BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Kazani i koalicioneve opozitare po zien

Kazani i koalicioneve opozitare po zien

Zhurmënaja mes kampit të majtë dhe të djathtë është ndezur mediatikisht dhe intensiteti i saj vjen duke u rritur përballë pragmatizmit dhe interesave klanore brenda të njëjtës familje. Opozita e ashtuquajtur e djathtë, ka bërë aleanca me satelitet e vetë në mënyrë preferenciale, ku kryetarët e partiçkave parazitare ndihen të kënaqur se kanë gjetur vend në listën e Partisë Demokratike, për të qenë pjesëmarrës në Parlamentin e ardhshëm. Merita e Partisë Demokratike, që shndrit në horizontin politik si një risi që theu tabutë e mëparshme, është se ka bërë bashkë partinë e çamëve të Idrizit, me partinë e minoritetit grek të Dules. Ky koalicion që po zien prej muajsh, arriti të konfirmojë se në Parlamentin e ardhshëm nuk do na mungojnë liderët “karizmatikë” të partiçkave, me kryetar pa anëtar. Këto prurje në parlament, ligjërojnë statuskuonë e mëparshme, se parlamentit të ri, nuk do t’i mungojnë as në të ardhmen parazitët dhe mediokrit, që i kanë zënë frymën në historinë postkomuniste. Shqipëria ka “fatin” e mirë që të ketë 140 deputetë në Parlament, që u japin mundësinë liderëve të partive kryesore që të bëjnë qoka me parti pa identitet, parti parazitare, që kanë 30 vjet që u janë ngjitur për trupi si shushunja partive kryesore, sa djathtas-majtas. Ky është një abuzim klasik, që spekulohet me pluralizmin politik, duke mbajtur në këmbë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kufoma politike për efekte elektorale dhe mediatike. Është rasti më oportun, që pas tre dekadash, kjo qerre që tërhiqet nga liderët e të djathtës, apo të majtës, ta ndërpresë rrugëtimin e saj parazitar dhe të shkojë për skrap dhe jo të vegjetojë prapë. Kjo do realizohej po të evitoheshin koalicionet parazgjedhore, ku secila parti të dilte me siglën e saj dhe po të konfirmohej në zgjedhje, kishte të drejtë të bënte aleanca paszgjedhore, sa majtas-djathtas. Me koalicionet parazgjedhore që bëri Partia Demokratike, duke i vendosur kryetarët e partive aleate në lista me prioritet në vende që janë të sigurta se do mandatohen më 25 Prill, jemi të kërcënuar që dhe ky Parlament të mbushet me mostrat relike, nga partitë “mike”. Partia Demokratike, me këtë marrëveshje kompromisi, do sjellë në Parlament ata liderë kukulla, që kishte kur ishte në pushtet për tetë vjet. Ndërsa te Partia Socialiste po ndodh një fenomen tjetër, që ka të bëjë me mbushjen e “rezervuarit” të saj me erozionin që ikin nga LSI-ja, ose ndonjë partie tjetër që prek çdo spektër të politikës. Lëvizje elektronesh politike sa te njëra parti te tjetra, në pragfushatat zgjedhore ka pasur dhe në zgjedhjet e kaluara, të etiketuar si një proces refleksioni, kurthi, korrupsioni elektoral, trafikim politik etj. Partitë e këtij spektri po garojnë me histerizëm të shfrenuar, nën siglën e sensacioneve kush të hedhë në treg më shumë viktima të politikës, brenda familjes së të njëjtit lloj. Në lajmet ditore në televizione, apo në shtypin periodik, jemi prezantuar me emra ish-deputetësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim, veçanërisht në Qarkun e Beratit, që kanë bërë divorc me LSI-në dhe kanë kaluar te Partia Socialiste. Këto deviacione nuk janë një risi në politikën shqiptare dhe nuk e kanë pasuruar tregun e politikës me dukuri të reja, pasi janë të njohura në të gjitha garat elektorale. Ky veprim, u komentua si në rrethet mediatike, ashtu edhe në ato politike, si të ishte shkëputur një meteor nga galaktika politike, që rrezikonte të binte në ndonjë planet tjetër politik dhe ta digjte atë. Por mesa