BREAKING NEWS

Marrëveshja mes kryeministrit Rama dhe Di Maio-s/ 30 mjekë shqiptarë zbarkojnë në Itali sot pasdite, zbardhet vendimi: Paguhen nga buxheti i shtetit, ja sa do marrin në muaj (VENDIMI)

Marrëveshja mes kryeministrit Rama dhe Di Maio-s/ 30 mjekë
x

Opinion / Editorial

KLSH dhe Zhvillimi Rajonal

KLSH dhe Zhvillimi Rajonal

Fondi për Zhvillimin e Rajoneve ka marrë një detyrë shumë të rëndësishme përsipër. Rindërtimin në të tetë bashkitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me përjashtim të 9 zonave të shpallura në Bashkinë e Tiranës.

Një pjesë e konsiderueshme e të 1 miliardë e 313 milionë eurove të angazhuara nga donatorët (1.15 miliardë euro) dhe Buxheti i Shtetit i vitit 2020 (163 milionë euro) do të kanalizohen nëpërmjet këtij Fondi. Nga auditimi i Fondit për Zhvillimin e Rajoneve (FZHR), në Raportin e Auditimit të Buxhetit të konsoliduar të Shtetit për vitin 2018 dhe 9 mujorin e vitit 2019, KLSH ka vërejtur se ky institucion ka vijuar të ketë një programim jo efektiv edhe gjatë kësaj periudhe. Në dokumentet kontabël dhe të regjistrimeve të shpenzimeve në FZHR, edhe pse kjo strukturë është burim financimi për disa programe buxhetore, vetëm programi Infrastruktura Vendore dhe Rajonale është i identifikueshëm dhe del si zë më vete në tabelën fiskale. Audituesit e KLSH kanë gjetur se të gjitha projektet e tjera, të cilat financohen nga FZHR, nëpërmjet programeve të ndryshme buxhetore, raportohen të padiferencuara dhe në një zë me të gjitha shpenzimet e tjera kapitale.

Lind pyetja, çdo të ndodhë kur FZHR t’i besohen me qindra programe rindërtimi dhe rimëkëmbjeje në zonat e dëmtuara nga tërmeti nga dhjetëra donatorë? Që ndoshta secili prej tyre mund të dojë një format të veçantë raportimi dhe informacione të gjera dhe të hollësishme financiare? Që tani, me disa pak programe buxhetore që Fondi menaxhon, është e vështirë të identifikohet vlera totale e investimeve që financon ky institucion çdo vit. Prej këtej del i vështirë edhe kontrolli i detajuar i tij dhe gjykimi më në detaje për performancën e Fondit.

Audituesit tanë kanëë zbuluar se plani me ndryshime i programit “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” është 6,900 milion lekë (ose 56.5 milionë euro). Ky program reflekton diferencë në vlerën 800 milion lekë, krahasuar me Aktin Normativ nr. 2 dhe Tabelën e Treguesve Fiskalë. Ç’do të ndodhë kur FZHR të nisë të administrojë me qindra milionë euro të donatorëve?

Akti Normativ nr. 2, nuk ka përfshirë dhe nuk ka reflektuar ndryshimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 572, datë 08.11.2018 për transferimin e fondeve. KLSH konsideron se realizimi në Tabelën Fiskale për programin “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” nuk është i saktë, pasi mungon raportimi për planin dhe faktin e 4 projekteve në vlerën totale 215 milionë lekë, fondet e të cilave janë alokuar me VKM-në me nr. 438, datë 18.07.2018.

Për vitin 2018, KLSH ka zbuluar se për programin 06220 “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” janë paguar detyrime të prapambetura për 84 projekte në vlerën totale 2,255 milionë lekë, ose 18.5 milionë dollarë. Nëse Fondi për Zhvillimin e Rajoneve akumulon detyrime të prapambetura me paratë e donatorëve, kjo do të ishte një goditje për transparencën dhe efektivitetin e procesit të rindërtimit nga tërmeti në Shqipëri.

Auditimi i KLSH ka konstatuar se për 4 projekte, kontratat janë lidhur pas datës 15 tetor 2018. Ky fakt është shqetësues, pasi risku i realizimit joreal për mos djegur planin është i lartë. KLSH ka rekomanduar që kjo dukuri kërkon menjëherë kryerjen e inspektimeve financiare nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Nga auditimi, rezulton se Komisioni për Zhvillimin e Rajoneve (struktura vendim-marrëse) për programin arsimi bazë ka shpërndarë fonde për 60 projekte të reja mbi 31 milionë lekë më shumë se fondet e pasura në dispozicion nga FZHR për këtë program. E njëjta situatë paraqitet edhe për programin “arsimi i mesëm i përgjithshëm”, ku Komisioni ka shpërndarë fonde për 18 projekte të reja në vlerën totale 451 milionë lekë, ndërkohë që sipas ligjit të buxhetit programi arsimi bazë për projektet e reja që do të financohen nga FZHR ka vlerën 435 milion lekë, pra Komisioni ka shpërndarë 16 milion lekë fonde më shumë se fondet e pasura në dispozicion për këtë program. Defekte të tilla janë të palejueshme në rastin e menaxhimit të fondeve të donatorëve për rindërtimin, prandaj dhe rekomandimet dhe mbikqyrja e KLSH në procesin e rindërtimit janë thelbësore.