BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Kërriçi nuk e mban dot peshën e gomarit

Kërriçi nuk e mban dot peshën e gomarit

E pyetën një filozof të mençur se ç’do të bënte ai kur ziheshin dy të zgjuar. Përgjigja: Dy të zgjuar nuk zihen kurrë. Pastaj e pyetën se ç’qëndrim do të mbante ai nëse zihej një i mençur dhe një budalla. Përgjigja: Do të qortoja të mençurin që nuk i hapi rrugën budallait. Dhe së fundi e pyetën se ç’qëndrim do të mbante ai nëse ziheshin dy budallenj. Përgjigja: Ishalla nuk jam aty pranë se nuk di kë të mbroj e kë të shaj. Por fatkeqësisht ne të gjithë shikuesit televiziv ishim dëshmitarë kur dy nga filozofët më të dëgjuar të brezit të ri u shanë live në praninë e Arian Çanit dhe jo për gjëra parimore, por thjesht personale. Akuzuan njëri-tjetrin për drejtim seksual kur ishin thirrur të jepnin mendim filozofike për politikën. Njëri akuzonte tjetrin se i punonte prapanica për ca punë jo të mira dhe tjetri se kundërshtarit nuk i punonin hallatet dhe se e shoqja kërkonte ndihmë nga shokët e vet. Të hysh të investigosh për të vërtetën e këtyre akuzave do të thotë të biesh në nivelin e tyre jo vetëm filozofik, por edhe njerëzor, shkurt të merresh me asgjë. Po fundja ç’na duhet ne të tjerëve se u punojnë apo jo veglat vetjake atyre të dyve? Ne na intereson emisioni, të dëgjojmë mendimet e tyre për pyetjet “plot domethënie” që përgatit Çani me këtë rast. Ah Cani, një “urith” i vërtetë mediatik që teksa i fut në ca labirinthe enigmatike të ftuarit, i lë pastaj të hanë kokën dhe të tregojnë të palarat e tyre. Atij i intereson vetëm audienca, paçka se është drejtues emisioni dhe ka për detyrë që kur ata e kalojnë cakun estetik duhet t’ua ndërpresë të folurën në mikrofon. Po tani ne e dimë se kush është Çani dhe kush janë orekset e tij: fton lesbike që puthen në buzë pa të keq, u bën edhe vetë llap ndonjëherë të ftuarave, lëpihet hapur dhe pa rezerva pas një ane të caktuar politike… Po të kthehemi tek protagonistët tanë: as adoleshentë dhe as në moshë të pjekur atyre iu dha mundësia përmes një ekrani që të tregonin jo thjesht se janë të zgjuar dhe kanë studiuar shumë, por edhe që t’u mësojnë të tjerëve gjëra që ata nuk i dinë dhe presin t’i dëgjojnë me kërshëri. Por ata as adoleshentë nuk u treguan sepse nuk u zunë me grushta (ah sa do t’i pëlqente Çanit kjo skenë) dhe as të mençur nuk u treguan se nuk e përmbajtën dot veten për të mos kaluar në ofendime personale. Njëri më i papërmbajtur se tjetri ata bënin akuza të ndërsjellta pa asnjë interes për shikuesin, madje vulgare. Jo vetëm kaq, por edhe në ajër, pa asnjë fakt. Nuk mund t’i thuash tjetrit se përdor prapanicën për ca veprime të turpshme pa i “mbajtur pishën”. Nuk mund t’i thuash tjetrit se shokët i kanë thënë që gruaja jote kërkonte ndihmë seksuale tek ata se atij vetë nuk i punonin allatet, pa patur një dëshmi qoftë edhe zanore nga të paktën një shokë. Janë akuza të rënda që do të fyenin gjithkënd, por edhe fakti që ata vazhduan bisedën sikur pak më parë kishin akuzuar njëri-tjetrin se thjesht kishin qëlluar me gurë kumbullat në oborrin e tjetrit e jo se kishin rënduar dinjitetin dhe personalitetin e tyre, tregoi se duan kohë të piqen. U mundua i ftuari tjetër Lapaj që të përmbaheshin dhe madje iu lut Çanit të mos i lejonte të vazhdonin grindjen si dy kaponj deti në prag të vitit të ri, por se dëgjoi njeri. Nga ana tjetër Gjekmarkaj që duhej të tregohej i prerë në qëndrimin e tij, nuk e mbante dot të qeshurën plot sarkazëm për atë që po ndodhte midis adoleshentëve. Ajo që bënte ai fliste shumë. Ajo për ata që kuptojnë do të thoshte që mos i promovoni kaq shumë si të mençur ata që nuk i kanë kaluar të 30, sado të kenë lexuar dhe mbajnë mend ca aksioma nga filozofët e vjetër grekë. Ata mund të jenë edhe enciklopedi në thënien përmendësh të këtyre aksiomave, por u mungon një universitet i tërë, “universiteti” i përvojës. Është ai “universitet” që nuk fitohet dot në auditore, por që është i barazvlefshëm në mos më i rëndësishëm se ai, që të mëson se kur dhe ku duhet ta thuash atë aksiomë që është shkollë për të tjerët dhe u shërben atyre. Është ai “universitet” që vetë këta filozofë që i kanë rezistuar shekujve e kanë mësuar në mes njerëzve të thjeshtë dhe që nuk është aq e kollajtë se të ishte ashtu, nuk do të numëroheshin këta filozofë me gishtat e dorës, por do të ishin me shumicë. Këtë universitet duhet të mësojnë këta çunakë që kur janë vetëm ligjërojnë pa limit dhe sapo përballen me një homolog kërcejnë si vaji në tigan kur piqen petullat dhe harrojnë misionin e tyre për të cilin kanë ardhur dhe janë ftuar në atë ekran. Skena që nuk mund të ndodhin midis dy filozofëve apo profesorëve të vërtetë. Se a mund të përfytyroni ju një kacafytje të tillë psh midis Paskal Milos dhe një homologu të tij (aman, vetëm M. M mos ma kujtoni se ai vërtet është profesor në universitet, por vetëm profesor në jetë nuk është) të ngjashëm në një debat televiziv? Kurrsesi jo, sepse filozofi apo profesori i vërtetë del në ekran të jap imazhe pozitive jo vetëm përmes fjalës, por edhe veprimit. Në rastin konkret unë mendoj se duhet menjëherë ndërhyrja e AMA jo thjesht në formën e censurës politike, por përmes rolit të saj për të penguar agravimin e ngjarjeve të turpshme në emisionin në fjalë, por që të bëhet mësim edhe për emisione të tjerë. Vërtet ne kërkojmë liri mendimi dhe fjale, por kurrsesi kjo liri nuk është pa limit dhe është pikërisht ky institucion që është postbllok në këtë limit. Nëse kjo AMA është e përgjumur atëherë duhet të veprojë institucioni epror që në këtë rast është Parlamenti që duhet t’ua fusë të dy këmbët në një këpucë edhe AMA-s edhe atyre që lejojnë emisione që nuk përcjellin edukim por ç’edukim.