BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

 Këta nuk duan Shqipërinë, këta “vdesin” për shtëpinë

 Këta nuk duan Shqipërinë, këta “vdesin”

Këto 30 vjet të të ashtuquajturës demokraci janë të mjaftueshme, madje teprojnë për të dhënë një vlerësim për kastën drejtuese të shtetit tonë. Duke qenë se timoni ka qenë në alternativitet pothuajse të barabartë, sa majtas-djathtas edhe vlerësimi nuk është aspak vështirë të bëhet për të dy palët. Kjo sepse tabela e rezultateve për secilin subjekt që ka qenë në drejtim me tjetrin në opozitë pothuajse është e njëjtë, si cop i pestë. Zhgënjimi që kanë sjellë tek votuesit është mendoj unë nota më e saktë për politikanët që tashmë, jo shumë çuditërisht, ashtu si kameleoni që ndryshon lëkurën sipas stinëve, ndryshojnë sipas kohezionit: kur janë duke lypur votën dhe kur e sigurojnë vendin në Parlament. Kur janë në rolin e parë nuk ka më të dashur dhe gojëmbël. Të dëgjojnë me vëmendje, mbajnë edhe shënime, të japin të drejtë me tundje koke edhe kur s’ke të drejtë, të premtojnë madje se do përmirësojnë edhe cilësitë e diellit e të rërës. Të mbushin me shpresë se sapo të mbarojnë zgjedhjet, do të ndryshojë rrotullimi i tokës, ti vetë e ke problemin e zgjidhur dhe ndaj të bëjnë të fluturosh nga lumturia, ndonëse do jesh zhgënjyer edhe në zgjedhjet e mëparshme. Bashkangjitur rrinë me votuesit e thjeshtë (ata janë më të shumtit votues që do jenë nesër përpara kutive të votimit, janë më shpresëpriturit dhe padyshim më të lehtë për t’u …gënjyer) a thua se u është copëtuar zemra për ta dhe biznesmenët i afrojnë kur u duhet ndonjë ndihmë financiare për ata fukarenj. Premtimet bëhen për mikroprobleme, por edhe për projekte madhore dhe në funksion të komunitetit (për 5 fshatra vetëm 15 km larg qytetit të Vlorës e kam dëgjuar premtimin për rregullimin e rrugës që të çon aty në 4 palë zgjedhje parlamentare nga deputetë të ndryshëm, por në realitet ajo rrugë ka ende asfaltin e hedhur në kohën e merhumit). Kur sigurojnë kolltukun e deputetit ndryshojnë rolet, bëhen aq të largët sa ti nuk e kishe menduar kurrë. Bëjnë sikur nuk të kanë parë kurrë, nga ndonjëherë nuk të hapin as telefonin dhe as diskutohet për të zgjidhur problemin tënd. Ata tashmë kanë shqetësime më të mëdha, duhet të mendojnë për shtëpinë e tyre. Bëhen vëllezër e kaluar vëllezërve me biznesmenët e zonës, bien në një dashuri të pashkruar me ta, u sigurojnë atyre ndonjë tender disa miliardësh dhe të gjitha këto në emër të zhvillimit të të gjithëve. Pa kur shikon ti se një mëngjes zonja e deputetit hipën në një makinë që nuk është më pak se 50 mijë euro dhe pak më vonë braktis edhe shtëpinë që ka patur për dhjetëra vjet se tashmë është e vogël dhe blen gati gjysmën e pallatit që sapo është ndërtuar. Ata që kanë fëmijët rreth 16 vjeç i pajisin edhe këta me makina (paçka se nuk kanë patentë dhe mund të jenë kontingjenti më i përshtatshëm për aksidentet automobilistike) dhe u japin aq lekë kesh sa ti nuk i ke parë në ëndërr. Ku i gjejnë këto para kaq shumë ore vëlla? Llogaria është e thjeshtë: me rrogë, sa do e madhe të jetë nuk vihen dot. Edhe me dietat që u jep Gramoz Ruci jo