Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Keqardhje e paralajmëruar dhe ndonjë ngazëllim i shfrenuar!

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarëve. Edhe sivjet, shtyj e shtyj në kalendat greke dhe përfundimi: zero me bisht, hiç thotë populli. Pra nuk na u hapën negociatat për të hyrë në Europë. Tridhjetë vjet nuk janë aq pak për t'u provuar t'i bashkoheshim familjes europiane, së cilës po i lëkunden themelet nga vetvetja dhe ndoshta dhe ata vetë (që janë anëtarë të Bashkimit Europian) nuk e dinë ecurinë e ngrehinës së tyre për konfederatën që pretendojnë për të arritur një ditë! Po si kudo në pah del politika me dy krahët e saj, që qeveris vendin tonë, me vite gati të barabarta në këto tri dekada e gjithmonë gjejnë një shkak apo arsye prej "kungulleshke" për t'ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Po më mirë do të ishte që, pikësëpari, të mendojmë për çka na takon neve. A e meritojmë plotësisht të hyjmë në Europë tani për tani? Le të mos hamendësojmë, por më mirë do të ishte që të flasim sa më konkretisht për hallet, shqetësimet apo vështirësitë tona. Në sferën politike, ku vetë aktorët e saj, flasin vetëm teorikisht, se janë dakord të bashkëpunojnë në tavolina të përbashkëta, por kur vjen puna në praktikë bëjnë veprime të pamenduara, luftë të ashpër midis grupeve vend e pa vend dhe nxjerrin "bishta" e "vjega" ku varin teoritë e tyre sa shterpë edhe djallëzore. Dhe vazhdon përballja e rreptë ndërmjet dy fronteve ndërluftuese, paçka se në fund humbësi dihet, ajo është veç një: Shqipëria jonë e drobitur, dhembjemadhe! Partitë, si patëkeq, i kërcasin dhëmbët shoqja-shoqes si "ujku" ndaj "deles". Asnjëra nuk mendon për interesat e vendit e në raste të tilla si kjo e këtyre ditëve të negocimit për t'u pranuar në Europë, nuk bashkohen, nuk lëshojnë pè. Secila palë mendon për karrigen pushtetore, mbas së cilës rrjedhin privilegjet e miliardat. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet rigjiditeti apo kokëmushkësia e atyre që kanë fatet tona në dorë dhe as që mendojnë të lëvizin nga "istikami" i tyre, i cili tekefundit është ndërtuar me rërë... Në sferën ekonomike: si është e mundur si sot edhe dje, ekonomia nuk jep shenja të dukshme përmirësimi. Njerëzit e thjeshtë po varfërohen edhe më shumë. Lëmoshëtarët në rrugë që zgjatin duart thatanike apo skeletike në çdo kthesë rruge apo vendesh më të populluara i kemi me tepri. Një mjerim i paparë migjenian. Njerëz që i gjen "të punësuar" klubeve të mbirë si kërpudhat. Dhe s'janë të paktë ata që largohen nga Shqipëria pa kthyer kokën pas, të mërzitur e të depresionuar. Mbase nuk ka ndodhur kështu, as mbas vdekjes së Skënderbeut, që asohere ishin të detyruar të bënin atë veprim, prej trysnisë dhe hakmarrjes së sulltanëve të pashpirt. Dhe sa pensione, ndihmë sociale e deri paga të të punësuarve, jo të atij rrafshi që i kërkon Europa (për mos të thënë shpesh të papërfillshme dhe as për minimum jetik) aplikohen tek ne?! Ndërkohë që pasuria përqendrohet në pak duar të oligarkëve e politikanëve. Tjetër problem mbetet sistemi juridik me gjykatoret tona të shkallëshkallshme, që tek ne paskëshin bërë namin e për çudinë tonë nuk japin qëllimisht drejtësi, vetëm e vetëm që halletarët të detyroheshin të paguanin shuma të stërmajme. Kjo katrahurë në shoqëri solli çoroditje masive, depresion mendor, vrasje e vetvrasje, të cilat po vazhdojnë edhe sot që duam të trokasim në dyert e Europës. Pronat në këtë sistem gjyqësor janë bërë një gangrenë për të ardhur keq, për të vënë duart në kokë. Jeta ndaj bëhet e padurueshme, vetëgjyqësia dhe hakmarrja primitive doli në skenë. Një numër gjykatësish u dorëzuan, të tjerë u palosën apo u "sëmurën" nga vetingu (i cili duhet të ecë me ritme më të shpejta). Shumë prej tyre ishin të superpasuruar dhe nuk vepruan sipas atyre kodeve dhe Kushtetutës që mbajnë si reklamë mbi tavolinat e punës. Do të ishte i njëjti veprim sikur mjekët të mos diagnostikojnë sëmundjen dhe mandej sipas rastit të mjekojnë apo të operojnë të sëmurin. Mungesa e perspektivës, pesimizmi se ky vend nuk mund të bëhet, rroposi ndjenjën e punës së ndershme e të thjeshtë, sidomos në fshat e për rajone të tëra, të cilat po zbrazen dita-ditës. Mirë do të ishte të ndihmoheshin fshatarët e blegtorisë e të bujqësisë (së Naim Frashërit), me subvencionime të sigurta për të mos shkuar jashtë shtetit për të kryer punë më të rëndomta e për të ruajtur delet, lopët dhe derrat e të huajve... Zgjedhjet parlamentare dhe vendore bëhen jo siç i kërkon Europa e Kushtetuta me standarde, por secila parti dëshiron të dalë në krye. Popullit nuk i intereson personi apo partia, por përparimi i vendit rritja e mirëqenies, ecuria e përgjithshme pozitive drejt së ardhmes, garancia për të jetuar pa mëdyshje e normalisht në truallin e lindjes. Dhe dihet se gjithçka e mirë apo e keqe varet nga ai çast kur secili voton si njeri dhe pa trysni. Larg kërcënimeve, gjakosjeve, demagogjive sistematike, premtimeve false dhe gënjeshtrave të pafundme gjatë fushatave elektorale ta pabesueshme. Lëreni fëmijën të lindë vetë, pra natyralisht, e jo me atë operacionin e mirënjohur cezarian që kryhet vend e pa vend. Na mbeten politikanët derë më derë duke na kërkuar votat si bukën. Edhe lypsarët nuk na kërcëllitin në portë, të paktën, por siç theksuam më lart, i ndeshim në rrugë të dukshme e me lëvizje të pandërprera njerëzish. Garancia e jetës këtu, mund të them se në periudha të caktuara nuk vlen kurrgjë. Kjo ndodh edhe "falë" rrëmbimit të armëve e të armatosjes sidomos prej atyre që ishin kontingjent i krimit. E keqja të vjen nga nuk e pret: në shëtitore, në shtëpi, në shkollë, në kafene, në udhëtim e sipër, kudo e kurdoherë. Hashashizimi i vendit kishte marrë përmasa katastrofike, fenomenale dhe ende s'po i vihet frè. U helmuan njerëzit, burimet ujore, qumështi, tokat. Pale pastaj perimet e frutat e hormonizuara e të dezinfektuara me lëndë kimike të pakontrolluara dhe jo sipas normave shkencore europiane të paracaktuara. Dhe çuditemi pse janë shtuar obeziteti i frikshëm (edhe tek fëmijët e pafajshëm), sëmundjet e ndryshme tumorale, kardiake etj. etj.

