Lajme të tjera
BREAKING NEWS

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese kusht kryesor për...”/ Ambasadori takim të rëndësishëm me kryetaren e KED-së. Ambasada gjermane zbardh bisedën dhe çfarë u vendos

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese kusht kryesor për...”/
x

Opinion / Editorial

KLSH dhe rekomandimet mbi përmirësimin e skemës së borxhit publik në financimin e agrobiznesit

KLSH dhe rekomandimet mbi përmirësimin e skemës së borxhit

1.      Sfondi

Nga auditimi i kryer nga KLSH në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), në lidhje me borxhin, vlerat dhe “moshën” e tij prej krijimit të këtij institucioni shtetëror, ka rezultuar se për menaxhimin e fondeve kundër parti të ish-Projektit “2KR”, i janë akorduar qeverisë shqiptare nga qeveria japoneze prej vitit 2000 vlera prej 20 milionë USD. Shtrohet pyetja: Sa efektiv ka qenë përdorimi dhe kthimi i këtyre fondeve nga përdoruesit? Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka trashëguar debitorë nga ish-Projekti “2KR” si dhe nga riciklimi i këtyre fondeve ka krijuar debitorë të rinj, si për mekanikën bujqësore dhe plehra kimike, debitorë nga përfituesit e vitit 2005, "Linja dhe Sera" si dhe debitorët e karburantit pa akcizë. Pra, trendi i këtyre borxheve ndaj fondeve të buxhetit të shtetit ka ardhur në rritje përgjatë viteve. Kështu, nga auditimi i borxhit u konstatua se AZHBR trashëgon në mënyrë të vazhdueshme debitorë të cilët në total deri në fund të vitit 2018, janë në vlerën 2 miliard lekë, ku pjesën më të madhe e zënë debitorët e linjave 2005-2009, me një borxh në vlerën 1,6 miliardë lekë, dhe vlera prej 473 milionë lekë për periudhën 2009-2017. Meriton të theksohet fakti se, debitorët për linjat e shpërndara në vitin 2005 janë 30 subjekte me vlerë totale të detyrimit prej 1,033 milionë lekë, ose e thënë ndryshe 50 % e borxhit total që ka sot AZHBR, në kundërshtim me detyrimet ligjore të subjekteve përfituese për shlyerjen e kësteve sipas kontratës dhe grafikut që shoqëron kontratën e nënshkruar mes palëve. Konstatimi është se braktisja e aktiviteteve agro-bujqësore nga vetë fermerët e financuar nga projektet e AZHBR si pasojë e mos subvencionimit të karburantit, të plehrave kimike, inputeve bujqësore, dhe mungesës së lehtësirave fiskale, ka krijuar një borxh të lartë për vetë agjencinë.

