BREAKING NEWS

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u anulua takimi me kryeministrin Albin Kurti

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u
x

Opinion / Editorial

Kërcënim mafioz, mblidh veten o i mjerë, e keqja të pret në derë!

Kërcënim mafioz, mblidh veten o i mjerë, e keqja të pret

Ligji anti-KÇK nuk është kundër të pasurve. As nuk synon të dëmtojë bizneset, ata që mbajnë mbi supe ekonominë tonë kombëtare. Biznesmenët që kanë punësuar një numër jashtëzakonisht të qytetarëve shqiptarë dhe i japin oksigjen ekonomisë kombëtare. Ata janë vlerë e padiskutueshme. Paguajnë miliona kontribute në fondet e pensioneve apo në investime të mëdha, në rrugë e fabrika, miniera e fshatra turistike nga jugu në veri. Janë individë shoqërorë të përkushtuar dhe admiruar për çka bëjnë. Deri ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë shpallej tutor dhe bashkëpronar e ortak me ata që cilësohen rëndom me përbuzje oligarkë të vendit dhe anatemohen pa përjashtim, duke i futur në të njëjtin thes, të pasuruarit në rrugë të mundimshme, duke u rropatur nëpër rrugët e botës dhe ato të vendit, me tatimorë, kontrollorë, taksidarë, zhvatës dhe burokracinë mbi supe për marrjen e shërbimeve në zyrat e taksave apo institucione të tjera, me të cilët i lidh biznesi. Brenda ditës, sa u anoncua ligji anti-KÇK, gramafonët ndërruan pllakën dhe nisën marshet funebër, keqndjellës, në një sulm të paprecedentë ndaj qeverisë, Kuvendit dhe iniciatorit të këtij ligji, kryeministrit. U bombardua në front nga të gjithë faktorët anti ligj të promovuar, që ka nisur nga zbatimi. Një stuhi e vërtetë mediatike, politike, lumë deklaratash, rrebeshe që zbresin nga qielli rrufetë e zjarrta, u hodhën e po hidhen përditë mbi Edi Ramën. Në shënjestër janë vënë të gjithë ministrat, policia, prokuroria, gjykatat. E tërë kjo betejë anatemimesh ka vetëm një shkak. Është pikërisht, prishja e qetësisë e të gjithë atyre që luten nga mëngjesi në mbrëmje që lufta antikorrupsion të sillet rrotull, të mbetet propagandë boshe, si shtjella në ujë, e mulliri i politikës të lëvizë rrotat e gurta në boshllëk, pa asnjë produkt. Shkurt të kenë në dorë një akuzë të fortë për ta përdorur në zgjedhjet që vijnë si kamxhik për ta demaskuar këtë qeveri e këtë kryeministër që la Shqipërinë nën diktaturën e korrupsionit. Të deklarojnë se u bashkua me bandat e hajdutët që vodhën e përlanë fondet publike. Ka kohë që u fryhet këtyre borive. Beteja e këtyre ditëve është shumëngjyrëshe e multi dimensionale nga pro KÇK-istët. Ka drejtuar shigjetat kundër nismës ligjore të qeverisë, e cila në aksionin më kurajoz në këto tri dekada, ndeshet me bajlozët që kanë pasuri më shumë se vetë shteti shqiptar. Në luftën më të re ajo që duhet ndarë, është seleksionimi ligjor, jo politik i atyre që e kanë bërë baltë dhe janë majmur me veprimtari anti ligjore, shfrytëzim të posteve publike, përfitime ekstra, vetëm se zotërojnë një firmë, një vulë, një post, me biznesmenët e ndershëm që djersinë për çdo qindarkë të fituar. Për çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi, pyetja që shtrohet me të drejtë është: Pse gjithë kjo luftë kundër një nisme që ka qëllim të mirë dhe është në drejtimin e duhur për t`i prerë rrugën korrupsionit dhe vjedhjes, shfrytëzimit të detyrës? Qytetari i zakonshëm çuditet me egërsimin e faktorëve të politikës dhe qindra analistë që bëjnë të njëjtën gjë në tërë emisionet nga mëngjesi në mbrëmje, atë të mallkimit e akuzave për një veprimtari që përshëndetet nga institucionet ndërkombëtare dhe më e rëndësishmja nga opinioni i gjerë shoqëror në Shqipëri. Pritej reagimi i ashpër nga liderët e PD, Basha, LSI, Kryemadhi, Berisha dhe së fundi që nga VOA në Washington nga i pari i shtetit, presidenti Ilir Meta, i cili hodhi akuza të rënda për përmbajtjen e ligjit, duke e cilësuar, si shkelje të të drejtave të njeriut, spostim të drejtësisë dhe marrje kompetencash nga kryeministri të institucioneve të tjera. Nëse ligji anti-KÇK, bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, e vetmja mundësi për t`i shpëtuar efekteve të tij negative, është dërgimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese apo atë administrative. Po asnjëri që akuzon ligjin nuk do të atakohet dhe nuk i drejtohet drejtësisë, se është vetëm propagandë, politikë e mirëfilltë për të goditur mazhorancën, thelbin e ligjit. Është përpjekje për t`u dukur bamirës me ata që janë target i ligjit, që i kanë vënë pasuritë, me vrasje, trafiqe, vjedhje, shfrytëzim