duket loja nuk mbaron me kaq. Të gjithë lumenjtë që po dalin nga shtrati nga shirat e rrëmbyeshëm të politikës, derdhen në “Detin e Kuq” të Partisë Socialiste. Në këtë lojë politike ka batica e zbatica, që janë kthyer në zbavitje të ditës. Papritmas dëgjojmë, se një këshilltar i Partisë Socialiste i Bashkisë së Kuçovës ka kaluar te LSI-ja. Dhe sipas gjasave, kjo komedi jetëgjatë do vazhdojë. Te ky fenomen, unë nuk shoh asgjë për t’u befasuar, shqetësuar apo dramatizuar. Askush nuk mund të ndryshojë individualitetin, karakterin, moralin, cilësitë intelektuale, temperamentin, pamjen, sjelljen e tij, për hir të politikës. Ndaj kur denoncojmë dikë në tërë qenien e vet, nuk mund ta shohim me mentalitetin e dikurshëm si devijator, tradhtar, spekulativ. Duke jetuar në një shoqëri pluraliste mes njerëzve me cilësi dhe individualitete të ndryshme, duhet t’i pranojmë dhe vlerësojmë me të mirat dhe të këqijat e tyre. Në demokraci ka një klimë të favorshme, ku lulëzojnë mendimet ndryshe dhe kundërshti parimore. Mirëpo, në demokraci të pacivilizuara si kjo e jona, ndodh që të paraprijnë mendime të mbrapshta, egoiste, denigruese, perverse dhe shkatërruese për shoqërinë. Ndodh që në një arë të mbjellë me grurë, shohim të mbijnë shumë barna të këqija, që po të mos ndërhyjmë t’i heqim, ato i zënë frymën grurit dhe në vend të grurit, korrim egjër. Këtu dalin në pah potencialet shoqërore dhe morali i saj. Lëvizjet, janë gjeneratori i funksionimit të demokracisë. Në monizëm, vdisje me idealin e një partie në gji. Në rast se partia ku militon, tradhton idealin, interesat, programin që individë të caktuar e kanë zgjedhur, përse u dashka që të flijohesh pas orgjive të një klase politike, që uzurpojnë grupe të ndryshme shoqërore të quajtura parti. Megjithatë, në koshiencë time, unë jam me mendimin se partia s’është as prind t’i falësh mëkatet, as fëmijë t’i falësh çapkënllëqet, as rini t’i falësh aventurat. Kur të cenohen idealet, interesat, programi, mund të ndryshosh rrugë. Militantizmi nuk është tabu e përjetshme. Zhvillimet e ndryshme politike, kanë konceptime dinamike. Kur timonieri i një subjekti politik ndryshon drejtimin, ecën në kah të kundërt të bindjeve dhe moralit tënd, nuk është e thënë që të udhëtosh në kabinën e tij. Lëvizja e politikanëve në një shoqëri demokratike është normale dhe s’ka vend për sensacione e zhurmë mediatike. Për analogji, megjithëse jo adekuate, më kujton vargun e Lasgush Poradecit, te “Vallja e yjeve”, ku thotë: “Venë e vijnë, e venë prapë…”. Krijimi i partive të reja siç ndodhi dhe te Partia Demokratike, janë të mirëpritura kur sjellin frymë, programe dhe ide progresive për shoqërinë. Kur ato krijohen për kapriço, interesa meskine dhe ego personale, apo luftë gjelash, e dëmtojnë demokracinë dhe frenojnë zhvillimin e saj të shëndetshëm. Politikë të kulluar, s’mund të gjejmë as në demokracitë më të përparuara të botës. Në tërësi politika është një përzierje, shartim mes idealizmit dhe realizmit. Në qoftë se njëri nga këta elementë bëhet mbizotërues, praktika ka treguar se prishen raportet komunikuese. Kur teprohet idealizmi, është i destinuar të eliminohet realizmi dhe anasjelltas. Për rrjedhojë, një politikë e tillë është e destinuar të dështojë. Kur ka një klasë politike pak a shumë të ngjizur, në çdo sistem politik duhet respektuar mendimi ndryshe. Në universin e politikës shqiptare, filozofia politike shtrembërohet fillimisht nga një realizëm i tepruar dhe më pastaj nga një moralizëm i tepruar. Bashkëjetesa midis reales dhe ideales, është element domosdoshmërisht i pranueshëm brenda një familje politike, apo edhe kampeve të kundërta në një demokraci të përparuar.