Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

KLSH, partnere në grupet e punës të teknologjisë së informacionit të organizmave ndërkombëtare

Postuar: 08/10/2019 - 07:13

Teknologjia po transformon mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin. Ndërsa digjitalizimi gjeneron gjithnjë e më shumë të dhëna, aftësitë e profesionistëve të auditimit kërkohen të evoluojnë. Vëllimi i plotë dhe potenciali i papërdorur i të dhënave të krijuara nga teknologjitë e reja shtrojnë nevojën për digjitalizimin e vazhdueshëm të auditimit. Në të kaluarën auditimi ishte përqendruar kryesisht në atë çfarë kishte ndodhur dhe çfarë mund të bënim për të kufizuar rrezikun e mundshëm. Zhvillimi i teknologjisë së auditimit po mundëson një proces shumë më largpamës. Audituesit tani përdorin mjete të fuqishme teknologjike për të ofruar auditime më gjithëpërfshirëse dhe madje me cilësi më të lartë. Këto mjete gjithashtu kursejnë kohën që mund të shpenzohet duke u përqendruar në fushat komplekse të auditimit dhe ato që kërkojnë gjykim. KLSH nën moton e INTOSAI-it “nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë” po merr pjesë aktive në Grupin e Punës IT të EUROSAI-t (ITWG) me qëllim të shkëmbimit të përvojës dhe zhvillimit të njohurive metodologjike në fushën e IT. Grupi i punës IT është një organizim i EUROSAI-t me numrin më të madh të anëtarëve, gjë që tregon qartë rritjen e rëndësisë së teknologjisë së informacionit në punën e SAI-ve. Grupi i punës IT i EUROSAI-t synon të çojë më tej shkëmbimin e ekspertizës ndër-institucionale dhe të përvojave midis SAI-ve në rajonin evropian, të inkurajojë zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta, të stimulojë SAI-të evropiane për të eksploruar pasojat strategjike të zhvillimeve të lidhura me IT, të promovojë bashkëpunimin në hartimin auditimeve të lidhura me IT dhe të promovojë auditime të përbashkëta mes SAI-ve. Ky grup pune po drejtohet aktualisht nga SAI i Polonisë me të cilin KLSH implementoi me sukses projektin e binjakëzimit "Forcimi i kapaciteteve të auditimit të jashtëm" dhe zhvilloi Manualin Aktiv të Auditimit IT, një mjet për të planifikuar auditimin, për mbledhjen e gjetjeve dhe shkëmbimin e njohurive. Kontrolli i Lartë i Shtetit, me një vizion të qartë mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e auditimit të Teknologjisë së Informacionit dhe rritjen e cilësisë së tij, me vendim të kryetarit të KLSH-së datë 15.10.2014 ka krijuar Drejtorinë e Auditimit IT dhe që në atë periudhë ka synuar të përfitojë sa më shumë eksperiencë të jetë e mundur në trajnime dhe takime pune të zhvilluara nga EUROSAI dhe INTOSAI. Kjo eksperiencë e fituar ka qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve audituese të teknologjisë së informacionit, zhvillim i cili ka bërë të mundur që KLSH të trefishojë numrin e projekteve të auditimit të IT në periudhën 2015-2018. Konkretisht ka nisur me kryerjen e 2 auditimeve në vitin 2015, në vitin 2016 janë kryer 2 auditime dhe 1 në proces për t’u përfunduar në vitin 2017, në vitin 2017 janë kryer 4 auditime dhe në vitin 2018 janë kryer 6 auditime. Ndërkohë për vitin 2019 janë planifikuar të kryhen 8 auditime të teknologjisë së informacionit. Në frymën e bashkëpunimit mes SAI-ve anëtare dhe për zbatimin e planit strategjik të EUROSAI-t 2017-2023, specifikisht të qëllimeve “Promovimi dhe ndërmjetësimi i bashkëpunimit profesional për të mbështetur auditimet efektive dhe inovative” dhe “Mbështetja dhe lehtësimi i zhvillimit të kapaciteteve institucionale të SAI-ve anëtare për tu njohur me mundësi dhe sfida të reja”, në takimin e fundit të zhvilluar në Lisbonë, Portugali, në të cilën KLSH u përfaqësua nga tre auditues IT, theksi u vu në përmirësimin e konformitetit dhe kërkimit të sinergjisë përmes integrimit të mëtejshëm të platformës CUBE - Hapësira e Kontrollit për projektet e auditimit të qeverisjes elektronike. CUBE është një mjet i synuar për të lehtësuar auditimet e qeverisë elektronike. Mjeti po zhvillohet nga disa SAI, pjesë e Grupit të Punës IT të EUROSAI-t. Ai ka për qëllim të jetë një bazë e të dhënave "inteligjente" e raporteve të auditimit të qeverisë elektronike nga SAI të ndryshme, për lehtësinë e përdorimit të informacioneve jo vetëm në raportet e SAI-ve sa i takon auditimeve të qeverisë elektronike, por edhe si një burim për artikuj, prezantime, metodologji, baza të dhënash dhe materiale të tjera. Ai përdor një motor kërkimi të dedikuar, për të shfletuar përmbledhjet e raporteve të auditimit sipas rasteve të orientuar drejt çështjeve dhe jo të orientuar nga raporti. Risia e prezantuar në këtë takim të ngushtë mes zhvilluesve IT, ishte se CUBE tashmë nuk do të përdoret vetëm si burim për të mbledhur informacione të ndryshme nga auditimet, por duke përdorur teknologji të reja si inteligjenca artificiale, do të jetë platforma nga e cila do të sigurohen gjetjet kryesore të raporteve individuale të SAI-ve, duke u përqendruar në lidhjen shkak-pasojë, rastet me risk dhe qëllime projektesh. Kjo mënyrë do të ndihmojë në vendosjen se si do të përgjithësohen rastet në lidhje me rezultatet e auditimit dhe të klasifikohen parregullsitë të cilat janë identifikuar gjatë auditimit. Përmes teknologjisë do të bëhet i mundur zëvendësimi i punës së ekspertëve për të analizuar raportet dhe për të nxjerrë rastet më interesante. Algoritmi i krijuar do të përdorë raporte individuale, të cilat bëjnë pjesë në CUBE dhe përfshijnë shumë informacione të mbledhura gjatë auditimeve, për të marrë konkluzione të përbashkëta në nivelin rajonal, EUROSAI dhe INTOSAI. Shumë raporte janë në dispozicion në gjuhën angleze, por ato përdoren rrallë, ndoshta për shkak se audituesve u duhet shumë kohë për t'i lexuar ato dhe për të kërkuar informacione që u duhen në këtë mënyrë. Një mjet i tillë i zhvilluar në CUBE do të ndihmojë në përmirësimin e kësaj situate. Grupi i punës IT përmes kësaj risie shpreson që të bëhet më e lehtë gjetja e shpejtë e një informacioni interesant. Kjo bazë e të dhënave e dokumenteve është krijuar kryesisht për aluduesit e jashtëm publik që punojnë në fushën e qeverisjes elektronike, por të gjithë ata që janë të interesuar në auditimin modern të IT janë të mirëpritur ta shfletojnë. KLSH do të vijojë të jetë pjesë aktive në bashkëpunim me SAI-t partnere të grupit të punës IT të EUROSAI-t përmes audituesve të saj IT, për të dhënë kontributin e saj në zhvillimet e mëtejshme të teknologjive të reja që rrisin cilësinë e auditimeve.

