Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

KLSH dhe reforma territoriale

Postuar: 20/06/2019 - 07:26

Nëse fushata e 30 qershorit për zgjedhjet në 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore(bashkitë) duhej të shërbente për diçka, ia vlente të ishte një reflektim i menaxhimit të këtyre njësive për katër vitet 2015-2019, në kushtet e zbatimit të reformës administrative-territoriale. E cila, deri tani, nuk ka marrë kurrë një përcaktim të efektivitetit dhe efiçiencës së vet. Askush nuk ka dalë të thotë se ku jemi me këtë reformë rreth 5 vite nga nisja e saj. Çfarë është arritur, çfarë është lënë në mes dhe çfarë ka dështuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka provuar ta japë një vlerësim të ecurisë së saj, nëpërmjet auditimit të performancës “Funksionimi i bashkive në kuadër të reformës administrativo-territoriale”. Mesazhi qendror i institucionit të auditimit të jashtëm publik të vendit është se kjo reformë nuk i ka përmbushur objektivat. Legjislacioni i ri nuk zbatohet plotësisht, procesi i përthithjes së funksioneve të reja, punonjësve, aktiveve dhe rritja e cilësisë së shërbimeve nuk është arritur të realizohet me sukses. Në shumicën e bashkive rezulton nivel i ulët efektiviteti në mbledhjen e të ardhurave të veta dhe në përdorimin e fondeve në dispozicion. Pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore. Për pasojë, rezultojnë mospërputhje mes objektivave të reformës dhe politikave fiskale dhe buxhetore të qeverisë qendrore të cilat kanë cenuar autonominë vendore duke minuar kështu forcimin e decentralizimit dhe autonomisë së bashkive. Buxheti qendror alokon për të 61 bashkitë rreth 1 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit (100 milionë euro). Ky është niveli më i ulët rajonal. Më poshtë se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Duke mos i ndihmuar bashkitë në ushtrimin e plotë të kompetencave dhe në rritjen e nivelit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ndërmjet bashkive në rang vendi ekziston një pabarazi financiare dhe KLSH ka konstatuar ndërhyrje të pushtetit qendror në pushtetin vendor, me efekt negativ për buxhetin e bashkive dhe stabilitetin e autonomisë financiare. KLSH ka gjetur se reforma administrative-territoriale nuk ka rrjedhur nga një proces i gjerë ligjor dhe i shtrirë në kohë. Së dyti, ajo nuk ka ndjekur kriteret e afirmuara nga praktikat evropiane. Për pasojë, risku i përmbushjes së objektivave madhorë të vetë reformës është shumë i lartë, për shkak të intervalit të shkurtër kohor nga nisja e procesit deri tek miratimi i tij. Po ashtu, përcaktimi i zgjedhjeve vendore si pikënisje e hyrjes në fuqi të reformës çoi më së shumti në një implementim politik të reformës (mungesa e dëshirës për bashkëpunim ndërmjet maxhorancës dhe opozitës), sesa në një zbatim menaxherial dhe administrativ. U anashkalua faza parapërgatitore e bashkive. Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe Ligji “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” hynë në fuqi përkatësisht në 30 janar 2016 dhe 5 qershor 2017, ndërsa superbashkitë e reja u krijuan në shtator 2015, pas zgjedhjeve vendore. KLSH vëren se për reformën janë shmangur hallkat e një shqyrtimi të thellë parlamentar e ligjor, bazuar në praktikat e mira europiane. Ajo është miratuar si hallkë më vete, si fillim i një procesi. Nuk ka qenë kurrë rezultat apo produkt i një zinxhiri procesesh dhe shqyrtimesh ligjore, administrative, sociale dhe gjeo-kulturore. Në këtë kuptim, një miratim i tillë i reformës i ka venë bashkitë para faktit të kryer, para një realiteti të ri administrativo-territorial, pa thithur eksperiencën e duhur menaxheriale. Në vendet e Europës, procesi ka zgjatur afërisht rreth 10-20 vjet dhe pikënisja e procesit ka qenë ngritja e një Komisioni mbi Strukturën e re Administrative. Në aspektin e respektimit të parimit të autonomisë vendore, reforma administrativo-territoriale, pra një reformë për pushtetin vendor, është bërë pa marrë parasysh vullnetin vendor të qytetarëve, përmes referendumit. Kështu është shkelur Neni 5 i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore “Mbrojtja e kufijve territoriale të bashkësive vendore”. Në këtë konfigurim të ri, bashkitë përballen sot me dy sfida kryesore, aspak të trajtuara gjatë kësaj fushate zgjedhore. Së pari, me një territor të ri e të panjohur që rezulton të jetë jashtë rrezes së zgjatimit administrativ të bashkive, për shkak të terrenit të thyer në zonat veriore, apo zigzageve të kufijve administrative të bashkive të tjera. Së dyti, me kompetenca të reja dhe problematike, për shkak se fondet e akorduara nga buxheti qendror nuk janë proporcionale me buxhetin që realisht u duhet bashkive për t’i ushtruar sipas standardeve funksionet e reja të tyre.

Nga Fatos ÇOÇOLI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2019 - 08:20

Nëse kjo do të ishte një ndodhi e rastit dhe e shkëputur tërësisht nga veprimtaria e sistemit tonë të përgjithshëm universitar dhe stafeve të tyre akademike, atëherë nuk do t’ia vlente aspak që të merreshim me n

Postuar: 22/09/2019 - 08:18

Morali i politikës dhe jetës publike nga njëra anë dhe morali i njeriut të thjeshtë janë për poli

Postuar: 22/09/2019 - 08:12

Pothuajse gjithmonë kur flitet për femrat në polici, flitet për punën e bukur dhe të vështirë që

Postuar: 22/09/2019 - 08:09

Opozita jonë është çoroditur plotësisht dhe jo vetëm që nuk paraqet asnjë alternativë, por partit

Postuar: 21/09/2019 - 07:22

Do të numëroja shtatë arsye ndonëse janë 140 të tilla, përse Shqipërisë sonë të vogël nuk ka ç&rs

Postuar: 21/09/2019 - 07:19

Shembulli i zgjidhjes së krizës qeveritare për një kohë shumë të shkurtër, në Italinë fqinje, duh

Postuar: 21/09/2019 - 07:18

Të gjithë, politikanë, burra, gra, militantë, socialistë, demokratë, lësëistë, familjarë, ish bas