BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Koalicioni para i "premtimeve" dhe ai mbas, i përqindjeve!

Koalicioni para i "premtimeve" dhe ai mbas, i përqindjeve!

Sigurisht që është demokratike, normale "koalicioni" përpara se të futesh në zgjedhje. Por askush nuk mund të thotë se nuk është demokratike që të përballesh me votën reale të elektoratit si parti. Ka diçka interesante në politikën e tre dekadave të një marrëzie "tranzicionale" që ka bërë dy gjëra jashtëzakonisht të këqija në Shqipëri. E para, koalicionet fiktive, të mbushura me kryetarë partie pa parti, apo me votat e partisë grabitur nga partia tjetër, por dhe me kryetarët e koalicionit që duan më shumë poste dhe ministri se sa kanë mundësi "furgon partitë e tyre". E dyta, koalicionet janë përdorur si "mrekulli demokracie" kur kanë pasur mashtrimin e madh brenda tyre si në premtime dhe filozofi renegat vlerash përkatësie djathtas – majtas. Kush nuk i di këto manovra si prodhim "koalicionesh" të bëra dhe stërbëra në Shqipëri kur asnjëherë realisht nuk është marrë vesh fuqia reale e njësive si subjekte politike në realitetin dhe peshën specifike të tyre. Po sigurisht "demokracia e aplikuar kështu bën, këtë mos përputhje me realitetin jep". Po demokratike sigurisht – është. Po po, por asnjëherë e drejtë. Një nga ndryshimet që Rama ka dashur që gjithmonë është ajo kërkesa e tij e timonit vetëm. Në Shkodër thonë "nuk do pasha kallaballëk" dhe padyshim as Rama nuk ka pse të dojë kallaballëk kur ja plotëson kushtin PD-ja, e cila ballë për ballë, ka kohë që nuk është me numra më e madhe se sa PS. E ky është dhe problemi i arrogancës jo kaq misterioze të Ramës. Përndryshe edhe ai do të tentonte shumë koalicionin dhe për "koalicion" në Shqipëri nënkuptojnë LSI. Pra teknikisht kemi të bëjmë gjithmonë me një të majtë që lëviz përveç rastit kur Rama i nxori jashtë dhe tani nuk do më as koalicione si model para zgjedhor, ngaqë është i sigurtë se ballë për ballë me PD-në del forcë e parë dhe kështu ngarkohet të formojë qeverinë dhe nëqoftëse nuk ka votat e Kuvendit, duhet t’i mbledhë diku apo gjithkund. Ky është dhe problemi i sotëm i koalicioneve në Shqipëri, që është shumë i lidhur dhe me "listat e hapura". E ky problem nuk është një "zgjuarsi" e socialistëve. As e Rilindistëve. Ky problem është demencë dhe marrëzi e demokratëve dhe absolutisht e kryetarit të tyre. PD-ja mbas shtatë viteve qeverisje të Ramës dhe fakteve të shumta mbi të, duhet të thoshte përballë Rilindjes: Ku të duash, si të duash dhe kur të duash, sepse unë (PD) do të të zhdëp në vota, o krijesë folkpolitike e Ramës dhe me seli në Surrel. Po pra, jo te ish-selia e Komitetit të Partisë së Tiranës ku është PS. Por PD nuk e bën dot as këtë dhe jo më të rrahë apo të mundë PS-në, e cila në mënyrë për mua aspak të ndershme po pranon të bëhet një bisht i shëmtuar i një kupole aspak majtas, që është Rilindja e Surrelit. PD e ka problem punën e koalicioneve, sepse ka frikë se nuk del me vota përpara PS-së. E nuk është problemi i vjedhjes së votave kaq shumë. Jo, është problem i madh organizativ, strukturash dhe sidomos idesh e sinqeriteti politik. PD nuk është sot një parti forcë reale kreative dhe alternative e sidomos e ndershme në kupolën e saj politike. Përndryshe ajo as që do të kishte problem daljen pa koalicione përpara zgjedhjeve. Kanë për turp e faqe të zezë dhe pse kanë shtatë vite në opozitë pasiguri idiote në fitoren ballë për ballë me PS-në e Ramës. Megjithatë duke e trajtuar problemin filozofikisht ose dhe praktikisht mund të them se: ne na duhet njëherë të vetme të marrim vesh se kush është elektorati shqiptar, si voton realisht ai dhe çfarë është fuqia reale e partive në Shqipëri, por dhe njerëzve në to. E kam fjalë se koalicionet mund t’i largosh përpara, por mbrapa ato mund të bëhen dhe aty shikohet qartë dhe puna. E kam sërish fjalën se koalicionet përpara zgjedhjeve janë "premtime" pothuaj boshe elektorale, kur koalicionet më pas janë mbi bazën e të drejtës për përqindjet e marra përkatësisht. E kjo nuk të lë as ta teprosh me përfitim i madhi nga i vogli si numra dhe as i vogli prej të madhit për pushtete të pamerituara. E kam fjalën se "guximi" për të mos pranuar koalicionet mbrapa nuk i vjen Bashës se mund dhe të ketë frikë se "koalicioni" apo alias LSI i ikën me Ramën. Apo mos ndoshta e di që votat e "aleancës" së tij të djathtë me të majtën e Monikës, duhet të dalin si koalicion të qartë që Basha të bëhet kryeministër. Mbase, por kjo pastaj të thotë diçka si politikisht dhe filozofikisht. Koalicioni para zgjedhjeve është ai i premtimeve dhe në përgjithësi gënjeshtrat që thuhen para zgjedhjeve janë më të mrekullueshmet për shqiptarin në përgjithësi. E këtë gjë duan të mos lëshojnë si Basha dhe ata që nuk kanë se çfarë të bëjnë më. Por koalicionet më pas për sa të jetë nevoja tregojnë sigurisht përqindjen reale të forcës respektive. E për mua kjo gjë ka qenë dhe do të jetë pjesë e ndershmërisë politike. Mbase është pak e vjetërsuar sipas dikujt, por është sigurisht më e ndershme dhe më e drejtë. Kjo metodë nuk lejon të marrë pushtetin ai që është i dyti apo ai që nuk votohet më shumë nga njerëzit. E sigurisht për mua dhe shumë si unë largimi i koalicioneve nuk është se "trimëron" Ramën, se sa rregullon përqindjet reale të partive dhe individëve të tyre në Shqipëri.