Nga Elsona Papadhima dhe Delor Prosi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/12/2019 - 07:41

Vetingu është reforma më e madhe dhe më e rëndësishme në Shqipëri, në historinë e shtetit shqiptar, është reforma e cila është jetike për shqiptarët.

Postuar: 15/12/2019 - 07:40

Shqiptarët edhe pse kanë kaluar javë nga fatkeqësia që përfshiu Shqipërinë nga tërmeti që rrafsho

Postuar: 15/12/2019 - 07:38

Përballemi në këtë kohë me një ngjarje tragjike që pushtoi rëndë shpirtrat e njerëzve në mbarë

Postuar: 14/12/2019 - 07:14

Unë jam tip që ëndrrave nuk u besoj shumë, sepse ato janë prodhim i fantazisë së trurit tonë, kur

Postuar: 14/12/2019 - 07:13

Kemi qysh nga vitet 1990-të që kërkojmë të integrojmë Shqipërinë në Europë.

Postuar: 14/12/2019 - 07:12

Kemi dy fitore të mëdha që realisht të bëjnë të ndjehesh disi i habitur, por dhe i qartë me atë ç

Postuar: 14/12/2019 - 07:11

Në datat 25 nëntor - 7 dhjetor 2019 u zhvillua në "Qendrën Ndërkombëtare Të Mjedisit dhe Zhv