BREAKING NEWS

“Ilir Meta do t’i shtypë e t’i përdhosë viktimat e tij”, Frrok Çupi zbulon skenarin e presidentit: Çfarë pritet më 2 mars

“Ilir Meta do t’i shtypë e t’i përdhosë
x

Opinion / Editorial

Këtu të presin me lëvdata pa kufi e të përcjellin me tonelata përgjegjësi

Këtu të presin me lëvdata pa kufi e të përcjellin me

Në këto tri dekada demokraci në Shqipëri, është pothuaj përfundim matematike trajtimi që u bëhet përfaqësuesve të SHBA. I presin me lavde pa kufi, gati kilometrike dhe në fund i përcjellin, duke u ngarkuar mbi supe tonelata përgjegjësi për gjithçka që ndodh në jetën politike të vendit tonë, liderëve, vendimmarrësve, veçanërisht në ecurinë e partive politike drejt pushtetit.

Çdo ngecje apo humbje zgjedhore i faturohet ambasadorëve të shtetit historikisht mbështetës të Shqipërisë, duke ndarë veprimtarinë e ambasadorëve kur ajo nuk pëlqehet me politikën e DASH. Një gjykim subjektiv, i pambështetur në analiza realiste. Subjektivizmi në të gjitha këto raste është i lexueshëm që larg. Në këtë kuptim, çdo qëndrim i ambasadorëve amerikanë kalon në filtrat e forcave politike dhe kur është në një vijë me qëndrimet e partisë, është i mirëpritur. Ndryshe sulmet ndaj ambasadorit të radhës nuk pushojnë. Edhe pse përfaqësuesit e çdo shteti flasin e veprojnë në përputhje me politikën e shtetit nga vijnë, përsëri nga politikanët tanë, trajtohen si të bënin politikë personale dhe jo në emër të shtetit të tyre.

Kështu ka ndodhur që më1991 kur në Shqipëri shkeli për herë të parë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dhe rivendosjen e tyre me ambasadorin, William E. Ryeson në periudhën 1991- 1994. U anatemua nga opozita e kohës për të gjitha qëndrimet që mbajti në një periudhë trazirash kur ende ishim nën hijen dhe peshën e sistemit të kaluar. Ende shqiptarët ishin larg të kuptuarit të demokracisë dhe sistemit që sapo kishte ngritur siparin. Kur ende shoqëria jonë gjendej në startin fillestar. Çdo gjykim apo ide e shpallur prej tij, të majtët në opozitë nuk i mirëprisnin. Shiheshin si veprime në kundërshtim të hapur me politikat e qëndrimet e tyre. Dukej sikur e tërë politika dhe veprimtaria e Ryeson në krye të Ambasadës në Tiranë, drejtohej kundër të majtës. Ai vlerësohej si pengesa kryesore që nuk kuptohej politika shtrënguese e PD-së dhe presidentit Sali Berisha. Në shumicën e rasteve ishte një çështje perceptimi dhe jo gjykim realist e objektiv.

Kuptohet subjektivizmi dhe zgjidhjet e njëanshme nuk mungonin. Gjithsesi në këto tri dekada në krye të ambasadës së SHBA-së, kanë qenë dhjetë ambasadorë e ambasadore. Nga Ryeson i pari, deri tek Donald Lu, larguar në korrik 2018. Politika asnjëherë nuk ka qenë indiferente ndaj mendimeve dhe gjykimeve të tyre për çështje madhore e minore në vendin tonë. Ajo që ka qenë e përbashkët në tërë këtë histori është pritja me lavde pa fund dhe përcjellja me kritika e anatemime, duke i bërë përgjegjës për humbjet dhe problemet e krijuara tek ne. Kjo është sjellja e politikanëve tanë në raport me ambasadorin e radhës. Në kontrast me politikanët, populli shqiptar është nostalgjik dhe i vlerëson marrëdhëniet me SHBA si jetike, prioritare. Ka besim absolut tek ambasadorët e Amerikës. Hapja e ambasadës amerikane më 1991, mbetet një ngjarje historike për Shqipërinë. Prezenca aktive amerikane ka qenë dhe është garanci për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Në tërësi, ambasadorët amerikanë kanë qenë figura me rol thelbësor e ndikim të ndjeshëm në jetën politike në Shqipëri. Ata kanë qenë e mbeten personat më të referuar nga media, nga partitë politike dhe nga grupet kritike qytetare, si dhe njerëz me ndikim të rëndësishme në ngjarjet politike post 1991.

