BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Opinion / Editorial

Koha e “Wireless-it” modern dhe ajo e “bajgave” e prapambetur!

Koha e “Wireless-it” modern dhe ajo e “bajgave” e

“Po merre me ca atë fshesën e fshije oborrë ce na mbytën bajgat, a nuk i shikon”? Kështu i drejtohet e ëma vajzës së saj dhe aty për aty, merr edhe përgjigjen: “Hajde o mëndje hajde, te bajgat të ka mbetur mëndja ty, unë nuk kam uarles (Wireless) d’telefon ti kërkon të fshij oborrë. Ika unë d’Korcë ce po më presin shoqet”! Këtë bisedë e dëgjoj rastësisht në një fshat në rrëzën e Korçës. Mbase nuk do t’ia vlente ta shkruaja, por dua të dal diku gjetkë, duke bërë një krahasim midis kohës “moderne” apo kohën e “Wirelessit” që po jetojmë dhe kohës e prapambetur apo të “bajgave” meqë morëm shembullin e mësipërm. Duket sikur koha po ecën në të kundërtën e rrjedhës së saj. Midis preokupacionit që kanë për punën në përgjithësi e për familjen në veçanti më të moshuarit, as që krahasohen me atë preokupacion që kanë të rinjtë e të rejat e kohës së sotme dhe jo vetëm për punën e familjen, por edhe për shkollën e për jetën në përgjithësi. Asgjë nuk vjen e gatshme, asgjë nuk vjen pa punuar. Vetëm puna është ajo që jo vetëm të sjell prodhim, të mira materiale, por mbi të gjitha, të bën njeri e të mëson të gjesh rrugë e mënyra për mos qëndruar duarkryq e të presësh nga të tjerët, por të përballosh jetën me të gjitha vështirësitë e saj. Kohët, siç po shohim, sa vijnë e vështirësohen dhe kjo lidhet me shkaqe nga më të ndryshmet. Në vend që kjo kohë të na imponojë një angazhim më të madh, një ndjenjë më të madhe përgjegjësie për punën, përkundrazi, sidomos tek të rinjtë e të rejat, po imponon një “shkrehje” të themi, duke e pritur çdo gjë nga të tjerët. Ndoshta jo të gjithë janë në këtë kategori, por edhe të paktë nuk janë dhe kjo duket qysh në “promovimin” e edukatës qytetare në rrugë, në ambiente publike, në shkollë e kudo. Jetojmë në kohën e internetit, në kohën e kompjuterit. Zhvillimin dhe përparimin e shpejtë të teknologjisë në fushën e elektronikës, nuk po e shfrytëzojmë sa dhe si duhet në interes të punës dhe jo vetëm kaq, por duket sikur ky përparim po na “shkreh” e po na “ngordh” nervin e punës. Kjo po krijon një hendek të madh midis më të moshuarve, të cilët nuk mundën të arrijnë këtë përparim dhe atyre më të rinjve të cilët, patën fatin që “botën” sot, ta kenë në “pëllëmbë të dorës” por nuk kanë në “pëllëmbë të dorës” hallet dhe shqetësimet për të mbajtur familjen, për të punuar e jetuar me djersën e ballit e mbi të gjitha për të qënë i nderuar në shoqëri e kudo. Qysh herët ende pa zbardhur dita, ndonëse jo të gjithë, shumica e të rinjve dhe e të rejave, gjithçka mund të harrojnë në shtëpi, vetëm telefonat celularë nuk mund të harrojnë sepse pa ata, jeta e tyre, nuk ka kuptim. Ende pa dalë nga shtëpia, ngulin sytë në telefon dhe askund tjetër nuk e kanë mendjen përveçse tek telefoni. Të kuptohemi, nuk kanë telefona sidokudo, por të markës së fundit, sepse askush nuk mund të qëndrojë më prapa shokut apo shoqes, sepse helbete, i ka syri “cipë”. Me të drejtë i shprehesha një mikut tim: “A mund t’ju besojë njeri kur i thua që jetojmë në vendin më të varfër në Europë, tek sheh sidomos të rinjtë e të rejat me telefona ultramodernë dhe jo vetëm që nuk sheh askund një të ri apo të re të preokupuar e të mendojë për hallet sepse në këtë vend jeta e gjithkujt është e mbushur me halle, përkundrazi kudo, shikon njerëz vetëm të qeshin me të madhe, qeshin me vete, qeshin në rrugë duke ecur, qeshin në kafene, qeshin kudo që të jenë me sytë e mbërthyer në telefon”! Kriza ekonomike e thelluar më tej kjo edhe nga pandemia, si kudo, por veçanërisht tek ne, krijoi dy pamje të ndryshme. Nga njëra anë dëgjon vetëm ankesa nga biznesmenë të të gjitha bizneseve në dyqanet e të cilëve nuk hyn askush, për rënien e xhiros ditore dhe mujore, për papunësinë. Edhe për ata që krijohet mundësia për punë e refuzojnë sepse është më mirë kur “fiton edhe pa punuar”. Më e lehta që mund të bëjnë në këtë kohë krize ata që vuajnë për bukën e gojës, është të vënë në shënjestër shtetin e cilindo që është përgjegjës për këtë gjendje, por që askush nuk nxjerr përgjegjësinë e vetvetes. Mirë bëjmë, sepse dihet që shteti është përgjegjës për qytetarët e vet, por ç’mund t’i bëjë shteti kur komuniteti i lagjes apo i fshatit, hedh fjala vjen çdo ditë të javës ngado mbeturina si t’i vijnë për mbarë dhe mbas disa ditësh, mblidhen të gjithë dhe bëjnë protestë duke akuzuar bashkinë që nuk merr masa për largimin e mbeturinave dhe hedhurinave? Ato, megjithëse flitet e stërflitet kudo, tashmë shërbejnë si “kolor” për të “zbukuruar” rrugët e fshatit, rrugicat e qyteteve e rreth e rrotull banesave. Duket sikur po jetojmë kohën e para më shumë se një shekull kur Gjergj Fishta shkruante: “Njerëzit janë tuj ndej hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët si zogj pullumbash, pale se shka po u bjen nana-vidë Europë. Por përnjëherë, prit zot, veç..mizat sepse me ç’andrra po shihen, vonë e vonë do t’ju bien gja në skjep”. Koha e karantinimit nga pandemia, vërtetoi atë që më shumë se për të dalë e për të bërë ndonjë punë të dobishme, mendonim që kur do të vijë dita e të hapen kafenetë. Kafenetë vazhdojnë të jenë si dikur, plot e përplot jo vetëm me të moshuar, por sidomos me të rinj e të reja ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Ndryshe nga bizneset, kafenetë, nuk njohin krizë. Secili në punën e vet e sidomos të rejat, po të kenë pranë edhe qenin e të kenë paketën e cigareve plot, asgjë tjetër nuk i mungon. Por, hajde de të rinjtë e të rejat, por edhe intelektualët, sidomos deputetë e politikanë, për t’i dhënë rëndësi vetes, sapo zbresin nga makinat menjëherë nxjerrin celularin dhe bisedojnë apo bëjnë sikur bisedojnë për të eliminuar kështu edhe ndonjë “të bezdisshëm” që kërkon të bisedojë diçka. Hallexhinjtë e shumtë, duhet të llogarisin mirë kohën para se të shkojnë tek funksionari për ndonjë hall sepse të shumtën e kohës, ai do ta kalojë në telefon. Kjo është e natyrshme sepse mbi kurrizin e tij rrëndojnë shumë halle dhe atij do t’i duhet t’i japi zgjidhje. Por pse të shkoni aq “lart” tek