Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Këshillat e punëtorëve dhe integrimi europian

Postuar: 10/11/2019 - 07:39

Pardje në hotel Rogner në Tiranë, dy fondacione nga më aktivet në fushën e të drejtave të punonjësve në Shqipëri, Fondacioni gjerman Fridriech Ebert dhe Fondacioni suedez Olof Palme International organizuan një tryezë diskutimi për dobinë e të paturit edhe në Shqipëri të strukturave përfaqësuese të punonjësve, që quhen Këshillat e Punëtorëve. Prezantuan eksperiencën gjermane dy përfaqësues të sindikatave dhe të lëvizjes sindikaliste në vendin më të fuqishëm të Europës. Modeli gjerman i këshillave të punonjësve funksionon më së miri. Për këtë shteti gjerman ka miratuar një ligj të veçantë. Ado Wilhelm, përfaqësues i Verdi (sindikatës gjermane të telekomunikacionit, sindikatës më të madhe në Europë me 2 milionë anëtarë), thotë se këshillat e punëtorëve janë ngritur edhe me mbështetjen e sindikatave. Pothuajse të gjithë anëtarët e këshillave janë anëtarë edhe të sindikatës së kompanisë ose sektorit përkatës. Ligji gjerman lejon organizimin e një këshilli për çdo ndërmarrje që ka më shumë se 20 punonjës. Këshillat, sado të vegjël të jenë, bashkëpunojnë me sindikatat e mëdha. U kërkojnë atyre ekspertë, sa herë të drejtat e punonjësve në kompanitë më të vogla shkelen. Nga ana tjetër, në Gjermani ka struktura që trajnojnë edhe anëtarët e këshillave për mënyrat se si mund t’i mbrojnë më mirë punonjësit e tyre. Susan Paeschke, drejtuesja e Qendrës “Puna dhe Jeta” merret pikërisht me trajnimin e anëtarëve të këshillave të punëtorëve. Ajo thotë se në Gjermani ka studio ligjore që punojnë vetëm për rastet e mbrojtjes së të drejtave të punonjësve. Qendra ka ndërmarrë trajnime të shumta për të aftësuar anëtarët e këshillave në punën negociuese, lobuese dhe në forcimin e pozicionit të këshillit në raport me drejtuesit e kompanisë, por edhe në procedurat për rastet e mbrojtjeve ligjore ndaj të drejtave të shkelura të punëtorëve, në rast se nuk realizohet dakordësimi me punëdhënësin për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Në këtë mënyrë krijohet sinergji dhe bashkëpunim jo vetëm mes këshillave të punëtorëve dhe sindikatave, por edhe mes vetë punëtorëve, që ndihen më të mbrojtur dhe të përfaqësuar. Punëdhënësit edhe ata nga kompanitë më të mëdha, janë të detyruar të dëgjojnë dhe bashkëpunojnë. Pse tek e fundit, është edhe në interes të tyre që punonjësit të ndihen mirë me ndërmarrjen dhe të rrisin rendimentin në punë. Shteti social gjerman i ka ngritur bazat ligjore dhe organizative për dialogun social dhe për mbrojtjen reale të punonjësve të tij. Këtë duhet të bëjmë edhe ne. Prandaj kemi në ndihmë dy struktura të njohura botërisht, që veprojnë me paratë e taksapaguesve gjermanë dhe suedezë. Është fat që i kemi, pse kanë qasjen e duhur dhe janë në gjendje të na ofrojnë eksperiencën dhe ekspertizën e duhur. Por gjithçka varet vetëm prej nesh. Duhet përgatitur ligji për këshillat e punonjësve. Ata nuk janë për t’u bërë karshillëk sindikatave që kemi. Në Gjermani, si sindikatat edhe këshillat e punonjësve bashkëpunojnë. Plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk ka vend për xhelozi apo konkurrencë. Këshillat duhen për të kontrolluar zbatimin e kontratave kolektive të punës. Që ato të mos mbeten vetëm në letër. Një sindikatë e madhe nuk e bën dot për ndërmarrjet e vogla apo të mesme me mbi 5 punonjës (çdo ndërmarrje sipas ligjit gjerman me mbi 5 punonjës mund të ketë dhe ka një përfaqësues të këshillit). Prandaj duhet këshilli i punonjësve. Tek ne këshilli mund të vlejë edhe për zbatimin e kontratave individuale të punës, për kompanitë shumë të vogla që kemi. Në Gjermani punonjësi ndihet i mbrojtur. Në Shqipëri jo. Tek ne kemi frymë sindikaliste. Lëvizje të mirëfilltë sindikaliste për fat të keq jo. Ajo fle gjumë ashtu e shpërndarë mes bashkimeve të vjetra sindikaliste, që u ka ngelur ora. Ndërkohë që sindikatat e reja janë të pakta dhe zëri i tyre mbetet ende i padëgjuar si duhet. Duhen bashkime të reja e të zhdërvjellëta. Bashkimi bën fuqinë. Këshillat e punonjësve mund ta luajnë më së miri këtë rol. Të sjellin bashkë sindikatat e reja me ato të vjetra që duan të kontribuojnë. Të prodhojnë dialogun e vërtetë social si tempull ku Kodi i Punës dhe kontrata kolektive e punës të jenë dokumenta të shenjta dhe të detyrueshme për t’u zbatuar, e jo letra për t’u mburrur kot se ke dialog social. Këshillat e punëtorëve mund të sjellin shpresë dhe nevojë reale për bashkim në lëvizjen tonë sindikaliste. Dhe me të drejta të punonjësve më të mbrojtura nga ky sistem dypalësh sindikata reale-këshilla të punëtorëve, mesazhi ndaj investuesve të huaj, në radhë të parë atyre gjermanë është i fortë. Ejani të investoni në Shqipëri, pse këtu të drejtat e punëtorëve mbrohen njësoj si në vendin tuaj! Dhe integrimi real europian është një ekonomi e rritur në mënyrë të qëndrueshme, nëpërmjet pranisë më të fuqishme të investimeve të huaja serioze, sikurse janë ato gjermane. Krahas detyrave të shtëpisë të përafrimit të legjislacionit tonë mbi punën me direktivat e Bashkimit Europian. Ky është integrimi i vërtetë. Me letra dhe punë konkrete.

Nga Fatos Çoçoli

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/12/2019 - 07:14

Unë jam tip që ëndrrave nuk u besoj shumë, sepse ato janë prodhim i fantazisë së trurit tonë, kur jemi të papunë, dmth në gjumë, ndaj dhe ato harrohen po aq shpejt sepse nuk kanë aspak vërtetësi.

Postuar: 14/12/2019 - 07:13

Kemi qysh nga vitet 1990-të që kërkojmë të integrojmë Shqipërinë në Europë.

Postuar: 14/12/2019 - 07:12

Kemi dy fitore të mëdha që realisht të bëjnë të ndjehesh disi i habitur, por dhe i qartë me atë ç

Postuar: 14/12/2019 - 07:11

Në datat 25 nëntor - 7 dhjetor 2019 u zhvillua në "Qendrën Ndërkombëtare Të Mjedisit dhe Zhv

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për