prostitucioni, raste me të cilat njihemi përditë, jo vetëm për individë brenda vendit, po deri në shtetet më të largëta ku në çdo grup është patjetër një bashkëkombësi ynë. Nën shembullin e sulmit frontal të partive politike dhe institucioneve deri tek Presidenca, e shumë prej analistëve dhe opinionistëve që u dhemb sekuestrimi nga gjykatat e pasurive të paligjshme dhe përpjekja për të bërë të njohur identitetin se cila është zëdhënësja e forcës speciale që kryen këtë aksion dhe jo krimi dhe pasurimi prej tij, vërshojnë nëpër portale e gazeta në komente e deklarata nga podiumet e partive, anonim, sharlatanë, kritizerë të zinj, vrasës, pazaraxhinj,vrasës me pagesë, paralajmërime ogurzeza, të cilat shkojnë deri tek kërcënimet serioze për jetën edhe pse ambalazhuar me petkun e qarjes së hallit, si parimor, sikur duan të ruajnë kryeministrin e jetën e tij nga rreziku që i kanoset me prekjen e të fortëve dhe pasurisë së tyre. Ka një strategji në tërë këtë betejë. Është përpjekja për të denigruar iniciatorët për t`u dhënë atyre spektrin e fajësisë, paaftësisë, se janë ata dhe jo drejtësia që marrin vendime të tilla. Shkurt për të armiqësuar qeverinë me ata që bëhen subjekt i ligjit anti-KÇK dhe për t’i bërë aleatë pasanikët e krimit. Të gjithë në garë për tu vënë në krah të të goditurve nga ligji. Të çudit guximi i disave, që e paralajmërojnë hapur Kryeministrin, se duhet të mbledhë mendjen e kokës, se e keqja e pret dhe mund të bëhet pre e hakmarrjes të individëve që po u sekuestron pasuritë. Mafia flet me gjuhën e atyre që vranë Aldo Moron e Italisë, Ginxhiç e Serbisë… Dëgjoni Berishën që e trajton Ramën dhe e shikon fatin e tij me udhëheqësin e Bolivisë, duke e kërcënuar për herë të njëmijtë. Përpjekje për ta paraqitur ligjin si vullnet të një individi, Edi Ramës, është synimi të shantazhojnë Ramën, ta shkurajojnë, ta denigrojnë me kërcënime të sheqerosura, me propagandë se vetëm ai e do këtë ligj. Është ligj privat i tij. Sikur të ishte kreu i një klani dhe jo drejtuesi i ekzekutivit të ligjshëm që vepron me Kushtetutë. Dhe nga akuzues të mos luftimit të krimit e korrupsionit, këta ustallarë modernë, marrin përsipër të luajnë një lojë të ndyrë e keqdashëse. Po më shumë se ata, të dëshpëruarit dhe të trishtuarit e mëdhenj janë liderët e politikës, vendosur në një front fantazmash për të goditur qeverinë. Dihet se vendimet i merr gjykata, SPAK që ka rifilluar nga funksionimi. Askush nuk duhet të harrojë se SPAK ndaj edhe u krijua në zbatim të reformës në drejtësi. Kjo gjykatë nuk mund të qëndrojë në pritje dhe të kopjojë stilin e gjykatave të derisotme. Nëse SPAK nuk gjen prova dhe fakte, asnjëri nuk mund të goditet në pronë e vet. Ata ta gëzojnë e t’i shikojnë frytet. Këtu është fjala vetëm për ata që e kanë shkelur dhe bërë baltë tërë jetën me veprimet e tyre në kërkim të pasurimit të paligjshëm. Tërë mllefin me kryeministrin e Shqipërisë, sot faktorët anti qeveri, opozita në përgjithësi, liderët e saj e kanë drejtuar në një kahje. Është beteja, si një vektor force që synon t`i veshi tërë të zezat Ramës. Janë ata që deri dje u kanë fryrë borive për luftë të pamjaftueshme kundër korrupsionit dhe bandave të pasuruara në rrugë antiligjore. Bërtasin ata që betoheshin se sapo të vijnë në pushtet do i pijë e zeza, të gjithë ata që janë pasuruar me korrupsion. Po sot e hedhin vallen ndryshe. Për ta,veprimi është nul. Padrejtësisht, ata që akuzojnë, po edhe ata që paralajmërojnë të zezën, flisnin në emër të bosëve të krimit, mafies. Kush guxon t`i bëjë presion kryeministrit, politikanë e funksionarë, individë të botës së krimit, analistë, opinionistë e cilido tjetër, duhet ta mendojë mirë se edhe ata janë vetë target i ligjit anti-KÇK. Ndaj atyre që i bëjnë presion kryeministrit për të hequr dorë nga ligji, aksioni i ndërmarrë, të mbylli dosjet përvëluese, janë i njëjti kontingjent dhe më i keq se ata që pasurinë e kanë fituar me rrugë të paligjshme. Kërcënuesit me çdo status që zotërojnë dhe ata që paralajmërojnë me jetë kryeministrin, janë kasnecët e frontit të fshehur pas politikës dhe të inkurajuar prej saj. Shqiptarët duhet ta kuptojnë gjuhën e politikanëve tanë edhe pse fshihet pas gjuhës së Ezopit dhe ambalazhohen me pelerinën e demokracisë. Është koha të mbështetet kryeministri për atë që bën dhe drejtësia nga ata që paralajmërojnë atentate në emër të cënimit të pasurisë së krimit dhe individëve të etur për hakmarrje për të interesat e tyre pasurore, nëse nuk duam të shndërrohemi në vend- xhungël.