deputeti e politikani, kur edhe në tavolinë mes shokësh ti kërkon të bësh një muhabet tjetri as nuk e ka mendjen fare sepse nuk e lejojnë “GIF-ët” dhe “GUF-ët” në telefon? Ah këta celularët që po na prishin edhe me shokët! Sa për kompanitë celulare, edhe ato si kafenetë, nuk e njohin krizën. Ato, ja kanë marrë mirë dorën se si t’u vijnë në “ndihmë” me lezet të rinjve dhe të rejave duke i dhënë internet “falas”, kurse atë që e paguan, nuk e merr. A ka ndihmë më të madhe nga këto kompani kur të japin 3000 mesazhe në ofertë që edhe sikur të qëndrosh një vit duke shkruar përsëri nuk mund të realizohet “plani”? Se mos duan të dinë kompanitë që të rejat dhe të rinjtë kanë edhe mësime, kanë edhe punë e halle të tjera. Secili mendon për fitimin e vet. Sensi i punës, i dashurisë për punën e për familjen, ka mbetur tek të moshuarit, tek ata që kanë hequr mbi kurrizin e tyre vështirësi të shumta. E megjithatë, ata përsëri, aq sa të munden do të ndihmojnë fëmijët e tyre, aq sa të mundin do t’ia plotësojnë kërkesat që ata të futen në radhën e shokëve. Ata, nuk mbajnë telefona modernë, ata mbajnë telefona të kohës së “qepës” aq sa për t’u lidhur për të pirë kafe me ndonjë mikun e tyre, sepse as zërin, as fytyrën nuk mund t’ia shohin nipit apo mbesës që i kanë larg nëpër botë! Eh, erdhën kohët të tilla. Kohët do të vijnë e do të ikin, por dashuria do të mbetet, puna si burim i të gjitha të mirave, do të mbetet, harmonia e korrektësia do të mbeten pa të cilat nuk mund të përparojë shoqëria. Burimin e tërë të këqijave, duhet ta shohim tek ajo që është tronditur familja, shkolla dhe shoqëria në përgjithësi dhe nuk po e luajnë rolin e tyre si “qelizat bazë” për formimin e brezit të ri me kërkesat e kohës. Edhe shembulli për të cilën fola në fillim të këtij shkrimi, nuk mund të themi që ajo është një familje sidokudo, por një familje e nderuar dhe e respektuar, por ja që në shoqëri “sheh rrushi rrushin dhe piqet”! Kohët, janë të tilla që prindërit, para se të kërkojnë punë nga të rinjtë e të rejat, duhet t’i pyesin nëse kanë Wireless apo jo që edhe gjatë punës, edhe gjatë kohës që janë duke ngrënë, sytë t’i mbajnë në celular për t’u njohur me të rejat e ditës. E keqja më e madhe është që ato ç’ka kanë mësuar të moshuarit, apo ata të kohës së “bajgave”, brezi i sotëm, nuk do t’i mësojë kurrë nëqoftëse nuk kanë vullnet, nëqoftëse nuk kanë sensin e punës. Teknologjia e lartë si kudo edhe ajo e telefonisë celulare, është e mbushur me gjithçka, por vetëm me atë se si të duam njëri-tjetrin, si të dashurojnë punën e gjithçka që i shërben përparimit, të respektojmë të moshuarit, të kemi dashuri e harmoni kudo, këto nuk mund t’i gjejnë po nuk i kërkuan. Të gjitha këto, nuk na i mësojnë mjetet kompjuterike, por po të kemi vullnetin e mirë, po të kemi vullnetin për t’i kërkuar, i gjejmë kudo dhe nuk është faji i tyre që mungojnë. Mirë ju përgjigj gjyshi, mbesës së vogël kur ajo e pyet: Gjyshi, si keni bërë juve më parë pa telefona celularë e pa kompjutera? “Po ja bija e Gjyshit siç bëni juve sot pa dashuri e pa vullnet për punë e për të mësuar”...