Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Këtu askush nuk i beson askujt

Postuar: 24/08/2018 - 07:13

Në jetën e përditshme po thellohet hendeku i mosbesimit. Mungesa e të marrit vesh mes njëri-tjetrit është thelluar, është bërë gati dramatike. Një sëmundje nga e cila vuan shoqëria jonë. Mosbesimi në realitet na ka shoqëruar ne shqiptarët, jo vetëm sot në demokracinë hibride, ku dyshimi është shtrirë në tërë poret e jetës, brenda qenies së individit, familje, grupe shoqërore e tërë shoqërinë, por edhe në vitet e shkuara atëherë kur dukej se populli kishte besim të palëkundur tek partia dhe vet partia te populli. Për drejtuesit e PP-së në majë të piramidës shtetërore në dukje ishte çimentuar ideja se ishin të padiskutueshëm, gëzonin dashurinë e pakufi për atë që kërkonin apo që propagandonin. Një besim i tillë në realitet ekzistonte në embrion vetëm në vitet e para të pasçlirimit. Kur populli doli nga robëria dhe pushtimi dhe mori frymë lirishtë. Ishin vitet e entuziazmit të pompuar nga regjimi i ri që po instalohej. Sistemi komunist.

Po sapo filluan të zbatohen politikat e zhvillimit dhe kufizimit, taksimit të shumëfishtë, shtetëzimet e mëdha, konfiskimet, pezullimet masive të specialistëve më të kualifikuar dhe dyshimi se ata nuk ishin besnik të sistemit pasi ishin shkolluar në perëndim dhe i shërbenin padronëve të përtej detit, si dhe shpallja kulak e shumë fshatarëve, vetëm se ata kishin disa dynym tokë e pendë që punonin nga mëngjesi deri natën vonë dhe bënin një jetë më të mirë se shumica e bashkëfshatarëve dhe veçanërisht goditjet mbi ish-partizanët që luftuan në vijë të parë dhe morën plagë në llogoret kundër armikut të nxitura këto nga një luftë e egër klasash ndaj atyre që u kishte rënë fati të ktheheshin nga shkollimi me vajza nga vende të ndryshme të botës, kryesisht nga demokracitë popullore, si BRSS, Poloni, Çeko-Sllovaki, Hungari e shtete ku kishin studiuar, flakja e tyre nga vendet e punës që konsideroheshin delikate dhe mund të dëmtohej sistemi socialist fliste për mosbesim të thellë. Në familje me nënkuptime e shenja. Në takime të gjera thuheshin fjalë që u shkonin për shtat zyrtarëve. Imitohej zbatimi në praktikë i direktivave, edhe pse ato nuk ishin korrekte dhe vuanin nga subjektiviteti ekstrem. Me këtë filozofi u ngritën kooperativat. Fermat e mëdha. Kombinatet të cilat edhe pse patën fillimisht një farë zhvillimi, vetëm disa vite më pas nisën të jenë jorentable. Këto dështime e shtuan edhe më tej mosbesimin mes njerëzve dhe posaçërisht mes qytetarëve në bazë dhe udhëheqjes në qendër. Prej këtej lindën kontradikta të thella mes tyre që shpunë në ndarje edhe më të mëdha dhe mosbesim më të thellë.

Për këtë fenomen masiv, ku të gjithë dukeshin sikur vepronin kundër të gjithëve, faji i faturohej subjektivitetit, mungesës së punës së partisë me masat, mosbindjes së shumë prej individëve që sabotonin ekonominë, artin e kulturën. Të gjithë nuk i besonin të gjithëve. Në pamje të parë dukeshin si armiq dhe asnjëri nuk i zinte besë tjetrit. Dhe qytetarët nisën të struken e të fshihen. Të bëhen gati të padukshëm. Të mbaronte kurajoja e të lulëzonte servilizmi dhe konformizmi. Të shuhej debati dhe të zinte vendi gjerësisht shtirja e qëndrimet lajkatare. Ata që ngrinin zërin dhe kritikonin ose nuk ishin dakord me vijën politike të kohës, i priste burgu. Dhe në këto kushte një sistem i tërë informatorësh, bënin detyrën, duke spiunuar cilindo dhe këdo. Qytetarët jetonin në stresin e mosbesimit dhe dyshimit ekstrem.

Po sëmundja kur askush nuk i beson akujt dhe të gjithë jemi armiq për kokë me-njëri tjetrin është evidente edhe sot në demokracinë tonë të brishtë. Nga një vështrim sipërfaqësor në këto tre dekada, mosbesimi është shtuar dhe ka marrë përmasa të frikshme. Përditë në deklarata shtypi në kontakte me të rinjtë, në takime shoqërore, mitingje e revolta, njëra palë nuk i beson tjetrës sikur të jenë dy popuj njëri tokësor dhe tjetri nga alien. Qeveria nuk i beson opozitës. Përditë dëgjon se si anatemohet kryeopozitari dhe demaskohen liderë të tjerë të forcave opozitare. Basha shumë herë edhe të vërteta absolute të thotë nuk merret seriozisht. Po nëse opozita nuk dëgjohet njëherë apo nuk besohet për propagandën e shfrenuar që bën, për akuzat dhe kauzat që ngre, me video përgjime e filmime, me ngritjen në qiell të akuzave boshe pa sens, vetë ajo është ekzemplare në mënyrën sesi mosbesimi ekstrem jeton lumturinë e vet, si gatuan përditë ndarjen e përçarjen, mosbashkëpunimin dhe largimin nga politikat e mëdha ku kërkohet bashkëpunim serioz dhe marrëdhënie mes palëve.

