BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Koha për elitë kombëtare

Koha për elitë kombëtare

Një komb që nuk shqetësohet për fatet e tij është i destinuar të lëngojë. Kjo aksiomë duhet të na shërbejë si rrëfim i përbashkët me dimension mbarëkombëtar. Ngjarjet, ndodhitë dhe episodet me karakter politikash ditore po devijojnë nga korsia e prioriteteve. Kohët e fundit hapësira mbarë shqiptare është mbërthyer në kriza politike e institucionale krejtësisht të panevojshme, sidomos tani kur ndodhemi përballë një ofensive diplomatike serbe, e cila kërkon të marrë rolin e viktimës, ndërkohë që dihet botërisht se ata janë agresorë me përmasa gjenocidale.

Në këtë rrafsh, politikanët shqiptarë si individë dhe si përfaqësues të organizatave të tyre politike me apo pa dashje po bëhen pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Me veprimet e tyre klasa politike në Shqipëri, Kosovë përfshirë edhe atë të M. Veriut po e dëmtojnë kauzën kombëtare dhe po rrënojnë përpjekjet për bashkim vlerash mes nesh që na çojnë drejt bashkimit kombëtar.

Po ta vëzhgojmë me kujdes mbarëvajtjen e proceseve që kanë në themel vlerat përbashkuese do të konstatohet lehtësisht se atë që nuk ka arritur ta bëjë politika e ka realizuar vetë shoqëria shqiptare, e cila pa bujë e zhurmë është integruar mes veti. Iniciativat janë mbresëlënëse, thuajse në të gjitha fushat kryesisht me karakter kulturor, mediatik, shkencor dhe profesional.

Në vijë të këtij realiteti, modestisht po sjell në vëmendje një nga format dhe mënyrat sesi me vullnet, përkushtim dhe profesionalizëm, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe unifikimi në rrafshin kombëtar është i arritshëm. Nuk kemi të bëjmë më qasje hipotetike, apo më konstatime të cilat bazohen në retorika populiste, por në fakte konkrete. Meqë me profesion jam mjek po sjell në vëmendje një projekt tashmë të konkretizuar në fushën e shkencës okulistike, i cili qysh kur është skicuar ka patur për synim dhe qëllim vlerat përbashkuese të hapësirave mbarë shqiptare.

Për më shumë se një dekadë “Shoqata Oftalmologjike Shqiptare” që nga formimi, vepron dhe funksionon në kuadër të një organizimi mbarë shqiptar dhe ka karakter kryekëput kombëtar.

Mjekë okulistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia përmes kumtesave shkencore dhe pjesmarrjes në konferenca dhe simpoziume të përbashkëta janë dëshmi e sinkronizimit dhe unifikimit të kapaciteteve profesionale të një fushe të caktuar. Kështu ndodh edhe në fusha të tjera, çka vërteton se aty ku ekziston vullnet, gjithçka është e arritshme pse jo edhe bashkimi kombëtar, i cili deri dje konsiderohej si temë tabu. Pra, nëse ekziston vullneti politik dhe institucional e kemi më të lehtë të realizojmë ëndrrën e rilindasve tanë të cilët u përkushtuan totalisht në funksion të kombit. Është pikërisht mungesa e vullnetit politik dhe institucional për projekte të përbashkëta që ka krijuar një atmosferë aspak shpresëdhënëse ku fatkeqësisht po sundon sindroma e përçarjes, e cila është totalisht e pajustifikueshme. Çfarë po ndodh? Kjo pyetje na ndihmon për ta kuptuar realitetin e hidhur politik ku meskiniteti, amatorizmi dhe provincializmi politik ka zëvendësuar ofertën dhe vizionin e unifikimit të kombit.

 ***

Aktualisht, Shqipëria dhe Kosova ngjajnë me dy vëllezër të cilët grinden e “gjakosen” me njëri-tjetrin ku ndërkohë të tjerët bëjnë sehir dhe fërkojnë duart duke i përdorur sherrnajat tona si argument se ne nuk kemi kapacitete shtet ndërtuese dhe se nuk e meritojmë që të jemi pjesë e familjes europiane. Nisur nga ky realitet, përfituesit më të mëdhenj të “luftës” politike mes Tiranës dhe Prishtinës është Beogradi dhe të tjerë të sojit të tij. Ata, (serbët) kur ulen në kancelaritë e ndryshme, sherrnajat tona i përdorin si instrumenta në tavolinat diplomatike të tipit se shqiptarët nuk janë të gjendje të gjejnë paqe mes veti dhe jo të na kërkojnë llogari neve.

