BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Kodi i zi Zgjedhor dhe “pilatët” perëndimorë!

Kodi i zi Zgjedhor dhe “pilatët” perëndimorë!

Nuk jam i vetmi, që Kodin Zgjedhor, sidomos atë që u hartua mbas kompromisit Sali-Edvin të 2008-s, pasuar me shtojcat e marrëveshjes së qershorit 2020, e kanë quajtur “Kodi i zi Zgjedhor”. Kur themi i zi, nuk e kam fjalën për faqet e broshurës ku “prehet” i shkruar Kodi në fjalë, por për dredhat, lojërat, kurthet e paradokset, që ka ky Kod në lidhje me “demokracinë” e zgjedhjeve, të cilat sistemi që po aplikojmë, betohet se janë “Të lira, të drejta e demokratike”! Nuk e kam ndërmend të zbërthej një për një nenet e këtij Kodi, sepse është si të futesh për të kositur në një livadh, ku ka më shumë gurë e ferra, se sa tërfil. Por do të cek disa syresh, ku antidemokracia është e dukshme, çka justifikon edhe mbiemrin “i zi” që i taksa në këtë shkrim. Plot tri dekada të të ashtuquajturës “demokraci pluraliste”, vendin e kanë qeverisur kryesisht dy parti politike, me emërtimet PD e PS. E treta, që arriti të futej kontrabandë në lëmin e qeverisjes, ishte LSI, një “filial” i PS-së, me strukturë dhe pehlivanllëqe të njëjta me dy të parat. Partitë e tjera, që shkojnë gjer tek shifra njëqind, prej tri dekadash, kanë qenë vetëm garniturë e “biftekut” të servisur në pjatancën e zgjedhjeve demokratike, çka ka krijuar një tejngopje në abonentët e restorantit “demokratik” të borgjezisë. Po, pse nuk ka arritur të dalë në skenë një forcë e re, e katërt, apo e pestë, që të ndryshonte disi ngjyrat bajate të tri dekadave dështake? Një kërkesë kjo e vazhdueshme nga elektorati. Kjo nuk ka ndodhur, sepse nuk mund të kalohet “postblloku” i Kodit Zgjedhor. Le të themi nja dy fakte për këtë “postbllok”:

-Partitë politike joparlamentare (që nuk zotërojnë deputetë në Kuvend), mund të regjistrohen në zgjedhjet politike, duke siguruar 5000 (pesë mijë) nënshkrime qytetarësh, me gjeneralitetet përkatëse, sipas kartës së identitetit. Kjo sigurisht bie në kundërshtim me fshehtësinë e votës.

-Subjektet joparlamentare nuk kanë të drejtë të kenë anëtar të komisioneve në QV, QNV KZAZ dhe as në KQZ. Atyre u lejohen vetëm disa vëzhgues, të cilat, për të parë fletët e votimit nëpër tavolinat e numëruesve, apo në tabelën elektronike, duhet të marrin dylbi 8x30, e në ndonjë rast edhe Teleskop nga ato që përdorin shkencëtarët.

- Subjektet politike joparlamentare, kanë të drejtë të shfrytëzojnë ekranet televizive publike për 10 minuta në hapjen e fushatës dhe po aq edhe në mbyllje të saj, përkundër partive parlamentare, të cilat e shfrytëzojnë këtë mundësi 24 orë në 24 orë.

- Partitë kryesore parlamentare (konkretisht PD, PS, LSI) gëzojnë të drejtën e 70 për qind të fondit shtetëror, ndërsa partitë e tjera me një apo disa deputetë, marrin qindëshet apo dhjetëshet, që mbeten nga të parët; për të vijuar me partitë joparlamentare, të cilat mbledhin kacidhet që mbeten në “sofrën” e të mëdhenjve, me detyrimin për t’i kthyer fill pas zgjedhjeve, nëse nuk kalojnë pragun e votave, që kanë vendosur “tri ndrikullat” e mëdhaja.

- Ngase shpallja e kandidatëve bëhet në rang qarku, partitë joparlamentare, ndonëse mund të marrin mijëra vota, mbeten me gisht në gojë, nëse nuk e kalojnë kufirin e votave të caktuara për çdo qark, kufi që shkon nga 10 mijë, gjer në 15 mijë vota. Votat nën këta kufij të partive joparlamentare, nuk mund të bashkohen me “shoqet” e tyre në qarqet e tjera, por “digjen”, ose më saktë shpërndahen midis tri ndrikullave, PD, PS, LSI.

