banor të mos mbetet i pastrehuar dhe pa shtëpi. Po në kundërshtim me këto përpjekje, liderët e opozitës, kanë një mision tjetër. Atë të diskreditimit të punës dhe masave të marra nga shteti për të përballuar vështirësitë që u krijuan nga tërmeti apokaliptik i nëntorit 2019. Për ta ka vetëm një gjykim. Një akuzë. Qeveria i ka lënë në mëshirë të fatit banorët! Nuk ka bërë asgjë! Bën vetëm propagandë e akuza pa fund, të cilat janë për konsum politik dhe vetëm zbehin punën nga institucionet pushteti lokal e ai qendror. Përditë dëgjon një akuzë të re. Hidhet baltë dhe cilido që vë një tullë apo dorëzon një banesë për familjet e mbetura pa strehë, për korrupsion. Të gjithë ata që punojnë shpallen fajtorë, të korruptuar, të padobishëm. Vetëm akuzuesit opozitarë mburren se punojnë për të mirën e banorëve. Vetëm ata janë pranë tyre e broçkulla që hidhen në opinionin e gjerë shoqëror, vetëm për të shpërndarë tymnaja e bërë zhurmë për të fituar ca vota. Po pas tërmetit, një dhuratë tjetër i erdhi nga qielli opozitës. Pandemia. Virusi vdekjeprurës. Sapo mbërriti rasti i parë, i infektuari numër një, u çel një front i ri. Më i vlerësuari nga opozita. Nisi aksioni i luftës me qeverinë për pandeminë. Gjatë këtij viti, kemi dëgjuar akuza të përbindshme. Anatemime skandaloze. Është ngritur zëri në qiell në emër të betejës anti kovid. Qëllimi? Demaskimi i qeverisë. Hedhja baltë mbi tërë ata që merren me organizmin e punës për përballimin e virusit. Mjekët. Komitetit teknik të ekspertëve. Të gjithë janë vënë në shënjestër dhe qëllohen nga të gjitha anët. Një dhuratë tjetër që zbriti nga qielli dhe u bë hit për opozitën tonë. Nga dita e parë deri sot, janë hedhur në opinion qindra variante dhe është zhurmuar për mungesë masash për abuzime e korrupsion. Kulmi u arrit këto ditë sapo në Shqipëri nisi vaksinimi. Të parët e nisën luftën krerët e PD. Paloka e quajti vaksinën, shpim i disa militantëve për hir të propagandës. Shefi i Kabinetit të Presidentit, profesori i veterinarisë, Panariti, e cilësoi absurd fshehjen e origjinës së shtetit dhurues! Ai shprehu shqetësimi se ishte e blerë apo dhuratë vaksina! Ishte e firmës reale apo ndonjë imitacion sepse sipas tij vaksina është shumë delikate. Opozita ngriti në qiell flamurin e kuq kundër përpjekjeve të qeverisë për të siguruar në kohë vaksinën, e cila realisht ishte një përpjekje serioze e qeverisë dhe një zgjidhje e shumëpritur. Me të vërtetë, Shqipëria pas kësaj arritjeje buzëqesh, sepse më në fund edhe në vendin tonë nisi vaksinimi kundër virusit vdekjeprurës. Çdo opozitë në botë më e pakta do heshtte, më e shumta do i bashkohej vlerësimit popullor. Po jo! Kauza e pandemisë nuk ia lejon. Nuk u mjaftua me kaq. Reshjet e shumta të këtyre ditëve të fillim janarit u shoqëruan me përmbytje të shumta në disa nga trevat e vendit që nga Shkodra deri në Vlorë. Përmbytjet janë një fenomen i përsëritur. Po shirat e shumtë nuk janë dhurata e qeverisë, po të perëndisë. Realisht, përmbytjet e këtij viti, falë investimeve në kullim e masat e sigurimit të argjinaturave dhe pritave malore, si dhe kontrolli në kaskadën e hidrocentraleve mbi Drin, ishin me efekte më të ulta. Po pikërisht, shiu u kthye në një kauzë të re. E treta e vërteta e opozitës. Nisi propaganda. U shanë investimet. Vërshuan fjalimet më shumë se përmbytjet. Përpjekjet e shtetit u zeruan. Në cepat e urave dhe argjinaturave, Basha, Monika e të tjerët nisën ligjëratat kundër qeverisë. Shiu u shndërrua në një akuzë të rëndë anti qeveri. Ishte i treti në radhë dhe më i vlerësuari sepse erdhi tani në prag zgjedhjesh. Dhe opozita e lumturuar, luan me fatkeqësitë, duke zhvilluar një betejë tri dimensionale anti qeveri. E para me tërmet, e dyta me pandemi. Dhe e treta me shumë shi! Kauza brilante apo jo?! Dhe të gjithë pyesin: Cila do jetë kauza opozitare e radhës? Do zoti të jetë një madhore si këto?!