BREAKING NEWS

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep lajmin e mirë nga spitali Infektiv

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep
x

Opinion / Editorial

KLSH, konsulenti më i mirë i administratës publike!

KLSH, konsulenti më i mirë i administratës publike!

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si një institucion suprem e i pavarur i auditimit në Republikën e Shqipërisë, operon në bazë të ligjit Nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ka si detyrë parësore, që në përputhje me kompetencat e tij të përcaktuara në këtë ligj, të kryejë kontrollin për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë financiare dhe njëkohësisht të kryejë vlerësimin lidhur me administrimin e pronës shtetërore dhe zbatimin e buxhetit të shtetit. KLSH garanton mbrojtjen e buxhetit të shtetit nga parregullsitë në raport me ligjin dhe konsulton e i shërben institucioneve shtetërore që të shohin me përgjegjësi ligjore sjelljen e tyre financiare në lidhje me buxhetin e shtetit. KLSH, përmes auditimeve ndihmon që në institucionet publike të të gjitha niveleve të mbahet në fokus ndërtimi i një performance sa më eficente dhe efektive. Në vetvete, KLSH ka një qëllim tejet pozitiv duke dhënë rekomandime e ofruar shërbime konsulence në fushën juridike, ekonomike, inxhinierike apo edhe fusha të tjera, për kurimin dhe korrigjimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore që veprimtaria e tyre, të jetë sa më korrekte me shpenzimin e fondeve publike dhe në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore. Gjatë viteve 2011-2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit, vazhdimisht ka fuqizuar kapacitetet audituese në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe produktivitetit të auditimeve. Këto janë arsye thelbësore që administrata publike, të fillojë sa më parë të krijojë vetëdije juridike dhe institucionale, për shërbimet, konsulencën dhe rekomandimet që KLSH sugjeron gjatë periudhës që këto institucione auditohen. Njohja nga administrata publike e fushës së veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke iu referuar përmbajtjes së ligjit 154/2014 dhe detyrimeve që burojnë prej tij, do të bënte të mundur që në optikën e institucioneve publike, KLSH të shikohej pozitivisht si “shërbëtor” e konsulent i administratës duke e inkurajuar këtë të fundit, për të kërkuar shërbime konsulence nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo vetëm gjatë periudhës së auditimit, por në çdo kohë që institucionet publike do të kenë nevojë për shërbime të natyrës intelektuale për konsulencë juridike, ekonomike apo edhe të fushave të tjera ku KLSH ka mundësinë e ofrimit të konsulencës nëpërmjet stafit auditues të aftë tashmë profesionalisht, në sajë të përkushtimit që i ka dhënë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë gjithë kohës, rritjes së kapaciteteve audituese dhe cilësisë së auditimit. Një shërbim të tillë konsulence nga KLSH, institucionet publike mund ta kërkojnë në rastin e procedurave të prokurimit të llojit “shërbim konsulence” që ato kryejnë për hartimin e kontratave koncesionare, për auditimin e tyre apo edhe për negocimet midis palëve kur njëra palë është shteti shqiptar. Për ta konkretizuar arsyetimin e mësipërm, mund të merren shembuj pa fund nga auditimet e kryera nga KLSH. Në një nga këto auditime, të kryera kohët e fundit, është ai në Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar. Nga ky auditim ka rezultuar se AAC ka shpenzuar plot 60,000,000 lekë vetëm për kryerjen e procedurave të prokurimit të llojit “Shërbime konsulence”, shpenzime të cilat kryesisht i janë kërkuar nga Ministria e Industrisë dhe Energjitikës apo ajo e Ekonomisë dhe Financave, për konsultime apo auditime të kontratave koncesionare. Konkretisht vetëm për shërbimin e konsulencës për “Rishikimin e pavarur ekonomik të kontratës së konçesionit të TIA-s”, Organi Shtetëror përfaqësuar nga MIE dhe MFE, ka kërkuar nga AAC përzgjedhjen dhe mbulimin e kostove për një këshilltar financiar të kualifikuar. Vetëm për këtë “konsulencë ekonomike”, AAC ka shpenzuar 33,467,118 lekë. Në vetvete, ky shërbim konsulence ka pasur si qëllim vlerësimin e pozicionit ekonomik të Koncesionarit duke dhënë rekomandimet e duhura nga konsulenti (ekipi auditues) për përmirësimin e pozicionit ekonomik të kontratës koncesionare, në rast të ekzistencës së një disbalance ekonomike. Një shpenzim tjetër për procedurë prokurimi të llojit shërbim konsulence që AAC ka kryer, është ai me vlerë 152,600 euro në favor të konsulentit “ROLAND BERGER” GMBH, nga i cili MIE ka kërkuar një “konsulencë juridike” për lidhjen e kontratës koncesionare midis shtetit shqiptar dhe koncesionarit “CENGIZ CONSTRUCTION & KALYON & CONSTRUCTION”, me objekt “Projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”. Në të dy shembujt e mësipërm, duket qartazi se shteti shqiptar, institucionet publike, kanë shpenzuar afro 52,000,000 lekë për shërbime të një natyre intelektuale të fushës ekonomike dhe juridike, shërbime të cilat mund të kërkoheshin të kryheshin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vazhdimësi ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me institucione të ndryshme me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe dhënien e opinioneve për të përmirësuar rezultatet në punë të nëpunësve në funksion të administrimit me efektivitet, eficencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, por edhe në funksion të përmirësimit të legjislacionit nëse kërkohet edhe nga shteti shqiptar siç parashtrohet në nenin 17 të ligjit Nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Vazhdimisht është përmirësuar objekti i punës së auditimit në KLSH madje është zgjeruar për të ndihmuar në realizimin e një qeverisjeje më të mirë nëpërmjet menaxhimit të mirë publik, objektiv i cili bashkëpunimin e sheh si domosdoshmëri, bashkëpunim i cili nuk është praktikisht në nivelet e duhura për të arritur efektivitetin e dëshiruar. Bashkëpunimi institucional, nëse funksionon realisht, e bën shtetin të zhdërvjellët dhe mbështet punën e administratës shtetërore duke rritur rendimentin e saj pse jo dhe duke ulur shpenzimet për shërbime konsulence të fushave të ndryshme intelektuale, të cilat mund të kryhen fare mirë nga nëpunës të specializuar e me eksperiencë pjesë e administratës publike. Ajo që ngelet si obligim e detyrë e administratës publike, është vendosja e një “ure” komunikimi efektive me Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të përmirësuar koordinimin ndër-institucional duke rritur besimin ndaj KLSH dhe respektivisht bashkëpunimin. Në strategjinë e zhvillimit të KLSH 2018-2022, të miratuar nga kryetari z. Bujar Leskaj me vendimin nr. 229, datë 31.12.2017, janë parashtruar objektivat e thellimit dhe shtrirjes së bashkëpunimit me institucionet e tjera duke u bazuar tek moto e INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë” (Experentia mutua Omnibus prodest), e cila përbën thelbin mbi të cilin është hartuar dhe zhvilluar Strategjia për Zhvillim e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Institucionet publike, mjafton të fokusohen tek e njëjta moto për të bashkëpunuar me KLSH-në për të përfituar shërbime konsulence dhe jo duke kryer procedura prokurimi me vlera marramendëse për auditime apo vlerësime këshilluese me natyrë intelektuale, të cilat kryhen fare mirë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

*Auditues i Lartë, Dep. i Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja