BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

 “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve”!

 “Koha është e maskarenjve, por atdheu i

Në vitin 1942, poeti vlonjat Ali Asllani, shkroi poezinë satirike “Hakërrim”, prej së cilës unë mora dy vargjet më pikante të saj dhe i vura në titullin e shkrimit. Ndonëse nga ajo ditë kanë kaluar plot 78 vjet, poezia duket se është shkruar sot dhe pikërisht për politikanët dhe shtetarët aktualë të vendit tonë. Si ndodhi që kjo histori u përsërit pikë për pikë, edhe pas 78 vjetësh?!

Shpjegimin e saktë për këtë fenomen, mund ta japin filozofët, politologët, profesorët e shkencave shoqërore dhe gjithë armata e intelektualëve të vërtetë. Por ndërkohë që këto shpjegime ende nuk janë sistemuar e zbardhur nëpër librat e filozofisë e të historisë, qytetarët shqiptarë “kohën e maskarenjve”, po e vuajnë edhe sot në dekadën e dytë të shekullit njëzet e një, nga e njëjta skotë, ajo e babëzisë dhe e tradhtisë, që në vitet e demokracisë së sotme borgjeze, po “lulëzon” si asnjëherë tjetër.

Kjo “kohë e maskarenjve” rinisi në vitin 1990, kur u përmbysën malet dhe mbi sipërfaqe e në krye, dolën kallamishtet, leshterikët, zvarranikët. Kush i pati sytë në ballë dhe mendjen në vend, e kuptoi që në krye të herës se, pas përmbysjes me dhunë e tradhëti të Socializmit, Shqipërinë e mbërthyen lumpenët: Lumpenët e borgjezisë së vjetër e të re, që kishin pritur 50 vjet si gjarpri nën gurë dhe lumpenët e shoqërisë socialiste, që kishin vegjetuar si krimbat në trungun e shëndoshë të pemës së madhe të kombit. Thirrja dhe “vepra” antikombëtare e lumpenëve, mbështetur nga reaksioni ndërkombëtar e antishqiptar, ishte e hapur, por shoqëria shqiptare, pas ndarjes nga jeta të liderit të saj historik, Enver Hoxha, falë drogës që i rrasën në hundë, e humbi vetëdijen dhe nuk arriti ta dëgjonte trokun e “Kalit të Drunjtë”, që rendte drejt nesh, si dikur në Trojën tonë të lashtë. Dhe ja ku e kemi katandisur sot nënën tonë, Shqipëri; më keq se në kohën e Pashko Vasës, kur thërriste me dhimbje: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni / Kush të ka qitur me krye në hi”!

Themi më keq, sepse sot pas tri dekadash të pas socializmit, shkatërrimet që i janë bërë vendit tonë, në të gjitha fushat e jetës politike e social-ekonomike, ua kalojnë gjithë shkatërrimeve të pushtuesve, përfshi edhe atyre të Luftës së Dytë Botërore. Nuk po ndalemi në evidentimin një për një të këtij shkatërrimi, sepse kjo do të kërkonte mijëra fletë e qindra dosje voluminoze. Ajo që duam të evidentojmë në këtë shkrim modest, është fakti që përveç pasurive, tashmë në sosje, skota e lumpenëve na ka shkatërruar e po na shkatërron kolonat bazë ku mbahet një popull, një shtet e një komb.

Skota e lumpenëve, në aleancë me hasmët historikë e të përhershëm të shqiptarëve, jo vetëm na shkatërruan, grabitën e shitën pasuritë tona kombëtare, por po na zhdukin edhe mundësinë për t’i rivënë e për t’i rigjeneruar këto pasuri, që natyra dhe djersa e popullit i kishte ngritur në nivelet e kohës. A nuk janë nxjerrë nga “loja” specialistët tanë të industrisë së përpunimit të mineraleve, të naftës, të energjetikës dhe të të gjitha fushave të prodhimit industrial? Dhe për më tepër, na kanë eliminuar edhe mundësinë e ripërtëritjes së armatës së specialistëve në këtë fushë të domosdoshme për zhvillimin e vendit.

