BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Koha për solidaritet midis shqiptarëve!

Koha për solidaritet midis shqiptarëve!

Po dëgjoja Kryeministrin, kur paraqiti plani “A” për përballimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19. Plani i tij prej 7 pikash ishte i mirë, por fjalimi hyrës që zinte mbi tri të katërtat e gjitha “Planit” në fjalë, mu duk jo i sinqertë dhe jo i besueshëm. Që “Arka e shtetit” është bosh dhe nuk mund ta përballojë situatën e krijuar, kjo dihet nga të gjithë. Ndaj më e pakta, Kryeministri duhej të bënte një autokritikë, jo vetëm për vete, por për krejt klasën politike që ka qeverisur në këta tre dekada, të cilët, ndërsa fasadën e Shqipërisë e kanë lyer me varak demokracie, nga brenda e kanë gërryer e kthyer në shkretëtirë . . .

Duke dëgjuar shqetësimin dhe Planin e qeverisë, mu kujtua viti 1952-53, kur pushteti i sapodalë nga LANÇ, e që kishte vetëm 7 – 8 vjet jetë, kërkonte ndihma financiare nga populli, ndihmë e cila u quajt “Huaja shtetërore”. Në atë Hua, edhe unë që isha në klasën e parë të shkollës fillore, kam kontribuar me 500 lekë të asaj kohe, veprim që e kreva me porosi të xhaxhait, çka vuri në sedër dhe nxiti të gjithë fshatarët të kontribuonin sipas mundësive.

 Kjo gjë, mendova unë, duhej të ndodhte edhe sot, fill pas fjalës së Kryeministrit. Shqiptarët në të gjitha kohërat e kanë ndihmuar njëri-tjetrin kur kanë pasur halle të zakonshme, e aq më tepër kur ato ishin të jashtëzakonshme. Në kohërat e kaluara, ata nuk e kanë ditur fjalën “Solidaritet”, por veprimin për t’iu gjendur komshiut, bashkëfshatarit dhe mikut në ditë të vështira, e kanë ditur dhe e kanë realizuar. Në rastet e veçanta, si ato të luftës kundër hasmit të përbashkët, shqiptarët linin mënjanë me “itifak” (ngjashëm me “aktet normative” të kohës së sotme) hasmëritë personale dhe gjithë potenciali moral, fizik dhe ekonomik i fshatit, Bajrakut e zonës, drejtohej për mbrojtjen e Atdheut. Solidaritetin, apo gjendjen në mbështetje të atij që është në nevojë, shqiptari e ka realizuar edhe ndaj hasmit, kur ai ka dorëzuar armët, apo kur ka mbetur rrugëve pas humbjes së luftës me vendin tonë. Shembulli më i freskët për këtë të fundit janë ushtarët dhe oficerët italianë, të cilët, ndonëse kishin ardhur në vendin tonë me bajoneta të mbërthyera, kur kapitulluan dhe rrezikoheshin nga ish aleatët e tyre, u strehuan e u ushqyen nga shqiptarët, dhe pas mbarimit të luftës u përcollën paqësisht e të sigurt për në vendin e tyre.

            Në vitet e socializmit, këtë veti të dallueshme të shqiptarëve midis kombeve të tjerë, ata që drejtonin punët e vendit, e ngritën në nivele më të larta. Për të mos e lodhur lexuesin me shembujt e shumtë, po japim vetëm dy raste sinjifikative: Plagët e tërmetit të vitit 1979, që la pa shtëpi mbi 100 mijë banorë të veriut të vendit, u mbyllën për vetëm 5 muaj. Dhe kjo nuk mund të ndodhte, nëse nuk do të ekzistonte solidariteti i shqiptarëve midis njëri-tjetrit, solidaritet që e kurajonte dhe e organizonte Udhëheqja politike e kohës së sistemit socialist. PKSH (PPSH) dhe lideri i kësaj udhëheqje, shqiptari i madh Enver Hoxha. Rasti i dytë është ai i vitit 1999. Mbi 750 mijë shqiptarë të krahinës shqiptare të Kosovës, të ndjekur nga gjenocidi serb, gjetën strehë e bukë në Shqipëri, e cila ruante ende vlagën e sistemit socialist të përmbysur dhjetë vjet më parë.

            Po sot, a e kemi këtë solidaritet midis njëri-tjetrit? A janë mundësitë sot që shqiptarët, të cilët kanë një mundësi financiare, dhe që përbëjnë të paktën 50% të popullsisë, të mbulojnë për disa muaj pjesën tjetër të popullit? Financiarisht janë të gjitha mundësitë, por praktikisht nuk mund të realizohet. Nuk mund të realizohet sepse mungojnë dy elementë: Mungon organizimi shtetëror për ta vënë solidaritetin në moto; Mungon uniteti midis qytetarëve, unitet që politikanët dhe politikat borgjeze e kanë copëtuar në rreth 120 pjesë, aq sa janë edhe partitë politikë sot në vendin tonë.

