BREAKING NEWS

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po shpëtojnë politikanët nga burgu, Rama-Basha promovojnë vetëm besnikët, LSI parti familjare

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po
x

Opinion / Editorial

Koha për taksën e sheshtë?

Koha për taksën e sheshtë?

Një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar kërkon ndryshime thelbësore në sistemin dhe mënyrën e mbledhjes së taksave tek ne. Ekspertët e FMN-së vërejnë se ndërsa nivelet (si përqindje) për të gjitha taksat kryesore janë në përputhje me ato në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e me radhë, raporti i të ardhurave buxhetore me prodhimin tonë kombëtar është më i ulëti në rajon. Kjo ka të bëjë me nivelin e lartë të informalitetit në ekonominë tonë, me fshehjen e xhiros reale të shumicës së bizneseve. Prandaj dhe ne kemi varësi të lartë të të ardhurave tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, edhe pse është një taksë pasive, pse aplikohet mbi konsumin. Ndërsa, të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore janë më të ulëta se sa mesatarja rajonale. FMN thotë se sistemi ynë aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Sipas saj, ndryshimet e shpeshta kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit. Ekspertët e FMN-së shprehen se një sistem tatimor më i drejtë, më efikas, më i thjeshtë dhe më transparent mund të bëjë që Shqipëria të jetë më tërheqëse për investimet e huaja. Kjo do të forconte aktivitetin ekonomik të vendit, duke prodhuar nxitësit e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit, sidomos nëpërmjet fiskalizimit, i cili nis në shtator 2020. FMN nuk e thotë troç, por ndoshta ka ardhur koha për një sistem të thjeshtësuar, duke rifutur taksën e sheshtë. Sistemet e taksave (progresive apo të thjeshta) nuk kanë asgjë ideologjike, të drejtë apo të padrejtë. Janë vetëm dhe thjesht mjete për të vjelë sa më shumë të ardhura në buxhetin e të gjithëve. Ja përse socialistët nuk kanë pse të kthejnë në tabu, dogmë, mbajtjen e taksës progresive. U pa qartë në gjithë këto gjashtë vite zbatim (nisi më 1 janar 2014) se nuk është sistemi i duhur për ne. Nuk mblodhi as më shumë para, as nuk luftoi më fort informalitetin. Për të vlerësuar dhe për të planifikuar politikat tatimore të sugjeruara nga FMN, Ministria e Financave kërkon një njësi të përkushtuar vetëm për politikën tatimore dhe shumë mirë bën! Kjo njësi duhet të mbledhë të dhëna dhe të zhvillojë ekspertizë për të vlerësuar taksat dhe shpenzimet tatimore, si në nivel të të ardhurave, ashtu edhe të kostove. Brenda Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se një pjesë e madhe e konsumit përfundimtar është e përjashtuar, siç janë arsimi, shëndetësia, ilaçet, shitja e pronave të reja dhe shërbimet financiare. FMN rekomandon që arsimi privat, shëndetësia, ilaçet pa recetë dhe mallra të ngjashme, si dhe shërbimet financiare të bazuara në tarifa dhe shitja e pronave të ndërtuara rishtazi t’i nënshtrohen TVSH-së. Kjo do të sjellë jo vetëm më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, por edhe do të vendosë një barazi trajtimi të prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve në treg. FMN sugjeron se ekonomia jonë ka nevojë për një sistem gjithëpërfshirës të taksave, që mbulon të gjithë grupin e taksapaguesve me rregulla të drejta dhe nxitës të duhur, për të siguruar që të gjithë paguajnë një barrë të drejtë tatimore. Ne kemi ulur kohët e fundit pragun (nivelin e xhiros ku nis tatimi) e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2 milionë leke të reja në vit. Ai është më i ulëti në rajon. Ulja e pragut të TVSH-së në xhiron 2 milionë lekë u bë me qëllim uljen e informalitetit, por nuk funksionoi. Kjo, sepse administrata jonë tatimore nuk ka kapacitete për të monitoruar dhe kontrolluar në mënyrë efektive këtë segment të madh të taksapaguesve. Për më tepër, ekzistojnë pragje të shumta për sektorë të ndryshëm që dëmtojnë thjeshtësinë e tatimit. FMN shprehet se pragu i TVSH-së duhet të vendoset më i lartë, deri në 14 milionë lekë të reja në vit, për të lejuar administratën tatimore të përqendrohet në segmente që kontribuojnë me shuma të larta të ardhurash dhe ky tatim të aplikohet për të gjithë tatimpaguesit, pa përjashtim. Ndërkohë, të gjitha përjashtimet jo standarde, normat e ulura dhe trajtimet përfituese duhet të eliminohen nga TVSH-ja, akcizat dhe taksat kombëtare, nëse duam të kemi një sistem taksash të barabartë për të gjithë, të thjeshtë dhe që lufton evazionin fiskal.