BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Komardarja e shpëtimit

Komardarja e shpëtimit

Pak ndërmjet nesh e kuptojnë të plotë rolin përcaktues të një banke qendrore në ruajtjen e ekuilibrave të monedhës kombëtare dhe të këmbimit të saj me euron dhe dollarin, por edhe të furnizimit të të gjithë sistemit bankar me para-letër në sasi të mjaftueshme edhe në momentet më kritike. Por janë disa situata që ky rol del qartë për çdo qytetar. Së pari, në ditët kur eurot në duart të qytetarëve dhe sipërmarrësve digjnin, nga ulja e menjëhershme dhe e fortë e vlerës së tyre në tregun tonë, pra në ditët e para të qershorit 2018, ishte banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, që qetësoi tregjet dhe të gjithë, duke blerë me dhjetëra dhe qindra milionë euro. Në gjashtë muajt e tjerë, korrik-dhjetor 2018 nuk pati në tregun tonë asnjë rënie të fortë të vlerës së euros. Dhe në dy vitet në vijim, euro ngeli e qëndrueshme në këmbim, pasi në çdo moment vrojtonte tregun Banka e Shqipërisë. Kjo bankë realizoi uljen rekord të nivelit të kredive të këqija për periudhën 2015-2020 (tani ato janë vetëm 9 për qind. Në tetor 2014 ishin 24.5 për qind). Ka qenë një betejë e vazhdueshme, gati ditore me korrupsionin e shumë strukturave zbatuese të pengjeve të kredive, me përpjekjet për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe me stresin e pasigurinë e bankave tregtare. Plani i zbatuar, ndër të tjera, përfshiu fshirjen e një shume të konsiderueshme të këtyre kredive me probleme (rreth 300 milionë euro) nga bilancet e bankave, duke filluar nga viti 2015. Kjo masë ishte një çlirim i mirëfilltë stresi dhe kapitali për të 14 bankat tregtare të sistemit tonë. Ato detyroheshin të mbanin fonde garancie (kontingjenca) për këto 300 milionë euro hua edhe pse për shumicën e këtyre parave nuk kishin shpresë se do t’u ktheheshin. Mbajtja e miliona e dhjetëra miliona eurove si fonde të ngrira garancie u lidhte duart bankave dhe u pakësonte kapitalin që mund ta vinin në punë për të dhënë hua për ekonominë. Krahas pastrimit të bilanceve bankare nga kreditë e këqija, banka jonë qendrore ndihmoi me përshpejtimin e disa reformave kyçe për gjallërimin e kreditimit tek ne, që kanë të bëjnë me fuqizimin e strukturave publike dhe private të përmbarimit. Së dyti, në ditët më të këqija pas grushtit fatal të natyrës, tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe pikërisht më 2 dhjetor 2019, ishte banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë që anoncoi ndihmën prej 87 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ishte e para mbështetje financiare ndërkombëtare. E menjëhershme. Ndihmoi një vend të tërë të shokuar psikologjikisht. Dha dritën në fund të errësirës. Dhe së treti, në ditët më të errta të mbylljes totale nga koronavirusi në mars-prill 2020, banka jonë qendrore garantoi furnizimin me para letër edhe të filialit më të largët të 12 bankave tregtare, që asnjë qytetar, në nevojë për paratë e veta të depozituara nëpër banka, të mos ngelej pa i marrë ato në kohë dhe në sasinë që donte. Banka e Shqipërisë arriti të bindë bankat tregtare të shtyjnë pagesat e kësteve të 21 mijë kredive të dhëna në total nga të 12 bankat tona tregtare për qytetarë dhe sipërmarrjet, për periudhën mars-gusht 2020. Janë afro 360 milionë euro në pagesa të kredive dhe interesave të tyre që u shtynë në kohë dhe kjo pa dyshim ndihmoi si qytetarët dhe biznesin. Këto masa dhe shumë të tjera të marra nga banka jonë qendrore sollën që për periudhën janar-nëntor 2020, kreditimi i ekonomisë të ishte në nivele të mira, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kredia për qytetarët, që e ka teknikisht emrin “kredia për individët”, u shtua me dy miliardë lekë vetëm për tetorin 2020. Me fjalë të tjera, qytetarët kanë marrë si individë dhe jo si sipërmarrës, mbi 16 milionë euro më shumë në hua bankare. Çdo të thotë kjo? Që kanë kërkuar të blejnë shtëpi, së pari. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për banesa është rritur, megjithë periudhën e errët të pandemisë. Ulja e çmimeve për shkak të uljes së konsumit dhe mbylljes dymujore të plotë, ka rritur interesin e qytetarëve të investojnë në pasuritë e paluajtshme. Për dhjetëmujorin janar-tetor 2020, kredia bankare në tërësi ishte 592 miliardë lekë, ose 4.8 miliardë euro. Në krahasim me periudhën janar-tetor 2019, është rritur me 4.7 për qind. Në nivel të sektorit privat, qytetarët dhe sipërmarrjet kanë kërkuar para hua 6 për qind më shumë. Duhet theksuar se pas qershorit 2020, huadhënia i është rikthyer ritmeve normale. Edhe në sajë të mbikëqyrjes dhe ndihmës me ekspertizë të dhënë nga Banka e Shqipërisë, bankat tregtare janë treguar më bashkëpunuese me qytetarët dhe sipërmarrësit që kanë kërkuar kredi, duke ofruar shtyrje të përkohshme të kësteve të kredisë për kreditë e mëparshme dhe klientët e qëndrueshëm, madje edhe ristrukturime tërësore të kredive, duke marrë mbi vete një pjesë të barrës financiare të krizës. Këto janë tre momente dhe arsye kuptimplota pse e quajmë bankën tonë qendrore komardaren tonë të shpëtimit në situata shumë të vështira.