Mbështetja ose kritika amerikane ka qenë përcaktuese për suksesin ose dështimin e qeverive shqiptare, karrierës së liderëve më të rëndësishëm politikë dhe rotacionet politike në Shqipëri, edhe pse zyrtarisht, pala amerikane, përfshirë ambasadorët, nuk janë votues dhe nuk pranojnë ndikime direkt në zgjedhje ose karrierën politike. Zyrtarisht ndikimi i tyre është shprehur përmes deklaratave publike, raporteve zyrtare, vizitave të zyrtarëve të lartë amerikanë, lobimit pro ose kritikë me qeveri e liderë politikë të caktuar. Nëse do të bënin një ndarje midis preferencave politike, shumica e ambasadorëve kanë pasur e kanë mbështetje e simpati nga njëra palë politike. Pjesa tjetër nga pala rivale politike dhe vetëm ndonjë emër i veçantë kanë pasur e kanë mbështetje e simpati nga dy palët politike. Sipas traditës tonë politike, simpatia nuk barazohet me meritat, por me përputhjen e qëndrimeve ndaj interesave të mazhorancave apo opozitave të caktuara politike gjatë mandatit të tij. Ndaj edhe ky vlerësim është subjektiv dhe rrallë ndodh të ketë përputhje me vlerësimin e memories kolektive qytetare e shtetërore. Mandatet diplomatike të ambasadorëve amerikanë, afati kohor, karriera, ecuria, është shoqëruar për herë të parë edhe me elementë të tjerë. Ndikimi i tyre ka qenë esencial.

Arritja më e madhe e Shqipërisë gjatë mandatit të tyre, dështimi më i thellë ose kritika më të ashpra në jo pak raste bëhen përpjekje për t`i ndarë me ambasadën e SHBA-së, posaçërisht ambasadorët. Marrëdhëniet mes liderëve politikë, të pushteteve, legjislativ, ekzekutiv, drejtësisë dhe medias, kanë qenë të larmishme. Presidentët apo mazhorancat qeverisëse, kryeministrat, kanë mbajtur ndaj ambasadorëve qëndrime të ndryshme. Në jo në pak raste subjektive dhe larg realitetit. Edhe pse bëhen përpjekje për të faturuar dështimet e ambasadorëve amerikanë të radhës, ata nuk mund të konsiderohen kurrë përgjegjës. Ambasadorët e SHBA-së në Shqipëri kanë qenë në komunikim permanent dhe deklaratat e tyre kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve pika referimi të politikës në vendin tonë.

Historiku i ambasadorëve që kanë shërbyer në Shqipëri si përfaqësues të SHBA-së, tregon se kanë mbajtur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët. Ata kanë qenë gjithnjë në syrin dhe gjykimin e opinionit të qytetarëve tanë. Kanë folur shqip. Dhe jo vetëm në kuptimin figurative. Ambasadori Donald Lu, ka qenë ambasadori që ka folur gjuhën shqipe gjatë ushtrimit të mandatit të tij. Koha e qëndrimit në detyrë ka qenë e ndryshme. Ambasadori Arvizu është ambasadori më jetëgjatë në shërbimin diplomatik në Shqipëri. Ambasadori Limpreht pati fatin tragjik të ndërronte jetë në vendin tonë. Roli i ndërkombëtarëve në vende të vogla është i rëndësishëm. Po jo në pak raste, interesat e ndërkombëtarëve kanë përcaktuar edhe modelin demokratik, si burim stabiliteti afatgjatë të preferojnë modelin e stabilitetit afatshkurtër në kurriz të demokracisë.

Por ndryshe nga tradita, në Shqipëri me të drejtë besohet se roli i SHBA e BE mbetet unik, jetik dhe përcaktues për progresin shtetëror dhe integrimin. Kjo edhe për shkak të teorisë së kompensimit, historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA, është e hershme. SHBA pati rol përcaktues në njohjen e çështjes shqiptare. Në vitin 1920, në fitoren e Luftës së II-të Botërore, në rënien e sistemit komunist (1989-1990), në çlirimin e Kosovës 1999 dhe në futjen e Shqipërisë në NATO në vitin 2008. Ndaj çdo ambasador e diplomat amerikan që vjen në Shqipëri gjen mikpritje, por ndaj tyre ka edhe pritshmëri të lartë, shpeshherë më shumë se janë mundësitë, kapacitetet dhe mandati i tyre. Pas një vështrimi kronologjik të historisë së marrëdhënieve të politikës së vendit tonë me ambasadorët e SHBA-së, nuk ka si të mos mbetet në kujtesë mënyra e sjelljes së faktorëve politikë në relacion me veprimtarinë e tyre.