Tani le t’i marrim këto pesë pika që thamë më lart dhe të bëjmë një krahasim teknik: Sipas “demokracisë” së shpallur, subjektet politike duhet ta nisin garën në mënyrë të barabartë, siç e nisin sportistët garën e vrapimit në 100 metra. Në këtë garë vrapimi, garuesit, pavarësisht se dikush mund të jetë “Kampion Kombëtar”, apo dhe Ndërkombëtar, nisen nga e njëjta vijë e pistës, qofshin edhe ata që garojnë për herë të parë. Ndryshe ndodh në “vrapimin 100 metrash” të zgjedhjeve “demokratike” të borgjezisë. “Kampionia” nga partitë, nuk vendoset në një vijë me partitë e tjera, por 50 apo 60 metra më përpara. Pas saj nënkampionët 40 apo 50 metra më përpara e kështu me radhë. Nga kjo garë 100 metërshe, ata që kanë “tituj”, si puna e PD, PS, LSI-së, në vend të 100 metrave, vrapojnë 50 gjer në 60 metra, ndërsa partitë garuese pa tituj, e bëjnë 100 metërshin të plotë. A ka ndonjë që beson se këta që bëjnë 100 metra vrap, do të dalin para atyre që vrapojnë vetëm në gjysmën e kësaj distance? Ndonjëri, mund të marrë vrull e të thotë: “Tri partitë që kanë shumicën e elektoratit e kanë kaluar “stazhin” e provës, ndaj edhe meritojnë pozicione të favorshme”. Kësaj pyetje mund t’i japim këtë përgjigje: PD dhe PS, “stazhin” e provës nuk e kaluan duke vrapuar në pistë, por e kaluan me rrugë të pistë. Në vitin 1991 dhe në vitin 1992, këto dy parti nuk patën nevojë për “nënshkrime” mbështetëse, sepse patën “nënshkrimin” e Ramizit dhe aleatit të tij Rajerson, çka nuk e patën forcat e tjera që u krijuan më vonë. Kjo “skemë” e diktuar nga “fuqitë madhore” të demokracisë borgjeze, vijoi gjer në vitin 2009. Dalja në skenë e LSI dhe rreshtimi i saj në krah të dy “ndrikullave” PS, PD, ishte një neglizhencë e syrit vigjilent të atyre që “vrojtojnë” zgjedhjet, por ishte edhe falë “arit”, që kreu i LSI-së, thonë se e rrëmbeu ato muaj kur aksidentalisht ishte kryeministër. Mirëpo partitë e tjera, që vijuan e vijojnë me titullin “joparlamentare”, nuk janë treguar gjer tani “të zhdërvjellëta” si LSI dhe as kanë arritur të zbulojnë ndonjë “ishull thesari” si e para.         Ai “ndonjëri” i mësipërm, duke u munduar të mbrojë argumentin e tij, mund të lëshojë pyetjen, në dukje të drejtë: “Pse nuk luftoni edhe ju të fitoni vota më tepër se kufiri i caktuar për qark dhe të shpalleni subjekt parlamentar”? Pikërisht këtu qëndron edhe kokrra e muhabetit, ose thënë shkoqur këtu qëndron “kokrra” e demokracisë borgjeze. Pikërisht këto “kokrra” gjenden në “postbllokun” e Kodit Zgjedhor, i cili “përsoset” sa herë ndihet rreziku prej ndonjë subjekti jashtë “skemës”. Sistemi aktual borgjez, i dirigjuar nga tri ndrikullat e mirënjohura PD, PS, LSI, me mbështetjen e ndërkombëtareve, për ta çimentuar ekzistencën e sistemit në fjalë, merr të gjitha masat që “beteja” zgjedhore të jetë gjithnjë me fitore. Një nga armët më të sofistikuara të kësaj “fitoreje” është “Kodi Zgjedhor” me ndërkëmbësit, yçklat e myçklat e tij. Dhe kur këto yçkla e myçkla nuk arrijnë të mbarojnë punë, atëherë hyjnë në veprim skema të tjera, para dhe gjatë votimeve, të cilat tashmë janë të njohura e të përjetuara nga të gjithë qytetarët. Më shkoqur: Objektivi i ndërkombëtarëve euroatlantikas është që, në Shqipëri të ketë jo më tepër se dy parti politike dhe konkretisht PD-në dhe PS-në. Të parën e krijuan vetë, ndërsa të dytën pasi e kashaisën, e sollën në të njëjtat parametra me të parën. Aksidentalisht në lojë u fut edhe LSI, por siç duken bathët, ajo do të mënjanohet, ose do të injorohet, nëse nuk i bindet “djallit” që kërkon t’i mbajë në “shishen” ku i ka futur të trija “ndrikullat” tona tridhjetëvjeçare. E gjithë loja që u luajt e po luhet midis këtyre tri “ndrikullave”politike, që nga marrëveshja e qershorit 2020, e gjer tek hapja e mbyllja e listave të kandidatëve për deputetë, vërteton më së miri se Kodi Zgjedhor nuk ka as një nen demokratik të vërtetë. Ndaj më jepet e drejta ta quaj “Kodi i zi Zgjedhor”. Por po kaq e zezë është edhe “demokracia” që lëçitet nga tri ndrikullat PD, PS, LSI dhe nga ustallarët tre-shkullorë të sistemit në fjalë, që na përrallisin për “zgjedhje të lira, të drejta e demokratike”.