Nuk ka nevojë t`iu referohesh viteve të shkuara. Mjafton pak kohë për të njohur devizën opozitare: Mos beso për asgjë. Pala përball, vetëm iu mashtron e u gënjen. Vjedhin dhe bëjnë korrupsion. Ata nuk kanë bërë asgjë për popullin. Janë njësh me krimin. Ju varfërojnë. Ngrihuni t`i përmbysim. Drejtësia është në dorë të mafies së pushtetit. Po drejtësia vetë nuk i beson drejtësisë. Seleksionimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet në dirigjimin e kryeministrit. Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme është vegël e Ramës. Këtu nuk bëhet asgjë! Këta nuk i do perëndimi! Nuk i do Evropa! Vetëm luftojnë për të fituar e mbushur xhepat. Janë produkt i votës së vjedhur. Ilegjitim. Pa asnjë kredibilitet ndërkombëtar. Të pashpresë. Vjedhin drejtësinë. Tërë pasuria është në xhepat e qeveritarëve. Dhe mosbesimit i fryhet me furi. Hidhet poshtë vetingu, duke e quajtur, jo si një mision mbarëkombëtar për të shëruar një nga plagët më të rënda të shoqërisë tonë, vepër e ideuar dhe e drejtuar nga ndërkombëtarët, por si një përpjekje për të shtënë në dorë drejtësinë. Nuk besohet vetingu. Hidhet poshtë gjykimi i organeve të vetingut, duke e parë si vepër të mafies që kërkon të hedhë në dorë drejtësinë. Shahen ata që bëjnë gjykimin. Mallkohen ata që japin të dhënat. Dhe e tërë reforma konsiderohet si cenim i Kushtetutës, si një dështim i stërmadh si një njollë që e la vendin pa Kushtetuese e Gjykatë të Lartë. Dhe pasi bëhen tërë këto llogari, vihet në dyshim reforma në drejtësi. Anatemohen të huajt. Hidhet baltë mbi ambasadorët. Bëhen fajtorë ata pse u shkri Gjykata Kushtetuese sikur atje në drejtim të saj ishin disa engjëj që i morën në qafë djajtë e ferrit në një kohë kur e panë të gjithë sesi ishin pasuruar si me magji sikur të ishin sheikë nafte apo të kishin në dispozicion miniera floriri.

Po dyshimi nuk është vetëm tek drejtësia. Merret një nismë qeveritare për të zhvilluar turizmin. Përpunohen ide. Flitet për të transformuar qendrat e qyteteve dhe nisma një miliard euro për infrastrukturën rrugore. Po kështu ka nisur aksioni për rigjallërimin e 100 fshatrave në shkallë vendi. Fshatra me potencial të madh turistik. Sapo del në dritë një mendim i tillë. Sapo nis të funksionojë një punë e tillë në përmasa të mëdha dhe me vlera të pazëvendësueshme për jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e ekonomisë, fillojnë bataret për ta denigruar. Vjedhja një miliard. Fjalë vetëm fjalë. Nuk ka për tu ndërtuar “Rruga e Arbrit” Gënjen qeveria. Mashtrojnë ministrat. Dhe kur nisën punimet të gjithë opinionistë e analistë, liderë të partive politike, ushtarë e gjeneralë në opozitë, kundërshtarë të gjithçkaje, vrapuan të thërrasin: “Është mashtrim! Lojë! Asgjë nuk është e vërtetë. Është shou i radhës i Ramës.” Edhe pse në atë rrugë që tani është përfunduar një tunel në gjatësinë 500 metër në zemër të malit, përsëri kundërshtarët e zhvillimit mbjellin urrejtje dhe thurin legjenda se e gjitha është gënjeshtër. Do fundoset ekonomia nga Partneriteti-Pubik-Privat. Do rrënohet ekonomia. Po ndjekim shembullin grek. Do biem në humnerë financiare. Dhe argumentet vijojnë pa pushim për të rrafshuar çdo nismë dhe punë të filluar apo në proces. Deri sot nuk ka pasur një ditë të vetme që liderët e opozitës mos të mbjellin përçarje dhe mosbesim absolut në veprimtarinë e qeverisë dhe shtetit.