e jo. Atëherë ku i gjetën, në rrugë? I marrin nga xhepi ynë. Jo me veprim të thjeshtë mekanik sepse ta bëjnë atë nuk do të gjejnë në xhepin tonë aq shumë para. Vjedhja tashmë është më e kalkuluar. Një mirësi që i bëhet një biznesmeni patjetër që shpërblehet. Ky shpërblim nuk bie nga qielli po ky biznesmen ato që ia dhuron deputetit i ka hequr nga thesi i rrogave që u takon atyre që u bie bretku gjithë ditën në llaç apo në fasoneri. Dhe mburren me të madhe se kanë bërë rrogën minimale 300 mijë lekë të vjetra kur e tyre shkon ligjërisht 7 apo 8 herë më e lartë. Flitet pastaj edhe për përqindje të mirëcaktuara për çdo tender që do të vejë në dorën e atij që do deputeti. Këto në vendin tonë mund ti mësosh në çdo kafene ku ulesh të çlodhesh, vetëm organet e drejtësisë tek ne i kanë veshët me dyll dhe syzet të errëta që nuk i shikojnë dhe nuk i dëgjojnë këto çudira. E vërteta në fakt nuk është vështirë të gjendet, kur e kërkon me ndershmëri. Merr në dorë deklarimin e pasurisë së një deputeti përpara 10 vjetësh që deklaron se ka një shtëpi të thjeshtë. Tani deklaron miliarda. Bëj çfarëdo shumëzimi dhe pjesëtimi edhe alla shqiptarçe ku 7 herë 7 bëjnë 42, mblidhi dhe zbriti sa herë të duash fitimet dhe shpenzimet e prapë se prapë rezultati nuk korrespondon me të vërtetën. Ule ose ngrije sa të duash çmimin e një metër kub betoni që ka ndërtuar shtëpinë, vëri çfarë çmimi të duash edhe pllakave të shtrimit apo aksesorëve të ndryshëm me të cilat kompletohet vila, deklaro se superoxhakun e ke blerë në hënë dhe prapë se prapë, qofsh edhe ekonomisti më i mirë nuk të dalin llogaritë. Vetëm po të bësh transaksione si ato të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit që blejnë një shtëpi 60 mijë euro dhe pas një viti e shesin plot 300 mijë euro, të nxjerrin në selamet. Por këtë “vezë” vetëm një politikan si Iliri që nuk ka të shënuar në librezën e punës asnjë orë pune në shtet, e bën. Fshati që duket nuk do kallauz thotë i mençuri popull. Shikoni jetesën që bën një politikan, nga më të thjeshtët dhe menjëherë pyet: mos kanë këta politikanë gërshërë çudibërëse dhe presin lekë përditë në shtëpi? Se ndryshe si shpjegohet ky nivel kaq i lartë jetesë që të gjithë e duam po nuk e arrijmë dot. Sepse ka edhe një konkluzion tjetër shumë shqetësues për shoqërinë shqiptare: Si shpjegohet ky disnivel jetese midis një grupi njerëzish (më së shumti politikanë) dhe popullit që është në shumicë? Si shpjegohet një disnivel kaq i theksuar midis nivelit ekonomik të vetë Shqipërisë dhe këtyre të përzgjedhurve që na udhëheqin? Përgjigja është e thjeshtë: Atë që i takon Shqipërisë dhe padyshim ne të gjithëve këta e marrin dhe e çojnë në shtëpinë e tyre. Se e ka thënë aq mirë përpara një shekulli i madhi Ali Asllani: Të pabrekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti nata. Dhe historia e këtyre 30 vjetëve që ne duam ta quajmë demokraci ka raste të pafund të atyre që erdhën të pabrekë dhe u bënë milionerë. Dhe e gjitha vjen prej mungesës së dy prej elementëve më të rëndësishëm të demokracisë: mungesës së transparencës dhe ndëshkueshmërisë, për të cilat urojmë të vijnë sa më shpejt.