A nuk janë këta lumpenë, që na shkretuan bujqësinë e modernizuar në nivele evropiane, e cila arriti të mbulonte plotësisht ushqimin e popullit dhe eksportonte suksesshëm në vendet e rajonit e të botës? Dhe ajo që është më tragjike, ky sektor jetik për vendin tonë, falë politikave antikombëtare të lumpenëve, po braktiset totalisht, duke çuar drejt eliminimit të traditës mijëravjeçare të lidhjes së bujkut shqiptar me tokën.

A nuk janë po këta lumpenë që kanë zënë kreun e oxhakut tonë, të cilët na shkatërruan Ushtrinë Popullore, mbrojtësen e sigurtë të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të republikës, një nga ushtritë më të organizuara e më të fuqishme në rajon e më tej? Dhe për më keq, injoruan e injorojnë përgatitjen e popullit për mbrojtje, si një nga traditat e lashta e të pandërprera të shqiptarëve në shekuj. A nuk janë këta lumpenë e halabakë të shoqërisë, që nën pretekstin e reformave në drejtësi, na kanë lënë edhe formalisht pa organet e domosdoshme gjyqësore, duke e lënë popullin si turmë delesh pa çoban, e duke e detyruar t’u kthehet kanuneve të mesjetës, ku jeta e më të dobëtit varej nga mëshira dhe tekat e të fortit?!

Nën pretekstin e reformave, lumpenët tanë në këta tri dekada, shkatërruan dy asetet më të suksesshme të socializmit, shëndetësinë dhe arsimin, të cilat, jo vetëm nuk i bënë dot falas, siç patën premtuar, apo siç ishin më parë, por i çuan në atë shkallë, sa aseti i parë, shëndetësia edhe pas tetë muajsh nuk përballon dot një pandemi të shkallës “gripale”, sepse i mungon personeli i “arratisur” jashtë vendit dhe mjetet e ilaçet që i hëngrën Pi-Pi-Pi-të dhe koncesionet e e lumpenëve tanë. Ndërsa aseti tjetër tepër i rëndësishëm, arsimi, u kthye në një “vatër” ku dalin me shumicë “analfabetë funksionalë”- togfjalësh ky i përdorur nga kryeministri aktual i njërës gjysmë të lumpenëve tanë.

Kultura, si një nga arritjet më sinjifikative të socializmit, sot, falë lumpenëve në politikë e në pushtet, është katandisur në atë shkallë, sa nuk ia vlen të bësh krahasime me socializmin. Madje as me kohën e Zogut, ku ndonëse e pakultivuar, të paktën nuk arriti të nakatosej me modernizmat e shekullit njëzet e një, siç ka ndodhur sot, kur edhe tekstet e këngëve dhe format e valleve, duket se kanë dalë nga pyjet e Amazonës, por kurrsesi nga Alpet shqiptare.

Goditjen më shkatërruese dhe më përçudnuese, lumpenët tanë ia dhanë shtetit dhe administratës së tij nga qendra në bazë. “Shteti ligjor dhe i së drejtës”, trumbetuar në nisje të demokracisë, u bë shtet i mafies dhe i krimit, por kurrsesi i qytetarëve. Dhe s’mund të ishte ndryshe, kur në krye kanë qenë e janë lumpenët, të cilët nuk njohin as rregull e as shtet, përveç zhvatjes me metodën që përsërisin ditën për diell: “Kap ça të kapësh”! Në këtë rast, përveç dëmeve të jashtëzakonshme, që vijnë nga mungesa e shtetit, u jepen argumente shpifjes shekullore për “paaftësinë tonë shtetformuese”. A nuk janë këta lumpenë të neveritshëm, që përmbysën dëshmorët dhe heronjtë e vërtetë të kombit dhe lartësuan skotën e tradhtarëve, duke na cënuar keqas në memorien dhe krenarinë e historisë sonë kombëtare?!