Kryeministri, në fjalën e paraqitjes së programit me 7 pika, foli me një gojtari të rrallë dhe me një pikëllim të skajshëm. Por fjalimit dhe veprimit të tij, ashtu si edhe i adashëve të tjerë në politikë, në qeverisje, në parlament apo në biznes, u mungon MORALI. Kryeministri, me gjysëm zëri, në fund të 7 pikave të planit “A”, komunikoj urdhrin për mbajtjen e gjysmës së rrogës së VIPAVE të politikës dhe qeverisjes, por nuk guxoi të hapte siparin e solidaritetit kombëtar. Se të hapësh këtë “sipar”, duhet që VIP-at në fjalë t’i kenë duart e pastra dhe zemrën të bardhë. Por duart tashmë ata i kanë të ngjyera me korrupsionin e zi tridhjetë vjeçar, ndërsa zemra u është kthyer plotësisht në formën dhe pamjen e “euros” dhe “dollarit”. VIP-at që kanë kullundrisur këtë vend më në krye Salat, Bashat, Metat, Ramat e soj e sorollopi i tyre, duhet t’i thonë popullit shqiptar se ç’u bë pasuria kombëtare e 45 viteve të socializmit dhe tridhjetë viteve të “dërrmërrkracisë”, e cila po të ishte administruar e jo të vidhej, të abuzohej e të shkatërrohej, do të mjaftonte për të përballuar plotësisht situatën që po kalojmë, e madje mund të ndihmonim edhe fqinjin tonë, Italinë, apo Greqinë, siç u bë me këtë të fundit në vitet 70-74 të shekullit të kaluar, kur qytetarët e saj vuanin për bukën e gojës. Pasi të kenë bërë këtë rrëfim të sinqertë tek “prifti-popull”, duhet t’i rikthejnë atij, pasurinë që kanë zhvatur me pa të drejtë e me allishverishe gjatë këtyre tri dekadave, çka do t’u jepte mundësinë e “një gjykimi të shkurtuar” dhe pse jo, edhe të ndonjë ulje dënimi, apo zëvendësimin e një pjese të dënimit me rindërtimin e atyre që me veprimet apo mosveprimet e tyre i shkatërruan në këto vite katastrofike për fatin e Shqipërisë.

            Por këto që shkrova më lart, ata nuk mund t’i realizojnë. Ata nuk kanë gjasa të kthehen në identitetin e vërtetë të shqiptarit. Ata janë deformuar kaq keq nga motoja e fitimit dhe superfitimit, që u ka injektuar sistemi kapitalist i mbuluar me pelerinën gjithë ojna të “ekonomisë së lirë të tregut”, sa nuk ka shkollë riedukimi, qoftë edhe e tipit Makarenko, t’i kthejë në “udhën e Zotit”.....

            Në dhjetë vitet e para të Çlirimit, populli shqiptar, megjithëse diskutonte bukën e gojës, kontribuoi vullnetarisht për shtetin me tri “Huara shtetërore”. Këtë e bëri për dy arsye të thjeshta por themelore: Pushteti i asaj periudhe ishte pushtet i vërtetë i popullit, dhe e dyta, drejtuesit e atij pushteti, të sapo dalë nga LANÇ, i kishin duart të lyera, jo me korrupsion e kontrabandë, por me gjakun e Dëshmorëve dhe të plagëve të Luftës Çlirimtare.

            Edhe sot, populli është i njëjtë; sado që e kanë trazuar, e ruan ende ndjenjën e solidaritetit. Por ai nuk ka besim tek Vipat që bëjnë sikur e drejtojnë. Në ditët e tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur mijëra qytetarë mbetën pa strehë, e madje një pjesë e madhe e tyre edhe sot janë ende në çadra, Vipat tanë patën rastin të rregullonin disi “biografinë”. Por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk u kujtua të lëshonte përkohësisht vilat që zotërojnë në Lalëz, në Petrelë, në Golem etj., apo apartamentet e shumta në qytete të ndryshme të vendit, që i kanë lëshuar me qera për të gufosur më tej “barkun e tyne të panginjur”. Edhe tani kur kemi një rrezik akoma më të madh, kur siç e citon edhe Kryeministri, jemi në luftë, këta personalitete që “shkrihen” për popullin në ditët e zgjedhjeve, sot kanë futur bishtin ndër shalë, dhe burrninë më të madhe e shfaqin duke pranuar me gjysmë zëri përgjysmimin e rrogës “me urdhër të Kryeqeveritarit”!

            Sot më tepër se kurrë është koha për solidaritet midis qytetarëve. Por këtë solidaritet, siç e thamë edhe më lart, e kanë çartur politikanët dhe qeveritarët aktualë, të cilët vetëm formalisht e kanë në pasaportë identitetin tonë kombëtar.

Megjithatë, solidariteti midis shqiptarëve nuk ka vdekur. Ai duhet vënë në lëvizje. Jo nga politikanët aktualë, që e kanë të pamundur, por nga inteligjenca e vërtetë e popullit dhe forcat progresiste, të cilat nuk i mungojnë vendit. Shqipëria, megjithë sakatimin që i është bërë në këto dekada të zeza, ka resurse njerëzore e materiale, me të cilat mund të dalë nga kriza, nëse ato do të përdoren me përkushtim dhe në interes të vendit.