Europa ka fajësitë e saj, çoroditjet dhe interesat e veta, por ne të kthejmë më mirë pasqyrën nga vetja jonë, për të parë bëmat, veprimet tona skandaloze, luftën e paprinciptë brenda llojit me çdo kusht për të qenë patjetër në krye të kuvendimit. Qysh ditët e para mbas zgjedhjeve, pala humbëse kërkon të përsëriten ato, kur mungon e ashtuquajtura infrastrukturë e tyre, duke folur kot më kot për Kod Zgjedhor e votim emigrantësh, a thua se këto do të na bien nga qielli e s'kemi patur kohë t'i kryenim! Po ashtu fjala reformë (në njëjës e shumës) na ka mbirë në buzë këto tridhjetë vjet, që jo pak veprime i bëjmë dhe i zhbëjmë, sipas interesave të çastit dhe atyre partiake e ne ngjajmë si të ishim Sizifë, me atë gurin e famshëm... Përsa i përket korrupsionit, ky ka hedhur rrënjë të hatashme kudo tek ne. Siç kemi mësuar nga librat, ai ekziston në çdo vend të botës, por brenda kufijve të tolerancës dhe kudo u luftuaka për ta zbutur. Por një personalitet i huaj është shprehur se korrupsioni në kapitalizëm është si vaji lubrifikues për makinat! Ec e gjeje dhe zotëroje të vërtetën e kësaj vorbulle që e quajmë ekonomi tregu e jo me emrin e përkitur kapitalizëm (ndërsa dyfjalëshi i këtushëm është element kryesor i këtij të fundit). Deri kur kështu, deri kur? Sot del Franca ("më çudit qëndrimi i Francës"- u shpreh dikur diplomati i shquar shqiptar ndër kohëra, Ismail Qemali) kundër negociatave, nesër një tjetër dhe sërish do të vazhdohet me 100 për qindëshin edhe atje në Këshillin e Europës dhe kësisoj na u dashka t'i përulemi njërit apo tjetrit shtet në orekset dhe shijet e tyre. Kështu ndodh edhe sot me Kosovën e po të ecet me logjikën e votimit, me përqindjen e mësipërme ajo e ka kaluar më shumë se gjysmën e anëtarëve të OKB-së), atëherë si zor do të jetë që ajo të bëhet anëtare e kësaj organizate botërore! Sa deziluzione (mendore), aritmi (kardiake), miopi (të syve) etj. ka kjo botë e trazuar dhe e shqetësuar, tek e cila ne po përpiqemi të hyjmë me të lutura (ndonëse praktikisht jemi brenda saj), nganjëherë me përkulje, me dreka e darka, me buzëqeshje të shtirura dhe me humbje dinjiteti e personaliteti të një kombi të tërë nëpërmjet atyre që na drejtojnë gjatë këtyre tridhjetë viteve...

Izet S. Çulli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/11/2019 - 20:43

Reforma në Drejtësi përpos çlirimit të drejtësisë nga turlilloj injorantësh, hajdutësh, sharlatanësh dhe dallkaukësh prokurorë e gjyqtarë, po çliron sistemin politik nga fara  e keqe që mund ti ketë rënë për hise

Postuar: 16/11/2019 - 07:21

Është një ulërimë e madhe, është një gjëmë pa përmasa, është një apokalips dhe përmbysje rrënjëso

Postuar: 16/11/2019 - 07:19

Mini-Shengeni Ballkanik midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë ka krijuar insinuata të ndryshme

Postuar: 16/11/2019 - 07:16

Situata e gjendjes së rënduar financiare në të cilën ndodhen shumica e bashkive të vendit kërkon

Postuar: 16/11/2019 - 07:13

Sigurisht që është e njohur me kohë batuta "zot më ruaj nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë&

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën bet

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve