BREAKING NEWS

“Na presin ngjarje të mëdha”, Spartak Ngjela nxjerr të dhënat ‘bombë’ dhe lëshon paralajmërimin drithërues: Janë gjetur pasuritë offshore të politikanëve shqiptarë!

x

Opinion / Editorial

Kjo ditë na kujton, se jeta është e bukur dhe e meriton të jetohet

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë. Dhe kështu e respektuan dhe e festuan Ditën e Rinisë, pothuajse të gjitha institucionet shtetërore, por shkollat jo. Mëngjesi i 9 dhjetorit i mbushi përsëri rrugët që herët, me zërat gazmorë të shkollarëve të të gjitha moshave, që nga vogëlushët e kopshteve e deri tek nxënësit e studentët. Mësuesit e pedagogët, të cilët edhe pse nuk qenë shkëputur asnjë ditë nga klasat dhe auditoret e dijes, këtë ditë përsëri ndjenë diçka tjetër, kur morën regjistrat në duar. Ishte dita e parë e dijes, pas dhimbjes së madhe. Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” kalojnë para shkollës së tyre të dashur dhe ndjejnë një vrasje të madhe në shpirt, pasi për disa kohë nuk do t’i bëjnë më aty orët e mësimit. Ka edhe nga ata që nuk i mbajnë lotët. Gjendja e rrëmujshme me tavanin dhe suvanë e shembur, rrethuar me shiritin e sigurisë, u kujton ndoshta gjithë tragjedinë e shqiptarëve ditën e 26 nëntorit,viktimat dhe dëmet, ndaj për një çast e hedhin çantën në krahun tjetër, e vrapojnë sa më shpejt drejt “Qemal Stafës “ e “Sinan Tafajt” deri kur të riparohet shkolla e tyre e dashur. Udha e bukur e dijes nuk do të ndërpritet. Ashtu siç nuk do ta ndalin udhën e dijes edhe nxënësit e shkollave të tjera, godinat e së cilave kanë pësuar dëme të rënda. Ndaj nxënësit e “Musine Kokalarit” sot vrapojnë drejt “Betim Muços”, ata të “Lasgush Poradecit” drejt “Myslim Ketës”, të “Murat Toptanit” drejt “26 Nëntorit”. Kjo ditë nuk tregon vetëm se udha e dijes nuk ndalet, por edhe se jeta vazhdon, është e bukur dhe ashtu me dinjitetin dhe kurajon njerëzore do të mposhtim çdo dhimbje. Një grup djemsh të gjimnazit “Sandër Prosi”, erdhën pak më me vonesë se orari i zakonshëm i fillimit të mësimit. “Pritëm Besnikun - na thanë ata, i cili pas dëmtimit krejtësisht të shtëpisë dhe pati shkuar ca ditë në Pogradec. Prindërit janë akoma po andej, kurse Besniku u kthye dje dhe mbrëmë ka qenë mik tek shoku i tij i klasës,Vullneti. Tri vajza të gjimnazit “Çajupi”, i kishin shkuar shoqes së tyre nga Kukësi në shtëpi dhe ia kishin mbushur mendjen të rifillonte shkollën, pasi ajo kishte menduar ta braktiste se sipas saj “tërmeti është nëpër këmbë e nuk dihet se ç’mund të ndodhë”! Asistuam në disa shkolla dhe pamë se kishte pak ose aspak mungesa. Alesjan nga Dibra erdhën dhe e morën shoqet e klasës së saj, me të cilat kishte bërë klasën e 9-të, sapo e morën vesh se në Tiranë kishte rënë tërmet. Edhe pse banesa e saj nuk pati asnjë dëmtim, ato e morën mikeshë në familjet e tyre që me datë 27 dhe po sëbashku erdhën sot tek shkolla ku mësonte shoqja e tyre dhe aty u ndanë të përlotura. Filloi mësimi në të gjitha shkollat e Tiranës, ndonëse jo me atë gjallëri e gëzim të para 26 nëntorit, por prapë vogëlushët e të rinjtë dinë ta mbjellin pranverën kudo. Mësuesit e trajnuar vazhdimisht e me korrektesë nga psikologët e inspektorët e zyrave vendore arsimore, sipas porosive të dhëna nga MARS dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Parauniversitar, Selman Hodaj, i cili këto ditë ka qenë në krye të punëve, kanë marrë masat parapërgatitore mbrojtëse ndaj tërmetit dhe çdo fatkeqësie tjetër natyrore. Në çdo shkollë, jo vetëm janë hartuar plane speciale pune për tu mbrojtur nga ngjarje të tilla, por edhe janë afishuar kudo, e janë përcaktuar konkretisht masat e para mbrojtëse, mënyrat e daljes nga klasat dhe grumbullimi në vende të hapura. Në shumicën e shkollave ora e parë e së hënës është kthyer në një bisedë qetësuese me nxënësit, e duke nxitur pasionet e tyre. Mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë bashkëbiseduar natyrshëm me nxënësit për gjendjen shëndetësore të tyre dhe të familjeve, për ndihmat dhe kontributet e dhëna dhe si bashkërisht e mposhtën dhimbjen e madhe.