Të gjitha këto, e shumë të tjera që nuk mund të rreshtohen në një shkrim, kanë goditur dinjitetin dhe identitetin e shqiptarit, i cili në shumicë ka braktisur dhe po braktis vatrën e tij mijëra vjeçare, për t’u endur nëpër botë me torbën e refugjatit mbi shpinë.

Cila është perspektiva jonë? Nëse marrim në konsideratë katastrofën që kemi pësuar si vend e si popull në këta tri dekada, tri dekada të dyta kësisoj, do të na çojnë drejt asimilimit. A nuk thonë statistikat e OKB se në vitin 2050 popullsia e Shqipërisë do të reduktohet në 800 mijë deri në një milion banorë?

Le ta themi pa dorashka: Nëse në krye të politikës dhe shtetit shqiptar do të vijojnë të kullandrisin “lumpenët” e përfaqësuar në tri partitë kryesore PD, PS dhe LSI, profecia e testit të OKB-së do të realizohet dhe madje do të tejkalohet. Shihni sjelljen dhe veprën aktuale të këtyre partive “lumpeniane”, sjellje e vepra të hapura antipopullore e antikombëtare dhe do të bindeni për rrezikun e madh që kemi mbi krye. Ky rrezik është “pandemia” më e madhe që ka njohur populli shqiptar në historinë e tij.

Atdheu i shqiptarëve është shitur e po shitet çdo ditë. Në forma të kamufluara, por edhe të hapura e në dritë të diellit. “Shengeni Ballkanik” i markës Rama-Vuçiç, është treguesi më i qartë i kësaj shitjeje. Kush nuk e sheh këtë rrezik konkret e të dukshëm, ai është ose qorr, ose lumpen si sivëllezërit e tij në politikë e në qeverisje.

A mund të dilet nga kjo situatë? Po, mund të dilet, por vetëm duke nxjerrë jashtë loje lumpenët dhe partitë e tyre të degjeneruara. Qytetarët shqiptarë, nuk kanë pse dëgjojnë thirrjet mashtruese të presidentit; as çirrjet e Arturo Ui-Berishës, që na ndjellin për të rrëzuar Ramën e ngjitur në “podium” Bashën, Berishën apo Metën. Qytetarët duhet të rikujtojnë e të artikulojnë thirrjen e fuqishme të poetit Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve”. Madje, poezia e tij e zjarrtë, duhet të shumëfishohet e shpërndahet tek çdo qytetar shqiptar, me porosinë verbale që ditën e votimeve të 25 prillit, në vend të fletës së votimit, në kuti të futin thirrjen e mësipërme. Dhe mbas votimeve të dështuara, të marrin në dorë drejtpërsëdrejti fatet e vendit të tyre.

A është e mundur kjo?! Po, është e mundur. Në Shqipëri gjenden ende forca politike, organizata, shoqata dhe individë, që kanë në zemër e në programe idealin kombëtar. Bashkimi i tyre do të na jepte një armatë trefish më të madhe se armata e lumpenëve dhe partive të tyre antikombëtare. Populli i bashkuar në këtë mënyrë, është në gjendje ta zhvendosë “kohën e maskarenjve”, në “Kohë të Vërtetë të Popullit”, ashtu siç e zhvendosi me Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe me Luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autori i poezisë “Hakërrim”, qysh në vitin 1942, e parashikoi saktë të ardhmen, ndaj shkroi plot besim:

“Ja, ja, grushti do të bjeri, përmbi krye të zuzarëve

Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve”.

Parashikimi i tij u realizua. Grushti i fuqishëm i popullit ra mbi fashistët, tradhtarët dhe zuzarët, duke na sjellë 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944.

Kjo datë duhet të përsëritet, në formë ndoshta ndryshe, por me objektiv të njëjtë. Nëse duam që kombi ynë të mbijetojë e prosperojë në dallgët e egra të sistemit kapitalist dhe të globalizmit gllabërues.