BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Kërcënime në pandemi, Tiranën do e bëjmë shkrumb e hi!

Kërcënime në pandemi, Tiranën do e bëjmë shkrumb e

Politika dhe analistët rreshtuar rreth saj, gjithnjë e më shumë, po marrin formën e kamxhikut që fshikullon, sa majtas djathtas, tërë ata që u zënë rrugën ose i pengojnë në ëndrrat për pushtet. Perceptimi, se fitues ose humbës, përcaktohet nga deklaratat e forta dhe kërcënimet, prej gangsterësh, po zënë ngadalë bashin e vendit dhe bien si rrebesh mbi kokat e shqiptarëve në këtë kohë pandemie globale e kombëtare. Në realitet, kërcënimeve të tilla, populli ua ka pirë lëngun. Nuk merren seriozisht. Përbuz njëlloj, si kërcënimet dhe kërcënuesit. Bile, këta të fundit, qesëndisen e përqeshen, iu përgjigjen me të njëjtën monedhë, kuptohet, jo me tërsëllima, fjalor banal dhe fyerje, si ustallarët e politikës edhe analistikës, po me sarkazëm që shqiptarët dinë të përdorin në kohën dhe vendin e duhur. Dëgjon, lexon, shikon në ekranet e televizioneve apo podiumet e selive të partive, zërat e çjerrë që frynë, si bori për kushtrim, si të na bënin thirrje për luftë dhe të rënqethet trupi, të hyjnë mornica edhe pas tri dekadave jetë në demokraci në kërkim të Shqipërisë, si gjithë Europa. Debati më i zjarrtë që shoqërohet me kërcënime hiperbolike, anatemime, akuza, mllefe, fyerje e sharje, këto ditë është, si do zhvillohen zgjedhjet e radhës? Me lista të mbyllura, si deri sot apo do bëhet refresh, si vite më parë në duele dyshe, tango klasike, mes të fortëve, të mençurve, profesorëve, biznesmenëve, xhepgrisurve e milionerëve që mund të bëjnë namin me pasuritë që zotërojnë?! Nëse kthehemi pas në vite të shkuara, të gjithë kemi memorizuar histori të trishta kur mes skuadrave dhe mbështetësve, pretendentëve për një vend të sigurtë në Kuvendin e Shqipërisë, zhvilloheshin duele dhe grindje, të cilat ta shpif nin dhe të bënin ta urreje me shpirt diktaturo-demokracinë. Me sa duket duelet dyshe do jenë si ato që shfaqeshin gjatë fushatës elektorale, ku ballë përball vendoseshin gladiatorët në arenën e njëzetë e tetë mijë kilometra katror. Nëse po, në dreq të venë listat e hapur. Debatet e sotme, u ngjajnë më së shumti betejave, ku shumë herë nuk ka munguar as gjaku, krismat, pa përmendur rrahjet, thyerjet e kafkave, brinjëve, zhdukjet pa nishan, djegiet e redaksive, nxirjen e jetës së atyre që zbrisnin në fushë betejë. Vetëm një shembull. Kandidati i socialistëve në Shijak në vitin 2005, sot agrarist në krah të Bashës, Agron Duka edhe pse ishte fitues i sigurtë, ngeli në pritat e atyre që shoqëronin kundërshtarin politik që kishte përballë. Ishte maturia e Dukës që sherret u shuan dhe gjakderdhja u mënjanua aq të forta ishin përplasjet mes palëve. Shembuj të tillë, i gjen në çdo zonë, ku përballeshin kandidatët për deputë, të cilët grumbullojnë rreth vetes të fortët, të shkathëtit, qëndrestarët, të pamposhturit, trimat që të marrin gjak në vetull. Le pastaj nëse kujtojmë zgjedhjet e 1996-ës, ku kutitë u mbushën të automatizuara dhe drejtuara nga një dorë e vetme në majë të piramidës së Presidencës. Socialistët me kryetarin, banor në Bënçë, i njohin shumë mirë tërë peripecitë që hoqën deri sa të arrinin në takime me elektoratin e tyre. Sa vezë, patate, domate, shishe e gurë, u hodhën mbi kokat e tyre nëpër takimet e spostuara larg qendrave të qyteteve, të cilat u shpallën për opozitën e kohës, zona të ndaluara, ekskluzivitet, vetëm për liderët politikë të pushtetit, të cilët i noterizuan sheshet qëndrore, si oborret e shtëpive të tyre, tokë e xanun. Po ajo periudhë u përket njëzetë viteve të shkuara. Mbi Shqipëri, kanë rrjedhur shumë ujëra. Shqiptarët kanë kaluar nëpër labirintet e demokracisë, duke u ushtruar në këtë shkollë të madhe përmes së cilës janë sot të vetëdijshëm për mënyrën si bëhet fushata, si votohet e numërohet, shpallen rezultatet dhe kur shkelen të drejtat e tyre në thyerje të ligjit dhe rregullave zgjedhore. Pikërisht, sot në kulmin e debatit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, e cila në realitet është një teke e opozitës zyrtare në Parlament, duke pasur në dorë çelësin e votimit ose jo-në për ligjin dhe reformën zgjedhore në tërësi, tundin kopaçen mbi të gjithë dhe ata kërcënojnë se nuk do japin votën për këtë reformë, do