Përmenda disa herë ndërkombëtarët, duke i akuzuar ata si shkaktarë të degradimit të partive tona politike dhe të “demokracisë” që po aplikohet në vendin tonë. Po, a ishte fajtor Pilati, kur dënoi Jezu Krishtin e Nazaretit? Pilati e pyeti turmën, se cilin dëshironin të kryqëzohej, Jezusi, apo Baraba, një hajdut xhepash. Turma, e sëkëlldisur dhe ujdisur nga propaganda e priftërinjve të kohës, çoi gishtin për Jezusin dhe i “shkreti” Pilat, nuk kishte si të vepronte ndryshe. Kështu dhe me ndërkombëtarët e ditëve tona. Të gjitha marrëveshjet dhe kompromiset në dëm të demokracisë, të shtetit, të vendit dhe të popullit, janë realizuar me dëshirën e “rekomanduar” e të “miratuar” nga ndërkombëtarët. Ata, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse “tëpkë” si Pilati: Kanë “noterizuar” lojërat antidemokratike, antipopullore e antikombëtare të liderëve tanë “tri ndrikullor”, PD, PS, LSI. Kur them ndërkombëtarë, kam parasysh OSBE/ODIHR-in, Venecian, Parlamentin Europian dhe DASH, përfaqësuesit e të cilëve u kanë folur qetë dhe saktë liderëve tanë të mësipërm: “Shumë mirë keni vendosur djema, veç kujdes, mos na fusni shumë kriminelë në kuvend, se na nxirrni telashe me popullin”. Dhe gjer sot, siç duket, “telashet” për popullin nuk kanë qenë të shkallës sipërore. Siç konstatohet, fushata zgjedhore ka nisur me vrull dhe me tension në rritje. Dikush edhe është alarmuar, se mos o zot, po na përsëritet ndonjë ‘97 tjetër. Një merak i kotë. Shamata është midis korbave të zinj, dhe siç e ka vërtetuar jeta, “Korbi – korbit nuk ia nxjerr sytë”. E gjithë zhurma ka synim të trullosë elektoratin, i cili nëse e kupton lojën, nuk është çudi t’i përmbysë me gjithsej “kapuçonët” tanë të politikës. Më kot nuk thërret çdo ditë ambasadorja Juri Kim, për “demokraci të vërtetë” nën tutelën kapitaliste. E që kjo thirrje të jetë e efektshme, ja ku na vjen edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, zoti Palmer, me një vizitë “këshilluese” për kokoroçët tanë të mbrapshtë, të cilët duhet të arrijnë “standarde” demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, ashtu siç i kanë arritur në njëzet e sa zgjedhje gjatë këtyre viteve që kaluan. Dhe standardet janë të sigurta: Në nakatosjen e marrëveshjes së famshme të 5 qershorit 2020; Në ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 korrikut 2020; Në listat e hapura të kandidatëve, që u mbyllën për shkak se shumica e zgjedhësve nuk kanë dylbi për të parë emrat e partive dhe kandidatëve; Në dështimin e Komisioneve jo partiake të votimeve; Në dështimin e votimit dhe numërimit elektronik në shkallë vendi; Në votimin e dështuar të diasporës; etj, sëmundje dhe “pandemi” që sistemi aktual kapitalist përcjell çdo ditë në “shoqërinë e tij të konsumit”.

Ne qytetarët një gjë duhet të dimë: Në sistemin kapitalist, pushteti kurrsesi nuk mund të ndërrohet me vota. E shumta, e shumta, ndërrohet Kabineti, nën parullën – thirrje: “Rama ik!”, “Basha eja!” Dhe anasjelltas. Kush beson se me anë të votës mund të ndërrohet sistemi që po përjetojmë, atëherë ai është një naiv i pandreqshëm, që përjetëson sistemin shoqëror aktual.