Ajo që është pothuaj e provuar tërësisht është fakti që të gjithë ambasadorët që vijnë nga përtej oqeanit, priten me lule, komplimentohen, u thuren himne e lavde. Figura e tyre gati mitizohet e glorifikohet. Shumë herë në mënyrë hiperbolike, duke kaluar çdo cak të etikës dhe marrëdhënieve reciproke. Shkurt, u thuren lavde deri në bezdi. U botohen jetëshkrimet, shkollimet, studimet e kryera, gradat në diplomaci, librat e shkruara prej tyre, universitetet ku kanë studiuar. Deri edhe rezultatet që kanë arritur. Pa folur për itinerarin diplomatik që kanë përshkuar gjatë karrierës së tyre në shtete të ndryshme, deri sa kanë zbritur në Shqipëri, jo të paktë kanë qenë ambasadorët që janë sulmuar padrejtësisht nga politika. Nga kjo mënyrë të sjelluri nuk mund të përjashtohej edhe ambasadorja e re në vendin tonë, që sapo zbriti në Shqipëri, Shkëlqesia e saj, Znj. Yuri Kim. Ka ditë që flitet në rrethet e gjera shoqërore deri te individë të zakonshëm për figurën dhe çfarë përfaqëson ambasadorja Kim. Të nesërmen e ditës që zbriti në Rinas në opinionet politike e mediatike, ndryshe nga sa e do zakoni dhe tradita e mikpritjes, si dhe vet figura që përfaqëson, guxohet t`i jepen porosi dhe këshilla nga analistë të veçantë, se si duhet të veprojë në vendin tonë. I ekspozohen problemet që përjeton Shqipëria.

Kriza dhe marrëdhëniet mes forcave politike dhe raportet mes mazhorancës dhe opozitës. Zonja Kim nuk vjen nga ndonjë planet tjetër. Ajo si diplomate karriere për vet begraundin që ka dhe përvojën e fituar, duke shërbyer në shumë shtete ku ka pasur shumë e më shumë problematika se ne, ka zbatuar protokollin diplomatik. Ka përçuar politikën e SHBA-së. Ka mbrojtur interesat e vendit që përfaqëson dhe ka luftuar për zgjidhjen e ngërçeve atje ku ka ushtruar detyrën. Përvoja e saj nuk është e një dite. Vendi ynë nuk është planeti Mars që sapo zbriti. Këtu ishte trupa e ambasadës që ka funksionuar me kapacitet të plotë. Kuptohet në tërë këta muaj sipas praktikës strikte të përzgjedhjes dhe emërimit të një ambasadoreje në një vend si Shqipëria, ku dihen marrëdhëniet e ngushta mes dy shteteve, si partnerë strategjikë, provuar në historikun e gjatë si udhërrëfyes dhe mbrojtës të interesave jetike të vendit tonë, ka krijuar njohje të plotë dhe është e informuar për sjelljen e politikës në kontekstin e brendshëm e atë të jashtëm. I njeh arritjet po edhe mangësitë. Ka njohur përpjekjet për reformën në drejtësi. Betejën e vështirë të luftës kundër korrupsionit. Qëndrimet në Ballkan dhe më gjerë. Nuk besoj që priste që dikush këtu t`i tregonte hartën e problematikave tona dhe t`i rendiste ngërçet dhe bëmat e forcave politike në mazhorancë apo opozitë.

Besojmë se është plotësisht e informuar. Ndoshta shumë më tepër se vet ata që marrin përsipër të japin këshilla dhe t`i tregojnë axhendën se ku duhet të përqendrohet. Nuk është normale dhe flet për mungesë të theksuar modestie kur analistë e opinionistë aq më shumë politikanë, marrin përsipër të japin receta një ambasadoreje amerikane. Gjithsesi, besojmë se shumë shpejt, zonja Kim do zbresë në truallin real shqiptar. Kuptohet ata që sot thurin lavde e bëjnë të admirueshmit, do nisin nga avazi i vjetër dhe do kthehen 180 gradë për të bërë të kundërtën. Le të besojmë se me ambasadoren Yuri Kim e sapo mbërritur në Shqipëri të ketë marrëdhënie institucionale brenda kornizave demokratike dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ata që sot u frynë borive të entuziazmit dhe bëjnë sikur do ndryshojë politika e Amerikës me vendin tone, duke kthyer përmbys raportet, nuk do nisin sulmet siç kanë vepruar në tërë këto vite. Ata që në mëngjes thurin lavde kilometrike për ambasadorët e radhës që vijnë nga Amerika nuk do bëjnë zanatin e vjetër për t`i përcjellë me tonelata të përgjegjësive në fund të mandatit. Është mirë që të shikojmë nga vetja. Të korrigjohemi. Dhe mos t`i drejtojmë shigjetat e mllefit nga ata që vijnë për të forcuar demokracinë në vendin tonë. T’i respektojmë nga fillimi në fund. Me dashamirësi dhe dinjitet! Jo me hipokrizi dhe servilizëm sipas orekseve e interesave të politikanëve tanë.