bojkotojnë, të bindur se listat e hapura u krijojnë shansin të kenë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Ende të paprovuar, pa ua njohur fuqinë, deputetët parlamentarë në opozitë, duan të tregojnë se kanë mekanizmin e artë të miratimit ose jo të reformës edhe pse përfaqësuesja e tyre në katërshen politike e ka dhënë ok-in dhe ka votuar pa kundërshtime. Po sot, situata është ndryshe. Duket se opozitarët zyrtarë, janë lëkundur, duken si të zgjuar pas një nate plot ëndrra me fitore, në ballafaqime të hapura. Ndoshta gjykojnë që janë të pandotur nga e kaluara. Nuk mbajnë kusure mbi shpinë. Janë të virgjër nga mëkatet e pushtetit, vjedhjet e korrupsioni apo më shumë se kaq. Forca që e gjykojnë veten, si progresiste, misionarë të ndryshimit. Në kushtet kur kryeministri, me përgjegjësinë si drejtues i ekzekutivit, rrufepritësi i tërë anatemimeve, problematikave që krijohen për gjithçka,veçanërisht në prag zgjedhjesh aq më tepër kur opozita ka shpallur triumfin, u takua me opozitarët me mandat deputeti të opozitës zyrtare. Kundërshtia e tyre për mosdhënie konsensusi edhe pse këtë e kanë bërë më parë me gojë e shkrim në ambasadën amerikane, u shoqërua me kërkesa taksative për lista të hapura dhe heqjen e koalicioneve. Ndryshe nuk ka votë pro reformës, kërcënojnë ata. Krahas zhurmës, se kjo është një manovër e kryeministrit Rama, lojë e tij e pandershme që ka kurdisur kukullat opozitare për të vënë në jetë interesat dhe strategjinë e tij. E thonë këtë në një kohë kur përmes zotit Çela, shpallën fundin e Ramës. Këtë e përforcoi edhe zoti Paloka! Në këto kushte, politika tredimensionale, ka ngritur tensionet edhe pse Rama deklaroi se asgjë nuk del përtej kornizës së marrëveshjes së shkruar në tokën amerikane dhe gjithçka do bëhet nëse arrihet dakordësi treshe, mes PD-së, koalicionit në opozitë dhe deputetëve të tyre në Kuvend. Rama deklaroi se nuk i cedon marrëveshjes me Bashën. I qëndron besnik dhe i palëkundur. Po nuk duhet harruar, se opozita e ikanakëve, ka vetëm fjalën. Votën e kanë ardhacakët e papranuar prej tyre. Ky është realiteti edhe pse i hidhur. Demokracia, është numra. Pikërisht në këtë situatë, janë ngritur zërat e analistëve që e gjykojnë veten, korife të së vërtetës, mjeshtra që i vënë vulën vendimmarrjes. Në emër të shefave të plotfuqishëm, me logjikën e tyre në mendje dhe shpirt, kërcënojnë për vënie zjarri dhe ndezjen e Tiranës flakë, në të cilën do të ngrohin duart ëndërrimtarët, ata që presin copa nga pasuria kombëtare dhe torta qeveritare. Tiranën e barazojnë me Beogradin. Shkojnë më tej. Tirana do ndizet më keq se vet kryeqyteti i Serbisë. Beogradi nuk është zgjedhur rastësisht. Atje pa praninë e opozitës, u zhvilluan zgjedhjet. U konsideruan të drejta, demokratike nga faktori ndërkombëtar. Paralelizmi Tiranë –Beograd nuk bie erë të mirë. Është paralelizëm i rrezikshëm pasi vendin tonë, përveç marrëdhënieve sipas konventave ndërkombëtare dhe marrëveshjeve bilaterale nuk e lidh as konstitucioni shpirtëror, asgjë tjetër. Analisto-politikët, zërat e çjerrë të atyre që kërcënojnë, duke menduar se kështu trembin shqiptarët, frikësojnë qeveritarët. Zëdhënësit mediatiko-politikë bëjnë tellallin, trumbetojnë zjarrin si zgjidhja më e mirë për t`i dhënë fund qeverisjes, zgjedhur me votën e popullit. Analisto-politikët që bëjnë parashikime ogurzeza, besoj se e kanë të freskët vitin e dhunës në Tiranë. U bënë përpjekje për ta bërë tym e flakë, shkrumb e hi. Nuk ia mbërritën. Në fund, të gjithë u ulën në tavolinë. Ndaj kërcënimet nuk kanë vlerë. As për atë që e thotë edhe ata që e nxisin në prapaskenë. Frika, është e panjohur për shqiptarët, jo tani në demokraci, po edhe në diktaturë. Kërcënimet për zjarrvënie, për shkrumb e hi, për rrafshimin e Tiranës dhe tërë Shqipërisë për të shndërruar atdheun tonë në tokë të djegur, si të ishin Neronët e shekullit njëzetë e një, më shumë kërkojnë t`i japin zemër zjarrvënësve, ëndërrimtarëve të pushtetit, se të realizojnë këtë makabritet. Shqiptarët nuk iu trembën tankeve të nazistë-fashistëve, atyre të diktaturës në vitin 1990 dhe sigurisht nuk i marrin seriozisht, zjarrvënien e zjarrvënësit që thërrasin për ndezje zjarresh. Kujtimet me zjarrvënie, ndezje, flakë, shkrumb e hi nuk frikësojnë asnjë. Aq me pak nuk trimërojnë kërcënuesin e ri!