BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Këtu blihen dhe shiten politikanët si lojtarë futbolli

Këtu blihen dhe shiten politikanët si lojtarë futbolli

Politika në vetvete është profesion. Madje në kohët e sotme është profesioni më produktiv. Si çdo profesion ajo mësohet edhe në shkollë, por në vendin tonë më të fituar kanë dalë politikanët që kanë hyrë aty nga jeta praktike. Duket ajo u ka mësuar ca marifete që nuk i gjen në faqet e librave, sado cilësorë të jenë ato. Politikanët bëhen të njohur në këtë fushë duke aderuar në një subjekt të caktuar politik. Përafrimin me të ata e shpjegojnë me prejardhjen e familjes, por edhe me ndjenjat e tyre dhe objektivat që kanë në jetë. Fillimisht janë aq të lidhur me këtë familje politike sa bëjnë sikur harrojnë edhe familjen biologjike. Për “idealin e partisë” janë gati të “groposin” gjithë arritjet e deriatëhershme dhe të bëjnë hasha edhe të dashurit e tyre. Këtë e bëjnë derisa janë të suksesshëm dhe kanë një post politik apo shtetëror. Krekosen sikur vetëm ata janë lindur për të qeverisur dhe të gjithë të tjerët u duken si gogla. Humbasin shumë nga vetja, e harrojnë ndjenjën e humanizmit, drejtësia mendojnë se duhet të punojë vetëm për ta dhe familjen e tyre e arrijnë deri aty sa përmes falsifikimeve të përvetësojnë edhe prona shtetërore apo individuale. Kjo deri kur fillon dhe u firon “vaji i kandilit” politik. Atëherë bëjnë njërën për të qëndruar në sofrën politike, a thua se po ikën ata nuk ka më zhvillim dhe edhe toka do të harrojë të rrotullohet. Më e zakonshmja që bëjnë kërkojnë strehë në partinë kundërshtare, duke harruar gjithçka që ka ndodhur deri atë ditë. Harrojnë idealet (ç’ka vërteton se këto ideale kanë qenë falso) nuk kujtojnë se ç’kanë deklaruar për kundërshtarët dhe fillojnë dhe puthen me ta. Ka historia e zhvillimit njerëzor shit-blerjen në shumë fusha që janë të justifikuara dhe domethënëse, por kjo kur ndodh në politik, tingëllon shumë negative. E blen një firmë e fuqishme një teknolog nga një tjetër firmë po ashtu të fuqishme, por ai në fund të fundit është një njeri i suksesshëm teknik dhe shikon se aty ku do shkojë ka një dritare më të mirë dhe më të përshtatshme për të vënë në jetë projektet që ka në mendje dhe duke zbatuar kontratën kohore me firmën e parë, nuk bën asnjë tradhëti. Lëvizin lojtarët e futbollit në gjithë botën nga një skuadër në tjetrën, madje duke shkuar në skuadra historikisht kundërshtare, por edhe ata, si teknologët, kanë kontrata të nënshkruara dhe kur janë në rregull me të ok, kur e thyejnë, paguajnë dëmshpërblimin. Por edhe ai me skuadrën ku luan, këtë kontratë e ka të lidhur për talentin si futbollist dhe nuk ka asnjë detyrim ideali apo morali. Ndryshe me politikanin. Atë së pari dhe kryesorja e lidh me subjektin pikërisht ideali politik që është e vështirë të tradhtohet. Kjo në parim se në realitetin shqiptar është ndoshta gjëja më e lehtë që bëhet. Doni shembuj? Merrni Presidentin e nderuar. Ishte kryesocialist, pastaj u bë krye lsi-st, pastaj bashkëqeverisi me partinë kundërshtare, PD, iu kthye përsëri në prehër socialistëve dhe tani nderon me dy gishta. Jo vetëm kaq, por nuk lë fjalë banale pa thënë për ata që i kishte bashkëluftëtarë, madje shkon më tej, bën thirrje që t’i përmbysë nga pushteti edhe me dhunë. Doni shembull tjetër? Keni vetë kryeministrin që dëshironte të ishte pjesë e PD, nuk ia doli, pastaj krijoi një parti me ngjyrime fetare dhe sot është kryesocialisti më i fortë në historinë e kësaj partie, duke kërkuar të vendosë rekord për të qeverisur në tre mandate. Doni shembull tjetër nga VIP-at e politikës? Kemi Kastriot Islamin, Kaçin e zi. Kryetar Kuvendi kërkonte t’u thyente kafkat demokratëve dhe pastaj u rreshtua me ta për të luftuar socialistët. U harruan kafkat. Sot që nuk është në rreshtat e parë edhe të demokratëve bën orakullin kundër dashurisë së parë. Mund ta shtoja listën e tradhtarëve edhe me nja 30, 40 apo 50 politikanë që nuk e kanë patur aspak problem për të kaluar sa nga e majta tek e djathta, duke harruar idealet e duke parë vetëm interesin vetjak, as të partisë jo. Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule janë disa sa për konkretizim meqë janë ende në lojë. E kanë provuar të qëndruarit edhe në prehrin e të majtës edhe në atë të së djathtës. Jo vetëm thjesht e kanë provuar, por edhe e kanë mjelë mirë. Idealet i kanë mbajtur në zemër dhe betohen se aty i kanë akoma, kanë luajtur ashtu pikërisht për të vënë në jetë ato ideale. Paçka se rezultatet pozitive kanë qenë 0. Vërtet shiten e blihen futbollistët në gjithë botën, por ata idealin, kudo të shkojnë e kanë të njëjtë: të shënojnë sa më shumë gola, kur janë sulmues dhe ta mbrojnë sa më mirë portën e tyre kur janë mbrojtës. Këtë kanë bërë në skuadrën ku kanë qenë dhe këtë do bëjnë edhe në skuadrën ku do shkojnë. Ndryshon amplituda e politikanit. Duke ndërruar subjektin politik atij i duhet të ndërrojë edhe “mendjen”. Nëse në partinë e parë ka mbrojtur të persekutuarit dhe ka luftuar që atyre t’u kthehen të drejtat e munguara në vite, në partinë e re i duhet të bëjë të kundërtën. Nëse në fillim vitet ‘90 Ilir presidenti ishte në një llogore me të bijtë e kriminelëve të socializmit, sot gërthet se si ka mundësi që ata nuk kanë kërkuar ende falje. Çudi e madhe me këta politikanët tanë. Të ndryshonin partitë për të mirën e vendit hallall e paçin, por kur kujton se këto ndërrime i bëjnë për të siguruar të mirat material për vete e për familjen e tyre, harram i paçin. I zëntë mallkimi i popullit.