Shikoni luftën që bën opozita jonë, fjalimet denigruese të Lulzim Bashës. Leximin e qytetarit dixhital të Sali Berishës. Fjalimet e Edi Palokës. Ironitë e Ylli Manjanit, filozofinë e Nard Ndokës, egërsinë e Flamur Nokës, epitetet përçmuese të Petrit Vasilit, argumentet e juristit Alibeaj për të na thënë, ja nuk e shikoni, iu plaçin sytë nëse nuk e vini re sesi kjo qeveri bashkëpunon me krimin! Se si është njësh në biznese me ata që janë në kërkim. Dhe nis të stiset një mal i tërë akuzash për të na bindur se kjo qeveri nuk bën asgjë pa ortakëri me atë që bëjnë trafikun e kokainës e marijuanës. Dhe shpifjet arrijnë në qiell. Dhe gënjeshtrat synojnë majat më të larta. Dhe asnjëri nuk skuqet e nuk pendohet për këtë dëm kolosal që i sjell shoqërisë me ndjenjën e urrejtjes dhe mosbesimit që kultivohet në shtyp, në media, kudo ku flet një opinionist apo analist. Dhe kjo rrëmujë për të mos u marrë vesh kurrë sikur të ishin në kullën e Babilonit, ku fliten gjithë gjuhët e botës për tu mos u marrë veshë me njëri tjetrin. Dhe mosbesimi, trashet e trashet e bëhet mullar. Askush nuk është me të tjerët. Secili është më vetveten. Të gjithë janë kundër të gjithëve. Dhe në këtë ndeshje të stërmadhe, jetojmë si në një skenë teatri absurd. Jetojmë në një skenë ku luhen drama të dhimbshme ku aktorët janë gati të shqyejnë njëri -tjetrin. Të shajnë. Të anatemojnë. Të mallkojnë. Të nxinë e të sterrojnë. Të damkosin. Për ta nuk ka asnjë vlerë mirëkuptimi, toleranca, marrëveshja. Për ta ka vetëm një synim: si ta përmbysin kundërshtarin politik. Armikun që nuk e duan të gjallë, por të vdekur. Kultura e politikanëve tanë është konflikti. Është lufta pa mëshirë kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Ashpërsia e të bërit politikë. Mosbesimi ekstrem tek palët. Urrejtja në vend të dialogut. Përçmimi i policisë. Denigrimi i administratës. Mosbesimi tek qeveria e zgjedhjeve. Mosbesimi tek komisionerët. Sherri në vend të urtësisë. Lufta në vend të paqes. Groposja e kundërshtarit me të gjitha e për gjithçka, janë përmbajtja e politikës.

Dëgjoni epitetet me të cilat u drejtohet ish-kryeministri Sali Berisha kryeministrit Rama. Etiketimet. Qorri. Sahanlëpirësi. I pabesi. Arroganti. I poshtri. Trushkuluri. I paburri. I degjeneruari. Hajduti. Krimineli që duhet përmbysur një orë e më parë. Shitësi i detit. I interesave kombëtare. Ortakët e krimit. Bashkëpunëtorët në vjedhje. Hajdutët e milionave. Ata nuk e duan popullin. Janë armiq të shtresave në nevojë. I varfëruan dhe i vodhën deri në kockë shtresat e papuna. E njëmijë etiketime që derdhen lumë në fjalorin shqip, tregojnë qartë sa larg mirëbesimit dhe sa të etur për të mos u marrë vesh me njëri- tjetrin janë politikant tanë. Për ta deviza është: Më mirë luftë e përditshme se kompromis. Më e drejtë është t’i mbajmë armët ngritur dhe fishekun në grykë të pushkës se të takohemi në tavolinat e dialogut.

Opozita nuk i beson pozitës. Në zgjedhje. Në marrëveshje. Pas çdo takimi vendosen frëngjitë dhe ndizen antenat e përgjimit. Pozita nuk i beson opozitës. Biznesmeni nuk e do biznesmenin. Mjeku ia ka me hile kolegut. Mësuesi nuk e do mësuesin. Artisti nuk e sheh në sy artistin. Analisti fyen analistin. Opinionisti hedh baltë mbi opinionistin. Kudo në shoqërinë tonë po betonohet gjykimi. Me të gjithë armiq. Me asnjë mik. Asnjëri nuk i beson tjetrit. Askush nuk i beson askujt. Ku shkojmë kështu? Deri kur do jenë symbyllur dhe të shurdhët shqiptarët mes njëri-tjetrit nën dirigjimin e politikës që nuk e do mirëkuptimin dhe ka për devizë mosbesimin?! Ka ardhur koha për të menduar të nesërmen tonë! /

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy momenteve kryesore, të cilat janë SPAK dhe BKH!? Të gjithë akuzojnë të gjithë në këtë çështje!

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj

Postuar: 22/09/2018 - 07:16

Është e qartë, që vendi është pa opozitë. Gjithçka duket e vjetruar, e thënë dhe e stërthënë.

Postuar: 21/09/2018 - 07:28

Që Shqipëria është vend paradoksesh, kjo tashmë është një "sukses" i njohur i saj, por

Postuar: 21/09/2018 - 07:27

A u ka qëlluar të keni parë ndonjë qen, që ka frikë të afrohet dhe shtje dhëmazi nga larg?

Postuar: 21/09/2018 - 07:23

Një ditë pas protestës të kuksianëve kundër tarifës në “Rrugën e Kombit” kundër