Kjo është e tmerrshme, një komb që ka sakrifikuar shumë gjatë gjithë historisë së saj të dëmtohet nga një grusht individësh, të cilët në emër të politikës tipike feude nuk njohin as rregulla dhe as standarte, po përdorin gjithë arsenalin e propagandës për një qëllim: pushtet me cdo kusht e çmim. Nuk po merrem me emra politikanësh dhe drejtuesish sepse dihen dhe njihen, fundi-fundit nuk ia vlen. Janë pikërisht këta që po e rrënojnë imazhin e tonë dhe nuk i ha meraku për fatin e kombit, por e kanë mendjen si të shkojnë dhe të qëndrojnë në pushtet. Andaj klasa politike në çdo hapësirë shqiptare po tregohet e papjekur, arrogante dhe tepër e papërgjegjshme saqë ngjan me një virus të rrezikshëm që dëmton shumë të ardhmen dhe perspektivën e kombit tonë. Po të dëgjojmë dhe lexojmë çfarë flasin dhe shkruajnë politikanët tanë nuk lemerisemi vetëm ne si shqiptarë, por edhe ata që janë sponsorët tanë. Gjuha e urrejtjes, etiketimet me tradhtarë e patriotë, retorika fyese adresuar ndaj njëri-tjetrit shkakton konfuzion ku mbarsen steriotipe dhe keqkuptime mes shqiptarëve. Kështu që veprimet e kohëve të fundit janë totalisht të pajustifikueshme dhe alarmante.

 ***

Tirana dhe Prishtina politike duke qenë se janë në prag zgjedhjesh po shpenzojnë të gjitha energjitë në funksion të pushtetit dhe jo të kombit. Përplasjet e fundit mes nesh janë tregues se klasa jonë politike nuk ka në axhendën e saj prioritete. Kur jemi tek prioritetet, ato duhet të radhitën sipas rëndësisë. Në rrethanat e krijuara prioriteti i politikës gjithëshqiptare duhej të ishte unifikimi i saj, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha instancave për t’i treguar botës së qytetëruar se nuk është e mundur që ndërrohet rolet mes viktimës dhe agresorit. Nëse do të kishte vullnet dhe gadishmëri, sot Tirana e Prishtina politike duhej të ndërmerrte iniciativa serioze për të parandaluar tentativat e njollosjen e historisë së re të shqiptarëve, atë të Luftës për Liri dhe Pavarësi të Kosovës. Marrë veç e veç, politikanët e Kosovës duhet të tregojnë maturi dhe të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar beteja politike dhe diplomatike në mbrojtje të kauzës se shenjtë për çlirim nga okupatori serb. Nga ana e saj Tirana politike duhet të ulë “armët e luftës” për pushtet dhe ta orientojë strategjinë e saj në funksion të përmirësimit të imazhit të kombit në botë dhe nga ana tjetër t’i tregojë Serbisë dhe mbështetësve të saj se shqiptarët dinë të unifikohen kur vjen puna për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta kombëtare. Më kryesorja klasa politike gjithëshqiptare duhet të tregojë pjekuri dhe seriozitet dhe t’i dëshmojë sponsorit kryesor të kombit tonë SHBA, se jemi në gjendje të ndërtojmë sistem të përbashkët vlerash sipas metrit të shoqërive të emancipuara dhe kombeve të civilizuar. Paradoksalisht po ndodh e kundërta, politika panshqiptare është e ndarë në grupe-grupe që sulmojnë njëra-tjetrën përmes një retorike propaganduese e cila është thellësisht e padobishme. Nëse deri dje mendonim se e keqja e shqiptarëve janë të tjerët, aktualisht e keqja me e madhe e kombit tonë jemi vetë ne. Siç do të thoshte i madhi Konica: E keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët. Do të doja të isha i gabuar në konstatimin tim, sikurse do më pëlqente që thënia e Konicës t’i përkiste një periudhë të caktuar të jetuar nga vetë ai, por realiteti i tillë është sado i hidhur… Çfarë duhet bërë? Nuk kemi pse të bëjmë shpikje se nuk i kemi kapacitetet për të tilla gjëra, por është në dorën tonë që të ruajmë forcojmë identitetin tonë kombëtar, është në dorën tonë të bashkëpunojmë politikisht dhe kombëtarisht, është në vullnetin tonë që të institucionalizojmë rrëfimin tonë të përbashkët si një komb i lashtë në zemër të Europës me histori dhe gjuhë që na shërben si pasaportë në botën e qytetëruar. Mirëpo, kjo nuk mund të ndodhë me elita politike që e kanë lidhur “kërthizën” me pushtetin. Tash është koha për një elitë kombëtare, për burra dhe gra të mençura, vizionarë e misionarë që përmes ideve të tyre të ushtrojnë autoritetin që ato të zbatohen në praktikë. “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat pasi kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët, ata të mësojnë të duan kombin dhe jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kështu është shprehur Faik Konica. Le të ecim në gjurmët koniciane duke përqafuar ata që kanë ide dhe zhvillojnë elaborate kombëtare që mendojnë për kombin dhe të refuzojmë individët dhe grupe partiake që në petkun e politikës ditore po shndërrohen në virus që e dëmton kauzën kombëtare.

 

*Doktor i Shkencave Mjekësore dhe President i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare