Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

KLSH dhe vendimet gjyqësore kundër shtetit

Postuar: 17/04/2019 - 07:10

Fatura e dëmeve shkaktuar buxhetit të shtetit nga qindra e mijëra largime të padrejta nga puna e punonjësve të administratës sonë shtetërore në këto 7 vitet e fundit është kolosale. Janë të panumërta rastet dhe herët kur institucioni i auditimit të jashtëm të vendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka dhënë alarmin për kostot e papërballueshme të vendimeve gjyqësore në dëm të shtetit. Vendimet gjyqësore të gjykatave vendase dhe ato të lidhura me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar apo Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë risk real për nevojat për financim. Ende Buxheti ynë i shtetit vijon të mos parashikojë (provigjionojë) si duhet fondet për të paguar këto vendime. Vendimet gjyqësore për largim të paarsyeshëm dhe të pajustifikuar nga puna të qindra e mijëra punonjësve vazhdojnë të krijojnë efekte negative për Buxhetin e gjithë shqiptarëve. Në 7 vitet e fundit, këto vendime e kanë rënduar paranë publike me mbi  2 miliard lekë çdo vit, ose 16 milionë euro. Në shtatë vite janë 112 milionë euro! Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore vazhdojnë të mos marrin masat e duhura për sistemimin në punë të ish-punonjësve fitues të gjyqeve, duke vijuar praktikën skandaloze të pagesave të dyfishta(nganjëherë edhe të trefishta) për një vend pune, pavarësisht pozicioneve të lira në administratën shtetërore. KLSH ka vërejtur se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen dhe nuk deklarohen si shpenzim. Kjo bie në kundërshtim me nenin 61 të Ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Një papërgjegjshmëri e tillë krijon kushtet për akumulimin e kamatëvonesave si pasojë e vonesës në shlyerjen e tyre dhe nënvlerësimin e shpenzimeve të vitit. Dukuri të tilla shpien në thellimin e defiçitit buxhetor dhe në pagesat e kripura të tarifave përmbarimore, si pasojë e mosekzekutimit vullnetar të vendimeve dhe thyerje të radhës së shlyerjes së vendimeve. Në shumë institucione qendrore të kontrolluara, madje edhe ministri nuk ekziston baza e të dhënave të vendimeve gjyqësore, në mënyrë që nga ana e KLSH të raportohet efekti i detyrimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Ja përse efekti i pagesave të kryera nga Buxheti i Shtetit për vitin 2017, për shembull, për largim të padrejtë të punonjësve nga puna, nëpërmjet llogarive të shpenzimeve operative vlerësohet në rreth 2 miliardë lekë (16 milionë euro), ndërsa për vendimet e tjera gjyqësore në rreth 1 miliardë lekë (8 milionë euro). Të gjitha këto fonde janë para e taksapaguesve shqiptarë e shpenzuar pa efektivitet, madje në shumë raste përbëjnë dëm real ekonomik ndaj shtetit. KLSH ka konstatuar se për vendimet gjyqësore me objekt çështjet e privatizimit nuk ka informacion se sa janë detyrimet e shtetit(?!). Nga auditimi në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, institucioni i kontrollit më të lartë shtetëror gjeti se nuk ka një bazë të dhënash të këtyre vendimeve dhe informacioni mungon thuajse tërësisht. E njëjta gjendje paraqitet me vendimet gjyqësore me objekt çështjet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Vendimet gjyqësore të miratuara për pagesë nga viti 2016, rezultonin sipas detyrimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të pakontabilizuara për rreth 500 milionë lekë. Për vendimet gjyqësore të cilat nuk janë të autorizuara për pagesë, KLSH e ka të pamundur të vlerësojë efektin, duke qenë se ato nuk regjistrohen në bazën e të dhënave të vendimeve gjyqësore dhe as në kontabilitet. KLSH ka kërkuar me forcë në auditimet e veta zbatimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe futjen e tyre në procesin e ekzekutimit buxhetor. Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e tjera të linjës duhet të përllogarisin me përgjegjësi efektin e mundshëm financiar të këtyre vendimeve për vitet e ardhshme, në formën e detyrimeve të prapambetura. Ato duhet të nxjerrin personat përgjegjës në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të nëpunësve publike, në të njëjtën linjë me kërkesën e vazhdueshme për hartimin dhe miratimin e ligjit “Për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik”. KLSH ka konstatuar se në të gjitha institucionet shtetërore që zbatojnë vendimet gjyqësore nuk ka reflektim për “qumështin e derdhur”, për miliona eurot e çuar dëm të parasë publike. Nuk përcaktohet përgjegjësia në lidhje me detyrimet që lidhen me shkarkimet dhe largimet e padrejta nga puna. Kjo ndodh në kundërshtim edhe me kërkesat e Udhëzimit Standard të Zbatimit të Buxhetit, në të cilin kërkohet nxjerrja e përgjegjësive nga ana e titullarëve të institucioneve për çdo rast të vendimeve gjyqësore.

Nga Fatos ÇOÇOLI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 07:40

Letra publike që Kryeministri Rama i drejtoi Kryetarit të PD, Lulzim Basha, ishte një hap në drejtimin e duhur, një ftesë, e cila i hapte rrugë dialogut në tavolinë dhe uljen e palëve të acaruara për të gjetur pikat e

Postuar: 26/05/2019 - 07:39

...E më keq akoma, të udhëtosh nga një cep i periferisë në cepin tjetër si fjala vjen nga Babrruj

Postuar: 26/05/2019 - 07:37

E gjithë shoqëria shqiptare sot është e shqetësuar për situatën politike tej të tensionuar në Shq

Postuar: 25/05/2019 - 07:19

Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e një çerek shekulli më parë, si dhe u

Postuar: 25/05/2019 - 07:17

 Çdo vit, në 31 maj, OBSh-ja dhe partnerët global shënojnë/celebrojnë Ditën Botërore Pa Duha

Postuar: 25/05/2019 - 07:15

 I pari Maj i Lirisë nuk harrohet!

Postuar: 25/05/2019 - 07:13

 Mitologjia greke na ka lënë qartë dhe bukur treguar modelet e "zotave" në besimin