-“Duhet t’i lëmë pas ato ditë - thotë Pamela, edhe pse dhimbja qe e madhe dhe të ecim përpara duke ëndërruar e punuar vetëm për gjëra të bukura e të ardhmen e sigurt. Jemi vërtet të tronditur, se brezi ynë nuk e kishte provuar kurrë një tragjedi të tillë, por ama dhe jemi përgatitur e dimë t’i kapërcejmë vështirësitë. Jeta i ka të gjitha edhe vuajtjen e gëzimin, por kryesorja është të jemi bashkë, e bashkërisht t’i kapërcejmë hallet, e të krijojmë mundësinë për sa më shumë gëzime”. “Ato ditë nuk duhen harruar, jo për tu bërë pesimistë e nostalgjikë- shprehet Deni, nxënës i vitit të dytë,por për të nxjerrë përgjegjësitë e atyre që janë fajtorë në këtë tragjedi, që të mos na ndodhin më fatkeqësi të tilla. Ajo që mund të jetë për faj të njeriut, të ndëshkohet, ajo që është për faj të perëndisë nuk kemi ç’ti bëjmë,vetëm të bashkohemi e të duam më shumë, më fort njeri- tjetrin”. Olta e gjimnazit “Partizani”, me origjinë nga Shpati i Elbasanit, na tregon mesazhin që i ka ardhur atë ditë kur ra tërmeti, nga një shoqe e saj në shkollën e Gjinarit, Vojsava: “Pashë në tv, tragjedinë e madhe që shkaktoi tërmeti në Durrës e Tiranë. Ke, s’ke dëme,të vish menjëherë,me gjithë familjen në shtëpinë tonë. Të presim”! Por kur familja nuk shkoi, pasi nuk kishte dëme në banesë, Vojsava, bashkë me babain, erdhën vetë në Tiranë dhe e morën Oltën në fshatin e tyre edhe për t’u hequr sikletin e stresin që u kishte rënë. Fillimi i shkollave në zonat e goditura rëndë nga tërmeti është sinjali i qartë se jemi bashkë e do të vazhdojmë të ecim më përpara. Këtë e tregoi edhe fakti se në gjimnazin “Ismail Qemali”, nxënësit, pasi u njohën e dhe një herë me masat mbrojtëse ndaj tërmetit, kënduan himnin e flamurit, ku dukej sikur nuk do të shuhej kurrë jehona e vargjeve: “Po, Shqipëria do të rrojë/ Për të luftojmë, luftojmë ne”. Këto ditë vërtet përjetuam një dhimbje të madhe, por na nxitën dhe më tepër bashkëpunimin e solidaritetin vëllazëror, bënë më të fortë lidhjen midis brezave, midis bindjeve të ndryshme, rifreskuan lidhjet e palëkundura të së kaluarës me të sotmen. Këtë lidhje e vazhdimësi, si rastësisht e tregon e dhe fakti se nxënësit e Samiut do të mësojnë te Qemal Stafa, të Lasgush Poradecit tek Myslim Keta, të Murat Toptanit tek 26 Nëntori. E kaluara e lavdishme që rri gjallë në emra patriotësh e luftëtarësh, merr fytyrë të re këto ditë tek emrat e dëshmorëve të lirisë, tek heronjtë e vërtetë të luftës dhe të punës, tek ata që janë në këmbë për të mposhtur pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Kjo është vazhdimësia e brezave që ëndërruan dhe ëndërrojnë Shqipërinë europiane, është burim i madh frymëzimi që brezi i ri të mos e ndalë kurrë marshimin në udhën e bukur të dijes. Fillimi i shkollës këtë të hënë tregoi se e gjithë Shqipëria është në këmbë, e gatshme për të realizuar punët e ditës e për të ecur pa u ndalur në udhët e dijes. Dhe ky është ngushëllimi më i mirë, për gjithë ato familje që u prekën nga tërmeti dhe një mësim i rreptë për ne të gjithë, që fatkeqësitë e natyrës në të ardhmen t’i përballojmë më me siguri. 

Nga Ramazan SHERJA