2. Instrumentet ligjorë që janë përdorur nga Agjencia dhe analiza e kostove …

Nga Agjencia janë iniciuar veprimet dhe hapur procese gjyqësore për subjektet debitorë, por ky fenomen i moslikuidimit është i përhapur në shumë fermerë. Auditimi i KLSH ka vërejtur se nga ish-Projekti 2KR dhe Ministria e Bujqësisë, nuk janë analizuar shkaqet dhe arsyet objektive apo subjektive të krijimit të vështirësive financiare që i kanë detyruar këta fermerë të mos paguajnë këstet, ku si rrjedhim kanë lindur dhe kamatëvonesat në kontratën e nënshkruar. Në praktikë, vështirësitë e likuidimit të detyrimeve kanë sjellë braktisjen e aktiviteteve agrobujqësore nga fermerët përfitues, pasoja që nuk i janë nënshtruar një fokusi analize të kujdesshme, si të shkaqeve objektive apo subjektive, të neglizhencave dhe burokracive të aparatit dhe strukturave shtetërore, që lidhen me mos subvencionimin në kohë të karburantit, të plehrave kimike, inputeve bujqësore, mungesës së lehtësirave fiskale, etj. Kjo analizë bëhet e domosdoshme, pasi nëse situata do të vijojë këtë rrëshqitje sipas skemës “top bore”, borxhi i këtyre përfituesve të sektorit agrar përmes këtyre skemave do të shoqërohej me zgjerimin e hartës dhe impaktit financiar të këtyre debitorëve. Në akt-paditë e depozituara nga AZHBR, për këta debitorë është kërkuar zgjidhja e kontratave për mos përmbushjen e detyrimeve kontraktuale të mbetura si dhe pagimi i kamatëvonesave sipas kontratave respektive, kërkesa tërësisht të mbështetura në ligj, por që nuk janë zgjidhje, thjesht rëndojnë situatën për të dy palët, shtojnë statistika me vlera që s’kanë shpresë “arkëtimi” të kthehen dhe rëndojnë situatën e fermerëve. Jo vetëm kaq! Është kërkuar edhe vendosja e masës së sigurimit të padisë për sekuestrimin e objektit, çka do të thotë se deri në përfundim të proceseve gjyqësore subjektet debitorë nuk kanë të drejtë të përdorin linjat apo serat e marra nga AZHBR, nga të cilat realizojnë dhe përfitojnë të ardhura tatimore. Pra, ngarkesa negative vjen duke u shtuar. Edhe nëse nga autoritet përgjegjëse do të duhet të iniciohen praktikat e sekuestrimit të linjave të instaluara apo serave të ndërtuara nga fondet e këtyre projekteve, ekuacioni dhe niveli i kostove do të vështirësohej. Kështu, për të nxjerrë në dukje koston e lartë buxhetore dhe raportin kosto-përfitim për AZHBR, mjafton të përmendim këtu shpenzimet dhe koston ekonomike për zbatimin e procedurave të mbledhjes së detyrimeve nga subjekte debitorë që kanë përfituar nga fondi kundërparti, ku AZHBR ka financuar nga buxheti i shtetit në masën 17 milionë lekë mbulimin e shpenzimeve për sekuestrimin (heqjen) transportin dhe ruajtjen e dy linjave (pajisje dhe makineri për nxjerrjen e vajit te ullirit), të cilat aktualisht edhe sot që nga viti 2011 ndodhen në ruajtje në ambientet e Bordit të Kullimit Tiranë dhe kanë humbur vlerën e tyre të përdorimit, për shkak të amortizimit. Për më tepër, po të përmendim këtu, rastet e sekuestrimit të serave me sipërfaqe të mëdha mbi 1 ha, që kanë vite të shumta përdorimi dhe janë tejet të amortizuara, fonde buxhetore që do të nevojiteshin për vlerësimin, çmontimin, ruajtjen, transportimin, magazinimin dhe përsëri montimin e tyre do të ishin jashtë parashikimeve normale. Pra, arrijmë në konkluzionin se pavarësisht procedurave administrative të ndjekura dhe dokumentuara nga AZHBR si dhe proceseve gjyqësore të hapura e të shoqëruara me kosto të larta të tyre, nuk kanë sjellë një zgjidhje të situatës.

3. Përse duhen konsideruar dhe zbatuar rekomandimet e KLSH-së për këtë proces delikat dhe ku duhen inkuadruar shumë kontribute?

Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas konstatimeve dhe situatës së mësipërme rekomandoi që AZHBR, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të qeverisjes së përgjithshme (të tilla si MFE, MBZHRU, etj), të analizojnë shkaqet dhe arsyet e krijimit të subjekteve debitorë, fermer, nëse arsyet e krijimit dhe rritjes së debitorëve kanë ardhur si pasojë e mos subvencionimit të inputeve bujqësore dhe karburantit si dhe të mungesës së lehtësirave tatimore nga organet shtetërore, të mundësohet një marrëveshje bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me subjektet debitorë për rishikimin dhe ristrukturimin e këtij borxhi, me qëllim nxitjen e aktivitetit dhe shmangien e falimentimit që mund të vijnë nga shlyerja e këtyre detyrimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore. Kjo situatë, kërkon dhe një proces të analizimit dhe llogaritjes së raportit kosto-përfitim për subjektet debitore, ku me vendime të gjykatave të formës së prerë u kërkohet zgjidhja e kontratave dhe sekuestrimi i sendeve, makinerive, pajisjeve, serave, etj. apo shlyerja e detyrimeve. Nëse kostot e sekuestrimit (çmontimit, transportit, ruajtjes etj) rezultojnë më të larta se përfitimet, AZHBR të studiojë mundësinë e një akt-marrëveshje të re me qëllim lejimin e ushtrimit të aktivitetit, stimulimin dhe nxitjen e zhvillimit të tyre. Në këtë kuadër, KLSH ka rekomanduar një rol më aktiv të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas një plani bashkëpunimi për të gjithë debitorët (veçanërisht për debitorët e linjave 2005-2009), për verifikimin e statusit në sistemin tatimor dhe marrjen e menjëhershme të masave bllokuese për ata subjekte që figurojnë aktivë dhe që sigurojnë të ardhura dhe realizojnë fitime pikërisht prej makinerive të këtyre linjave dhe falë financimit të akorduar nga AZHBR.

*Audituese në Kontrollin e Lartë të Shtetit